Kulturë
Kujtim Mateli: Mrekulli shqiptare në Shkup
E enjte, 11.01.2018, 08:02 PM
Mrekulli shqiptare në qendër të Shkupit
Ese
Nga Kujtim Mateli
Shkupi është një nga qytetet e mi më të dashur, për shkak të historisë dhe të qendresës së tij mijëvjeçare. Ka qenë vazhdimisht në përballje me të huajt që kërkonin ta zhduknin popullsinë shqiptare. Ka qenë gjithmonë nën trysninë e një perandorie lindore që kërkonte ta zhbënte. Shumë troje shqiptare në lindje të Shkupit u zhbënë dhe banorët e tyre ose u larguan, ose humbën identitetin. Po Shkupi jo. Nëse Kruja ishte një fortesë që u bëri ballë hordhive osmane për një çerek shekulli dhe i shkroi muret e fortesës së saj me lavdi, Shkupi ka qenë dhe mbetet një fortesë e përhershme, një lavdi shqiptare ku pena e historianit, etnografit dhe në veçanti e poetëve duhet ta përjetësojë në të gjithë dimensionin e saj gjeografik dhe shpirtëror. Shkupi e ka në qendër të tij atë simbolin e kombit tonë, Skënderbeun e pavdekshëm, rreth të cilit janë të grumbulluar të gjithë shqiptarët. Skënderbeu ka qenë dhe mbetet shenja dalluese e të qenit shqiptar, shenja identifikuese e kombit tonë, e pranuar plotësisht nga çdo shqiptar si simbol i identitetit të tij.
Shkupi është vendlindja e Nënë Terezës, e shenjtores më të madhe të kohëve moderne. Në këtë botë ku njeriu është mbledhur brenda guaskës së interesit të vet personal, materialisht dhe shpirtërisht, bota shpirtërore e Nënë Terezës preku hapësirat e Universit ku jetojmë. Ajo u bë modeli i njeriut të epokës sonë, mishërimi i mirësisë dhe dashurisë njerëzore. Ka mbetur vetëm akti formal për ta shpallur Shkupin: Kryeqyteti Shpirtëror i Shqiptarëve.
2
Qendra e Shkupit është e mbushur me monumente dhe statuja. Aty, në atë qendër, është historia e tij e derdhur në bronz. Një histori që është kontestuar fort nga fqinji i saj jugor, Greqia, me arsyetimin se i ka marrë emrin dhe heronjtë. Një kontestim i fortë që e mban Maqedoninë jashtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Po sa të drejtë ka Greqia në këtë ndërhyrje? Sa të argumentuar e ka ajo pretendimin se emri Maqedoni i përket asaj dhe se heronjtë maqedonas të kohës së antikitetit i përkasin asaj?! Monumenti madhështor i Filipi II tërheq vëmendjen e çdo vizitori. Është një nga figurat më të rëndësishme të mbretërisë maqedonase. Mbreti i parë që shënon fillimin e zgjerimit të territorit maqedon. Le të njihemi me të nga autorët e antikitetit, dëshmia e të cilëve ka vlera të padiskutueshme dhe marrin vlerën e një prove, kur atyre u bashkangjiten dhe dëshmi të tjera të pakontestueshme.
Justini, (Përmbledhje e historisë së Filipit) të Pompei Trogut, Libri VII.
“Maqedonia quhej më parë Emathi, sipas emrit të Emathit, i cili qe i pari që dha shembull trimërie në këtë vend. Territori i saj rritej shumë ngadalë dhe kufijtë e saj ishin shumë të ngushtë. Populli quhej pellazg dhe krahina Botia. Por me kalimin e kohës, në saje të guximit të mbretërve dhe energjisë së popullit, Emathia, pasi nënshtroi në fillim fqinjët e saj, dhe më vonë shumë fise e popuj të tjerë, u zgjerua deri në kufijtë më të largët lindorë”. Justini na e thotë qartë që popullsia ishte pellazge. Të thuash që popullsia ishte pellazge, do të thotë që popullsia nuk ishte helene, sepse helenët dhe pellazgët ishin dy popullsi të ndryshme, i pranuar ky fakt jo vetëm nga autorët e antikitetit, por dhe prej institucioneve shkencore të kohëve moderne. Vetëm kjo dëshmi e rrëzon pretendimin e Greqisë së sotme që e pretendon Maqedoninë antike si të sajën. Maqedonia ishte pellazge dhe pretendimi i parë që rrëzohet është ai i Greqisë së sotme që e mban peng Maqedoninë për ta futur në strukturat euro-atlantike.
Vijmë tek dëshmia e dytë e autorëve të antikitetit. “Herodoti e emëron Maqedoninë Pellazgji dhe e konsideron Olimpin si kërthizën e pellazgëve” Aleksandri i Madh, histori dhe rrëfenja, përktheu dhe përgatit Llambro Ruci, Sh. B. Ombra GVG, Tiranë 2005, fq. 49.
Ja dhe Dëshmia e dytë, ajo e Herodotit,
i cili dëshmon se Maqedonia nuk është helene. Të dy autorët, njëri romak dhe
tjetri helen, na thonë të njëjtën gjë. Ata e përcaktojnë qartë dhe etninë e
saj: Maqedonia i përket Pellazgjisë. Është absurditet që të ndërhysh kaq
brutalisht mbi Maqedoninë dhe t`i mohosh asaj përfshirjen në BE dhe NATO, me
preteksin se Maqedonia është helene dhe ky emër i përket Greqisë. Po cilat kanë
qenë lidhjet e Maqedonisë antike me popullsitë fqinje.
Straboni, Gjeografia, Fragmente nga
libri VII
“Si tek maqedonasit edhe tek thesprotët dhe molosët plakat i quanin pelia dhe pleqtë pelii. Pra ata i quajnë peligonë njerëzit e nderuar, ashtu si tek lakonët dhe masaliotët pleqtë. Prej kësaj, sipas legjendës dhe ato që shërbejnë tek lisi i Dodonës i quajnë pelia”
Straboni na jep një dëshmi të
rëndësishme se maqedonasit, si dhe molosët e thesprotët e Epirit kishin të
njëjtën gjuhë. Të moshuarit apo pleqtë i emërtonin njësoj: peli. Po ta shohim
me kujdes dëshminë e Strabonit burrat quheshin peli, kurse gratë pelia. Nëse do
ta shohim nga ana gjuhësore këto janë dy emra të gjuhës shqipe. Shembull: plak-plaka, emri femëror ka
dalë nga emri i gjinisë mashkullore duke i shtuar mbaresën -a. Në antikitetet
kemi: peli-pelia, ku emri femëror ka dalë nga emri i gjinisë mashkullore duke i
shtuar mbaresën -a. Pa shtuar se emri plak-plaka është produkt i zhvillimit
gjuhësor të emrave antikë peli-pelia. Shohim dhe një dëshmi tjetër të
Strabonit.
Straboni, Gjeografia, Fragmente nga
libri VII.
“ Edhe gjithë viset gjer në Korkyrë disa bile i quajnë Maqedoni, për arsye siç thonë, se banorët e këtyre krahinave përdorin edhe të qethurit, edhe të folurën, edhe mantelin (klamydën), edhe gjëra të tjera në mënyrë të ngjashme”
Dëshmia e Strabonit është e qartë. Epiri dhe Maqedonia janë popuj të njëjtë. Epiri ishte pellazg, sepse aty ishte kryeqendra e gjithë Pellazgjisë, aty ishte Dodona. Si popull pellazg ata (mqedonasit dhe epirotët), kishin shumë gjëra të përbashkëta dhe konkretisht:
a) kishin të përbashkët gjuhën. Po gjuha është elementi më i rëndësishëm i identifikimit të një kombi.
b) Visheshin dhe qetheshin njësoj. Këtu kemi hyrë në një fushë të rëndësishme që dëshmia e Strabonit mund të konkretizohet me dhjetëra shembuj të tjerë, sepse prerjet e monedhave dhe gjetjet arkeologjike, po të mblidhen dhe të krahasohen, do të na vërtetojnë, padyshim, dëshminë e Strabonit, megjithëse dëshmia e tij nuk ka nevojë të vërtetohet për shkak të saktësisë që ai na ka dhënë në të gjithë veprën e tij.
c) Ka edhe gjëra të tjera në mënyrë të ngjashme. Kjo do të thotë se midis pellazgëve të Epirit dhe pellazgëve të Maqedonisë, të dy popujt që kishin dalë nga i njëjti trung, nuk i kishin humbur tiparet e përbashkëta. Dëshmia e Strabonit, Herodotit dhe e Justinit na vërtetojnë se Maqedonia antike ka qenë pellazge dhe nuk ka pasur asnjë lidhje etnike me helenët.
3
Artur Vajgal, Aleksandri i Madh, Tiranë 2002, fq. 8.
“Oborri mbretëror maqedonas e fliste greqishten atike si gjuhë të dytë dhe duket se e flisnin dhe princat malësorë të Lynkestit” Kjo dëshmi është e qartë se maqedonasit dhe helenët ishin dy popuj të ndryshëm. Maqedonasit si popull pellazg fliste pellazgjishten. Greqishtja ishte për ta gjuhë e dytë. Po këtu kemi një tjetër të dhënë, se edhe ilirët e Lynkestit e flisnin dhe ata si gjuhë të dytë greqishten atike. Po nëse Lynkestët ilirë do të ishin popull i ndryshëm nga maqedonasit, pra të flisnin tjetër gjuhë nga maqedonasit, atëherë lynkestët do ta flisnin gjuhën helene si gjuhë të tretë, sepse si gjuhë të dytë do të flisnin maqedonishten.
Artur Vajgal, Aleksandri i Madh, Tiranë 2002, fq. 38
“Veç nuk duhet të harrojmë se ai (Aleksandri i Madh), nuk ishte me prejardhje thjesht maqedonase. Olimpia u përkiste Molosëve të Epirit dhe nëna e Filipit ishte një grua shqiptare prej Lynkestit dhe njihej si ‘barbare’ ”. Ja ku na dalin maqedonasit pellazgë dhe lynkestët ilirë të lidhur midis tyre jo vetëm nga gjuha, por dhe në lidhje të ngushta farefisnore. Maqedonasit dhe epirotët u përkisnin fisit të pellazgëve, ndaj Olimbia (emri i saj i vajzërisë ka qenë Myrtili) nuk është barbare për maqedonasit. Nëna e Filipit të II-të, ishte ilire ndaj dhe me të drejtë autori thotë se ajo njihej si ‘barbare’ pra që nuk i përkiste fisit të pellazgëve, edhe pse flisnin të njëjtën gjuhë.
4
Në këto troje ilire, ku Filipi II e kaloi një pjesë të kohës në atdheun e nënës së vet, tashmë përjetësohet nga një monument madhështor, në këto brigje të lumit të famshëm Vardar. Pak më tej, ndodhet një tjetër monument. Është Olimbia (Myrtilia) e Epirit, gruaja më e famshme e të gjithë mijëvjeçarëve deri në ditët e sotme. Monumenti e paraqet portretin e saj në disa pamje. Ato lidhen me rolin e saj si nënë. Në trup dhe në krahët e saj, në disa faza të jetës, deri sa e kapërceu atë fazë që quhet fëmijë, në disa pamje madhështore e kuptimplote, është ai djaloshi kureshtar e plot guxim, që më vonë do të mbulohet nga fama e pashuar, Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Edhe kaq, si nënë e këtij strategu të shquar, Olimbia do të vinte krenare deri në ditët tona si modeli i gruas së kohës në të cilën jetoi dhe i shekujve që pasuan deri në ditët e sotme. Po Olimbia, në mungesë të djalit të saj në kohën që historia e kishte thirrur të ndodhej në Lindje, tregoi mençurinë dhe zgjuarsinë e pakufishme, aftësitë e saj drejtuese në krye të mbretërisë maqedonase, por dhe të Epirit si vajzë e familjes mbretërore të Epirit.
E ilustrojmë me një shembull: Në vitin 333 para erës sonë mbreti i Epirit, Aleksandri, u vra në një nga betejat e tij që zhvilloi në Itali. Koha që mbreti ishte i zënë me luftimet në Itali, por edhe pas vdekjes së tij, deri në zgjedhjen e mbretit të ri, Epiri duhet të ketë qenë nën kujdestarinë e Olimbisë, mbretëreshës së Maqedonisë, e cila ishte e motra e Aleksandrit të Epirit dhe që kishte të gjithë fuqinë të qeveriste Epirin deri në zgjedhjen e mbretit të ri. Kjo ka qenë koha më e përshtatshme, nëse dikush do të ndërhynte në Epir. Këtë mundësi e shfrytëzuan athinasit të cilët donin të shtinin në dorë orakullin dhe tempullin e Dodonës, duke ndërhyrë mbi tempullin e Dionës. Por ata u ndalën rreptësishtë nga Olimbia, e cila u kujtoi athinasve nëpërmjet delegatëve të saj se “nuk mund të bënin asnjë veprim, pasi tempulli i Dodonës ishte në zotërimin e saj dhe askush nuk mund të vinte dorë mbi të” H.W.Parke, The oracles of Zeus Dodona, Olympia, Ammon, faqe 142.
Kjo ishte Olimbia, e cila kishte zgjuarsinë dhe guximin të përballej me cilindo që kërkonte të tjetërsonte identitetin e Dodonës, ku ndodhej orakulli i famshëm që nuk ishte vetëm i epirotëve pellazgë, por edhe i maqedonasve pellazgë. Të tjetërsoje identitetin e Dodonës, do të thotë të tjetërsoje identitetin e Epirit. Nëse Epiri mbeti jashtë sferës së ndikimit helen, arsyeja është se helenët nuk ia dolën dot të ndikonin mbi tempullin e Dodonës. Kjo është Olimbia, e aftë të qeveriste dy mbretëri. Aftësinë e gruas shqiptare do ta gjejmë në kohë të mëvonshme tek mbretëresha Teutë e Ilirisë. Vetëm ilirët dhe pellazgët e antikitetit, i kishin dhënë gruas dinjitetin që meritonte, duke e ngjitur në shkallën më të lartë të hierarkisë shtetërore. Këtë dukuri nuk e gjejmë as tek helenët, as tek romakët, çka tregon se etnia pellazgo-ilire, kishte tjetër organizim shtetëror e familjar nga popujt e tjerë rrotull tij.
5
Ura e Vardarit ndan Shkupin në dy pjesë, njëkohësisht dhe qendrën e tij. Në krahun e djathtë të Vardarit, ngrihet madhështor monumenti i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Përpara madhështisë së tij janë verbuar si helenët dhe maqedonasit. E vetmja lidhje midis maqedonasve të rinj, të shekujve pas Krishtit, është se ata u vendosën në një pjesë të atyre trojeve ku ka shtrirë sundimin e vet mbretëria maqedonase e antikitetit. Që të dy, ata helenët e vjetër dhe maqedonasit e rinj, nuk kanë asgjë të përbashkët në pikëpamje të etnisë me Aleksandrin e Madh. Po ata po luftojnë aq fort, sa krijon përshtypjen në opinionin botëror se Aleksandri i Madh qëndron diku midis tyre. Mqedonasit e rinj, duke u nisur nga pikëpamja kohore, e dinë mirë se ata vetë, nuk kanë asnjë lidhje me Aleksanrin e Maqedonisë. Po ata dinë mirë faktin se midis helenëve dhe maqedonasve të kohës së Aleksandrit të Madh nuk ka asnjë lidhje midis tyre. E vetmja lidhje reale e Aleksandrit është ajo që ekziston midis Maqedonisë, Epirit dhe Ilirisë. Përderisa maqedonët e rinj janë vendosur në këto troje ilire, pra e kanë në bashkëpronësi këtë truall me autoktonët shqiptarë, mendojnë se u lind një e drejtë, qoftë dhe e pjesëshme, ta quajnë Aleksandrin si të tyren, në raport me helenët që nuk kanë asnjë të drejtë ta quajnë të tyren. Pasardhësit e vërtetë të Aleksandrit të Madh, ata shqiptarët e sotëm, në veçanti ata që ndodhen në trojet e Maqedonisë, vështrojnë këtë duel greko-maqedonas pa folur një fjalë. Kjo gojëkyçje e shqiptarëve, e pasardhësve realë të Aleksandrit të Madh, ka bërë që të dy falsifikatorët e historisë të ndeshen ashpër midis tyre, por që në fund do të rezultojë një betejë qesharake, sepse të vërtetat historike nuk mund të fshihen dhe të veniten përgjithmonë, por në fund të procesit do të triumfojë e vërteta dhe ata, kryeheronjtë e antikitetit, do të vendosen në përmasat reale që mbart historia.
6
Aty në sheshin qendror të Shkupit, Aleksandri i Madh, lartësuar ndoshta në një nga piedestalet më të larta në botë, mbart mbi vete mistere që presin të zbardhen. Misteret ndaj tij nuk zbardhen duke i qendruar ftohtë sikundër veprojnë shqiptarët as duke e afruar tinëzisht sikundër veprojnë të tjerët. Të qëndrosh ftohtë ndaj Aleksandrit të Madh, do të thotë t`i qëndrosh ftohtë në radhë të parë vetes tënde, epokës në të cilën jeton. Jemi i vetmi popull evropian që e kemi të mjegulluar historinë. Indiferenca e pajustifikuar nga institucionet shkencore të trojeve shqiptare, ka bërë që të tjerët të gëlltitin pjesë nga historia jonë, duke dëmtuar seriozisht identitetin e shqiptarëve. Po sado i dëmtuar të jetë ky identitet, Aleksandri i Madh ka qenë dhe do të mbetet pjesë e identitetit iliro-maqedonas. E fillojmë nga pika më e largët që e lidh familjen mbretërore maqedonase me shqiptarët. Ajo është bija shqiptare e fisit të lynkestëve që lindi Filipin e Dytë. Kaq është e mjaftueshme për të thënë se Filipi i Dytë dhe pasardhësit e tij janë shqiptaro-maqedonas. Dëshmia e dytë që e lidh familjen mbretërore maqedonase me shqiptarët është se Olimbia, gruaja e Filipit të Dytë që lindi Aleksandrin e Madh, ishte një vajzë tjetër shqiptare nga familja mbretërore e Epirit. Dëshmia e tretë që e lidh familjen mbretërore maqedonase me shqiptarët është se vetë maqedonasit si popull ishin pellazg. Atëherë jemi përballë faktit që familjen mbretërore të Maqedonisë ta konsiderojmë si pjesë e fisit tonë. Ky është një përfundim që del kur analizojmë lidhjet midis shqiptarëve dhe maqedonasve antikë. Fatmirësisht ky përfundim ka dalë rreth 150 vjet më parë, kur albanologu i shquar gjerman Johann Georg von Hahn, në një studim voluminoz për shqiptarët arriti në përfundimin se ilirët, maqedonasit dhe epirotët, ishin popuj të të njëjtit trung. Të tillë e ka konsideruar Heroi ynë Kombëtar Skënderbeu, të tillë e konsideronte Rilindja jonë Kombëtare dhe në veçanti Poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri, jo vetëm nga dëshmitë që ata zotëronin, por dhe nga trashëgimia e mbartur nëpër shekuj që maqedonasit dhe familjen mbretërore të Aleksandrit të Madh, shqiptarët e konsideronin si pjesë të fisit të tyre. Poetët dhe shkrimtarët e ditëve të sotme e kanë hedhur hapin e madh në unifikimin e trojeve shqiptare, pas një ndërprerjeje gati 100-vjeçare që nga viti i mbrapsht 1913 që e copëtoi Shqipërinë. Tashmë poetët e shkrimtarët e kanë unifikuar hapësirën gjeografike dhe shpirtërore që na mban të bashkuar si gishtërinjtë në pëllëmbë të dorës. Ndërsa poetët dhe shkrimtarët lëvizin lirshëm me vargje, personazhe dhe ide në hapësirën gjeografike të trojeve tona, mbetet që me kaq lehtësi të lëvizet dhe në dimensionin historik. Ta duam dhe ta dashurojmë historinë e popullin tonë duke shkuar drejt gjenezës së tij autoktone në këto troje. Duke gërshetuar harmonishëm dimensionin gjeografik me atë historik, do të mund të ecim të sigurt drejt hapësirave evropiane që na mundëson Mijëvjeçari i Tretë.