E merkure, 16.10.2024, 05:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Amza e një dhimbjeje të madhe

E merkure, 19.04.2017, 06:23 PM


"Amza" e një dhimbjeje  të madhe

" Vajet e pranverës mashtruese"  të Bajame Hoxha (Çeliku)

(ese)

Nga Përparim Hysi

Titulli i kësaj "eseje" është paksa metaforike. U mundova disi dhe them se duhet të kem qëlluar në shenjë. Kam lexuar qindra libra të autorëve të huaj dhe shqiptarë dhe, tek do ndalem të jap përshtypjet e mia pë romanin voluminoz të autores, mos e merrni se po zmadhoj apo si një supervlerësim timin. Ju them që në fillim: unë e kam lexuar edhe "Doktor Zhivagon" të Pasternakut, por edhe "Ariqeplagun Gulag" të Solzhenicinit dhe e di mirë që, si njëri edhe tjetri, kanë marrë Nobelin për veprat e tyre, por, pa u sugjestionuar fare prej tyre, e them hapur: ato ndjesi që kam përftuar duke lexuar këtë roman, nuk  i kam ndjerë tek  asnjëri prej tyre. Vuajtjet, privimet, genocidin, shfrytëzimin dhe fyerjet që kam hasur tek ky roman nuk i kam hasur kurkund.

Vetëm këtu, duke shfletuar nga faqja në faqe, mend e kam zënë me dorë si një send fizik: shtypjen,egërsinë, urrejtjen dhe, nëse ka ndodhur kështu, merita është e autores së romanit: BAJAME HOXHËS (Çelikut).

*      *     *

E quajta romanin "amëz", se, me të vërtetë, është i tillë. Autorja i ka hequr të gjitha mbi kurriz.Ajo është ulur dhe i ka hedhur në këtë"amëz",emër për emër; familje për familje dhe karakter për karakter. Zakonisht,"amzat" në shkolla veç gjeneraliteteve, kanë përbri dhe notat. Këtu janë gjeneralitetet dhe, për nota, janë cilësitë e karakterit.

Në këtë "amëz" të madhe janë të "regjistruara" të gjitha ato familje të nderuara brezash për fatet e Atdheut dhe, në këtë "regjistrim",en bloc, vuajnë të vetmin faj: kanë qenë kundër sistemit komunist që u vendos në SHqipëri.

Sikur të duash që të lakosh një për një, këta "lloj nxënësish", do të shohësh të tillë që kanë luftuar kundër fashizmit; kanë qenë të dënuar nga fashizmi dhe,sa u çlirua Shqipëria, filloi dënimi më i rëndë: burgosja, po se po, por ndryshe, fare ndryshe, bile më i gjatë dhe më i dhimbshëm: internimi me familje.

Autorja ka qenë e internuar jo pak, por plot 33-vjet.  33-vjet rrojti Krishti dhe, nëse Krishti u vu në kryq, kryqëzimi i Bajames dhe gjithë "nxënësve" të këtij  romani, vazhdoi gjatë. Vazhdoi gjatë e çdo ditë si Krishti në kryq.

Nuk flas me apriori. Kur citova më lart dy nobelistët rusë, nuk e bëra pa qëllim. Enver Hoxha ua kaloi gjithë diktaturave të Lindjes duke e ngritur në apogje shfrytëzimin e të ashtuquajturëve armiq. Vetëm në faqet e këtij romani gjen skena rrënqethëse ku fëmijët vdesin për ujë. Jo kjo nuk është vdekje, po ngordhje.

- Aman, nëm pak ujë,- bërtet një nënë e internuar,se plasën dy foshnjat për ujë.

-Nuk të jap ujë unë, se je armike ti!!!

Dhe tek lexoj këtë pasazh kaq të dhimbshëm, me mendje bëj tutje nga FUSHA E QERBELASË, shekuj e shekuj më tutje, ku skena e dhimbeshme është po kështu:

"Ç'është ai që shkon kaluar/ikën si veriu/ me dy foshja në duar/ është ABAS ALIU/

"Shpie foshnjat në lumë/ se s'durojnë dot/ i ka marr etja shumë/ dhe po qajnë me lot/.

O Zot,- them me vete,- hajde dhe mos e beso, kur kjo histori kaq tragjike përsëritet në shekullin XX-të.

Në roman, sado që ngjarjet zënë e vërtiten, rreth një nacionalisti nga zona e Librazhdit, ISLAM DOBRA, ato u ngjajnë atyre rrathëve që krijohen kur hedh një gur pllakë mbi lumë. Rrathët sikur shumohen dhe, pas kësaj familje, zënë vend në roman dhjetra e dhjetra familje të tjera.

*      *    *

Natyrisht, çdo lexues që njeh sadopak historinë e Shqipërisë, ndeshet dhe me emra të njohur.Të familjeve të mëdha shqiptare dhe ,tek ndjek atë genocid të përbindshëm, mbushet  me urrejte. Aty gjen familje të tilla,si: Previzët e Kurbinit; Markagjonët e Mirditës; Kupët e  Merlikët e Krujës; gjen pinjollët e KOLGJINIT; të Bilal Kolës nga Mati; të AZIS BIçakut apo të Islam Allës; gjen Mirakët, gjen HOXhAJT e Gjakovës gjen... po ku mund t'i rreshtoj me të vërtetë. Janë një ushtri e madhe. Ushtri që i kanë hequr apo vazhdojnë që t'i heqin skalpin vetëm e vetëm se janë antikomunistë. Kur ballafaqosesh me këtë realitet kaq agravues dhe stresues njëherësh, të vjen në mend ajo që ka shkruar NIÇE nja 150 vjet më parë.Ai thotë:-Politika e ndan njerëzimin në dy klasa: njëra, pa tjetër, është armike. Armiq i quante sistemi të gjithë këta fatkeqë. Tek e vë në objektivin tim, gjithë dinamikën e jetës në roman, arrij në një përfundim të palujatshëm: të paktën , në SHqipëri, nga sistemi shtypës i "diktaturës së proletariatit", u përftua dhe një "rracë" tjetër njerëzish: rraca e armikut të klasës. Kjo "rracë" qe damka që përdorej në kohën  e skllavopronarisë, mandej në holokaustin hitlerian dhe në kohën e regjimit diktatorial. - Je armik! E ke trashëguar këtë njëlloj si genin biologjik dhe lind, jeton dhe vdes si armik.

Nuk ka ndodhur kund ( të paktën në një mori librash që kam lexuar me këtë lloj teme) që të ndash fëmijët e mitur jo vetëm nga babai -armik, por dhe nga nëna. Tri fëmijë të Islam Dobrës ,ndahen ku qenë të internuar, nga e ëma, dhe lihen në mëshirë të Zotit( më i madhi prej tyre ishte 10-vjeç!!!). I kthejnë atje në fshatin e tyre në Librazhd vetëm e vetëm për t'i patur si "karem" për të zënë"armikun"Islam. Dhe pastaj themi ne, lexuesit:- Sa prekës që ishte ai romani i Arçibald Kroninit"Dhe yjet rrinë e vështrojnë"! Jo, mor, jo: ka më keq! Mjafton që ta lexoni dhe kini për t'u çuditur.

*       *      *

Kini për të parë që injoranca (aparati shtetëror me në ballë komunistët),  demonstron forcë "intelektuale" para njerëzve me kulturë të mirëfilltë e poliglotë, të shkolluar në universitet më në zë të Perëndimit. Çuditesh që mu aty, tri km larg Lushnjes, në Savër, ka  një "apel" të përhershëm për njerëz të "rrezikshëm". Sa çuditesh me terrorin, aq më shumë çuditesh me qëndrimin dinjitoz të këtyre "armiqëve". Asnjë përgjunjëje,asnjë "sytë e veshët" e mbretit dhe për të treguar se geni është gen dhe fara e mirë çan gurin dhe mbin, shikon se si rriten përmjet vuajtjesh e persekutimesh një skaljon  i vërtetë trimash e trimëreshash. Ndodh që në çapat e para, pati dhe tentativa vetvrasjesh, por, en bloc, jo vetëm u kthyen në jetë, u përballën sy  për sy me "armikun" përballë dhe, tek i ndjek në dinamik, i sheh si një blerim që të kënaq, pas një ngrice të madhe.

Kanë jetuar në baraka apo në shtëpi përdhese ku ç'bie nga jashtë, pikon brenda, por kur dalin në atë pak liri (pas punës të stërgjatë e të lodhshme), të çudisin se janë krejt të tjerë. Të tjerë në veshje (sado thjesht), të tjerë në paraqitje, fryt i një kulture tradicionale.  Martohen e  shtohen,brenda "rracës" së tyre, por dhe dasmat janë të tilla që të ngrjenë avdadanë.

Tek has këto pasazhe në libër, më vjen ndërmend, nobelisti francez, Anatol Frans. Ai, më duket, thotë:- Atje ku është vuajtja dhe mundimi, atje është fitorja dhe guximi! Dhe me të vërtetë kështu është. Sado që shtypen e shfrytëzohen, të internuarit, sikur blerojnë pak më ndryshe.

*     *    *

Ata, të internuarit, kohën  e lirë e kalonin duke lexuar ose duke mësuar gjuhë të huaja. Organizonin mbrëmje dhe, kur shkonin në punë,edhe këndonin. Me tekst dhe kompozim nga ata. Sa për illustrim, mund t'ju bie ndonjë pasazh si ky:

"Çdo ditë mbledhim pambuk apo bar/ Në mbrëmje ngarkohemi si gomarë/ po neve morali nuk  na bie, sado që kamzhiku na rri mbi krye/.../ Ballin lart me krenari/ Punojmë për ty, Shqipëri!...

Ose... lexoni:" Afërdita Skrami nga Vlora (është motra e aktores së madhe LIZA LASKA), shoqe e Margarita Tutulanit, vuantte internimin vetëm e vetëm se i kishte thënë "jo" një kërkesë nga një oficer madhor i diktaturës.

Natyrisht, nëpër faqe të romanit , has në burgosje politike me akuza të shpikura. Djali i Islam Dobrës, Shefqqeti, i rritur në kampe internimi burgoset me akuzë të rreme. Bën burg dhe, kur del nga burgu, i gjen fëmijët të rritur. Humbja e Lidës, çupës së tij, në vitet që sa erdhi demokarcia sikur të çon pas asaj thënies proverbiale:"Çdo gëzim tek jetimi?"

*      *     *

Kisha shumë për të thënë për romanin e Bajames, por kufijtë e një eseje i ka paksa sinoret të ngushta. As që do  ta kisha mbyllur këtë shkrim timin, po nuk  iu  referova  paksa dhe vendit të saj në këtë roman. Kur po  shkruaj për të, më vjen ndërmend aktori holluwidian me origjinë shqiptare,XHIM BELUSHI; që dikur shkroi:- Unë kam bërë gjithë këto gjëra për njerëzit, përse mos flas pak dhe për veten time?

Dhe Bajamja, sado  që sikur ka ndenjur në surdinë, ka disa faqe ku lëviz "lirshëm". Faqet ku  ajo sikur"vizaton" dashurinë e saj me GANI HOXHËN, të lindurin"armik", me të vërtetë që mbresohesh. Sipas meje, një skenarist i mirë i ka të gjitha gati për ta vënë në ekran romanin e Bajame Hoxhës. Mjafton, të bëjë "krehjen" me syrin e skenaristit dhe,sakaq, kinematogarfia shqiptare do të ketë një film me metrazh të gjatë, i cili do të ketë vlera të epërme.

Kur po e mbyll, Bajamja me këtë roman ka bërë atë që thotë Borges:- Arti është si një pasqyrë që tregon tonën fytyrë!

Dhe fytyra e Bajames është e tillë që nuk duhet ta harrojmë:- Ajo ka sjell një roman ku duket açik fytyra e diktaturës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora