Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Amaneti i Mësuesit
E enjte, 09.03.2017, 07:32 PM
Sejdi BERISHA:
AMANETI I MËSUESIT
(Me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit)
Në një mëngjes
Herët
Ama shumë herët
Ishte zgjuar mësuesi
Dhe ngadalë kishte hapur
Derën e shtëpisë-shkollë
E kishte çelur ditarin
Dhe pa ardhur nxënësit
Shënuar e kishte orën e mësimit
Kishte shkruar:
Nxënësit e mi
Mësoni dhe dojeni atdheun
Se, një ditë
Do të lindë dielli
Që do t’u ngrohë
Me dashurinë e lirisë
Kur kishin ardhur nxënësit
Ora e mësimit ndryshe kishte filluar
Mësuesi mbi tavolinën e punës
Kishte mbështetur kokën
Dora dhe lapsi i kishin ngelur
Pa e shënuar amanetin deri në fund
Do pika gjaku qëndisur ia kishin
Edhe ballin edhe ditarin
Armiku këtë e kishte bërë
Tash
Ata nxënës
Që dikur mësuesi i kishte mësuar
Janë krenaria e kombit
Janë madhështia e atdheut:
Janë mjekë
Shkencëtarë
Janë artistë e shkrimtarë
Por përgjithmonë
Në kujtesën e tyre
Shtëpia-shkollë
Qëndron si lapidar historie
Edhe mësuesi
Me shikim kah nxënësit e vetë...
(Pejë, e martë 07 mars 2017)