E diele, 28.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Intervistë me psikologun Ndue Dragusha

E diele, 26.02.2017, 01:40 PM


VLERAT SECILI IA RRIT VETES ME PUNË DHE PËRKUSHTIM

Me psikologun Ndue Dragusha

NGA FRAN GJOKA

Nisur  nga ngjarjet  e diteve të fundit në shkollat tona, a mund të na thoni diçka konkrete  të përgatitjes psikologjike dhe profesionale të mësuesve të sotëm?

-  Shkolla jonë dhe mësuesit shkojnë gjithnjë drejt një objektivi të qartë: të formojmë nxënës të aftë për të dizenjuar dhe realizuar një të ardhme sa më të mirë jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë e së nesërmes. Sigurisht që koha dhe njerëzit janë në lëvizje dhe zhvillim të vazhdueshëm. Si rezultat i këtij zhvillimi, patjetër që kemi ecje përpara, por dhe të meta e vështirësi të vazhdueshme, por e rëndësishmja është se sa ne bëjmë për t’i riparuar gjërat dhe afruar sa më shumë tek zgjidhjet. Shkolla jonë po bën hapa të sigurtë drejt përsosjes. Nuk mund të themi se jemi imunë nga të metat e punës së mësuesit, të prindit dhe të strukturave të tjera sociale, që veprojnë në komunitet. Në këtë zhvillim të përshpejtuar teknik dhe psikologjik të shoqërisë sonë, padyshim që do të ketë dhe disa probleme që kërkojnë zgjidhje qoftë në profesionalizmin e mësuesit, në mënyrën e komunikimit me nxënësit, probleme të marrëdhënieve të shkollës me komunitetin, për të cilën jemi në fazën eksperimentale për një shkollë qendër komunitare etj. dhe kjo gjë nuk duhet të na trembë, por duhet të na inkurajojë që të angazhohemi të gjithë për një shkollë të tillë, për mësues të devotshëm, për një familje të ekuilibruar dhe koherente në edukimin familjar, për nxënës që reflektojnë pozitivitet dhe që dëshirojnë të marrin përgjegjësi për të nesërmen.

Duke patur parasyshë se marrëdhëniet dhe komunikimi me masën ka qenë dhe është stresuese, ç’mund të na thoni për raportet e ndërsjellta mësues-nxënës?

-Siç e theksova më sipër, gjithë vështirësia e njeriut në përgjithësi dhe e mësuesit në veçanti ka të bëjë me aftësinë për të komunikuar. Edhe populli e thotë: “Fjala të lidh, fjala të zgjidh!”. Ne e kemi shumë të vështirë (dhe këtë e vërejmë në parlament, në debate publike, në debatet televizive etj.) që të vendosim rregull mbi veten tonë për të patur një komunikim konkret të argumentuar, durimruajtës, tolerant për të dëgjuar dhe njohur argumentat e tjetrit etj. Kjo i shërben gjithmonë ruajtjes së ekuilibrave mes njerëzve, mes mësuesit dhe nxënësit, mes mësuesit dhe prindit, mes nxënësit me nxënësin, gjithashtu ruhemi dhe mbrohemi nga streset e krijuara me gojën dhe fjalën tonë etj. Shkolla jonë dhe mësuesit bëjnë një punë shumë të kualifikuar për të zbatuar detyrat që ka shkolla në të gjithë vrullshmërinë e saj dhe me të gjithë kategoritë e nxënësve dhe këto bazuar dhe në modelet ndërkombëtare të përparuara dhe që kanë dhënë rezultat. Përmirësimi i vazhdueshëm i kushteve të punës dhe të mbështetjes që po i bëhet mësuesve, rritja e pagës së mësuesit etj., janë premisa të qarta të një përgjegjësie më të madhe edhe të vetë mësuesit. Nuk mund të përjashtojmë se ka mësues që koha gradualisht i nxjerr vetë jashtë “lojës”, prandaj secili mban mbi shpatulla përgjegjësi shumëfishe dhe shumplanëshe.

Janë të vetëdijshëm për punën e përkushtuar  dhe të mundimshme që bëjnë mjaft mësues në shkollat tona. Si i gjykoni ju “shpërblimin” minimal që marrin ata nga shumë nxënës?

-Mendoj se kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje shumë të gjatë, por për të mos mërzitur lexuesin, po kufizohem në disa aspekte kryesore. Unë shoh çdo ditë mësues që duan të punojnë, që kërkojnë, që studiojnë vazhdimisht, që pyesin dhe që argumentojnë, që punojnë me një ndërgjegje shumë të admirueshme, por që shpesh zhgënjehen nga puna e tyre, për arsye se në më të shumtën e rasteve familja është shumë larg edukimit, jo thjeshtë “sentimentalizmit” absurd që disa prind kanë. Shumë prindër nuk dinë se si duhet të sillen me fëmijët e tyre. Dhe mësuesit i duhet të punojë dhe me prindërit sigurisht, por kur një fëmijë nuk di të thotë “Të lutem!”, “Të faleminderit!”, “Më fal!”, nuk di të mbajë ambientin pastër, nuk di të respektojë të tjerët, nuk është i sinqertë etj., gjëra që mësohen në familje, si do të ndjehet mësuesi? Pra, ky është “shpërblimi” absurd që merr shpesh mësuesi, sado dëshirë të ketë për të punuar.

Në kuadrin e përhapjes në masë të gjerë të teknologjisë dhe informacionit, si e gjykoni ju përdorimin e telefonave celular të nxënësve vend e pa vend, që në mosha të vogla?

-Në të vërtetë është një moment shumë delikat të raportit mes lirisë së fjalës dhe fjalës së lirë. Pothuajse vazhdimisht këtu “ndeshen” kultura e punës dhe kultura e mosbindjes ndaj rregullave. Shkolla është institucion shtetëror (qoftë edhe privat) dhe si i tillë ka rregulla, siç ka rregulla sektori ushtarak, sektori i prodhimit, vetë familja si strukturë sociale etj. Familja duhet ta ketë “autoritetin” (jo në kuptimin klasik të tij) mbi fëmijën e vet për t’ia sqaruar pozicionin si nxënës, ku duhen zbatuar rregullat, ku duhet përsosur aftësia për të kuptuar jetën etj. Bashkëpunimi rigoroz dhe edukimi familjar të lidhur me  edukimin dhe arsimimin zgjidhin edhe këtë problem. Në shkollë nuk duhet përdorur celulari. Nuk ka asnjë bazë sociale apo psikologjike që ta justifikojë mbajtjen e celularit në mësim. Nga celularët në shkollë deri tani vetëm të këqija ka patur dhe shumë probleme kanë ardhur prej tyre. Celularët mund të përdorën jashtë klasës.

Në kontekstin ligjor, nxënësi mbrohet me ligj dhe me të drejtë është i paprekshëm. Po mësuesin, që është i kërcënuar, i nëpërkëmbur dhe i dhunuar, gjithmonë nën trysni, presion dhe stres, kush duhet ta mbrojë?

-Sigurisht që këtu ju parashtroni dy probleme korrelativë dhe secili ka personalitetin dhe dinjitetin e vet të njohur dhe mbrojtur dhe nga ligji. Nxënësi është një qenie delikate, në rritje, në formim, në kërkim të vetvetes dhe të botës dhe si i tillë ka nevojë për orientim, për durim, për edukim jashtë dhunës. Kurse mësuesi është prind, është  më i rritur, është ai që i ka kaluar të gjitha fazat e vështira të zhvillimit fizik dhe psikologjik dhe të formimit shkencor dhe profesional. Pra, në këtë mes është mësuesi ai që duhet të gjejë rrugët, mundësitë, bashkëpunimet, të vendosë urat e mirëkuptimit, të krijimit të kushteve të mirëqenies psikologjike dhe fizike, të përpiqet të lehtësojë rritjen e zhvillimin, përgatitjen dhe formimin e fëmijës. Dhuna nuk është dhe nuk duhet të jetë armë për edukim. Shkolla nuk është institucion dhune. Aftësia e mësuesit për të vënë në përdorim të gjithë “arsenalin” social, ligjor, psikologjik dhe profesional për të arritur objektivat e edukimit, atëhere ai ndjen vetëm lodhjen fisnike të suksesit. Më kanë bërë përshtypje vargjet e një autori, që thotë: “S'ka rëndësi t'kqijat që t'kan ba, as se sa shumë t'kanë zhgënjy, ti duhet dashni me i falë, çdonjanit që t'rrethon ty.” (Alfons Çupaj –marrë nga FB, me lejen e autorit). "Njerëzit perfekt nuk pijnë, nuk luftojnë, nuk bëjnë gabime dhe ... nuk ekzistojnë." – thotë Paulo Coelho.

Nisur nga sjellja që manifestojnë adoleshentët nëpër shkolla, a mendoni se ka ardhur koha që në Dispozitat Normative të propozohen masa disiplinore për nxënësit që ushtrojnë dhunë, apo pengojnë procesin mësimor?

-Dispozitat Normative janë të qarta dhe kanë një përmbajtje shumë të vlerësueshme, ku parashikohen të gjitha lidhur me masat dhe trajtimi i problematikave, por dhe unë mendoj se duhet kërkuar funksionimi i dispozitave, funksionimi i komisioneve dhe i bordit, funksionimi i pushtetit lokal me përgjegjësi reale për realizimin e një disipline të vetëdijshme në shkollë. Sigurisht bashkëpunimi me familjen dhe komunitetin janë masat më efikase për përmirësimin e situatave në shkollë.

Analiza të ndryshme kanë dalë  në përfundimin se shkollat  tona po nxjerrin mësues jo në nivelin e duhur pedagogjik. Si mund të zgjidhet ky problem profesor, pasi shkolla do personel të përgatitur dhe me kulturën pedagogjike të duhur?

-Shpesh ne shohim një pikë të vogël të zezë mbi një sipërfaqe të madhe të bardhë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët. Por në vendin tonë shkolla është në proces reformimi të thellë dhe si e tillë do ketë dhe problemet e veta, gjë që bie në sy. Përveç kësaj ne lamë prapa një mentalitet tjetër për shkollën dhe edukimin dhe kjo gjë krijon mospërputhjet e veta në psikologjinë e secilit. Por kjo nuk do të thotë se do të kemi gjitmonë këtë gjendje. Gradualisht gjithçka do të  zërë vendin e vet. Koha i hedh si deti leshterikët të gjithë ata që kanë “ingranazhe të thyera profesionale”.

Së fundi, dy fjalë për figurën e nderuar të mësuesit. Si nderohet, përkrahet dhe respektohet figura e tij në ditët tona nga masa, shteti dhe shoqëria?

-Sigurisht që ne, pasi kemi folur për të meta dhe mënyrën e përmirësimit të tyre, kemi kuptuar se pjesa e më e madhe, determinuese është pozitive dhe mësuesi ynë është një hero i vërtetë, i përkushtuar, që bën përpjekje për të përmirësuar veten dhe të tjerët, që jeton dhe përjeton me shqetësim çdo mangësi që shfaq nxënësi i tij etj. Edhe shoqëria, pavarësisht nga disa humore, që bëhen thjeshtë për të tërhequr audiencë, e vlerëson rolin e mësuesit, sepse  shoqëria di të bëjë diferencat. Dhe shteti vazhdimisht i ka dhënë vlerësimin e duhur mësuesit, duke u kujdesur për pagat (rritjen e tyre) etj. A duhet bërë më shumë për mësuesin?-mund të thoni ju. Sigurisht që duhet rritur trajtimi dhe mbështetja e mësuesit, sepse tek mësuesit kemi shoqërinë e nesërme, ku luhen fatet e jetës së secilit. Përgjithësisht dhe përfundimisht mendoj se vlerat secili ia rrit vetes me punë dhe përkushtim, që ta dojë shoqëria, vendi i punës, shteti etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora