Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Hoqa shqiponjën nga flamuri
E merkure, 17.01.2018, 08:52 PM
Në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut
Sejdi BERISHA:
HOQA SHQIPONJËN NGA FLAMURI...!
Shikoja flamurin
Si valonte mendueshëm në erë
Flladi i puthitej për trup
Gjithnjë kështu
Derisa nga pëlhura e kuqe
Hoqa shqiponjën
Fluturo e lirë kah të duash
I thashë
Ajo mori krahë
Dhe u zhduk shkrepave
Edhe ngjyrën e kuqe
E nxora nga pëlhurë e flamurit
Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut
I thashë
Iku si mos të kishte qenë
Kush e di se kah
Shprushte gjakun e njeriut
Një ditë
Sërish shikoja flamurin si valonte
Në te
Ishte kthyer shqiponja
Edhe ngjyra e gjakut
Këtu e kemi vendin-thanë
Dhe s’lëvizim dot
Jemi shekujt duke i përcjellë
I ndrydhur nga ethe gjaku thashë:
Po sa shumë janë të lidhur
Shqiponja me ngjyrën e kuqe
Po kush mund të bëjë mëkat
Nëse këto dy madhështi përpiqet t’i ndajë
Të mbështjella me libra krenarie
Me dhembje e lumturi në gji
Pëlhura
Ngjyra e kuqe dhe shqiponja
Sa herë janë copëtuar
Sa herë janë djegur
Sa herë janë futur në gji
Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut
Sa herë janë bërë grimë-grimë
Dhe sërish janë të lidhura bashkë
Çfarë dashurie është kjo
Që nuk peshohet me barrën e shekujve
As dot nuk e ndryshkin kohërat...
(Kjo poezi është nderuar me shumë çmime në Shqipëri dhe në Kosovë)