E diele, 28.04.2024, 05:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Historia e Durrësit mbi dhe e nën dhe

E enjte, 20.04.2017, 07:34 PM


HISTORIA E DURRËSIT, MBI DHE E NËN DHE

Udhëtim nëpër botimet e Prof. Dr. Hava e Sali Hidri

Nga Kadri Tarelli

Arkeologët dhe historianët e qytetit të Durrësit, Prof. Dr. Hava dhe Sali Hidri, tashmë njihen në opinionin shkencor, si zbulues, studiues dhe botues, brenda e jashtë vendit. Gjurmët e veprimtarisë së tyre kërkimore-shkencore janë të pranishme si në shtypin shkencor edhe ate periodik. Mbi të gjitha rëndësi kanë botimet e tyre shkencore në organet e specializuara të shkencës arkeologjike shqiptare, të lidhura kryesisht me rezultatet e gërmimeve ndër vite. Do të dëshëroja që, trajtesën për të dy bashkëshortët Hidri, ta nisja me vlerësimin e shkrimtarit tonë të talentuar e prodhimtar Shpendi Topollaj, me këtë vlerësim:

Më shumë se një rastësi, do ta quaja fat për qytetin e Durrësit, që bashkëshortët Hava dhe Sali Hidri me përkushtimin e shkencëtarëve të vërtetë, kërkojnë, shkruajnë, inkurajojnë njëri-tjetrin, bashkëpunojnë dhe botojnë libra me vlera të mëdha arkeologjike dhe historike, duke na detyruar të nderojmë dhe vlerësojmë kontributin e tyre të çmuar.

Temat dhe figurat që ata trajtojnë me kompetencë profesionale, kulturë, ngrohtësi njerëzore, por dhe dashuri për atdheun, janë një kontribut i padiskutueshëm në fushat përkatëse. Kushdo që e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e tyre, ka konstatuar se intuita e pagabueshme i ka orientuar ata, që të dinë ku të drejtohen e çfarë të zgjedhin”.

Veçori dalluese e studimeve dhe botimeve të këtyre dy autorëve, është larmia tematike. Ata kanë analizuar historinë e Durrësit nga fillimet e jetës në këtë bregdet, ose nga prehistoria deri në ditët e sotme, rreth 5000 vjet histori e jetesë së këtij qyteti. Rëndësia e këtyre studimeve, qëndron në vertetësinë e materialit arkeologjik të zbuluar nga këto autorë dhe dokumentacionin historik e arkivor që i referohen. Në 30 librat e botuar, arkeologët Hava dhe Sali Hidri, i kushtojnë vëmendje të posaçme historisë së Dyrrah-Epidamnit dhe banorëve autoktonë pellazgo-ilir të tij. Ky qytet, paraqitet si një qendër e madhe portuale, jo vetëm e Ilirisë së Jugut, por me përmasa ballkanike dhe mesdhetare. Kurdoherë kryeqendër dhe urë kalimi ndërkontinentale, njëkohësisht me kulturë bashkëkohore.

Botimet në pjesën më të madhe janë monografi, me subjekt arkeologjik ose historik-biografik. Nuk mungojnë edhe botime për problem të veçanta për aktivitetin ekonomik-tregtar, zejtar, demografik, etnik, kultet, etj. Për herë të parë nëpërmjet një analize sintezë, janë hedhur mendime mbi kohën dhe kushtet e ngritjes së vendbanimit protourban Dyrrah-Epidamn, nga dy mbretërit e parë ilir me të njejtin emër. Emërtimi binom me karakter toponimik-topografik u bë eponym i qytetit. Në vazhdim me argumenta arkeologjik dhe burimet e autorëve antik, është provuar vazhdimësia e jetës, pandërprerje, pa ndërhyrje nga jashtë, duke provuar përfundimisht origjinën autoktone të banorëve ilir-taulantë në trevën e Dyrrahut dhe rrethinat e tij.

Parashtrimin e informacionit mbi veprimtarinë e tyre studimore e botuese po e paraqesim sipas këtij konstrukti: Botime të Prof. Hava Hidri, botime të Prof. Sali Hidri, si dhe monografi të përbashkëta që lidhen kryesisht me historinë e Durrësit. Në fund botime të Albumeve Turistike për Durrësin.

Arkeologe. Prof. Hava Hidri,

Studimet dhe botimet shkencore, i ka kryesisht në revistën shkencore arkeologjike “Iliria” të Institutit Arkeologjik Tiranë. Tematika e këtyre botimeve lidhet me zbulimet e kryera në Nekropolin Antik të Dyrrah-Epidamnit. Në to jepen të dhëna me vlerë autentike për banorët e qytetit për shtatë shekuj me radhë (VII-I.p.e.re). Duke filluar nga viti 2005, kjo studiuese filloi botimet monografike për tematika të ndryshme.

Vazot Antike të Dyrrahut”, botimi i parë monografik, shoqëruar me ilustrime fotografike të 150 enëve me figura të kuqe (shek. IV. p.e.re), të ndarë në 15 tipe.  Ky botim është i pari i këtij lloji, ku studiohen, trajtat e vazove, teknika e punimit, syzhetet zbukurues, teknikat e pjekjes, argjila, etj.

“Popullsia e lashtë e Dyrrahut”, trajton materialin arkeologjik të 185 varreve të zbuluara në nekropolin antik të qytetit. Teksti shoqërohet me 25 tabela, skica e fotografi. Ky material arkeologjik kompleks, homogjen dhe i plotë, fillon me të dhëna nga historia më e hershme e Durrësit dhe në vazhdim deri në shek.I.p.e.re. Nëpërmjet analizës historike përftohet informacion i gjërë me karakter, ekonomik, shoqëror, politik, demografik, kulturor, kultik, etj. Botimi i dytë është bërë në vitin 2007.

Pas një viti, në Mars 2008, doli nga botimi libri “Shtatë mbretërit Taulantë”. Autorja Hava Hidri, radhit në rend kronologjik shtatë mbretrit ilir të teritorit të banuar nga fisi i Taulantëve. Në fillim janë dy mbretërit legjendarë themelues të qytetit Dyrrah-Epidamni, pastaj sipas burimeve historike-arkeologjike, përmenden Galauri, Grabo, Glaukia, Monuni, Mytili. Pa pretenduar se janë ezauruar të gjithë mbretërimet e kësaj treve, arkeologia thellohet në analizë historike dhe fazat e zhvillimit të qytetit në shumë informacione të tjera nga jeta e banorëve dyrrahas. Libri shoqërohet me tabela e fotografi, në përputhje me tekstin. Vend té posaçëm zenë studimet e detajuara mbi funksionimin e disa degëve të zejtarisë nëpërmjet prodhimeve të punishteve të Dyrrahut. Kjo është tema më e pëlqyer për arkeologen Hava Hidri, ku ka dhënë kontributin e parë shkencor, tepër të besueshëm, mbi të cilin janë mbështetur studimet e mëvonshme (katalogët).

Pikërish mbi zejtarinë e prodhimeve qeramike dhe të figurinave prej balte, bëhet fjalë në librin “Arti i Mjeshtrave Dyrrahas”, botuar në vitin 2011, duke i klasifikuar ato si vepra arti të zejtarëve qeramistë të këtij qyteti. Libri shoqërohet me foto enësh dhe figurinash me një repertor të pasur lokal.

Me interes mbi fushatat e gërmimeve personale të kësaj autoreje, është libri “Nëntoka Muze e Durrësit”, botuar në vitin 2012, ndarë në gjashtë kapituj. Studimi paraqet ekspeditat në zonën kodrinore dhe brenda në qytetin e Durrësit, duke shpalosur përvojën e saj personale, bashkpunimin me disa shkenca të tjera, duke zbatuar metoda shkencore për arritjen e përfundimeve të sakta. Synimi kryesor i Prof. Hava Hidri, është krijimi i një kolane të plotë mbi historinë e Dyrrah-Epidamnit, duke prekur shumë tema, të cilat plotësojnë mozaikun e tablosë së jetës së popullsisë në shekuj e mijëvjeçarë edhe në suazën e perandorive të mëdha (Romake, Bizantine dhe Turke).

Skulpturat e Muzeut Arkeologjik të Durrësit”. Veprat arti skulpturor, (koka, buste, shtatore, relieve, etj.) janë subjekt i një botimi modest, i cili përmban 34 fotografi me skulpturat më të zgjedhura të Muzeut Arkeologjik të qytetit.

“Dyrrahu Qendër Tregtare–Zejtare”. Botim. viti 2016. Në këtë katalog të prodhimeve qeramike të punishteve të Dyrrahut, jepen në mënyrë kronologjike gjithë kategoritë qeramike nga shek.VII.p.e.re. deri shek.I.p.e.re. I paraqitur në formë korpusi vazor. Për herë të parë analizohet tipologjikisht si një i tërë, materiali qeramik i zbuluar në Durrës. Botimi paraqet një analizë të detajuar të fazave dhe veçorive të prodhimeve zejtare në Dyrrah, tipologjinë e tyre të ndarë në tre periudha (Arkaike, Klasike, Helenistike) dhe analizat kimike të argjilës. Libri shoqërohet me tabela, fotografi të kompozuara në tabela dhe hapje të figurave në vazot e shek. VI-IV. p.e.re. Kjo autore ka gjithashtu në botim dy libra të tjerë për vitin 2017, me titull, “Panteoni i Dyrrahut” dhe “Dyrrahu kurdoherë kryeqendër”.

Studiuesi Prof. Sali Hidri

Prezantohet me një radhë botimesh:

Më i pari, “Durrësi…1900 - 1939”, botuar në Lecce (Itali) nga Shtëpia Botuese “Acustica”, në vitin 1997. Libri trajton historinë e qytetit nëpërmjet veprimtarive të shoqatave patriotike-kulturore, në fillim të shek.XX, duke parashtruar situatën politike që kalonte qyteti dhe detyrat që u dilnin përpara atyre, për t’iu përgjigjur në unison, detyrave mbarëkombëtare, siç ishte pavarësia e vendit dhe me tutje, ecja me një hap me gjithë lëvizjen patriotike kombëtare dhe rritjes e zhvillimit të qytetit në vitet ’30, të shek. XX.

Së bashku me Prof. Hysen Kordha, përgatitën për botim “Shënimet Historike të Av. Hysen Myshketa”, botuar në Shtëpinë Botuese “Acustika”, Lecce, 1999. Në trajtesën “Parathënie nga autorët”, shkruhet: “Me këtë botim kujtimesh e dokumentash, ai u përcjell brezave mesazhe historike e politike me vlera të mëdha, veçmas për domosdoshmërinë e bashkimit të gjithë shqiptarëve në emër të idealeve kombëtare”. Për këtë vëllim memoralistik, Akademiku Beqir Meta, shkruan:”Pëveç substancës së materialeve që janë paraqitur, vëllimin e bën interesant edhe niveli i kënaqshëm shkencor dhe redaktorial i paraqitjes së tij. Dy studiuesit seriozë të këaj periudhe dhe të historisë së zonës së Durrësit, përkatësisht As. Prof. Hysen Kordha e Dr. Sali Hidri, kanë arritur të zbulojnë dhe zgjedhin për botim, materiale të vlefshme historike”.

Prof. Sali Hidri, autor i disa monografive:

I pari në listën e monografive: Një jetë e jetuar, kushtuar poetit dhe përkthyesit Prokop M. Gjergo”, botimi I, viti 2000, dhe botimi i dytë, viti 2009. Me dashuri e frymëzim Dr. Ali Sula, për botimin e parë shkruan: “Atë detyrë profesionale dhe kolegjiale që nuk denjuan ta kryenin instancat kompetente, atë që miqtë më të afërm që ia çmonin vlerat, nuk qenë në gjendje ta ndihmonin në konkretizimin për së gjalli të ëndrrës së shkrimtarit, i palodhuri ynë dr. Sali Hidri, diti dhe mundi të përmbushë në një hov entuziazmi, respekti dhe admirimi të sinqertë, falë një përkushtimi vërtet të lavdërueshëm”.

Prof. Dr. Kudret Velça, shkruan: “…Por mbi të gjitha të lë mbresa të veçanta, dashuria me të cilën Sali Hidri i është qasur figurës së këtij artisti dhe krijimtarisë së tij. Kjo ka bërë që vepra të mos ketë vetëm vlera shkencore, por dhe njerëzore…”

Më pas kemi librin: “Të flijuar e të mbijetuar. Kushtuar të internuarve në kampet e përqëndrimit nazist”, në bashkautorësi me Tatjana Bali, botuar në vitin 2001. Në hyrje thuhet: “Ajo që të bie në sy, përveç idealit që pat ngazëllyer mendjen dhe zemrën e tyre, është në përgjithësi mosha e tyre djaloshare”.

Edhe për patriotët një studim: “Stefan Kaçulini në lëvizjen patriotike durrsake”, viti i botimt, 2004. Për këtë, shkrimtari e poeti Shpendi Topollaj, shkruan: “Duke patur si udhërrëfyes konstatimin e Hercenit se, “E kaluara nuk është monografi historike, por refleks i historisë mbi njeriun”, doktori i shkencave historike, Sali Hidri, me librat e tij që ka shkruar, ka dhënë si pakkush në qytetin tonë, një kontribut të rëndësishëm në ndriçimin, deri rivlerësimin e disa personaliteteve, që kanë luajtur një rol të dorës së parë në zhvillimin kulturor e atdhetar në Durrës”.

Një monografi tjetër e tij është libri: “Hulumtuesi i Bukurisë Shqiptare. Stavro Thoma Frashëri (1900-1965)”. Botuar në vitin 2005. Mes të tjerave, Prof. Agron Xhagolli jep këtë vlerësim: “Duke përcjellë me kujdes e me vëmendje faqet e librit, të përgatitur nga dr. Hidri, e zgjerova së tepërmi informacionin tim rreth ndihmesës së Stravo Th. Frashërit, në jetën shqiptare të kohës së tij, por dhe për brezat tanë dhe ata të ardhshëm. Mund të them me bindje se, përmes këtij leximi m’u krijua bindja, se jeta e tij ka qenë e vënë në shërbim të zhvillimit, ndriçimit dhe forcimit të identitetit kombëtar shqiptar”.

Krahas të tjerëve, një libër për artistin e madh: “Aleksandër Moisiu. Mes Triestes dhe Durrësit- Epistolae-“. Botuar në vitin 2007. Me saktësi studjuesi, Hasan Ulqini dallon: “Të shkruash një libër të ri për Aleksandër Moisiun, për vetë morinë e shkrimeve të botuara, mund të biesh në përsëritje. Sali Hidri i ka shpëtuar kësaj “gracke” me zgjuarsi, në saj të kërkimeve këmbëngulëse. Prandaj, edhe një herë, me gjithë zemër i them: “Vërtet që keni shkruar një libër të bukur”.

Edhe studiuesi Perikli Jorgoni shprehet: “Ky libër që i jepet në dorë lexuesit, i shkruar me dashuri e përkushtim nga dr. Sali Hidri, hap kanatat e portës më të rëndësishme, që do të na çojë në një njohje më të thellë të shpirtit e botës të Aleksandër Moisiut”.

Drejtori i rrjetit muzeal në Trieste, Prof. Adriano Dugulin, shprehet:

“Il caro college e amico Sali Hidri, giunse a Trieste pochi anni dopo: lui studiava Moissi da sempre e per me fu un onore conoscerlo e riconoscere in lui la profondità del ricercatore e ritrovare l’amore sconfinato per Moissi che anch’io avevo vissuto”. (1)

Dr. Sali Hidri, në fushën e pedagogjisë

Ky autor është dhe lëvrues i botimeve pedagogjike, i teksteve të Historisë për shkollat tetëvjeçare si: Libri “Historia Klasa V-të” (Për Shkollat e mbrëmjes), në bashkautorsi me Nasi Guga. (Viti i botimit 1969)

Gjithashtu autor i tekstit mësimor: ”Vendlindja ime Durrësi”, Për klasat e 5-ta të shkollës 9-vjeçare. (Viti i botimit 2008).

Monografi të përbshkëta nga dy autorët Hidri

- Bazilika e Shën Mëhillit. Arapaj. ?shtë monografia e parë shqiptare e botuar nga Akademia Auatriake e Shkencave, në vitin 2009:

Hava und Sali Hidri: Die Frühchristliche Basilika in Arapaj/Durrës (Albanien). Herausgegeben von RENATE PILLINGER. REDIGIERT von REINHARDT HARREITHER, JOHANNA K?CK und ELISABETH LÄSSIG.  Verlag der ?sterreichischen Akademie der Wissenschaften OAW.

- Historia e Durrësit”, Botimi i Parë në vitin 2012 dhe botimi i dytë në vitin 2014.

Për këto botime Prof. Hysen Kordha ,shkruan: “Monografia “Historia e Durrësit”, një studim dinjitoz që merr në duar lexuesi, është frut i punës plot përkushtim dhe këmbëngulje i bashkautorëve Prof.ass.dr. Hava Hidri dhe Dr. Sali Hidri, dy nga  njohësit më të mirë të historisë së qytetit të Durrësit dhe një nga të paktat vepra serioze shkencore me një tematikë dhe objekt të tillë. Kjo monografi vjen pas një radhe të gjatë botimesh të suksesshme, brenda e jashtë vendit, të realizuara nga këta dy hulumtues e studiues, tashmë mjaft të njohur, që ia kanë kushtuar jetën e vet kërkimeve shkencore në fushën e arkeologjisë dhe të historisë, posaçërisht të qytetit të Durrësit dhe trevës pranë tij. Monografia “Historia e Durrësit” është një arritje e re e suksesshme në punën e tyre shkencore”.

Bashkëautorë edhe në një sërë Albumesh

- Mozaiku i Bazilikës së Shën Mëhillit-Arapaj-Durrës”. Shqip-Anglish-Italisht-Gjermanisht. Viti 1999.

- Albumi “Durrësi… “Si hëna në kupë të qiellit”. “Durazzo…”Come la luna nel firmamento”. Botim i vitit 2002.

- “Durrësi. Album Historik”, viti 2006.

- “Guidë në monumentet arkeologjike të Durrësit. Bazilika e Arapajt

(Shek.VI)”. Shqip-English. Viti 2006

- “Durrësi Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. 100-Vjetori i Pavarësisë 1912-2012”. Album Historik (Shqip-English). Botimet Jozef. Durrës 2012.

- “Durrësi. Album Historik-Arkeologjik”. (Shqip-Anglisht-Italisht). Viti. 2016.

Numuri dhe larmia e botimeve të bashkautorëve Hidri, është pa dyshim një kontribut i jashtëzakonshëm shkencor e qytetar për t’u admiruar. Ata kanë kryer një punë monumentale për studimin dhe shkrimin e historisë së Durrësit, mbi dhe e nën dhe, duke sjellë në vëmendje edhe rishikimin e historisë për momente të veçanta. E gjithë kjo vepër, model për cilësi, model në palodhshmëri, model në përkushtim e qytetari, përbën një pasuri shpirtërore për vetë ata si krijues, por edhe për qytetarinë durrsake, madje edhe më përtej, pasuri shkencore për historiografinë kombëtare shqiptare.

Përgatiti

Kadri Tarelli. Durrës më 16. 04. 2017

Shënim:

1. Në Trieste, sot ka një shesh me emrin dhe bustin e A. Moisiut.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora