E marte, 10.12.2024, 04:40 AM (GMT)

Kulturë

Nebi Dragoti: Vettingu ynë trim i fortë

E diele, 01.10.2017, 10:28 AM


NEBI DRAGOTI

VETTINGU YNË TRIM I FORTË,

S’ NJEH VËLLA, MIK  E SHOK…

Fejton

Bjeri drejt, se unë e di, ti i bie detit tejpërtej edhe në këmbë…Ty, ka kohë që të pret populli im krah hapur, se të ka si djalë e trim të rrallë e të vetëm, që syri nuk ta bën tërrt. Eh, vetting, eh vetting! Kam shkruar për të opinione, poezi, fejtone, satira, hajqe satirikë. E kam marrë si personazh, njeri të rrallë të plotfuqishëm, qënie mitollogjike, shpëtimtar njerëzimi ose më mirë e më saktë shpëtimtar i shqiptarëve. Desha që të bësh naming ( në fushë të druve), të çuditet i madh e i vogël me bëmat e tua, që i presim me padurim.Sus, sus t’ua bësh! E di vetë ti se kujt, nuk po përmend emra, se nuk do as populli që t’i dekonspiroj, se ikin ata, surdisen nga frika , se kanë bërë shumë zullume. Ata, nga ty, o vetting pafilluar, i kanë lagur brekët…Të poshtërit , të ligët, hajdutët, korrupsionistët, legenët. Mirëpo unë nuk e kam besimin në shkallën superiore, se kam frikë, se mos kryehajduti, hajdutët  bërtasin : “Kape, kape hajdutin!”. Larg qoftë kjo! E, m’u ktheftë besimi, tamam, si një plus një bëjnë dy që dhe unë të këndoj me popullin tim: “Vettingu ynë trim i forte/, s’ njeh vëlla , mik e shok”… Hajt, qoftë për hajër!  Urimi në vesh të vettingut vaftë!

Vloni dajre, gajde, çifteli,

Vloni nga jugu në veri.

Të madhe festë ka shoqëria,

fiton populli, tërë Shqipëria!...

…Sikur u zgjat shumë, por më mirë vonë se sa kurrë. Vettingu edhe gjithë forcën tonë popullore në këtë betejë e marrtë që të dalim faqebardhë e të ecim me ballin lart rrugëve të pastra të demokracisë.

____________

NEBI DRAGOTI

KATËR TREGIME

1.         LULET

Lule vjeshte të freskëta: të verdha, të kuqe, bojë qielli të hapur i mbante në dorë. I kishte kaluar koha për martesë, sepse edhe vetë nuk e kishte dashur jetën bashkëshortore. Mirëpo jeta nuk ngryset vetëm. Vjen një ditë e pendohesh, kur është edhe tepër vonë për t’u penduar. – Vallë për kë i ka këto lule?- pyeti Vera, një komshie. Kish pasë një të dashur me të cilin nuk kishte dashur të ekspozohej. Ne prisnim që të martohej me të. Jo, jo kjo nuk ndodhi. E ndiqnim me sy, kur ajo u kthye tek porta e varrezëve. – Ohoo,- u shfry Vera. Ish i dashuri, nga një goditje infrakti në zemër vdiq. Me siguri, lulet e njoma në shenjë kujtimi për dashurinë e pakurorëzuar në martesë, vete dhe ia lë tek varri. Do të vyshken lulet edhe bashkë me lotët do të thahen.

2-KAPELJA

Shitësi të hedh syrin nga këmbët gjer tek koka. Sipas kësaj mënyre të mat mirë e mirë e të thotë çmimin. Qëndroja në këmbë. Dëgjoja bisedën me paraklientin tim. Një tjetri, për të njëjtin mall, ia dha me çmim më të ulët. Kur më erdhi radha mua, iu drejtova: - E lëviske keq çmimin , zotëri! M’u përgjigj:- Simbas kokës unë i vë kapelen.- Bukur, bukur ndodh kjo, kur shtetit duhet t’i vësh kapelen, se kokën e ka të zbuluar…- Ëhëë,- u largova pa psonisur gjë tek tregtari duke i thënë:- Zotëri, zotëri, besa, unë kapelen e kam blerë vetë qyshkur…

3-MIKROBI

M’u ngjit mikrobi, sigurisht, një djalosh me ngjyrë, duke më dalur përpara. E pyeta në punonte dhe ku. –Jo, jo nuk punoj, se jam operuar dhe më tregoi nën sqetull mjekimin me një fashë e plastmas. –Nuk është mjekim profesionisti,- i thashë. – E mjekoj vetë,- më tha. – Drejtohu për mjekim në spital,-i sugjerova. Nuk kishte ç’t’më thoshte. Vazhdoi:- Jam jetim. Kam ngelur vetëm. Babai ka dy vjet që më ka vdekur. Nëna më ka vdekur tani. Një kalimtar e njihte e filloi të qeshte…E kuptova. - Nuk kalohet jeta me të lypur. Paske shumë plagë. Vetëshërohu dhe puno të gëzosh jetën. U ndava me lypsin, mikrobin e vetvetes.

4-EUFORIKU

Gjithë solemnitet prej tangërlliku. Ra në qejf me veten. Nuk e di ngaiI erdhi. –Që të shkruash poezi, duhet të kesh b…, - u shpreh dhe unë u habita. Unë ia kasha lexuar krijimet. M’u lut që t’i bëja dhe një shkrim. E quante veten mbi të tjerët. –Ke rënë në eufori, mik, - iu drejtova. Fliste për veten, mburrej sa s’ka, se ishte poet kalibri. Në fakt, nuk ishte kështu. Bënte ç’është e mundur me shoqëri të sëmurë të fitonte ndonjë çmim në ndonjë konkurs. Euforike dhe juria, me nivel jo të aftë për të qënë juri. Kështu ngrihen këto juritë. Sëmundje e kohës kjo… përballë krijuesit mediokër dhe nën nivelin e vlerës mezatare.

Shtator, 2017.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora