Kulturë
Albert Habazaj: Mësuesit e mi
E merkure, 08.03.2017, 06:31 PM
MËSUESIT
E MI
Albert Habazaj
Kur nxënës ne kemi qenë
Mësuesi quhej prind i dytë,
Dinjiteti i tyre kishte vlerë,
Si mësuesit s'kishte të dytë.
Ata qenë të mençur shumë,
Qenë si male hyjnorë,
Ata qenë diell në furtunë,
Një nga një u bën' meteorë.
Mësuesit më ikën një nga një,
Fisnikët e mi të lartë,
I kam, dhe pse s'ua dëgjoj atë zë,
Në frymëmarrjen time dit' e natë.
Ku t'i gjej t'u puth fjalën
Siç puth Dheun e Flamurin,
Si bregu i detit pret valën
Pres urtësinë e tyre të Burrit.
Mrekulli mund të ndodhë vërtet
Të bëhem sa një e mijta e tyre,
Ata erdhën e ikën profetë,
Dhe zbukurojnë qiellin me yje.
Për nxënësin qe emri Mësues
Baras me Perëndi, Zotërues.
Dritanët e mi dritërofshin e të paharrueshëm qofshin,
Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!
Nderim nga Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë, Albert Rexhep Habazaj
07. 03. 2017
PERLA JONË, MJALT I MJALIT
Zonjushe e bukur, Perla
Që jetën na mbush me mjalt,
Si anije e bardhë me vela
Po nis udhëtim të gjatë.
Me mjalt po na e mbush jetën,
Perlushe, moj drit’ në sy,
Siç ësht’ kosherja për Bletën,
Ësht’ gjyshi dhe gjyshja për ty!
Sot u bëre më e madhe,
Si i vogël, me ty luaj,
Sot do ta djegim fare:
Perla mbushi tetë muaj!...
Eda dhe Niku të lumtur
Zotërojnë botën e tyre,
Perla jetën më të bukur
Ua mbush me dritën e syve.
Sa shumë të kanë xhan Gjysh poeti dhe Gjyshe inxhinieria, moj Perlushe, o sy i bukur drenushe!
Vlorë, e premte, 03. 03. 2017
DHJETË SHQIPONJAT E TËRBAÇIT
Vallja - kurorë dafine
për dhjetë shqiponja mali,
dhjetë tufa trëndeline,
lum Tërbaçit, kush ia fali!
Janë vajzat e Tërbaçit,
Si shtojzovalle të këngës,
Kënga, kaluar ilaçit,
Flori shpirti, mjalt i zemrës.
Për këngën - dy labe zonja,
Nuse si lulet në baçe,
Bashkë me tetë shqiponja,
Porsi dhjetë Miro Tërbaçe.
Në këngë porsi thëllëza,
Në valle porsi shqiponja,
Mbushur diell ato rrëza,
Bekim i nënave tona.
*) drejtues artistik i Grupit të Vajzave të Tërbaçit, Vlorë, ALBANIA
Vlorë, e mërkurë, 01. 03. 2017