Kulturë
Vladimir Muça: Konvergime kritike
E diele, 21.01.2018, 12:22 PM
Konvergime kritike në një bashkësi të unifikuar
(Refleksione mbi librin studimor “Tatuazhet e shpirtit- transletërsia e Moikom Zeqos” të Fatmir Mingulit)
Nga Vladimir Muça
Në prezantimin e librit studimor “Tatuazhet e shpirtit- transletërsia e Moikom Zeqos” të estetit Ing. Fatmir Minguli, dikush nga diskutantët, Fatos Tarifa, e përqasi këtë letërsi të Moikomit me muzikën e Bethovenit. Pak a shumë dhe në vëzhgimet e mia mbi krijimtarinë e Moikom Zeqos, në mozaikën që ajo përmbledh, tingëllimat që të le në mendje, këtë ndjesi përjetova. Dhe kjo ndjesi mori trajtat e një koncepti të plotë sapo përfundova së lexuari librin studimor të Fatmir Mingulit.
Kjo mozaikë eseistike, “tjetërlloj” nga studiuesit e tjerë, ka marrë konvertimen në tatuazhe duke u aranzhuar në pentagramin estetik, si hyjniteti i sirenave që japin kushtrimin për një lloj të ri letërsie, të pangjashme, me një modernitet ku zgjimet e ndodhive, fenomeneve, miteve, legjendave, jetësohen në një substancë të re kohore.
Kam biseduar, duke shkëmbyer mendime me Moikomin për shqetësimet dhe problematikat e letërsisë shqipe dhe asaj botërore në tranzicionin tonë letrar, dukuritë e reja si dhe pritshmëritë.
Ai, Moikomi, si gjithnjë i plotëruar, më është shfaqur përmes thjeshtësisë së komunikimit e sensibilitetit shoqëror, me tërë qenësinë e përcaktuar aq bukur nga akademik Rexhep Qosja:
” Kërshëria mendore e Moikomit, është e jashtëzakonshme: letërsi, mitologji, pikturë, histori, arkitekturë, arkeologji, politikë, gjuhësi. Eshtë eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh.”
Për të qenë sa më konstruktiv në vëzhgimet e mija studimore për një pjesë të korpusit letrar të Moikomit, dhe sa më integrues me përmbajtësitë e veprës studimore “Tatuazhet e shpirtit- transletërsia e Moikom Zeqos” e studiuesit Fatmir Minguli, krahas rileximit të librit studimor, i’u ktheva dhe vëzhgimeve të mia për të qenë sa më konvergues me atë çka sjell në shkencën e letërsisë, korpusi letrar i Mjeshtrit të Letrave, Moikom Zeqo.
Gjatë përqasjeve, vëzhgimeve më është “pjekur” mendimi se sa më shumë konvergime kritike të arrihen në një përbashkësi të unifikuar, aq më e plotëruar, më e përkorë është vepra letrare. Vepra letrare e Moikom Zeqos, e marrë në analizë nga një shumi kritikësh e përfton më së miri këtë përbashkësi të unifikuar kritikësh.
E unë si udhëtar në karrexhiatën letrare moikomiane, me Fatmir Mingulin, Josif Papagjonin, Ali Aliun, Wayne Miller, Ilia Kaminski, Kathryn Nurenberger, Ahmet Selmanin, Pano Hallkon, Fatos Tarfiën, Ben Andonin, Agim Vincën, Vasil Vasilin, konvergojnë në idetë estetiko- stilistike, në shuminë cilësore të prurjeve, si nga katalogu i shekujve, si një jetësim në një substancë të re, si një tejpamësi vizionare në ardhmërinë e letërsisë shqipe në statusin global.
Në këto përqasje, nuk kam ndër mend të analizoj punën njëzet vjeçare të studiuesit të thukët Minguli, sepse nuk më premton koha të rilexoj një arsenal të tillë letrar të Moikom Zeqos, as të qëmtoj po ato vlera, inovacione që ka zbuluar miku im Minguli, se si bashkëpuntorë në dhjetë vite, kam dakortësuar mbi këto qëmtime të reja në këtë thesar letrar të shkencëtarit të letrave shqipe, Mokiom.
Thjeshtë, në atë çka unë kam përfituar nga ekselenca moikomiane, do të radhis disa prurje.
Sjellja e mendimit kritik nga Fatmiri, përmes transletërsisë të Moikom Zeqos, është një sipërmarrje e lavdërueshme, një dritësirë në mendimin kritik shqiptar, i cili po gjen vetveten në ardhmërinë e re.
Studjuesi Minguli, me këtë vepër studimore, vjen disi “tjetërlloj”, i veçantë, ekstratekstual në konceptimin vëzhgimor krahasues; ku prioritet merr gjithçka që thuhet në tekstin letrar, e ku evidente janë debitet e prurjeve të reja.
Autori i ka lënë mënjanë konceptet e klientelizmit e të “bestsellerit”, evidenton vlerat në kontekstet kohore dhe vendore, duke sjellë para lexuesit atë çka është thelbësore: - karakterin ekzistencial në pakohë, natyralizuar në veprën letrare.
Vëzhgimet e Mingulit vinë para lexuesit si një ngulmim përmes raporteve ndërvepruese ndërmjet shprehjes dhe përmbajtjes të veprës letrare, duke shmangur prioritetet reçensionale, rendjes pas tematikave, e formave të shprehjes së kozmofonisë.
Jo më kot, autori sjell në këto hulumtime nga thesari letrar i Moikomit, sfidat me ndodhi, ngjarje e fenomene të kahershme, por që vinë të jetësuara në aktualitetin përmes noviteteve moderniste.
Vepra e Moikom Zeqos, përmes kaleidoskopit të Mingulit, na vjen si një logaritëm estetiko- filozofike në jetën e sotme, si një apriori i një standarti të ri letrar, në perspektivën e një prosperiteti, kur, akoma letërsia frymon në një tranzicion letrar.
Kjo po ndodh e do të ndodhë dhe në të ardhmen, sepse Moikomi diti të jetë simboli i dy jetëve kriujese, se liria e të shkruarit flirtonte brenda qënies së tij si shkrimtar i një “soji” të ri.
Analiza që autori Minguli, i bën veprave të korpusit moikomian është një punë skrupuloze, një angazhim i madh, mirënjohje ndaj artit të ri letrar, nxjerrje në pah të vlerave më të qëmtuara të cilat janë arkitrarët mbi të cilët duhet të vendoset moderniteti shqiptar i letrave.
Të shkruash mbi punën voluminoze të transletërsisë së Moikom Zeqos, sipërmarrë nga studjuesi Fatmir Minguli, është si të jesh mes një transhendeteje, mes një “Bibloteke të Aleksandrisë” të letrave shqipe, ku skedari pret që t’i rishfletosh edhe një herë librat për të ridakortësuar mendimet, vizionet mbi ardhmërinë e një letërsie inteligjente.
Përgjegjësitë vinë në gradientet e saj më të lartë kur shfleton këtë libër studimor e nëpër të, gjen të sintetizuar apologjinë e debateve në kërshëri të reja, konvencione të një rrugëtimi të ri letrar, zbuluar dhe trioruar me inteligjencë nga miku dhe bashkëpuntori im Fatmir Minguli.
Kemi debatuar shpesh mbi këto dukuri dhe inovacione të Moikomit ku qëmtimi i një letërsie të tillë na ka diktuar debate të pafundme. Pikërisht, këtu qëndron dhe koncepti i transhendecës të autorit për librin “Tatuazhet e shpirtit- transletërsia e Moikom Zeqos”.
Evidentimin e arkifakteve letrare të cilat vinë në letërsinë shqipe si një themeli, kapriata, për një vizion të ri në letrat shqipe, në kontekstin estetik e perifrazon bukur kritiku Ali Aliu kur definon se: “ Subjekti i rrëfimit është bërë universi, njerëzor në hapësirë.”
Në këto përsiatje vëzhgimore edhe Minguli kur trajton format e fenomeneve të mitizuara në thellësinë e shekujve, të anormales dhe të trillerit fantazist, reales e virtuales, duke i vendosur ato si shtrate të së ardhmes, aq shumë të shfaqura në diskutimet ndër shkencëtarët dhe filozofët bashkëkohës.
Këtë autori, siç shprehet dhe vetë e arrin: “ me teknologjinë e përpunimit të ideve” duke ndërthurur nëpërmjet absurdit temat më të mprehta, më të diskutueshme të jetës së sotme njerëzore.
Kur përballesh me një vepër të tillë studimore e në kinematikë të shfaqet një vepër e pafundme me subjektivitetin e përmbajtësinë e saj, e në ballë si një murg Athosi, të përshfaqet më eruditi e ndoshta më i papërballueshmi në analitikën e letrave shqipe, demiurgu Moikom Zeqo, stepesh paksa, analizon potencialin tënd analizues.
Zeqo të magjistron me korpusin e tij poetik të dymbëdhjetë “Miscellaneave”, e patjetërsueshme në lloin e saj. Të hipnotizon me blenet e prozave ku aranzhohet bukur virtualiteti e simbolika e ngjarjeve dhe fenomeneve, mozaika në strukturën e tyre.
Në këtë korpus,- vëzhgon studjuesi,- si një rrezatim i ri për kulturën tonë të letrave, spikat parimi i studimeve eseistike, i cili ndërlidh me fijet e përhumbura por dhe të zbuluara, ndërlidhjen universale midis kulturave e qytetërimeve në një shkollë të re letrare.
Gjithçka në këtë libër, me një transletërsi të re, vinë sinteza studimesh duke u njehsuar në një kryesintezë:- ku produkti lëviz i jetësuar në gjithë kohështrirjen e saj, ku ndrit dukuria me subjektivitetin e vet, lirinë nga “errësira në dritë e nga errësira në dritë”, si një letrarizim i filozofisë dialektike të jetës ku” asgjë s’humbet, por çdo gjë transformohet” e rri si një paradoksi në subkoshiencën tonë.
Në konceptin moikomian,- vëzhgon Minguli, - gjithçka vjen si kultivim i një risie përtej individuales, jashtë shijeve populiste, vjen si dukuri e një letërsie inteligjente, për lexues inteligjent, me vizione të pacak.
Ekselenca e një gjuhe, sendërtuar me intertekste nën shtratin e metaforave polivalente, është ajo e një “gjuhe native” e cila konvertohet lehtë në gjuhë letrare globale me interlokucionet e përbashkësive estetike në kuptueshmërinë e saj.
Jo më kot për Moikomin janë shkruar më shumë se kërkënd shkrime e artikuj të kritikës, duke shtjelluar nëntekstet hiperbolike e misterin e fantazisë të iracionales, drejt një racionaliteti të dëshiruar. Një proçes mendimor që tejkalon gjerdhet e provincionalizmit, të mediokritetit, drejt hapësirave të një moderniteti të ri, vizionar. Kjo veçori, që në vitet ‘70 e dalloi Moikomin, të cilin Frederik Reshpja e perifrazon:” Fenomeni Zeqo, është konçentrimi një intelektualiteti të lartë, etapë e re e letërsisë dhe kulturës shqiptare.”
Një portret i tillë estet dakortësohet sepse në ekselencën e tij Moikomi mori gjithçka si të papërsëritshme nga ekspresionizmi migjenian, nga trashëgimnia e modernitetit botëror; qëndroi larg “estradizmit” butaforik të soc- realizmit dogmatik, duke e afruar letërsinë në rrafshet më të mira, kultivuar në Botën e Lirë.
Vendosi në kapriata e arkitrarë të fortë artistikë rendin e tij vetjak artistik: “Më i epërm dhe prodhues në lidhje me amëshimin artistik” – siç thotë Fatmir Minguli.
Koncepti i ri moikomian u bë majaja përcaktuese e brumëzimit artistik, stoik mbi përvojat e përjetuara nën trysninë absurde të kohës.
Ky mendim i ri estet i Moikomit, i transkriptuar në një seri veprash, më hapën udhën edhe mua si në aspektin krijues edhe në atë kritik në këtë tranzicion letrar.
Në dakortësi me vëzhgimet e Fatmir Mingulit, nga këndvështrimet e mia në mbi 13 vepra letrare të Moikom Zeqos, si dhe nga përftimet nga libri madhor i estetit Fatmir Minguli, evidentoj disa veçori si paradigma të ardhmërisë, nga korpusi letrar moikomian.
1.Veçoj prozat e shkurtra të formatit mozaik; do t’i vlerësoja për karakterin e pasur eruditiv, kapërcimet kohore, shtjellimin e ngjarjeve e fenomeneve, katapultimet historiko-shoqërore si veske të zhvillimt shoqëror. Prozat vinë si subjekte të ndryshme në dukje, pa lidhje, në analizat shoqërore, në intertekstet e tyre, ato suportojnë duke imbursuar njeri tjetrin, si një arketip pasardhës që plotëson paraardhësin.
2.Gjithçka, në proza dhe poezi vjen me një dëndësi gjykimi filozofik, me problemet e stilistikës së re, me më shumë detaje dhe subjekte.
Shumëdimensionalizmi dhe polifonia estetike vjen këndshëm në formate të plota, si një veçori e artit moikomian në pasmodernen e të shkruarit.
3.Intervenimin në substancë që nga mitika, muzealet, bashkëkohoren, Moikomi i mbështet fortas në hulumtimin alkimist të substancës së tekstit, si të atij burimor e zhvëllimor, duke përzgjedhur si një vazhdimësi metafizike, bazimin e filozofisë dilaektike, të ligjeve të mohim- mohimit, duke i kthyer ato në faktor zhvillimi, komunikimi të një bote amorfe, me një botë të gjallë.
4.Ndërlidhjet kulturore referenciale e të drjetpërdrejta, argumenti thellësisht me faktdokumente të cilët kthehen në një artifakt, duke i dhënë rëndësi të shumëfishtë funksionit të tekstit, duke e ushqyar atë me universin përfaqësues.
5.Në shumë proza, sidomos në ato të gjenerimit mitiko- historik, rizgjuar nga zhguni i shekujve, fantazia dhe imazhet e shumëpërdorura në sendet dhe në fenomenet ka shërbyer me shumë efikasitet letrar, ka kapërcyer me sukses kapërcyellat e kësaj estetike të re, vetëveten si krijues, me dualizmin psiko-analitik, për të arritur definicionin letrar, për të cilin aspiron çdo krijues: leximin universal.
6.Në tërësinë krijuese, autori artikulon me supermetafora e parabola, duke i dhënë jetë kulturave shtresuar në xehet e shekujve, duke krijuar identitete e bashkësi estetikash, stilesh me një inovacion letrar të një moikomianeje postmoderne, duke bërë në artin e të shkruarit rimishërimin e zanafillave të miteve, legjendave, në të tashmen e të ardhmen kohore.
7.Personazhet e kësaj “transletërsie”, frymorë dhe jo frymorë, jetësohen nga një botë amorfe, duke mbartur në vetëvete zanafillën, aranzhohen në të tashmen e në të ardhmen, si bashkëudhëtarë të “monedhës së artë” të Jan Kukuzelit apo “lulja e Coleridgës”, si metafizikë e kujtesave historike, në gjendjen frymore të një pluhuri të artë kozmik.
Arti fonderik letrar i Moikom Zeqos konsiston në dhënien e përmasava të reja këtij pluhuri hyjnor, si një qenësi e re, bio-shqiptare, e një pavdekësie ekumenike.
Në to, si një flakë fosforishente, rrymon sharmi artistik, i cili rrugëton prozat e poezitë në karrexhiatën e komunikimit universal, përmes filozofisë të një ”Gjuhe blu” siç perifrazohet tek proza “Zoti Iks”.
8.Produkte të tilla poetike, rrëfimet sinoptike, sjellin intertekste, si dhe rrisin fuqinë izotopike të pathënave, duke e mbajtur lexuesin në fiksion. Ky univers letrar me thellësinë gjykimore e tejpamësinë e vizioneve, pllenon në analet e enciklopedisë njerëzore rrugëtime dhe hapësira të reja.
Duke gjurmuar me parabolat e Franc Kafkës, sidomos në prozat e shkurtra, të përveçme në lloin e tyre e që përbëjnë një padukshmëri letrare në kinematikën e tyre, të muzeuara në formatin e një aisbergu, i cili në vetë- vete nxjerr dukurinë e qenies fragmentare.
Shumia e tij noton me këtë masë letrare me rëndesën e madhështisë së masës e të peshës.
Ajo masë aisbergiane me një përqasje të thellë kohore, noton në detin kulturor të letërsisë e artit shqiptar, duke u shkrirë në oqeanin e letrave botërore, rrymon në këto ujra me etnicitetin e një Golfstrimi bio- shqiptar.
Libri “Tatuazhet e shpirtit- transletërsia e Moikom Zeqos” në konceptimet e reja estete, me refleksionet vëzhguese interpretative të Fatmir Mingulit, është një kontribut në ripërtritjen me një vizion të ri e gjinisë analitike të kritikës, insititutocionalizimit të saj, si një domosdoshmëri e zhvillimeve të sotme krijuese.
Krahas disa studjuesve, nderi i qëlloi Fatmir Mingulit, i cili me anë të këtij bleni studimor( se studimi i veprës së së Moikom Zeqos është në fillesat e saj) të hiptekojë këto vlera në altarin e letrave shqipe, si një materie librare, që do t`i tregojë brezave pasardhës kulturë të lartë principiale.
Me këtë studim voluminoz e me blemet që do e pasojnë, me korpusin monumental letrar, Mjeshtri Moikom Zeqo do të jetë gjithnjë pranë lexuesve, me prurjet inteligjente, duke ndriçuar rrugëtimin e prosperitetit lertar, me vizionet e tij unversale.
Durrës 3 janar- 9 janar 2018
Vladimir Muça
Shkrimtar, kritik