E diele, 28.04.2024, 05:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Avokatja

E merkure, 08.03.2017, 08:27 PM


AVOKATJA

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia

Ajo erdhi nga Shqipëria si vizitore tek prindërit e saj në Nju Jork bashkë me vajzën e saj foshnjë 5 muajshe e pajisur me vizë turistike tre mujore nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.

Garanci i kishin dalë prindërit e saj që banonin prej disa vitesh në Nju Jork.

Ishte grua e re në moshë, jo më shumë se 30-të vjeçe; tërheqëse në pamjen e saj të jashtëme, trupbukur për ta patur zili'.

Me kryeneçësi u prezantohej njerëzve të saponjohur, miqve të prindërve të saj, profesionin e juristes që kishte ushtruar në Shqipëri.

Pas diplomimit, pak vite e kishte ushtruar atë profesion, madje, thoshte se në Shqipëri kishte punuar juriste në një institucion të rëndësishëm shtetëror, por, për fatin e saj të keq, padrejtësisht, shefi i saj, e kishte larguar nga puna.

     - Si ka mundësi! - Bisedonin me njëri tjetrin disa miq të familjes së prindërve të saj që ishin njohur në Nju Jork. - Duhet të jetë paaftësia e saj në ushtrimin e profesionit të juristes në atë institucion të rëndësishëm shtetëror, ose, ajo do jetë diplomuar në atë kursin e famshëm disa mujor, që, jo pak njerëz të moshave të ndryshme u diplomuan nga ai kurs, madje zunë edhe vende kyçe ne institucione të ndryshme shtetërore partiake!

Që në ditët e para të mbëritjes në Nju Jork filloi të zbatojë planin e qellimit të ardhjes, të fitonte azilin, pajisjen me dokumentin kryesor Green Card, për të qenë banore e përhershme e Amerikës.

Pa humbur kohë, iu drejtua zyrës së emigracionit, atje ku ishte edhe avokati i njohur amerikan, zoti Xhan (Mr John).

Unë kisha dy vjetë që punoja me kohë të pjesshme (part time) përkthyes në zyrën e avokatit Xhon meqenëse edhe flas disa gjuhë të huaja: gjuhët, angleze, spanjolle, portugeze, italiane.

Zyra ku isha punësuar unë ishte paradhomë me zyrën e avokatit Xhan.

Më të shumtët emigrantë që aplikonin dhe vinin në zyrën e avokatit Xhan për t'u pajisur me kartën e gjelbërt, ishin qytetarë nga Amerika Latine  spanjishtfolës dhe shqiptarë.

Sipas orarit të takimit me avokatin Xhan, ajo u paraqit në zyrën e tij rreth orës 11.

Sapo hyri, më përshëndeti me mirësjellje. Me të njëjtën mirësjellje ia ktheva edhe unë përshëndetjen.

Pasi shkëmbyem bisedat e zakonshme të njohjes me pyetjet refren për të mësuar prejardhjen tonë, i kërkova të më jepte dokumentacionin dhe të më spjegonte edhe njëherë të përmbledhur historikun e saj në Shqipëri, shkakun dhe arësyet e largimit nga puna si avokate në atë institucion të rëndësishëm shtetëror. Praktikë më se e zakonshme e punës sime kjo, që të isha në dijeni të çështjes për të cilën do ia përktheja avokatit.

Avokati Xhan ishte njohur edhe më parë me kërkesën e saj për azil dhe me dokumentat që ajo kishte paraqitur.

Ndërsa ajo fliste, e bindur në ato që më thoshte, në fytyrë i lexohej besimi për çështjen për të cilën edhe kishte ardhur; të fitonte azilin.

     - Ndjehem shumë e emocionuar, por, edhe seç kam një parandjenjë të brendshme se çdo gjë do shkojë mirë; përfundimi i kësaj çështje do jetë në favorin tim. Apo jo, zoti...

     - Majk - i ndërhyra unë menjëherë. - Më quajnë Majk (Mike) jemi bashkëkombas dhe më pëlqen që të më thërrasësh Majk pa e përdorur fjalën, zotëri, sepse kështu e bëjmë edhe më të afrueshëm komunikimin tonë.

Ajo buzëqeshi. - Majk, ti si mendon? Kam shumë shpresa tek ky avokati i njohur këtu.

     - Shpresoj që çdo gjë të jetë në favorin tuaj - i thash.

I lexova me kujdes të gjithë dokumentacionin që ajo më paraqiti   

    - Dokumenta të tjera, nuk ke? - e pyeta.

     - Jo! - m'u përgjigj ajo menjëherë. - Nuk kam, por, këto besoj se janë të mjaftueshme.

Unë nuk fola; i rilexova disa herë. U çova nga karrigia dhe eca drejt derës së zyrës së avokatit.

Ia lash sipër tavolinës dhe prisja kur ai të ishte gati e të na thërriste.

Që në takim bisedën e parë me avokatin, ajo shfreu gjithë mllefin e saj kundër ish shefit të saj në Shqipëri që, me pa të drejtë, sipas saj, e kishte larguar nga vendi i punës; madje provat e saja ishin të forta.

Sipas spjegimeve që ajo i paraqiti avokatit Xhan, ish shefi i saj në Shqipëri kur kishte punuar në atë institucion, ishte burrë imoral. Jo pak herë, kur hynte në zyrat e ndryshme ku punonjëset ishin femra, harronte, apo bënte sikur harronte të mbërthente pjesën e përparme të pantallonave.

     - Të lutem!  - më ndërpreu mua avokati Xhan, ndërsa unë vazhdoja t'i përktheja ato çfarë më thoshte juristja shqiptare.

     - Të lutem, Majk! Të lutem, mund të ma përsëritësh edhe njëherë çfarë po më thoshje?

Ajo nuk kuptonte shumë fjalë në gjuhën angleze, por fjalën, të lutem, kur avokati Xhan m'u drejtua mua, e kuptoi.

Më vështronte me sy të trembur dhe priste se çdo ti thoshja unë.

Pa e lënë që të më pyeste, i thash: avokati po më thotë që t'ia përsëris edhe njëherë ato që po më thua ti, pra, ish shefi yt në Shqipëri qenka burrë imoral dhe shpesh herë hynte në zyrat tuaja me pantallona të zbërrthyera në pjesën e përparme të tyre.

     - Po! - tha ajo menjëherë duke e ngritur pak tonin e të folurit - Është e vërtetë - dhe pa nga avokati si të kërkonte mbështetjen e tij.

Ia përktheva avokatit fjalë për fjalë ashtu siç edhe ia kisha përkthyer pak më parë.

     - Pyete, - m'u drejtua mua avokat Xhan-i. - Sa kohë i vazhdoi ato veprime ish shefi i saj, pra, që hynte dhe dilte në zyrat ku punonjëset ishin femra, ashtu siç po thot kjo?

Dhe përgjigjja e saj ishte: - Pothuajse që kur fillova unë punë atje, madje këtë ves të ish shefit tim ma thanë edhe ish koleget e mija që ishin punësuar më parë se unë.

     - Domethënë, - m'u drejtua mua avokati, - që në ditët e para të fillimit të punës, kjo paska patur dijeni për veprimet e pahijshme të shefit të saj, madje edhe i paska parë vetë, por, atëhere nuk i bënë përshtypje, ndërsa tani, po i përdor si provë të fortë bindëse...!

Avokati tundi kokën majtas djathtas. Pastaj, pas një heshtjeje të shkurtër, e pyeti:

     - Sa kohë punove ti në atë zyrë me një shef të tillë imoral?

     - Dy vjetë dhe katër muaj - u përgjigj ajo pasi unë ia përktheva.

Fytyra i mori një çehre ngjyrë rozë; dukej se po i lulëzonte. Mendoi se, ndërhyrjet e avokatit me pyetjet e njëpasnjëshme ishin në favor të saj.

     - Shumë faleminderit, - më foli mua me zë të ulët.

Unë nuk fola; po ndjehesha i paaftë ti përgjigjesha buzëqeshjes së fytyrës së saj.

     - Çfarë thot? - Pyeti avokati Xhan.

Unë bëra sikur nuk e dëgjova, shikimin e kisha hedhur mbi disa shkresa që kisha përpara.

     - Domethënë, paska punuar avokate në atë institucion shtetëror në Shqipëri nën mbikqyrjen e një shefi imoral që bënte edhe veprime të turpshme, foli avokati Xhan pas një heshtje të shkurtër dhe kokën e mbante ulur mbi shkresat që kishte përpara. U duk se po mendonte diçka, pastaj, pa folur, u çua nga karrigia dhe me hapa të ngadaltë shkoi pranë dritares. Shikimin e kishte hedhur diku jashtë.

     - Të lutem Majk, - më foli ajo me zë lutës. - Çfarë të tha avokati?

     - Nuk ka thënë asgjë të rëndësishme, përveç atyre pyetjeve që të thash edhe ty.

     - Pse u çua nga vendi? Çfarë po mendon? Oh, Zot! Sa me ankth që jam tani! Më ka hipur një sekëlldi e brendshme. Pse e ndërpreu intervistën me mua?

     - Janë në praktikën e tij këto veprime - u mundova unë ta qetësoja.

     - Po me të tjerët si unë kur vijnë këtu, kështu vepron ky? - vazhoi ajo me pyetjet duke folur me zë të ulët. Në fytyrën e saj po dalloja frikë.

     - Të thash, janë në praktikën e tij të punës këto veprime që po bën; madje ai edhe mund të dalë jashtë për disa minuta e të kthehet prap.

Avokati Xhan, u kthye nga ne dhe përsëri me hapa të ngadaltë erdhi dhe u ul në karrigen e tij të punës.

Pa folur, sytë i mbante ulur përdhe dhe me gishtat e pëllëmbës së dorës së majtë godiste lehtë tavolinën e tij të punës si të mbante ritmin e një muzike. (Avokati ishte mëngjarash, shkruante me dorën e majtë)

     - Kam edhe këto për t'ia treguar - më foli përsëri ajo me ngadalë dhe, pa pritur që unë ta pyesja, hapi çantën dhe nxorri një mbështjellëse në ngjyrë blu. E hapi; dallova një gazetë në gjuhën shqipe dhe disa fotografi.

     - Çfarë dokumentash të tjera ke? - e pyeta.

     - What's happening? Çfarë po ndodh? - më pyeti avokati.

     - Ka edhe disa dokumenta të tjera për t'ju treguar, zoti avokat.

Ai u duk se nuk ishte i interesuar për të parë çfarë fakte të tjera kishte sjellë ajo.

Ajo zgjati dorën; - janë prova shumë të besueshme - foli duke m'i dhënë.

Unë mbaja përpara duarve gazetën dhe tre fotografi pothuajse të ngjashme me njëra tjetrën. Ato fotografi i pash të botuara edhe në gazetën që më dha ajo. Nuk po më dukeshin prova shumë të forta, siç u shpreh ajo për ta bindur avokatin në padrejtësinë që i ishte bërë.

     - Çfarë janë ato? - më pyeti avokati indiferent.

Pa folur, i zgjata dorën për t'ia dhënë.

Avokati i mori gazetën dhe fotografitë dhe po i mbante përpara duarve. Shikimi i tij u mbërthye mbi to. Ai po shikonte një burrë në shoqërinë e disa miqve apo shokëve të tij në një restorant, ulur në një tavolinë që po drekonin apo darkonin.

Dallohej shumë qartë; në pjatat përpara tyre, ushqimi që po hanin, ishin pasta, makarona spageti.

Avokati, ngrysi ballin, i dha buzëve një shtrembërim të lehtë dhe pa e ngritur kokën, zgjati dorën drejt meje duke m'i dhënë.

     - Ç'janë këto? - pyeti avokati hetueshëm, pa iu drejtuar askujt.

Makaronat ishin një nga ushqimet e tij të preferuar.

     - Janë ato palaçollëqet që bënte ai maskarai, ish shefi im, - shpejtoi ajo të spjegonte.

Shtypi i partisë kundërshtare të shefit të saj, nëpërmjet kamerës së fshehtë, e kishte regjistruar shefin duke ngrënë drekë apo darkë private në një nga restorantet e ndryshme me grup shokësh dhe ato fotografi i kishin botuar në shtypin e tyre si diskreditim ndaj shefit.

Në zyrën e avokatit kishte rënë heshtja. Unë nuk dija si të veproja. Herë herë shikimin e hidhja nga avokati dhe herë herë e hidhja nga ajo.

Avokati kishte mbështetur mjekrën mbi pëllëmbën e dorës me krahun gjysëm të përthyer dhe dukej se diç' mendonte.

Fytyra e saj shprehte ankth. Por, heshtjen e theu vet avokati.

     - Përktheja - m'u drejtua mua. Pastaj duke folur, shikimin e hodhi nga ajo: - Meqenëse jeni edhe vetë avokate, siç po na prezantohesh, besoj se mirëkuptohemi. Pretendimet e tua, me ç'dëgjova nga përkthyesi, bashkëkombasi yt i nderuari Majk, nuk janë aq bindëse për të fituar statusin, qellimi i të cilit ti ndodhesh sot këtu. Nuk janë prova bindëse këto për mua dhe për cilindo avokat tjetër ku mund të shkosh ti këtu në Amerikë, të pajisesh me dokumentin kryesor për të qenë banore e përhershme e Sh. B. A-së.

Fotografitë, të cilat ti ne na i paraqite si provë kundra ish shefit tënd në Shqipëri atje ku edhe ke punuar, jo vetëm që nuk janë bindëse, por, si avokate që je, duhet ta dish shumë mirë, janë veprim i kundraligjshëm. Sepse, të investigosh, të fotografosh cilindo qoftë ai apo ajo në jetën private dhe ato t'i bësh publike, janë edhe të dënueshme ligjërisht.

Por, ajo që dua të të them, madje që në fillim kur ti ne na spjegove pretendimin tënd në lidhje me imoralitetin dhe sjelljet e pahijshme të ish shefit tënd në zyrat tuaja përpara grave ku njëra nga ato ke qenë edhe ti, dua të të pyes: Sigurisht, ato veprimet e tija të turpshme janë të dënueshme dhe të papranueshme për ty për të punuar me një shef të tillë, por, ti atë fakt e ke mësuar që në ditët e para të punësimit tënd nga ish koleget e tua të punës, apo jo? Gjithmonë, sipas dëshmisë tënde tani këtu, po të flas. Dhe, megjithatë, ti pranove të punoje më shumë se dy vjetë edhe pse i shihje veprimet e tij të pahijshme. Sigurisht, bashkëshorti dhe familjarët e tu, atë veprim të ish shefit tënd e kanë mësuar pasi ai ty të largoi nga vendi i punës. Vallë, ti e bisedove ndonjëherë me bashkëshortin tënd gjatë kohës që vazhdoje të punoje atje? I the ndonjëherë bashkëshortit tënd, nuk më vjen të shkoj në punë, madje as nuk dua të punoj me një shef të tillë, imoral? Dhe, sigurisht, përgjigja vetvetiu, është, jo, nuk i ke thënë, se, përndryshe, nuk do kishe vazhduar të punoje më shumë se dy vjetë. Bashkëshorti yt dhe gjithë familjarët e tu i kanë mësuar të gjitha ato fakte vetëm kur ty të larguan nga vendi i punës, praktikë kjo më se e njohur që, kur punonjës të ndryshëm privatë apo shtetërorë, kur pushohen apo largohen padrejtësisht, sipas pretendimit të tyre, nga vendi i punës, atëhere shfrejnë mllefin e tyre të mbajtur sekret brenda vetes, dalin përpara kamerave televizive, japin deklarata në shtyp, bëjnë lajm, mbushin faqet e ndryshme gazetash me bëmat që kanë ndodhur në institucionet ku ata kanë punuar.

Më vjen shumë keq zonjë, por, po ua përsëris edhe njëherë, faktet tuaja dhe provat që na paraqitët këtu, nuk janë bindëse - vazhdonte avokati të fliste me mirësjellje të stërholluar.

     - Dhe, për ta mbyllur këtë takim, ju rekomandoj se, për të qenë korrekte me ligjet e Shtetit Amerikan, sigurisht që ti i di vetë, meqenëse je edhe avokate, (avokati sajoi një qeshje të lehtë që u duk ironike) brenda afatit tre mujor, atëhere edhe kur ju mbaron edhe afati i dhënies së vizës për të qendruar në Amerikë, ju bashkë me vajzën tuaj duhet të ktheheni në vendin tuaj, në Shqipëri.

Avokati zgjati dorën nga ana e majtë e tavolinës së tij të punës.

Ajo nuk e pa se ç'farë mori ai; syt i kishte ulur përdhe. Vetëm kur dëgjoi avokatin t'i flasë, e ngriti kokën.

     - Merre këtë - tha avokati dhe zgjati dorën për t'i dhënë diçka. - Këtu është e regjistruar e gjithë biseda jonë, pra edhe e përkthyesit tonë të nderuar Majk. Merre, mbaje, është e jotja, ndoshta do të duhet edhe si provë bindje e përkthimit të saktë nga përkthyesi Majk. Bashkë kemi mbaruar punë - dhe u çua nga karrigia.

Unë edhe pse isha i bindur në provat që ajo na solli që nuk do e fitonte kërkesën e saj për azil, e pash dhimbshëm në sy. U çova dhe unë nga karigia ime për ta shoqëruar jashtë.

M'u dhimbs shumë, shumë, për më tepër kur i pash syt e përlotur. Në fytyrë i dallova qartë një shprehje pikëllimi.

Asaj në zemër i ishte mbledhur një lëmsh. Nuk u përmbajt dot, ia shkreu të qarit me ngashërim. Nuk po iu zinte besë fjalëve të avokatit që sapo dëgjoi.

     - Të lutem! Të lutem Majk! - më foli me zë të dridhur dhe të përvajshëm. - Më mundëso edhe një takim tjetër që të vij përsëri, ndoshta, ndoshta... - nuk mundi dot të vazhdonte të fliste. Në grykë i ishte bërë një nyje.

Po ndjeja keqardhje në zërin e saj; po më dhimbsej shumë. Duke e parë pikëllueshëm, i thash:

     - Edhe unë, të lutem shumë. Ju kuptoj shumë mirë juve dhe gjendjen tuaj shpirtërore, por, nuk është në dorën time. Avokati e studjoi kërkesën tënde, madje të dha përgjigjen e prerë përfundimtare.

Isha i bindur në veten time se ajo po ndjente një trishtim të thellë brenda qenies së saj. Syt i dukeshin të shuar.

Ajo, sikur nuk donte të largohej nga zyra jonë e punës.

Avokati Xhan, rrinte pranë dritares me shikimin hedhur jashtë, ndërsa unë me hapa të ngadaltë eca drejt derës.

Ndjeva se edhe ajo po vinte pas meje.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora