Kulturë
Mercedes Gega: Një copëz jete
E enjte, 09.03.2017, 07:33 PM
Mercedes Gega
Një copëz jete
Pas një nate të gjatë dimri,
Ku drita dhe zjarri mungojnë,
Vjen shpresë-zbehur mëngjesi
Tek lypësi që uria mundon.
Nga shtrati i gazetave të djeshme
Çohet dhe vështrimin hedh lart,
Me frymën e vakur nxeh duart
Dhe mendueshëm çapitet për pak.
Pas një nate të ngrirë dimri,
Një ditë e akullt e pret.
S’e mundon më tepër ushqimi,
Se ftohtësia e shpirtit që ndien.
Bashkë me vuajtjet në shpirtin e tij
Mbyll dhe vuajtjet, që s’janë pak.
I ndrojtur, me turp dhe brengosje,
Lypësi i vogël dorën zgjat.
Qindarkat e vogla të mëshirës
Në dorën që dridhet, rëndojnë.
Në sytë e nxirë prej mjerimit,
Zemra jetime lot dërgon.
Dhe kështu mbaron dhe një ditë,
Një copëz nga jeta kalon.
Drejt shtratit të tij me gazeta
Jetimi-lypës nxiton.
Nata për të gjithë sjell paqe
Veçanërisht kujt gjë s’i mungon
Për të mjerin vetmitar është veç natë
E cila shumë mundimshëm kalon.
I strukur në vetminë e tij
Yjet magjepsës vështron.
Mbyll sytë me ëndrrat fëminore,
Për një të nesërme më njerëzore shpreson.
20.04.2002
Arsyeja e munguar
T'i gjesh një arsye, mos kërko,
Veprimit që arsye nuk njeh.
Arsyen të njihte vepruesi,
Veprimi do t’i mbetej thjesht ide.
7.07.2003
Ku je?!
Ku je ti, ëndërr e mërguar?
Në ç’skuta ke ndaluar vallë?
A gjete dot ç’kishe kërkuar?
Atje ku je, a ndihet mall ?
Kaloi një vit, dy, tre, sot katër.
E minuti i pritjes kaq ngadalë shkon.
Nëna që le të re, të qeshur,
Mbi flokët e saj sot boron.
Çdo dallëndyshe që sheh
Është syri im, bir, të kërkon.
Çdo pikë shiu mbi qerpikë
Është loti i mallit që më mundon.
Ku je ti, lulja e gëzimit?
Ku je, o prehja e shpirtit tim?
Sa larg ke shkuar që dot s’më flet
Vetëm një fjalë për ngushëllim?
Në ke gabuar e sot ndien turp
E dot s’ma thua, jeta ime,
Dije se pritja pa përgjigje
Rëndon sa bota mbi zemrën time.
Gjithë pasuria e kësaj bote
Nuk vlen për zemrën e një nëne.
Gjithçka që kisha do ta shpenzoja
Të shihja një herë fytyrën tënde.
23.11.2005
Qyteti im
Me këpucë të reja sot shkel rrugë të vjetra,
E hapin shkujdesur më s'e hedh dot,
Kujtimet, që dje ishin kaq të freskëta,
Sot shoh që janë plakur, ndiej të kenë ftohtë…
Të eci vazhdoj, kam mall, dot s'ndaloj,
Këto rrugë kaq shumë më paskan munguar.
Këpucët e reja, të modës së fundit,
Tani sikur më vrasin, të jenë ngushtuar?!
Dëshirë ndiej t'i hedh tej, tutje t'i flak
Dhe lirshëm të eci derisa forca t'më braktisë
Të këndoj me zogjtë, me lulet të flas,
Me ty të çmallem qyteti im.
13.12.2006
Gjurmët e mia
Nëse një ditë s'do të jem më
E pranishme midis jush,
Mall në ndjeftë ndonjë,
A kuriozitet ndokush,
Le të shohë gjurmët e mia,
Ku shkela, si eca unë.
E mall a kuriozitet do t'ju shuhen,
Se gjurmët do t'ju çojnë tek unë.
24.02.2007
Veç sytë janë po njëlloj
Mbi fytyrën tënde,
Shoh e jam thelluar
Flokë, ballë e faqe
Sa paskan ndryshuar?!
Koha ka kaluar,
Ka dhënë e ka marrë.
Mbi flokët dëborë,
Ndër sy prehet mall.
Mbi ballë e mbi faqe,
Çdo ditë e jetuar
Ngadalë ka firmosur
Me rrudhë të thelluar.
Veç sytë s'kanë ndryshuar,
Të thellë e paqësorë
Aty koha ka ndaluar,
Sytë janë po njëlloj.
2.03.2007