E premte, 10.05.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Dëshmi për krimet serbe

E diele, 19.02.2017, 05:39 PM


DËSHMI PËR KRIMET SERBE

Nga Ryzhdi Baloku

Ishte e shtunë, diku rreth mesditës kur hymë në Pejë. Edhe pse kjo ditë e javës konsiderohej si dita e pazarit të madh në këtë qendër regjionale banimi, qarkullimi i njerëzve ishte shumë i vogël. Aty këtu nëpër rrugica shihej ndonjë kalimtar i rrallë që ecte cepit e me nxitim. Mirëpo, në rrugën kryesore automobilistike që e lidh këtë vend me qendra tjera banimi të anës jugperëndimore nga vinim ne, vërenim lëvizjet e shpeshta të automjeteve ushtarake e policore, me ushtarë, policë, rezervistë dhe paramilitarë në lloj-lloj uniforma, të armatosur deri në dhëmbë.

Për t’iu shmangur punkteve ushtarake e policore, ku kontrollohej çdo njeri që kalonte andej, në qytet u futem përmes një rruge dytësore, për të cilën na mori  mendja se ishte e parrahur nga automjetet luftarake dhe e pa mbikëqyrur nga serbët.

Të përlloçur e të molisur nga pagjumësia disaditëshe dhe ankthet e përjetuara maleve, ecnim në heshtje këmba këmbës, njëri pas tjetrit xhadesë së boshatisur që shpinte kah brendia e qytetit, në të cilën s'vihej re se diçka po lëviz, madje as që hetohej ndonjë shenjë jete.

Kur arritëm te udhëkryqi i rrugës, vërejtëm kolonën e qerreve dhe traktorëve me rimorkio, të mbuluara me  tenda najloni, e cila kishte ndaluar buzë mureve rrethuese të shtëpive, në një rrugicë përball nesh.

U nisëm drejt atij vargani fatkeq që ishte i ngarkuar me përplot njerëz të pllakosur nga mynxyra, që sikurse ne ishin detyruar t'i braktisnin shtëpitë.

Pas pak çastesh u gjendem te kolona. Brenda atyre tendave i shihnim grumbujt e njerëzve të ngjeshur njëri përbri tjetrit me pamje pikëllimi. Në mesin e  tyre kishte gra, fëmijë, pleq e plaka, ndërsa djemtë e vajzat përpiqeshin të mos binin në sy, sepse dihej, po t'i shihte policia apo paramilitarët serbë, do i nxirrnin dhunshëm dhe pastaj s'do të dihej më për fatin e tyre.

Derisa ecnim përgjatë këtij vargani, i ndjekja me sy a mos po e njihja ndokënd. Në fytyrën e secilit hetohej frika dhe pikëllimi, si pasojë e tmerreve të përjetuara, të cilat i merrja me mend, ngase edhe ne kishim kaluar nëpër to. Pakëz më tutje, vërejta se kishte edhe të plagosur. Në njërën prej tendave, nga plagët e rënda kishte ndërruar jetë një djalë i ri. Përveç dhembjes, familja kishte hall të madh, nuk kishte ku ta varroste. Plaku i familjes qëndronte jashtë tendës, anash qerres me kalë, vështronte çuditshëm rreth e përqark, sikur të kërkonte diçka.

Duke mos ditur se çfarë iu kishte ndodhur, si arritëm afër tij i thashë:

- A shpëtuat bre, mixhë? Atij iu dridh buza e iu mbushën sytë me lot. Pasi psherëtiu, uli kokën e i fshiu lotët me kurrizin e duarve. Kur u qetësua pak, m'u përgjigj:

- Eh more dashamiri im. Familja m'u përgjysmua. Sapo më vdiq nipi si pasojë e plagëve që i pësoi gjatë kohës së granatimit të katundit nga forcat serbe. Tash s'po kemi as ku ta varrosim. Kjo vdekje po më duket shumë më e rëndë se sa ato të mëparshmet që nëpër flakën e pushkës i varrosëm në oborr të shtëpisë.

Pasi e ngushëllova sipas traditës, ktheva shikimin më tutje kah kopshti i një shtëpie, ku shiheshin pemët përtej murit rrethues. E dija se kjo lagje ishte tërësisht shqiptare, sepse nëpër dyert e oborreve nuk kishte kurrfarë shenjash, për dallim nga ato serbe që e kishin nga një kryq të vizatuar, sipas udhëzimit të dhënë ca muaj më parë, me qëllim që artileria dhe forcat e tyre të armatosura mos t'ua dëmtojnë shtëpitë e mos t’ua shqetësojnë familjet gjatë operacioneve luftarake.

Kur e drejtova shikimin andej, plaku e kuptoi se ku më shkoi mendja. Më tha:

- Ky djalosh ishte i fundit prej meshkujve që na mbeti gjallë pas granatimit, por tash edhe ky më la. A po vjen me mua të shkojmë te ajo shtëpi që e pikase me sy? Kërkesën e tij e pohova me kokë.

Pasi u mora vesh me familjen time se nuk do të vonohem, u nisem menjëherë dhe sakaq arritëm atje. Provova ta hapi derën, për të parë se mos ishte dikush brenda. Meqë ishte e kyçur, shtypa tastin e ziles tri herë rresht me shkëputje të shkurta, pastaj ndalova për të përgjuar se a po përgjigjet ndokush. Brenda mureve rrethuese s'dëgjohej asgjë, por edhe jashtë ishte qetësi, saqë turfullima e kuajve mund të dëgjohej kollaj edhe pse karvani i të zhvendosurve ishte bukur i madh.

Pas pak dëgjuam trokun e këpucëve, dikush ecte me hapa të ngadaltë brenda oborrit. U dëgjua kollitja e një mashkulli, e dikur edhe një zë i ulët:

- Kush është ?

- Jemi hallexhinj, - ia prita unë, derisa plaku më rrinte pranë duke i fërkuar gishtërinjtë e dorës me pëllëmbë, nga sikleti që e kishte kapluar.

Nuk vonoi, u dëgjua rrotullimi i çelësit në bravë dhe dera u hap. Para nesh doli një burrë në moshë e me gjatësi mesatare, i pa rruar e i pa qethur.

Na shikoi me një çehre të ngrysur, mandej na tha:

- Urdhëroni burra?

Pasi ia treguam arsyen për të cilën i kishim shkuar në derë, u përgjigj:

- Pritni pak, më duhet ta njoftoj familjen që mos të shqetësohen.

Nuk shkoi gjatë, serish u kthye te dera. Na tha:

- Tash mund ta sillni kufomën.

- Ndoshta do të ishte më mirë që së pari ta përgatisim vendin, e pastaj ta sjellim të ndjerin. Plaku miratoi propozimin me tundje koke, në çastin kur e shikova në sy, me qëllim që ta merrja edhe pëlqimin e tij.

- Në rregull, veproni si të doni, është çështje e juaj, aty nuk do t'ju përzihem, - ndërhyri ai.

- Nuk kam kurrfarë mjeti për ta rrëmihur dheun, - tha plaku me një zë që dridhej, duke e kthyer shikimin herë kah ai e herë kah unë, sikur donte të arsyetohej.

- Mos bëni merak, kam lopatë e shat, toka në kopsht është e butë, besoj se s'do t'ju nevojitet gjë tjetër, - iu përgjigj i zoti i shtëpisë, i cili na përcaktoi edhe vendin për varr te një qoshe e kopshtit.

Për ta hapur varrin më shpejt, plaku i ftoi të na ndihmojnë edhe dy veta nga karvani.

Meqë vendvarrimi do të ishte i përkohshëm deri në krijimin e rrethanave të reja, ashtu siç u morëm vesh me pronarin e këtij trualli, me radhë e ndërrime të shpeshta e gropuam tokën vetëm deri në brez.

Kufomën e bartem me batanije, pastaj ashtu siç ishte i mbështjellë e lëshuam shtrirë mbi najlon të cilin e kishim shtruar më parë brenda në gropë. Pasi ia hodhëm dheun sipëri dhe e rrafshuam me sipërfaqen e kopshtit, e mbuluam vendin me disa degë të thata që të mos vërehet se është varr, sepse ndodhte që policia serbe t'i zhvarroste kufomat e t'iu humbte fijen, me qëllim që ndaj opinionit të jashtëm t'i fshihte gjurmët e krimit, e po ashtu në ato raste i zoti i shtëpisë do të kishte pasoja të rënda, që nga rrahja brutale e deri të vrasja e tij.

Mbasi e varrosem të ndjerin dhe e kamufluam vendin, iu lutem Zotit që kjo katandisje të përfundojë sa më parë, duke shpresuar që në Kosovën e lirë do ta kemi mundësinë e rivarrimit me devocion të të gjithë martirëve në një vend të përbashkët, si dëshmi e përkujtim për krimet serbe ndaj popullatës civile shqiptare.

Kur u ktheva te familja ime, bashkëshortja më tha:

- Bashkëvendësit tanë me të cilët rrugëtuam deri këtu, nuk patën durim të na presin më, ata vazhduan me ecje.

- S'kanë faj të shkretët. Është e vërtetë thënia se "shpresa vdes e fundit", por kur njeriu përballet disa herë me fatkeqësi të njëjtë, dikur e humb shpresën, e me të edhe durimin. Të ecim më shpejt, se ndoshta do t'i takojmë rrugës, - ia ktheva unë.

Duke ecur rrugës pa ndonjë orientim, vërejta se kishim mbërri te varrezat e moçme të qytetit në lagjen e Kakariqit. U ndala për një çast dhe shikova rreth e përqark, por bashkëvendësit tanë s'i shihja kurrkah, e po ashtu askund s'vëreja njeri. Duke kërkuar zgjidhje, shikimi e mendja më endej gjithkah, por s'dija se kah t'ia mësyjmë.

Pas një kohe jo të gjatë, erdh një burrë në biçikletë, në pamje dukej si të ishte rreth të dyzetave. Ende pa u afruar sa duhet, m'u drejtua:

- O shqiptar, çka jeni ngujuar aty. Në ato ndërtesa shumëkatëshe që po shihen përtej varrezave ka banorë serbë, nëse ju shohin mund t'ju nxjerrin telashe, ejani pas meje.

Pasi hymë në një rrugicë, u ndal e më tha:

- Po ma merr mendja se keni ikur nga katundi për shkak të luftës, a keni ndonjë akraba në Pejë.

- Jo vetëm që s'kam të afërm, por askënd se njoh në këtë qytet, - iu përgjigja pa ia sqaruar faktin se s'kemi ikur nga lufta, por nga masakrat që bënin forcat serbe ndaj civilëve të paarmatosur.

- Jetoj në pjesën e epërme të qytetit. Ngjitas me shtëpi, e kam një kuzhinë verore me banjë. Nëse ju konvenon, mund të banoni aty pa kompensim, derisa të qetësohet situata e të krijohen kushtet që të ktheheni në katund, - më tha ai.

- Po si s'na konvenon miku im, kemi mbetur pa ndonjë cak orientimi, tamam si "rosa në mjegull", - ia prita pa hezitim.

- Të nisemi pra, - më tha.

Fragment nga romani që është në proces, me titull:

SHËNIMET E NJË TË PANJOHURI



(Vota: 57 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora