E diele, 13.10.2024, 05:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Poeti që puth marrëzisht hënën

E diele, 21.01.2018, 12:00 PM


Poeti që puth marrëzisht hënën

Libri me poezi nga Hekuran Halili "Enigma vijash"

(ese)

Nga Përparim Hysi

Nëse thënia popullore "Njeriu plaket duke nxënë" ka vlerë aksiome, atëherë edhe unë që jam  tash "në ditët e prapme të Pompeut", e kam thënë dhe  ngulmoj në këtë që them, që, ende, askund në botë nuk ka një shkollë që të përgatisë apo të nxjerrë poetë. Poezia është si peshqesh nga Zoti. Këtë si"peshqesh nga Zoti",pothuajse e kam të vjedhur nga nobelisti JOSEF BRODSKI. Ky,- tregon ILIA EHRENBURG,- pothuaj qe dëbuar nga afro 13 ndërmarje dhe ,për hiç arsye, e marrin të pandehur. E pyet gjykatsi:- I pandehur,çfarë pune bëni?

Unë jam poet,- tha Brodski.

-Ti,poet,- përçmoi gjykatsi.Por ti je dhe i pashkolluar.

- Por poezia,- tha Brodski,- është peshqesh nga ZOTI.

Historia dihet mandej,ky,i"pashkolluari", mbasi u arratis nga Rusia në Amerikë, arriti të marrë çmimin"Nobel".

*     *     *

E bëra gjithë këtë paradigmë, sa për analogji për çfarë do shkruaj më poshtë. Do shkruaj për një poet që është i shkolluar,por nuk ka mbaruar për letërsi,po për inxhinieri. Për inxhinieri,por poezinë (po edhe prozën) e ka"peshqesh nga Zoti". Dhe jo vetëm e ka "peshqesh",por lëvron një poezi që të bën që ta ndjekësh me një frymë dhe,pasi e mbaron librin, do që t'i kthehesh në poezi të veçanta sërish.

Është fjala për poetin  HEKURAN HALILI që me librin e porsabotuar (në vitin 2017),them se ka arritur atë që thotë nobelisti grek JORGO  SEFERIS:" Trualli i poezisë është për të tërë".Po, për të tërë, po varet se si e"punon atë truall" dhe,në një vështrim timin,HEKURAN  HALILI ka arritur të  na dhurojë poezi cilësore.

Librin, me porosi të autorit, ma dha shkrimtari, RESMI OSMANI dhe, kur ma dha, foli me superlativa për autorin. Në  bashkëbisedim, më tha:- Ndonjëherë, bie në hall. Dua të shkruaj për iks-libër dhe, ngaqë nuk e bëj flakë për flakë, shumë gjëra i harroj. Dhe e vërteta kështu është. Sidomos, në moshën tonë. Ndaj dhe unë,për mos harruar,po i shkruaj përshtypjet për librin: flakë për flakë. Në fakt,libri është gati me mbi njëqind poezi, po me mua ndodhi ajo që thotë JANE AUSTIN:" Përsa më përket mua, nëse një libër është i mirë, mua më duket i shkurtër". Mua jo vetëm m'u duk i shkurtër,por ndjeva një ngacmim dhe një relaksim, njëherësh. Ngacmim, se prishi tek unë "orarin e gjumit të drekës" dhe, si çdo përjashtim, ndjeva një relaksim dhe kënaqësi njëherësh.

"Peshqeshi i ardhur nga ZOTI", tek HEKURAN  HALILI ka gjetur një poet që di të bëjë poezi. Me figura artistike që"peshqeshin" e kthejnë në  në një vlerë të vërtetë artistike. Më gjeni kund një poet " që të kapë prej flokësh hënën/dhe e puth atë marrëzisht"(Etyd pranveror). Është sa i çuditshëm,aq unik dhe origjinal:"Më plqen këmisha/që më veshi vjeshta... (Vjeshtë).

Poeti kap një temë që në dukje nuk ka asgjë të veçantë. Por në optikën e tij, nga e thjeshta,lind e bukura. Shijojejni për një çast një poezi që po e sjell të tërën:

Na ndodh

Të gjithëve na ndodh

Që na"rrëshqet" shpirti

Na"rrëshqet" zëmra

Siç na rrëshqet këmba.

 

Nuk thyejmë kocka

"thyhemi" përbrënda

Por na i do kënda

Këto "rrëshqitje" të ëmbla.

 

Na ndodh... të gjithëve na ndodh

Do apo nuk do zëmra.

Pra, me pak vargje (asnjëherë nuk zgjatet dhe nuk të lodh), jep një gjendje ku përfshihemi të gjithë dhe, në çmimin tim,vargu"thyhemi përbrënda", sikur i ka thënë të gjitha.

*     *    *

Poeti pulson me kohën dhe është afër shqetësimeve në vend. Tek poezia "Bëhem  kambanë", pak a shumë stigmatizon politikanët"që shesin e blejnë/mall parlamentar/. Risjell MIGJENIN me"Pyetjen retorike" deri kur kështu ma?" dhe,për mos lënë vend për hamendësime,i vë pikat mbi i:" S'më mbetet gjë tjetër/ bëhem vet një kambanë.Tek poezia "Mik me një gur" ka një hop si gjetje artistike: "... guri,- thotë poeti,- ka dhe lëkurë/ka dhe shpirt si njeri. Dhe Ç'shkruan dhe thotë, nuk  është veç sajim, por ndiqeni:"... ndryshe, pse do themi,zemërgur/.../gur rëndofsh rëndë në vëndin tënd./.

Shijoni tani një poezi pa titull:/ sa i vogël bëhem në gëzimet e mëdha/.../ sa i madh bëhem në mërzitjet e vogla/që si deti brigjet/më gërryejnë/ më hanë.

*    *   *

Le të ndalojmë për një çast tek poezia "Enigmë vijash" që, me të drejtë, autori e ka bërë atë arkitraun që mban në këmbë gjithë"shtëpinë e poezisë".Poeti merr një mision historik: do që prishi kufijtë ndarës dhe është aq qytetar sa do  që,mundësisht, njerëzit në botë të flasin vetëm një gjuhë. Duke marrë këtë mision mbi supe, autori më bën që të kujtoj një thënie proverbiale të publicistit të madh,ISMET TOTO, që shkruante:"  Sa  je gjallë, digju dhe bëhu dritë dhe lësho ngrohtës. Bota nuk është për ata që ngrohen." Shikoni si  shprehet autori: " Ç'dreqin  janë ca vija/që i quajmë vija kufitare/ apo /Ç'dreqin janë ca gjuhë/që me njëri-tjetrin nuk merremi vesh fare?/. " Unë një ditë këto vija do t'i fshij/që mos ketë më kufij/... dhe do bëj që"njerëzit të flasin vetëm një gjuhë/

Duke shkruar kështu, autori, veç tjerash, më kutjon atë thënine me vlerë të HARPER LEE(LI) që thotë:"Të shkruarit është një veteksplorim i pafund i shkrimtarit".

*     *    *

Në tërësi,poeti në libër, ka trajtuar tema nga  më të ndryshme. Ka poezi erotike; ka poezi për"dashurinë e madhe prej gjyshi"; ka poezi elegjiake, si ato për të pavdekshmin DRITËRO  AGOLLI apo për tëpavdekshmit tjetër, valltarin e madh që me kërcimin virtuoz, solli si të gjallë OSMAN TAKËN: për të ndjerin TAIP MADANI. ka përkushtim për mësuesin e tij të letërsisë, HILMI JUPE që,si përkim i rastit, ka mbaruar një vit para meje në ish-Normalen e Elbasanit. Me këto rreshta për mësuesin e ti, poeti sikur thotë:-Poet u bëra nga ti! Dhe u ndjeva mirë tek lexova për atë HILMINË që në shkollë ishte vet urtësia.  Nuk mbarohen përshtypjet për poezitë cilësore në vëllim: mbi tri-katër herë e merr"fëmijëria për dore". Konispoli i mbetë varur si medaljon në qafë dhe deri sa sos tek"Çamëria apo deri tek "Lopsi" po  i Çamërisë dhe arrihet apogjeu me"Poema e gurit" që po e lë për kërshërinë e lexuesit.

Duke e mbyllur, e gjej me vend atë që thotë UNGARETI: "Poezia është poezi vetëm  nëse dikush duke e lexuar apo dëgjuar, ndjehet menjëherë i goditur së brendshmi." Me mua kështu ndodhi flakë për flakë dhe, nëse shkrova kështu për HEKURAN HALILIN,e bëra me ndërgjegje, se pashë atë që thotë Kafka: "Zoti vërtet t'i jep arrat, por nuk i thyen ato". E,sa për mua, poeti i ka"thyer mirë këto arra". Epo, thefsh "arra të tjera", o HEKURAN  HALILI!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora