E hene, 04.11.2024, 03:02 PM (GMT)

Kulturë

Agim Shehu: Në Vitin e Skënderbeut

E marte, 16.01.2018, 07:02 PM


Agim Shehu

 

(Në "Vitin e Skënderbeut")

 

-botuar më 1968-

 

MONOLOGU I FUNDIT

 

U vrava, Gjergj i Kastriotit

në ballësulm, kur çava.

Më dehu era e barotit,

u futa...dhe u vrava!

Shokët që larg ndjekin osmanin,

po i dëgjoj i shtrirë...

O qielli ynë ngjyrë jargavani,

moj Toka jonë e mirë!

O... sa i paskan trimat varret -

sa kjo hapsirë e gjerë!

Mbi kokë dielli më varet

si trandafil i prerë.

Malet këndojnë këngë lufte, -

po ndjej muzikë nga yjet...

Një "këngë" shpatash ikën tutje,

një gajde vjen te kryet.

Do ngrihem prapë të shkoj me shokë

nën shpatën e flamurin...

por mbaj të vrarët turq si robër

mos ngrihen, prishin grurin.

Kështu armiku ta bëjë bé,

se kush e ftoi - "hajde!.."

Ndaj rashë, i Madhi Skënderbe...

...Sa mirë këndon kjo gajde!

 

MALLKIM, TRADHËTAR!...

 

Ike nga toka nënë, tokë e lashtë;

qën-tradhëtar - të shkoftë jehona!

Të shkreptë rrufeja e shkrumb të lashtë,

të vraftë hija e maleve tona!

Në oborr sulltanës krimb u mbështolle,

të dhanë tuje e nishanë si rrebelëve...

Të zëntë sytë strehë e kasolleve,

të mallkoftë blegërima e deleve!

Nën gjysmëhënën kokën e vare,

sytë lavdia osmane t'i mori.

Të verboftë hëna shqiptare,

të përvëloftë diell i Tomorit!

Dhe vjen Pashà me hordhi të mëdha,

vringëllin jatagan e na sulesh...Eja!

Kjo tokë e bekuar që frymë të dha,

frymën kjo do ta shkulë...Eja!

Vazhdon zhgryhesh mes salltanetesh

në horgjira të pistë e të mbrapshtë...

Sytë t'u zënçin për jetë të jetëve,

nderi i vajzave tona të vraftë!

...Do ecë ky mallkim i të parëve

brez pas brezi, Ballaban-horri.

Oj të verboftë buka shqiptare,

të përvëloftë Diell i Tomorit!

 

KËNGË E GRAVE TË SKËNDERBEUT

 

Burrat tanë s'i hoqën kurrë

armët nga brezi, as ditë as natë,

kështu, dhe kur fjetëm me burrat,

flinim tok dhe me shpatë.

Ne ajrin e kemi erë limoni,

ne erën e kemi aromë dafine...

Duart e tyre kur flokët na lëmonim,

erë lufte ndjenim pas shpine.

Burrat në krahë i patëm të rëndë,

bota s'kish të tillë gjëkund.

Ne u mësuam që buzët t'i vëmë

dhe në plagët e tyre pa fund.

Fëmijët tanë që lindën shpateve,

fëmijë - ushqyer në ara rreth duajve,

i pagëzoi vringëllima e shpatave,

i përshëndetën hingëllimat e kuajve.

Ne i rritëm të fortë si gurin

dhe gur prej shkëmbi provat kaluan.

Mbi djep, sa lindën u hodhëm flamurin

dhe kur u vranë, me flamur i mbuluam.

 

VALLJA E FUNDIT

 

Atdheu ra, dhe ne të biem,

ç'na duhet më dhe jeta!

S'ka gjë se vajzërinë e shtiem

pa mbushur të njëzetat!

Na jepni zemër, o humnera

edhe në gji na mbani!

Më mirë nga shkëmbi ynë të prera

se sa nga thikë osmani.

O vajza, motëra që vini

në kohëra të pasme,

kujtonani dhe vënd na lini

mes jush në valle dasme!

Se vallja jonë gjysmë mbeti,

u mbyt në flakë e kujë.

Rrufe e zezë Sulltan Mehmeti,

na hyre gjer në Krujë!

Tërë brezi ynë bëri ç'mundi

që ju t'ju vijë mëngjezi...

...U nis dhe vallja jonë e fundit

t'ju vijë brez pas brezi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora