Kulturë
Bashkim Saliasi: Vetë e pati fajin, përse na dha raki
E merkure, 19.04.2017, 06:22 PM
Vetë e pati fajin, përse na dha raki…!
Nga Bashkim Saliasi
Nuk la fshat dhe shkollë pa ndërruar. Vitet e fundit para se të vinte demokracia i takoj të punonte në shkollën time në fshatin e lindjes. Flinte tek ish shkolla e vjetër, ku ishte sistemuar në një dhomë dhe fqinj kishte drejtorin e shkollës.
Atë ditë që erdhi lajmi qëlloi e ditë e diel dhe drejtori kishte shkuar në fshatin e tij të lindjes së bashku me familjen. Telegrami i ra në dorë kryetarit të këshillit të fshatit dhe sekretarit të partisë. Postieri që mori telegramin nuk kishte kurajë që të shkonte dhe t`i jepte lajmin e keq ish mësuesit të tij, prandaj ju lutë kryetarit dhe sekretarit që, kur të kalonin afër shtëpisë së mësuesit të matematikës, t`ia çonin ata telegramin.
Atyre iu dukë punë e lehtë dhe, drejtë e te shtëpia. Trokitën, dhe derën ua hapi mësuesi i matematikës. Një erë e këndshme e pastërmasë u shpoi hundët. Pas përshëndetjes i zoti i shtëpisë i ftoi të pinin një kafe.
-Jo, nuk kemi kohë, -i thanë ata dhe panë nga njëri-tjetri.
-Po ju ejani se, mirë që më erdhët, edhe darka nuk shtyhet vetëm, pa shikoni edhe pastërmaja është gati, jeni me fat. Deshën s’deshën kryetari me sekretarin e partisë hynë brenda dhe në pritje të qerasjes po shikonin njëri-tjetrin se si do ia thoshin lajmin e zi.
Mësuesi matematikës shpejtë e shpejtë rrëmbeu tre gota dhe i mbushi me raki. Më pas mbushi një pjatë me mish pastërmaje që të çante hundët dhe pasi bën urimin e rastit shpejtë e shpejtë mbushi tavolinën me gjithë të mirat. Në kulmin e gëzimit merr gotën dhe uron kryetarin dhe sekretarin.
-Gëzuar, e mirë se erdhët, gëzime paçi, uroj mësuesi.
Uruan edhe kryetari me sekretarin dhe filluan muhabetet se si vinin punët në shkollë… eee si po ecte bujqësia, prodhimet, tufëzat etj…
Muhabeti zgjatej e zgjatej dhe iku gota e parë dhe erdhi shishja, pa filloi gota e dytë e kështu me radhë. Pa filloj dollia dhe mbeti vetëm kënga pa u bërë.
Hëngrën mish pastërmaje sa deshën dhe pinë raki sa harruan përse shkuan te mësuesi.
Ora shkoi 12.00 e natës dhe u ngritën e shkuan në shtëpitë e tyre. Të nesërmen në mëngjes, pasi u doli rakia pyesin njëri-tjetrin. Ore , pse shkuam mbrëmë ne te shtëpia e mësuesit të matematikës?
-Mirë që nuk ia dhamë mbrëmë telegramin,- u kujtua kryetari i këshillit, -pa shiko a e ke në xhep?
Sekretari kroi xhepat dhe më në fund e gjeti.
-Si t`ia bëjmë? -bisedonin me njëri-tjetrin, por, në fund e vendosën. …
-Do përpiqemi të gjejmë një arsye!-i tha kryetari këshillit dhe së bashku shkuan drejtë te banesa e profesorit.
Pa pikë turpi dorëzuan telegramin. Rrugës për te zyrat bënin edhe shaka…
-Vetë e pati fajin, përse na dha raki…!
Lajmi u përhap shpejtë dhe fshatarët thoshin: i mirë është mësuesi i matematikës, po ç’e do, është me njollë në biografi…