Kulturë
Viron Kona: Të kishte qenë zemra
E merkure, 08.03.2017, 07:36 PM
Të
kishte qenë zemra, eh, ku ta gjeja!
Tregim nga Viron Kona
Një ditë, teksa shihte vitrinat në tregun madh të qyteti, gjyshit i mbeti vështrimi te një kukull sy kaltëroshe dhe me bukuri të rrallë. Si pa kuptuar mendja i shkoi te ditëlindja e mbesës, që po afronte. Çmimi i kukullës ishte i lartë për xhepin e tij, por mund ta blinte nëse bënte ca kursime. Kështu që, e prishi zakonin e përditshëm dhe nisi të kursente çdo ditë e nga pakë. Rralloi bisedat telefonike dhe shkuarjet me shokët në kafene`, ndërkohë që tregohej i vëmendshëm për mbylljen e dritave apo të çezmave të ujit kur ato harroheshin hapur. Ditëlindja e mbesës po afronte, por ai shihte se ishte ende larg grumbullimit të parave për blerjen e kukullës, kështu që, si pa kuptuar, nisi të nervozohej dhe të grindej me familjarët:
-Sa herë ju kam thënë të mos i lini dritat hapur?
-Po çezmat pse derdhen pareshtur si të ishin burimi i Qafështamës! Nuk i mbyllni dot kur mbaroni punë?
-Si shumë ilaçe për larjen e rrobave harxhoni! Më parë, nënat tona i lanin me finjë, kurse ju keni gjetur, ndaj bëni kështu?
–Po bëhesh grindavec, o plak! - i tha një ditë Naja, bashkëshortja. I kishin kaluar më shumë se 40 vjet bashkë dhe ajo kurrë nuk i kishte bërë një vërejtje të tillë.
Ai e pa me zemërim.
-Pse, keq është të bëjmë ca kursime, hë?
-Kursime, po, por jo deri këtu siç po bënë ti! Veç këtyre, na kujton dhe finjën! Kanë ndryshuar kohët, o plak, nuk është më si atëherë kur rrobat laheshin me finjë dhe njerëzit ndriçoheshin me kandil e llamba vajguri!
Ai donte t`ia shpjegonte Najës arsyen përse ngulmonte të kursente, por ndryshoi mendje kur mendoi se ajo nuk mbante dot sekret. Kur ai i thoshte diçka dhe kërkonte që ajo të mos e nxirrte, Naja ia kthente: “Pa merak, ja, e kyça!” por, vetëm pak minuta më pas e nxirrte dhe, sekreti merrte dhenë.
Ndërkaq, vërejtjet e gjyshit për të kursyer në shtëpi po e bënin efektin. Faturat e dritave, të ujit dhe të telefonit shënonin ulje, por edhe ato lekë të hollat që ai hiqte fshehurazi mënjanë po shtoheshin. Nuk thuhej kot në atë fjalën e urtë popullore që “gur gur bëhet mur!”.
Dy ditë përpara ditëlindjes, vogëlushja syndritur iu hodh gjyshit në qafë dhe, duke i shpupurishur me doçkat e saj mjekrën dhe flokët e thinjur, e pyeti:
-Ti gjysh, do të më bësh dhuratë për ditëlindje?
-Do të të bëj dhuratë, o zemër e gjyshit, si nuk do të bëjë? – i tha ai duke e ledhatuar, - Por, dhurata që do të bëj gjyshi do të jetë surprizë.
Fjala surprizë e ndezi kureshtjen e vogëlushes.
-Ma trego, o gjysh, ç`është ajo dhuratë surprizë, hë, të lutem më trego!
-Po ta tregova, ajo nuk do të jetë më surprizë, - i tha ai.
-Ma trego, ma trego! - lutej vogëlushja.
Atëherë, ai ia tregoi:
-Gjyshi do të bëj dhuratë një kukull me sy të kaltër dhe me flokë të artë; fustani i saj do të ketë të gjitha ngjyrat e ylberit dhe do të ndrisë që larg. Kukull, si ajo që do të dhurojë gjyshi, nuk gjendet as edhe në përrallë, aq e bukur është!
Vogëlushja brofi nga gëzimi dhe thirri:
-Ti, gjysh, je më i bukuri dhe më i miri në botë! Uraaa!Uraaa!
Pastaj fëmija heshti një çast dhe i tha:
-Gjyshi, se mos harron të ma bësh atë dhuratën surprizë, atë kukullën me sy të kaltër!
-Jo, o shpirt, si do ta harrojë! Premtimi i dhënë, është i shenjtë!
Një ditë përpara ditëlindjes, gjyshi u vesh shik me rrobat më të mira dhe u nis drejt tregut ku ndodhej dyqani i kukullave. Ishte një mëngjes i freskët, me ajër të pastër dhe të ndritshëm që të ngjallte gaz e kënaqësi. Ecte drejt tregut i kënaqur që ia kishte arritur qëllimit. Mundimi për t`i mbledhur paratë e kukullës, kursimi pak nga pakë dhe grindjet me familjarët, dukej se ia kishin vlejtur. Duke nxituar me gëzim, shumë shpejt u përzje me turmën e dendur të njerëzve që vërtiteshin poshtë e lartë në sheshet dhe rrugicat e ngushta të tregut. Kur po kalonte një kthesë, e ku turma ishte aq e dendur, sa mezi mundi të çante një shteg mes njerëzve, ndjeu një sëmbim në gjoks. “Eh, zemra! – tha i shqetësuar dhe mbajti këmbët. -Edhe sot s`po më lë të qetë moj e gjorë! - tha me vete dhe, vijoi ecjen, por, tashmë, me hap më të ngadaltë dhe duke qëndruar herë këtu dhe herë diku më tej.
Mbërriti te dyqani i dhuratave, kërkoi kukullën dhe e mori në duar. Ishte vërtetë e bukur: flokët ngjyrë ari ia valëviste një erë e lehtë që po frynte, kurse sytë e kaltër i hapte dhe i mbyllte vazhdimisht, ndërkohë që një buzëqeshje e magjishme i përhapej në të gjithë fytyrën:“Të lutem, më merr, mos më lërë më këtu, mbesa suaj po më pret me padurim!” - dukej sikur thoshin sytë e saj. “Eh,- ia bëri plaku, - nuk paskam gabuar jo, vërtetë, kukull si në përralla qenka kjo!” Dhe, duke përfytyruar përsëri ngazëllimin e mbesës së tij të shtrenjtë, plaku ndjeu përsëri rrahjet e shpejta të zemrës, por kësaj here ishte i sigurt se ajo po i gufonte nga gëzimi.
-Xhaxha`, do ta blesh atë kukull, apo jo? - e pyeti me padurim tregtari, i cili kishte disa minutash që e shihte plakun me bisht të syrit.
-Po, sigurisht që do ta blejë. E kam planifikuar prej kohësh blerjen e kësaj bukurosheje, - i tha ai tregtarit dhe bëri të nxirrte lekët nga xhepi, por... xhepi ishte i shqyer në njërën anë.
-Oh,...paratë, oh..., -po bënte plaku krejt i hutuar dhe, ndërkaq, nisi të kontrollonte edhe xhepat e tjerë. Por, më kot. Paratë e mbledhura me aq mundim për tërë ato ditë, kishin fluturuar sa hap e mbyll sytë. Ai mëngjes aq i bukur dhe i ndritshëm, që i kishte shkaktuar atë ngazëllim të madh shpirtëror, brenda pa çasteve, u shndërrua në një natë krejt të zezë. Gati nuk e ndjeu dorën e tregtarit që po i tërhiqte kukullën nga dora..
-Zotëri, më vjen keq për çfarë të ndodhi, më vjen keq, por, po vijnë blerës të tjerë dhe...ti e kupton...të lutem, ma jep kukullën!
I dëshpëruar gjer thellë në shpirt, mori rrugën e kthimit. I hiqte këmbët zvarrë ende pa e besuar dot atë që i kishte ndodhur: Si nuk e dallova atë “sëmbim”, si nuk e dallova?! -qortonte veten dhe shfrynte i zemëruar. -S`ma paskësh fajin zemra, jo, por, pakujdesia ime dhe, ai, ai hajduti me duar të “zeza”! “Të kishte qenë zemra, eh, ku ta gjeja!” – psherëtiu dhimbshëm, dhe teksa zvarritej drejt shtëpisë, përfytyronte mbesën shtrenjtë atje në ballkonin plot lule, që, me siguri, ato çaste mbante vështrimin nga rruga dhe priste me padurim kukullën e premtuar...