E diele, 09.02.2025, 03:57 AM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Përjetime Amerike

E shtune, 04.03.2017, 09:54 AM


PËRJETIME AMERIKE

(Marrë nga Libri "Mall e Dashuri" i Kadri Kadiut)

1. Mbërritja në Amerikë

8 dhjetori i vitit 2003 ishte dita kur unë, sëbashku me bashkëshorten time, të dy pensionistë, qysh në orën 5 të mëngjesit, i hypëm avionit në Rinas dhe morrëm rrugën për në Botën e Madhe. Rreth orës 7 të mëngjesit ishim në Aeroportin e Vjenës, ku qëndruam 3 orë deri sa u nis avioni për në Uashington. Në Uashington, me që ishte aeroporti ku ne hymë në Shtetin Amerikan, iu nënshtruam procedurave të Doganës, ku na kontrolluan fizikisht,  na matën e na peshuan, na rregjistruan, na fotografuan e na printuan shenjat e gishtave. Një vajzë e re doganiere, e cila kontrolloi vizat dhe pasaportat tona, vuri re se data 8 dhjetor ishte ditëlindja ime. Ajo, duke më shikuar mua buzëqeshi dhe më uroi ditëlindjen dhe mirëseardhjen në Amerikë. Ne e kishim harruar fare këtë gjë pasi atë ditë ishim shumë të tensionuar dhe as vetë nuk e përcaktonim dot nëse ishim të gëzuar apo të trishtuar. Ishim të gëzuar se pas 8-9 viteve po bashkoheshim me tri vajzat tona të cilat studjonin, punonin e kishin krijuar familjet e tyre në Amerikë. Por ishim edhe të trishtuar pasi në shtëpi, në Tiranë, kishim lënë të vetëm djalin tonë, më të voglin e shtëpisë. Vajza jonë e madhe, Monika, na kishte bërë dokumentet për bashkim familjar por kur shkuam në Ambasadën Amerikane në Tiranë, mua dhe bashkëshortes na i dhanë vizat por djalit jo, pasi sipas tyre ishte në moshë madhore, 17 vjeç, dhe nuk e tërhiqte dot e motra, mund ta tërhiqnin vetëm prindërit. E pikërisht në këto momente, në Aeroportin e Uashingtonit, ku ne u pranuam në Shtetin Amerikan dhe na rregjistruan për të na dhënë grinkartat amerikane, e ndjemë veten më larg djalit tonë që e kishim lënë vetëm në Shqipërinë e trazuar, në një moshë shumë delikate e të rrezikshme për të gabuar. E ashtu, me lotë në sy, duke e kuptuar se na kish marrë malli që ditën e parë për djalin, u drejtuam për ne porta ku do të nisej avioni për në Denver të Kolorados ku banonin vajzat tona.

Në Denver arritëm në orën 21 me orën lokale (8 orë më mbrapa se ora e Shqipërisë), pra i takonte se kishim qënë 24 orë në udhëtim, duke llogaritur dhe qëndrimet nëpër aeroporte. Në Aeroportin e Denverit kishin dalë e na pritën të trija vajzat, tre dhëndurët dhe një nip i vogël, Besmiri 5-vjeçar. Atë natë pothuaj se nuk fjetëm; ne prindërit mendjen e kishim tek djali, motrat tek i vëllai. Dhe atë natë u muarr një vendim: Djalin nuk do ta linim vetëm; unë dhe bashkëshortja do e bënim me radhë, secili 6 muaj do të qëndronte në Amerikë dhe 6 muaj në Shqipëri pranë djalit. E për 6 vjet me radhë, deri sa djalin e sollëm në Amerikë, linjën ajrore Denver-Tiranë e bëmë si linjën e autobuzave Kombinat-Kinostudio. Një vajtje-ardhje Denver-Tiranë, 2000 dollarë e kish davanë, paguanin motrat për të vëllanë.

2. Krishtlindjet në Illinos

Ku mendja jonë, e shqiptarit, e ku mendja e amerikanit. Po u bë djali ose vajza 18 apo 20 vjeç, këtu nuk ka më vend në shtëpinë e prindërve. Prindërit e dhëndrit tonë të madh, Matheu, kanë katër fëmijë, dy djem e dy vajza por të gjithë i kanë nxjerrë nga shtëpia në këtë moshë. Prindërit jetojnë në Shtetin Illinos kurse fëmijët janë të shpërndarë në katër shtete të ndryshme të Amerikës ku punojnë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Tek prindërit shkojnë vetëm në raste festash apo ditëlindjesh etj. Zakonisht për Krishtlindje mblidhet e gjithë familja e madhe në shtëpinë e prindërve. Në këtë Krishtlindje, 25 dhjetor 2003, dhëndri ynë na mori edhe neve, që me këtë rast, të njiheshim të dy palë krushqit. Udhëtuam me makinë rreth 15 orë dhe mbërritëm në shtëpinë e krushqve. Aty ishin mbledhur edhe motrat e vëllai i dhëndrit tonë sëbashku me bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, kështu që u bëmë rreth 20 veta. U çuditëm, se kur hymë në shtëpi nuk lëvizi asnjëri, vetëm na përshëndetën me nga një "Hai". Unë me gruan iu afruam secilit, i dhamë dorën dhe i përqafuam shqiptarçe. Këtë radhë u çuditën ata me veprimin tonë. Në mbrëmje kaluam të gjithë në dhomën e ngrënies. Aty ishte një tavolinë e madhe sa gjithë gjatësia e dhomës. Mbi tavolinë kishte vetëm gota dhe nja tre broke qelqi me lëng portokalli, e asgjë tjetër. Unë, që mendoja vetëm shqip, kujtova se si krushk që vija nga larg, do të më vinin në krye të tavolinës e do të më sajdisnin siç i takon një krushku që shkon te krushku për herë të parë, prandaj u ula rëndë-rëndë ne tavolina. Pashë se asnjeri nuk veproi si  unë por të gjithë u vunë në rresht e u drejtuan për nga kuzhina e cila komunikonte me dhomën e ngrënies. Aty, mbi një banak, ishin vendosur disa tenxhere e pjatanca me ushqimet që kishin gatuar. Secili, merrte një pjatë, lugë e piru, furnizohej aty me ato ushqime që dëshironte dhe sa dëshironte, e pastaj kthehej e zinte vend tek tavolina e ngrënies. Të gjithë filluan të hanin kurse unë prisja të më shërbenin në tavolinë. Vajza ime më tha: "O babi; po shko dhe ti e merr ushqim në kuzhinë". Jo, i thashë unë, nuk jam ushtar që të vete të mbush gavetën. Pa ç'pa va vajza ime dhe shkoi vetë e më solli një pjatë me disa lloje ushqimesh që e kish menduar se ishin sipas midesë time. Fillova dhe unë të ha. Nuk më tha njeri as mirësenaardhe, as të bëftë mirë e as më ofruan ndonjë gotë pije. Secili shifte pjatën e vet e kur mbaronin, çonin pjatat e gotat në vend e pastaj shkonin e uleshin në divanë apo në karrike tek dhoma e ndenjies duke biseduar ose duke parë televizor. Nuk e mbarova pjatën, ika dhe unë e zura vend në një divan, pasi, siç po dukeshin bathët, po të vonohesha, me atë kallaballëk që ishte mund të zireshin ulëset e të mbetesha më këmbë. (Ç'është e vërteta këtë mënyrë të serviruri të ushqimit nuk e përjetova mirë në fillim por tani u mësova dhe madje më pëlqen).

Nejse, pas meje në divan erdhi e u ul edhe krushku im Larry, dhe tani, pas darke, filloi të më pyeste për Shqipërinë. E para pyetje që më bëri ishte: " Sa gra marrin burrat në Shqipëri"?  Nuk kisha pse t'i zëmërohesha për këtë pyetje. Ai Shqipërinë e njihte si një vend mysliman dhe ja që këtu në Amerikë janë goxha të paragjykuar myslimanët.

Nga një marrin o krushk-i thashë- dhe mezi e mbajnë. Pastaj, duke i drejtuar sytë nga bashkëshortja ime, i thashë: Ja, dhe unë vetëm këtë kam, se po të kisha të tjera do i kisha sjellë në Amerikë. Pasi qeshën të gjithë me këtë përgjigje, Larry vazhdoi me pyetje të tjera më serioze për Shqipërinë, për jetën aty sot por edhe në kohën e socializmit tonë.

Epo ç'ti thosha unë Larryt për vendin tim aq të bukur, në zemër të Evropës por që njerzit e saj "s'i mban vendi" dhe  ikin e ikin ku të mundin nëpër Botë. Desha t'i them njëherë se po bëj tre javë këtu dhe akoma nuk e kam parë diellin, shoh vetëm re, mjergull, shi e borë, kurse në Shqipëri lashë një diell të ndritshëm e të ngrohtë; desha t'i them se në dimër në Shqipëri neve edhe xheku gëzohemi kur na vijnë dritat ndërsa juve këtu në Amerikë duhet të gëzoheni kur retë ua lëshojnë diellin.

Nuk ia thashë të gjitha këto se kisha frikë mos më thoshte:  Po mirë, atëhere pse ikni nga Shqipëria? Rrini aty dhe ngrohuni në diell....

3. Gosti tek krushku i tretë

Vajzën tonë të tretë, Edin, e kemi komshije me shtëpi, por edhe vjehrin e vjehrën e saj afër i kemi, në të njëjtën lagje. Edi me të shoqin, Brokun, na vinin pothuaj çdo mbrëmje për të na parë tek shtëpia e vajzës së madhe ku ne jetonim. Kaluan më shumë se dy muaj që kishim ardhur në Amerikë dhe gruaja ime do të nisej për në Tiranë për të qëndruar me djalin, siç e kishim vendosur. I them t'ime bije, Edit:  Moj çupë, a e kanë marrë vesh vjehri e vjehra jote që kemi ardhur ne? Po, më thotë ajo, ata e dijnë që jeni këtu. Mirë, i them unë, po nuk do të vijnë të na shikojnë ata? Po ku e di unë o babi si do të bëjnë; ata janë amerikanë e nuk mendojnë si ne shqiptarët. Mirë, i them unë prapë vajzës, por pasnesër mami do të ikë kështu që, edhe pse nuk erdhën ata, do të shkojmë ne t'iu bëjmë një vizitë.

I njoftoi vajza se " prindërit e mi kanë dëshirë të vijnë t'ju takojnë".

Mirë se të vijnë i kishin thënë ata, kështu që të nesërmen unë me bashkëshorten, Lumen, të shoqëruar nga vajza jonë dhe bashkëshorti i saj, në mbrëmje në orën 6 siç e kishin lënë, ishim tek shtëpia e krushqve. U përshëndetëm, bëmë pyetje-përgjigjet e rastit e pastaj sikur na u mbaruan fjalët. Krushka i thotë vajzës tonë: "Po të duan të pijnë xhus, ka në frigorifer, le të marrin".

Jo, thashë unë, nuk duam; por pas disa minutash krushka nguli këmbë që të na "gostiste". U ngrit, mori dy gota, i mbushi me copa akulli nga frigoriferi, hodhi aty disa çurka lëng portokalli dhe na i lëshoi përpara ne krushqve të Shqipërisë. E rufita nja dy herë gotën, sa për mirësjellje, duke pirë nga ai lëngu që krijohej prej shkrirjes së akullit, pastaj u ngritëm e dolëm. Rrugës për në shtëpi i them çupës: Sa mikpritës që i kishe vjehrin e vjehrën moj Edi. Epo ç'të them unë o babi, tha ajo, kështu janë amerikanët. Dëgjo moj çupë, i thashë, po të më vinin mua në Tiranë krushku e krushka për herë të parë, jo nga Amerika por edhe nga Ndroqi të më vinin, unë, edhe sikur më fukarai i Tiranës të isha; një qingj do ta therja atë ditë. Dhëndri duket se diçka kuptoi nga pakënaqësia ime dhe e pyeti Edin: "Çfar të thotë babi"?  Më thotë se i pëlqeu shtëpia e prindërve të tu, iu përgjigj ajo.

E kam të mirë krushkun, takohemi çdo ditë tek parku i madh që kemi para shtëpive tona; unë shëtis nipat e mij të vegjël, ai shëtit dy qentë e tij të mëdhenj.

4. Darka në Las Vegas si Dreka në Berlin

Nga data 22 nëntor-29 nëntor 2005, ishim me pushime në Las Vegas. Vajza e madhe së bashku me të shoqin, Matheu, dhe djalin e tyre, kishin prenotuar një hyrje në hotel dhe më morën edhe mua. Aty muarrën edhe një makinë me qira kështu që gjithë ditën bridhnim nëpër qytet e nëpër rrethinat e Las Vegasit si dhe vizitonim muzeume të ndryshme, akuariume me gjallesa të ujit, dyqane, kazino etj. Las Vegasi është një qytet shumë i bukur për vizitorët. Është një ohaz në mes të një mjedisi pothuaj shkretëtirë por që paraja dhe dora e njeriut kanë bërë ato ndërtesa dhe atë infrastrukturë grandioze. Natën është fare përallor me atë det dritash shumëngjyrëshe që të mahnitën. Vetëm se, sipas mendjes time, ato mrekulli nuk i shërbejnë të gjitha më të mirës për njeriun, por përdoren edhe për veset e tij, për prishjen e tij. Natyrisht që unë nuk luajta në kazino pasi as nuk di të luaj e as para nuk kam, por hyra në shumë kazino të mëdha ku pashë se si luajnë e tallen me paranë pasanikët nga Amerika por edhe nga e gjithë Bota.

Në Las Vegas, Matheu një ditë takoi një ish shok klase të Universitetit i cili na ftoi familjarisht për darkë. Në mbëmje shkuam në një restorant indonezian ku kishin porositur darkën. U ulëm sëbashku në një tavolinë; ne ishim katër veta, katër ishin edhe ata, dmth shoku, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tyre. Kamarieri na solli menytë duke i lënë përpara secilit. Restoranti ishte shumë i mirë, gjellët indoneziane janë me shije pikante ose spajsi fud siç i thonë këtu. Unë, ç'është e vërteta nuk jam aq hamës por atë ditë u bëra tamaqar dhe përveç sallatrave e aperitivëve porosita edhe dy pjata nga ato më të shtrenjtat, se fundja i ftuar isha për darkë. Për ato që bisedonin ata në tavolinë, si shokë shkolle që ishin, mua nuk më interesonin shumë dhe iu kushtova ngrënies. Në fund erdhi kamarieri dhe bëri hesapet e ushqimeve. Shoku që na kishte ftuar pagoi për vete, gruan dhe dy fëmijët e tij dhe e drejtoi kamarierin tek dhëndri im, i cili i dha kamarierit kartën e kreditit për të paguar për ne të katër. Dolëm nga restoranti, u ndamë me atë që na kishte ftuar për darkë, hipëm makinën dhe u nisëm për në hotel. Unë isha i inatosur dhe i them vajzës: Sa paguat për këtë darkë? S'ka rëndësi o babi se sa paguam, më tha ajo. Mirëpo unë ngula këmbë që të më tregonte dhe më në fund vajza më tha: Epo, megjith bakshishin 500 dollarë na vajti darka. Ama kështu siç bëri ky shoku tënd, i thashë dhëndrit, unë ftoj gjithë Las Vegasin për darkë.

Kur shkuam në hotel, u qetësova pak dhe i tregova vajzës e dhëndrit një histori të ngjashme: Një shoku im i mirë, i ndjeri Ilmi Bejko, bashkëshorten, Valën, e kishte gjermane. Ishin njohur me të në Moskë pasi ishin studentë të një klase. Në vitin 1961, kur akoma nuk ishin prishur marëdhëniet me vendet e Kampit Socialist, Ilmiu me Valën shkuan nja një javë tek prindërit e Valës në Gjermaninë Lindore, në Berlin. Në Berlin jetonte, me familjen e vet, edhe një vëlla i Valës por gjatë gjithë javës ai nuk qe bërë i gjallë për ta takuar të motrën dhe kunatin shqiptar. Një ditë para se të largoheshin nga Berlini, Vala i thotë Ilmiut: "Sot na ka ftuar për drekë vëllai im". Shumë mirë, i thotë Ilmiu; do të kemi rastin të takohemi, të bisedojmë e të njihemi. Afër drekës, sipas orarit që kishin lënë, Vala e Ilmiu u nisën sipas ftesës së bërë. Pasi ecën disa qindra metra, Vala qëndroi para një ndërtese të madhe ku Ilmiu lexoi tabelën "Hotel-Restaurant". Po mirë , i thotë Valës, ne a nuk do të shkojmë për drekë ne shtëpia e vëllait tënd? Jo, i tha Vala, vëllai nuk do që ta lodhë gruan, kështu që drekën do të na e japë në këtë restorant. U futën brenda dhe aty panë se edhe vëllai i Valës me bashkëshorten e vet, me korrektesën gjermane të zbatimit të orarit, sapo kishin hyrë dhe po i kërkonin kamarierit t'i vendoste në një tavolinë katërshe. E prezantoi Vala Ilmiun me të vëllanë dhe kunatën e saj, u përshëndetën gjermançe me fjalë të kursyera, dhe thirrën kamarierin për t'ju shërbyer. Hëngrën e pinë sipas dëshirave të tyre dhe e thirrën përsëri kamariein për të paguar. Vëllai i Valës pagoi për vete dhe bashkëshorten e tij dhe e drejtoi kamarierin tek e motra. Pagoi dhe Vala për vete dhe Ilmiun, dolën nga restoranti dhe u ndanë. Ilmiu, që gjërat i mendonte shqip, i tha Valës: "Vëllain ta kisha parë vetëm në fotografi, tani që erdha në Gjermani e pashë më mirë, e takova, e njoha, u çmalla, u kënaqa".

5. Muhabete qensh

Vajza jonë e dytë, Vjollca, bashkëshortin e vet, Andresin, e ka nga Estonia. Kanë qënë studentë në të njëjtin Universitet këtu në Amerikë, aty o njohën e krijuan familje. Prindërit e Andresit jetojnë në Estoni por vijnë pothuaj çdo vit për disa muaj këtu në Amerikë pranë djalit, nuses dhe nipave të tyre. Duke qënë europianë, unë nuk kam vërejtur dallime të theksuara mes nesh. Ndofta kjo dhe për faktin se të dy palët kemi një eksperiencë të përbashkët 45 vjeçare socialiste.

Por këtu unë do të shkruaj për një episod tjetër në shtëpinë e vajzës time, Vjollcës: Një ditë ajo kishte thirrur për darkë nja 5-6 shokë e shoqe të punës. Shkova dhe unë për t'i respektuar e sajdisur miqtë. Ishim duke ngrënë darkë ( e hanë shpejt darkën amerikanët) kur njërës prej shoqeve i bie zilja e celularit. Meqenëse ajo nuk po e merrte celularin, unë e kujtova se po i binte zilja. Nuk më kërkon njeri -tha ajo-, tani është ora gjashtëegjysëm dhe unë e kam vënë telefonin në alarm për të më kujtuar se është orari kur duhet t'i nxjerr qentë në shëtitje. Megjithatë e nxorri celularin nga një çantë e vogël ku kishte edhe kartën e identitetit të vet, dhe një fotografi të dy qenve të saj. Na i tregoi me mburrje foton e qenve, duke na i kaluar dorë më dorë për t'ia parë sa të bukur i kishte. Kur e mora unë në dorë foton, vura re se ishte ambalazhuar bukur në letër celofani, por më shumë më bëri përshtypje se në anën e prapme të fotos ishte futur një copë letër e printuar me këtë shënim: "Zonjë ose zotëri që po më ndihmon mua; të falenderoj shumë dhe të lutem që të kujdesesh për të ushqyer qentë e mi të cilët i kam të mbyllur në shtëpi. Këtu në çantë ke çelsin dhe adresën e shtëpisë time".

Si shqiptar, u bëra kurioz dhe mora kurajon e i kërkova të ma shpjegonte këtë shënim. Pa nguruar fare, zonja mu përgjigj: "Unë jetoj vetëm në shtëpi, kam vetëm këta dy qentë. Mirëpo, si çdo njeriu, mund të më ndodhi që papritur, në punë apo në rrugë, të sëmurem, të më bjerë të fikët apo të pësoj ndonjë aksident, të shkoj në spital etj. Atëhere, në këto raste, kush do të kujdeset për qentë e mi në shtëpi? Prandaj këtë lutje unë e kam shkruar për personin i cili do të rastisë që të ndodhet pranë meje në këtë situatë, duke e autorizuar që të hyjë në shtëpinë time e të kujdeset për qentë e mi". Dhe tani- tha zonja- mua do të më falni se do të largohem.

Iku zonja e qenve, por në tavolinë na mbeti muhabeti i qenve, pasi aty, përjashtuar të zotët e shtëpisë, gjithë të ftuarit ishin zonja e zotërinj qensh. Pa filluan secili nga të ftuarit të lëvdojë qenin apo qentë e vet (se disa këtu kanë edhe nga tre e më shumë qenër). Tregonin se sa të zgjuar i kishin qentë, çfar emra u kishin vënë, çfar rregjimi ditor zbatonin, si i shëtisnin, si luanin me ta, çfar lloj ushqimesh u blinin nëpër dyqanet e qenve, si i mbanin në dhomë e në kuzhinë, si i lanin në vaska, çfar lloj dysheqesh iu kishin blerë, çfar lloji siguracioni shëndetësor iu kishin bërë qenve të tyre, sa herë i shpinin për vizitë ne mjeku i qenve, çfar vaksinash iu kishin bërë, e plot e plot salltanete të tjera që iu bëhen qenve këtu në Amerikë.

Ata flisnin me pasion për qentë e tyre ndërsa mua mendja më shkoi larg e mu kujtuan dy histori: E para qe kjo: Babai im, ndjesë pastë, kishte një kushëri të afërt në një fshat të Devollit, Afet e quanin. Ky Afeti ishte çoban me delet e fshatit dhe për ta ruajtur tufën nga egërsirat kishte tre qenër të mëdhenj. Babai im shkonte shpesh ne kushri Afeti. Kur këthehej të nesërmen në shtëpi, gjyshja ime e pyeste: "Hë mor djalë, si dole nga Afeti, a ishin mirë, si ia kaluat mbrëmë, a bëtë ndonjë muhabet të mirë"? Epo çtë të them o nënë, i përgjigjej babai; që sa vajta në mbrëmje e deri vonë sa fjetëm, vetëm Afeti foli; i lëvdonte e i lëvdonte qentë e tij; janë aq të fortë, thoshte, sa nuk ka qen në tërë Devollin që t'ua kalojë qenve të mi. Epo mirë or bir, ia kthente gjyshja; Afeti me qentë rri dhe për qentë flet.

Historia e dytë që po kaloja nëpër mend ishte kjo: Aty nga vitet 70-të, në Ndërmarrjen Bujqësore të Vorës u bë një seminar kombëtar për blegtorinë, ku u fol dhe për metodën e mëmëzimit artificial të viçave. Në seminar merrnin pjesë drejtues të ndërmarrjeve bujqësore e të kooperativave, specialistë të blegtorisë si dhe kryetarë të komiteteve ekzekutive të rretheve. Kjo metodë konsistonte në atë që viçat nuk do të pinin më qumështin direkt tek gjiri i mëmës lopë por qumështi do u jepej për ta pirë në kova të posaçme. Zootekniku i Ndërrmarrjes po na shpjegonte se qumështin, para se t'ua jepnin viçave, e kalonin në skrematiçe për t'ia hequr një pjesë të yndyrës pasi qumështi i skremuar ishte më i shëndetshëm për viçat. Pastaj, tha zootekniku, në varësi të moshës, secilit viç i japim 4-6 litra qumësht. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Kukës, i ndjeri Mëhill Doçi, kur dëgjoi se çdo viç aty pinte deri 6 litra qumësht në ditë, nuk u përmbajt e thirri: "Ore po qënka më mirë të jesh viç në Vorë sesa Kryetar Komiteti në Kukës". Ç'u tha në atë seminar, të gjitha u harruan, vetëm kjo thënie nuk u harrua.

Pasi të ftuarit e vajzës time i shterrën lëvdatat për qentë e tyre, ndërhyra dhe unë në muhabet e u thashë: Qentë e Amerikës janë më me fat se ata të Shqipërisë. Edhe ne i duam qentë, por me një ndryshim; aty qentë punojnë për njerzit ndërsa ju amerikanët punoni për qentë.

6. Komisar Veizi në Kishë

Kur djali i madh i vajzës time të madhe, Besmiri, mbushi 8 vjeç, ia bëmë pagëzimin në Kishën Mormone, pasi dhëndurët e mi amerikanë i përkasin Fesë Mormone. Në ceremoninë e pagëzimit, përveç ne familjarëve, merrnin pjesë edhe komshij, të njohur, shokë e miq amerikanë dhe shqiptarë, kështu që bëheshim afër 50 veta. Vajza kishte marrë masa që, pas mbarimit të ceremonisë së pagëzimit, të kishte një drekë për pjesëmarrësit. Dreka u shtrua në Kishë, pasi këtu kishat kanë mjedise të bollshme, si salla mbledhjesh e konferencash, klasa mësimi, çerdhe e kopësht për fëmijët gjatë kohës që prindërit marrin pjesë në ceremonitë fetare, kanë kuzhinë, salla për ngrënie etj.

Tavolinat në sallën e ngrënies ishin plot e përplot me ushqime nga më të ndryshmet por nga ana e pijeve ishin dobët, kishte vetëm lëng portokalli dhe kokakola. Në krye të vendit, doemos vumë Bishopin e Kishës që kreu pagëzimin, sëbashku me dy ndihmësat e tij. ( Bishop i thonë priftit të Kishës Mormone). Afër tyre qëndruam ne të familjes. Pranë vetes unë mora dhe Veizin, një burrë afër të shtatëdhjetave, i mbajtur mirë, i muhabetit dhe i ziafetit. Të gjithë filluan të hanin e të pinin dhe dukeshin të kënaqur, por vura re se Veizi as filloi të hante e as mbushi ndonjë gotë me kokakola.

Po hë o Veiz, i thashë, fillo ha dhe na bëj ndonjë shaka nga ato të tuat.

Epo zhaba nuk këndon në të thatë o Kadri, më tha Veizi.

Dëgjo Veiz, i thashë, këtu jemi në Kishë dhe këta bishopët, po na pikasnë pije alkoolike na nxjerrin jashtë nga Kisha.

E ore, tha Veizi, unë kam pirë verë me priftërinjtë në Shqipëri sa jemi shqepur, ata ta thanin damixhanen.

Shiko, i thashë, unë e kam me vete një shishe raki por të paktën të presim sa të ikin këta bishopët e pastaj e nxjerrim.

Jo ore, sille tani, shtjerre në gota uji dhe nuk na kupton njeri, tha Veizi.

Bëra siç tha Veizi, i mbusha plot me raki dy gota të mëdha qelqi dhe sa herë që bishopët pinin lëng portokalli, ne me Veizin pinim "ujë". Kaq duhej dhe Veizi u kurdis, filloi nga shakatë e qyfyret dhe gjysma e pjesëmarrësve të drekës (ata që ishin shqipfolës), tërë vëmendjen e përqëndruan tek Veizi. Bishopit, pavarësisht se nuk kuptonte ç'thosh Veizi, i bëri përshtypje oratoria e këtij plaku shqiptar dhe e pyeti: "Ore zotëri; çfar pune ke bërë ti në Shqipëri?

Veizi e kuptoi pyetjen e Bishopit por nuk mundej që t'i përgjigjej lirshëm në anglisht prandaj i drejtohet vajzës time Monikës e cila në fakt punon si përkthyese: Dëgjo Monika; unë do të tregoj tamam për punët që kam bërë në Shqipëri por ti përktheja si të të vijë për mbarë këtij zotërisë. Pastaj Veizi u ngrit më këmbë dhe filloi rrëfimin e tij në mënyrë solemne:

"Fort i nderuar e i respektuar Hirësia Juaj Zoti Bishop, të nderuar zonja e zotërinj amerikanë, të dashur shokë e shoqe bashkëatdhetarë! Unë në Shqipëri, 30 vjet oficer kam punuar, komisar kam qënë. Detyra ime në fushën politike e ideologjike ka qënë që të demaskoja Imperializmin Amerikan si xhandar ndërkombëtar që ka qënë dhe të luftoja fenë, si opium për Popullin që ka qënë. Tërë veprat e Klasikëve të Marksizëm-Leninizmit unë i kam konspektuar dhe u shpjegoja me pasion ushtarëve se imperializmi është faza e fundit e kapitalizmit, është kapitalizmi në kalbëzim dhe se socializmi ngadhënjimtar do të triumfojë në gjithë Botën. Në fushën ushtarake unë punoja për të vënë në zbatim Artin tonë Ushtarak Popullor, në mënyrë që Ushtria jonë dhe gjithë Populli Ushtar të ishin në gjendje për të përballuar çdo agresor të veçantë apo koalicion agresorësh që do të guxonte të sulmonte Shqipërinë. Edhe në këtë fushë, unë si komisar, punoja që të rritej besimi e morali në forcat tona, se ne ishim një kala e pamposhtur në brigjet e Adriatikut kurse Imperializmi Amerikan ishte një tigër prej letre.

Pas vitit 1990, kur në Shqipëri në fakt u kalb rendi socialist dhe triumfoi ai kapitalist dhe kur Shqipëria u mbush me kisha e xhamira e me priftërinj e hoxhallarë, unë nuk po gjeja më rehat. Ata të partive më akuzonin se kisha punuar kundër demokracisë; ata të kishave e xhamive më akuzonin se kisha qënë kundër Perëndisë; ata të farë e fisit, që më kishin dashur shumë se kisha në dorë e u mbaroja ndonjë punë, tani s'më takonin më as mb'udhë, ma kishin harruar dhe shtëpinë se ju prishja biografinë; shamatë kisha dhe me ata të shtëpisë, më ankoheshin e më kërkonin llogari, më  thoshin, kot fare ke punuar ti, na le fukarenj, pa asnjë pasuri. E ç'të bëja unë i shkreti? Erdha e u strehova këtu në Amerikë, tek xhandari ndërkombëtar, ku nuk më trazon njeri e kam gjetur derman, të gjithë më duan e asnjeri nuk më shan. Pensionin, 140 dollarë e kisha në Shqipëri, 800 dollarë kesh çdo muaj më japin këtu në Amerikë, por më japin e nja 200 dollarë në formën e kuponave ushqimore apo fud-stamp siç i thonë këtu. Shërbimet shëndetësore dhe ilaçet i kam krejt falas, plus dhe ca përfitime e lehtësira të tjera si i moshuar, që këtu i thonë benefice për seniorët. Ndaj tani, o shokë, unë them përditë, Rroftë Amerika.

Ah, po ju them dhe një çudi: Tani, sa herë që shkoj në Shqipëri, më rrethojnë me dashuri, nuk kam më njolla në biografi, më duan e më kanë xhan; unë isha ky që jam, por tash kam statusin amerikan".

Këto tha Veizi dhe u ul. Por menjëherë u ngrit Bishopi dhe i kënaqur thoshte: "Good, good, very good officer; bravo! (Ju jeni oficer shumë i mirë, bravo!). Pas Bishopit, të gjithë pjesëmarrësit u çuan më këmbë, qeshnin e duartrokisnin për Komisar Veizin.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora