E shtune, 27.04.2024, 11:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Milazim Kadriu: Adem Ajvazi -Integrimi i muhaxhirëve

E marte, 28.02.2017, 07:28 PM


NDONËSE ME SHPRESËN SE NJË DITË DO TË KTHEHEN NË VATRAT E TYRE, MUHAXHIRËT U INTEGRUAN SUKSESSHËM NË VENDBANIMET E REJA

Ma. sc. Adem Ajvazi  “ Integrimi i muhaxhirëve në Kosovë  1878-1955 “, botim i autorit, Podujevë 2016

Nga Milazim F. KADRIU

Pas librit “Muhaxhirët e Llapit” autori Adem Ajvazi vjen me librin e më të ri të tij që është edhe temë e masterit të autorit në fjalë. Libri ka për temë integrimin në vendbanimet e reja në Kosovë të të përndjekurve nga vatrat e tyre  nga Sanxhaku i Nishit- Toplicës.

Problematika e muhaxhirëve të Sanxhakut të Nishit - Toplicës është njëra ndër temat më të ndjeshme dhe më tragjike e po ashtu është edhe temë e ndjeshme që donë një trajtim të veçantë të cilës mendojmë se ja ka arrit autori Ajvazi. Shqiptarët e dëbuar nga vatrat e tyre shekullore u vendosën  në Kosovë por edhe në vende tjera deri në Turqinë e largët. Me shpresën se një ditë do të kthehen sërish nw vatrat e tyre muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit – Toplicws, shumica nga ta u vendosën në Kosovë, ngase ata shpresonin që të jenë më afër vatrave dhe të kthehen sa më parë por që kjo  nuk ndodhi kurrë më dhe me këtë shpresë mbetën gjithë jetën e tyre. Siç thotë edhe autori i librit kjo popullatë u ballafaqua me sfida nga më të ndryshmet si: Sigurimi i strehimit, sigurimi i ushqimit,s ëmundjet, shqetësimet emocionale, krimet që i kishin parë gjatë dëbimit, që ju rrinin në kokë si shpata e Demokleut e mbi të gjitha integrimi i tyre në popullatën vendase, e cila ishte një popullatë shumë e varfër.

Vlen të ceket se muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit- Toplicës ishin shumë njerëz punëtor  dhe shumë shpejt arritën të integrohen dhe të gjejnë veten në vendbanimin e tyre të ri ngase këtu ishin në mesin e vëllezërve shqiptar dhe ishte paksa më relaksues në raport me tërë atë katrahurë, që përjetuan gjatë dëbimit. Ata ndërtuan shtëpitë e tyre që ishin  kasolle banimi gjysmë në dhe, filluan të punojnë zejet e tyre të preferuara dhe të përdorura edhe në vendlindje, të cilat ishin burim i jetesës së tyre e që risit që sollën muhaxhirët ishin atraktive edhe për banorët vendas.

Siç dihet shpërngulja e madhe e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit – Toplicës gjatë viteve 1877 - 1878, ishte  pasojë e politikës ekspansioniste  të Serbisë së Obrenoviqëve  të motivuara dhe të nxitura  nga programi nacional - ekspansionist serb i ministrit të punëve të jashtme  Ilia Garashanin të njohur me emrin “Naçertania”, të vitit 1844, program ky që parashihte  zgjerimin territorial  të Serbisë dhe daljen e sajë në Detin Adriatik.

Libri “ Integrimi i muhaxhirëve në Kosovë  1878-1955 “ të autorit Adem Ajvazi ndahet në katër  kapituj ku në kapitullin e parë “ Kriza lindore nga prizmi i diplomacisë së fuqive të mëdha ”  flitet për  rrethanat  politiko - ushtarake  të Perandorisë osmane  në gjysmën e dytë të shekullit XIX, për luftën ruso - osmane 1877 - 1878. Më tej autori shkruan për Sanxhakun e Nishit  dhe rajonin e Toplicës  dhe kazatë  e këtyre anëve që ishin të banuara kryesisht me shqiptarë, për të vazhduar me motivet dhe shkaqet e shpërnguljes së shqiptarëve nga këto treva ku dëbimi i tyre filloi në dimrin e vitit 1877 për të vazhduar në verën e vitit 1878.

Në kapitullin e dytë “ Vendosja sukcesive e muhaxhirëve në Kosovë ” bëhet fjalë për shpërnguljen dhe vendosjen e tyre në Kosovë, në Maqedoni, pastaj për vështirësitë e tyre  nëpër qendra të ndryshme në Kosovë, themelimin e vendbanimeve të muhaxhirëve, vendosja e tyre buzë vendbanimeve të shqiptarëve vendas . Më gjerë autori në këtë kapitull fletë për Mahallën e muhaxhirëve në Prishtinë që edhe sot e mban këtë emër dhe është njëra nga lagjet e kryeqytetit. Më pas bëhet fjalë edhe për vështirësitë dhe ndihmat e ofruara nga popullata vendase, vizitat që u bënë krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit muhaxhirëve të vendosur në Gallap, për muhaxhirët në marrëdhënie çifligare, për bujqësinë, zejtarinë, tregtinë e muhaxhirëve etj.

Në kapitullin e tretë “ Integrimi socio - ekonomik i muhaxhirëve ”, autori fletë për  jetesën dhe mbijetesën e muhaxhirëve nga bujqësia, blegtoria, zejtaria duke sjell një varg zejesh që muhaxhirët i kanë zhvilluar në vendbanimet e tyre të mëhershme dhe i kanë vazhduar në vendbanimet e reja e po ashtu  sjell edhe të dhëna mbi veshmbathjen e muhaxhirëve si dhe marrëdhëniet e shqiptarëve muhaxhirë me shqiptarët vendas.

Në kapitullin e katërt ” Integrimi kulturor i muhaxhirëve ” flet për shkollarët muhaxhir duke sjell edhe biografi të disa personaliteteve muhaxhir si Hasan Masurica, Mulla Mustafë Braina, Mulla Hysen Statovci, Rrustem Statovci etj. Po ashtu në këtë kapitull flet edhe për humanizmin  dhe solidaritetin e  muhaxhirëve mes vete, e po ashtu edhe të kosovarëve me muhaxhirët. Më tej na sjell informacione rreth jetës së muhaxhirëve nga aspekti etnologjik, për mjekësinë popullore ndër muhaxhirë etj.

Në pjesën e fundit të këtij libri që autori  e shënon si shtojcë materiale sjell evokime të kujtimeve, intervista me pasardhës të moshuar  që i kanë ruajtur nga të parët e tyre  për vendbanimet nga të cilat janë përzënë me dhunë e që për pasardhësit e muhaxhirëve gjithmonë këto kujtime janë të freskëta sepse janë përcjellë gjeneratë pas gjenerate. Po ashtu këtu sjell edhe faksimile të tapive të një familje që e ruan ende për tokën e tyre në Sanxhakun e Nishit.

Për këtë libër historik shihet se  autori ka përdor një literaturë të gjerë, botime të autorëve tjerë, burime arkivore, burime nga gazetat, interneti dhe intervista. Libri  është botim i autorit ndërsa për recensent ka Ma. sc. Kastriot I. Veselaj që ka dhënë një vlerësim mjaft pozitiv për librin.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora