Kulturë
Përparim Hysi: Thirrje Krishtit!
E enjte, 29.12.2016, 02:33 PM
Përparim Hysi
Thirrje KRISHTIT!
Po fryn e shfryn murrlan i ftohtë
Ndoshta, pas të ftohtit, do bjerë shi
Ç'është kokolizur e shkreta botë
Është lidhur pisk dhe s'e zgjidh njeri?!!!
2000 e ca vjet që lindi KRISHTI
2000 e ca vjet që bota nuk gjen qetësi
Kur shoh kaq vuajtje, më dhëmb shpirti
Po ku je, O KRISHT? Ku je, PERËNDI?
Ti le pas shumë urata
Dishepuj shumë; më shumë xhelatë
Ke lënë të ligj me shpirt si nata
E liga mbetet, jetës, gjatë.
Ca lakmimtarë, majmur si derra
Nuk ngopen fare: si të jenë luvgji!
Shumica ushqim kërkojnë në plehëra
Punojnë, robtohen, por nuk kanë,PERËNDI!
I vrarë shpirtërisht, nuk fle i qetë
Se skamja e njerëzve më brengos
Ku je, o KRISHT, o BURRË i drejtë?!
Kthehu se të presim... drejtësi vendos.
Tiranë, 24 dhjetor 2016
__________
" E shpejta si era" *
Kushtuar "Mjeshtres së parë Sportit, për femra", SOFIE MEÇOS
Nga Përparim Hysi
Së pari, ky shkrim i shkruar nga unë enkas për "Mjeshtren e parë të Sportit, për femra", SOFIE MEÇON, do ishte krejt i mangët, pa ndihmën e gazetarit veteran, Besnik Dizdari, i cili, ekspres, iu përgjigj telefonatës sime dhe më dërgoi, rekordet që ka thyer, SOFIE MEÇO, në atletikë, kryesisht, në korsinë e vrapimeve. Pa dyshim, e falnderoj këtë gazetar kaq me vlerë dhe e ndjej veten disi si "borxhëli".
* * *
Kam arsye të shkruaj për SOFIE MEÇON dhe, nëse në këtë shkrim nuk do arrij që ta japë të plotë portretin e saj, kjo të merret si pazotësia ime dhe aq.
Unë e di mirë që shumë nga lexuesit e këtij shkrimi as që e njohin SOFIE MEÇON. Dhe nuk kanë faj. Ne i harrojmë vlerat dhe ata apo ato që i kanë dhënë lavdi këtij vendi ( sigurisht, në fushat ku kanë dhënë kontribut), humbasin mjegullave të harresës, siç dhe ka ndodhur me të lavdishmen e "harruar", SOFIE MEÇO! Po të vini re, në gjithë rastet që e nominoj emrin e saj, unë gjithmonë e shkruaj me gërmë të madhe. Këtë e bëj me ndërgjegje, se kam bindjen time të paluajtshme: SOFIE MEÇO është nga ato gra që meriton t' i shkruhet jo vetëm emri me gërmë të madhe, por për të duhet shkruar një libër i tërë.
* * *
Për të çarë, paksa, mjegullën që ka hedhur koha mbi SOFIE MEÇON, po jap, paksa, si në vija të trasha, një CV të saj apo një shkrim ku portreti i saj sportiv të bëhet pak më i afërt për lexuesin.
SOFIE MEÇO ka lindur në vitin 1933 në fshatin MUJALLI të FIERIT. Natyrshëm, që shumë prej lexuesëve as e kanë idenë se ku ndodhet ky fshat dhe ca më shumë, se si është e mundur që nga një fshat i "humbur" i Myzeqesë, të dalë një rekordmene në vrapime dhe ca më shumë: e para "MJESHJTRE SPORTI për FEMRA! Mujallia, fshati i SOFIE MEÇOS, është mbi 12 km larg Fierit. Kuriozët, nëse duan të dinë më sakt se ku ndodhet Mujallia, u them:- Nisuni nga ish-Turizmi i Fierit, kthehuni me ballë nga Veriu dhe ndiqni xhadenë drejt, pa asnjë kthesë. Kur mbaron xhadeja (fatmirësisht, tashmë, është asfaltuar, por jo e mirëmbajtur mirë), është fshati i fundit. Më tej është lumi. Mujallia, pa dyshim që krenohet, me bijën e saj, por, veç tjerash ( nuk e di a e dinë hstorianët?!!!), këtu, në Mujalli, i kanë prerë kokën Kozma Atolit ( të dërguarit nga Patriarkana), dhe e hodhën në lumë. Lumi, mandej, e nxori me gjithë trup dy km më larg dhe u varros në Kolkondas- fshat që e ndan lumi me Mujallinë. Është fjala për atë Shën Kozman që lakohet si shenjt. Kisha e Mujallisë mban emrin e këtij "shenjti" dhe quhet Shën Kozmai i "vogël". Ja, pra, këtu në Muajlli lindi SOFIE MEÇO dhe këtu mbaroi dhe shkollën fillore. Shkollë unike(7-v jeçare) as që bëhej fjalë, por i ati, Xoxi, qe arismdashës dhe nuk mund ta linte "cucën" pa shkollë. E dërgoi në Tiranë dhe aty mbaroi dhe të mesmen.
Në të ritë të saj, SOFIE MEÇO, ka qenë zjarr e shpuzë. Kjo ra në sytë e mësuesëve të saj dhe nuk kishte se si mos binte në sy. Si sportiste, ajo ka qenë rekormene për vite me radhë në 400m, 800 m, 1000m dhe 1500 m. Ka bërë pjesë në Klubin Sportiv "Partizani" qysh nga viti 1946. Nga Zoti Besnik Dizdari më janë dërguar jo vetëm rekordet e SOFIE MEÇOS, por dhe koha me të cilën është shpallur kampione. E them këtë, për t'u thënë lexuesëve se shkrimi im nuk është subjektiv dhe i bërë nga një emocion imi miqësor, por nisur nga të vërteta që nuk ke si mos e duash këtë sportiste "të shpejtë si era". Pse ka thyer këtro rekorde, SOFIE MEÇO, në vitin 1952 ka fituar titullin "MJESHTRE SPORTI". Ky titull, me të vërtetë, është pak sinjifikativ: e para MJESHTRE SPORTI për femra në Republikë, kur, në atë kohë, këtë titul e mbanin vetëm 46 meshkuj!!! Ndaj dhe unë e kam quajtur: E SHPEJTA SI ERA! Dhe, ngaqë jam një nga ata që e dua këtë "MJESHTRE" të harruar nga koha,qysh në vitin 2000, kam shkruar një poezi, kushtuar SOFIE MEÇOS dhe e kam futur në kolanën "Njerëz që dua" tek libri "Regëtima dashurie". Është në faqen 167 të librit tim dhe përfitoj nga rasti, ta vendos në këtë shkrim modest timin.
SOFIE MEÇOS
MJESHTRES SË PARË TË SPORTIT PËR FEMRA
Eh, SOFIE MEÇO! E shpejta si era
Qe mjeshtre e shquar; e para ndër femra!
Sa herë qe kampione; sa herë e para dole
Asnjëherë s'i re gjoksit; kurrë për vete s'fole.
E bukur si dritë! Buzëqeshja në buzë
NJë fshat që duket, nuk do kallaus
Tërë jetës punove dhe mbete "ushtare"
Sado për meritat, ishe "gjenerale"
Sportit seç i dhe, të gjithë tëden jetë
Të madh kontributin, asgjë në kuletë
Për ne që të njohim, e shtrenjtë je përhera
Ti, SOFIE MEÇO! E shpejta si era.
* * *
Veç rekordeve në këto vrapime, ajo ka marrë pjesë në gara sportive jashtë vendit: si në Rumani apo delegacione sportive në Kinë. Është dekoruar me medalje të ndryshme deri me"Urdhër Olimpik për "Lëvizjen Olimpike të SHqipërise". Ka qenë anëtare e Komitetit të Fiskulturës nga 1975-1980.
NJë kapitull më vete në jetën e SOFIE MEÇOS, është puna e saj e çmuar si mësuees e Edukimit Fizik në shkolla të ndryshme: që nga "Vojo Kushi" në Tiranë dhe, mandej, në shkollën 8 -vjeçare "Andon Xoxa" në Fier. Pjesën më të madhe si mësuese e ka ushtruar në Gjimnazin "Janaq Kilica " në Fier,deri sa doli në pension. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afërr ( unë jam një nga ata), janë çuditur vetëm me një fakt shumë domethënës: jo vetëm në rininë e saj, por deri sa doli në pension, ishte plot sharm e nur dhe, megjithatë, nuk krijoi familje. "Mëntonjësve" të shumtë ua kthente: jam e "martuar" me sportin!!! Ajo është "Nderi i Fierit" dhe po"Nderi i ish-komunës Qendër" ku përfshihej dhe Mujallia e saj.
Sot, siç shihet, ajo është 83-vjeçe dhe, nëse ka ndonjë peng, është jo " se u martua me sportin", por ka"pengje" që unë dhe ndaj po e bëj këtë shkrim.
* * *
Sado që banoj në Tiranë (kam gati 5-vjet këtu), brenda pak muajëve të këtij viti e kam takuar dy herë SOFIE MEÇON. E kam takuar në shtëpinë e të vëllait, të ndjerit SOTIR MEÇOS, ish-mësuesit tim të paharruar. Fill pas ndarjes nga jeta të mësuesit tim, vdiq dhe bashkëshortja, DhOKSI MEÇO, mësuesja ime e klasës së parë. Në të dyja rastet, më priti SOFIE MEÇO. Në bisedë e sipër, më tregoi "pengjet" e saj. Unë, tek i bëj të ditur të dy"pengjet", po i sjell si në ligjëratë të drejtë:
"... më thirrën kur u bë jubileu i 70-vjetorit të klubit "Partizani". Shkova me gjithë Petritin ( i nipi, mësues fizkulture në shkollën "Jakov Xoxa" në Fier). Filluan dekorimet. Thuheshin emrat dhe ja dhe emri im, u çova... dekorata ime nuk gjendesh. U krijua pak situatë e "nderë". Po ç'u bë? Mos e piu dheu?!!!
Oh,- ndërhyri dikush (më duket makaznieri),- oh, po për ata që "kanë vdekur", janë atje në depo!!! Tek më pohonte këtë "peng" kaq të vrazhd, nuk kisha se si mos mbushesha me mornica dhimbjeje dhe, njëkohësisht, urrjetjeje për këtë mosmirënjohje kaq absurde.
"Pengu" i dytë. Vërtet më kanë vlerësur si "Nderi I Fierit" por si nuk mendoj njeri që dhe mua të më jepej një dhomë e kuzhinë dhe jo të mbesja këtu, në shtëpinë e tim vëllai? A nuk meritoja kaq unë?
Tek dëgjoja këtë ligjërim kaq të dhimbshëm, u largova me një premtim: do bëja një shrkim për të dhe, tek e mbyll, përsëri mirënjohja ime shkon për fisnikun, Besnik Dizdari, që iu përgjigj flakë për flakë kërkesës sime. E di që do thonë lexuesit: po e tepron. Aspak fare. U futa në "google", shkrova emrin SOFIE MEÇO! Asnjë e dhënë. Shkrova "Mjshtre Sporti-femra". Përsëri: asgjë. Vallë, kush merret me Wipekidinë e këtyre emrave të nderuar apo ndonjëri që i"vdes për sëgjalli?!!!".
SOFIE MEÇO ti e ke ballin të bardhë e të bukur! Je e bukur si drita dhe të gjithë ata që të njohin, të duan.
Dëshira ime është: Të rrosh një shekull!
Tiranë, 21 dhjetor 2016
_____________
"Pirueta" të një diplomati"
"Dritë-hijet" e një diplomati" të Agron Alibalit
( ese)
Nga Përparim Hysi
Me ftesë të botuesit Mehmet Gëzhilli, ditën e premte, më 16 dhjetor, isha në promovimin e librit të Agron Alibalit "Dritë-hijet e një diplomati". Promovimi u bë në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare. Pjesëmarrja qe pak si unike: qenë njerëz me intregitet, paksa të "rëndë": intelektualë që me penën e tyre kanë lënë dha vazhdojnë të lënë gjurmë në fushën e letrave.
Në panelin drejtues, veç botuesit, Mehmet Gëzhilli, kishin zënë vend, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, zonja Persida Asllani; Profesor-doktor, Pëllumb Xhufi dhe Profesor-doktor, Aleks Luarasi. Veç panelit, promovimin e nderonin me pjesëmarrjen e tyre dhe ish-Presidenti,Alfred Moisiu; Profesor Nasho Jorgaqi, Profesor Xhevat Lloshi dhe persona të tjerë me tituj shkencorë, të cilëve, pa dyshim, ju kërkoj falje që, nëse nuk i lakoj, është veç nga mosnjohja ime.
* * *
Promovimin e hapi zonja Asllani, e cila, duke folur në "vija të trasha", mes tjerash, falnderoj dhe autorin për punën e madhe voluminoze dhe aq cilësore, por, në të njëjtën kohë, edhe botuesin, zotin Gëzhilli që në një kohë rekord, ia arriti që të botojë këtë libër, kur në 17 dhjetor është 74-vjetori i vdekjes të FAIK KONICËS.
Pas fjalës së Zonjës Asllani, foli Profesor-doktor,Pëlumb Xhufi që, si të thuash, hodhi "kripën me karar" mbi gjithë atë punë aq hulumtuese të Agron Alibalit që, me një vullnet prej titani, nuk la bibliotekë të Amerikës, pa gërmuar dhe arriti të japë të plotë një diplomat aq "karizmatik", sa ç'ka qenë, në të vërtetë, FAIK KONICA!
Po me kërshëri u dëgjua ligjërata e Profesor-Doktor Aleks Luarasit. Tek dëgjoje këta ligjërues, edhe po të mos kishe dëgjuar kurrë për një diplomat me karizmën e Faik Konicës, tashmë kishe marrë një informacion të bollshëm për të dhe ishe në gjendje që këto "dije" të përfituara, aty për aty, t'ua transmetoje dhe të tjerëve.
Në gjithë këtë promovim, pak më tepër se "bum", bëri fjala e botuesit,Mehmet Gëzhilli. Ky para auditorit, u paraqit jo vetëm si një botues dhe aq. Jo. Përkundrazi. Kishte sjell me vete dhe i tregoi auditorit, diplomën e tij të vitit 1975, kur udhëheqës diplome kishte patur, të ndjerin,ISUF ALIBALI! Ky, ISUF ALIBALI, nuk ka qenë askush tjetër, por gazetar me emër ( më duket dhe jurist me profesion), të cilin, diktatura e internoi dhe e masakroi me gjithë familje. Nuk kishte përkim më të bukur: ish-studenti, Mehmet Gëzhilli, i paguan "doganën", Profesorit të tij të ndjerë, duke u bërë promotor si botues, për librin e të birit,Agron Alibali.
Se ç'punë voluminoze ka bërë Agron Alibali, e tregoi vet autori, kur mori fjalën e tij, përshëndetëse. Vetëm përciptas tregoi atë "kalvarin" e familjes që u internua sa në fshatrat e Beratit e sa në ato të Gjirokastrës. Nuk kishe se si mos rrënqetheshe, kur autori tregoi se"... nuk e linin të vazhdonte shkollën e mesme dhe, kur gjyshi më mori për ta vazhduar, asnjë nga bashkëshokët a bashkëshoqet e shkollës nuk më fliste me gojë. Kur hodhi sytë nga plateja, pa që qëndronte në këmbë një zonjë:- E vetmja,- tha autori,- që nuk ma ndau përshëndetjen qe kjo. "Kjo" qe as më pak dhe as më shumë, por Zonja Rina Domi ( gjithmonë kërkoj falje, nëse nuk e nominoj drejt, është veç fal kujtesës të një të moshuari si unë) që, për çudi,ishte nënëdrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare. Pa dyshim, përkime të bukura dhe emocionale.
Autori, mandej, tregoi gjithë atë punë skrupuloze (më duket 12-vjeçare), duke ndjkeur gjurmët e një diplomati si Faik Konica. Në libër ai nuk është treguar subjektiv, por e ka dhënë FAIK KONICËN, ashtu të ditur dhe shumë "qibar" dhe, nga ana tjetër, paksa kontravers në mardhënie me kolegë dhe, po kështu, si diplomat që i shërbeu shtetit shqiptar nga viti 1926 e deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.
Natyrisht, unë nuk jam në gjendje që të pasqyroj gjithshka paraqiti autori në auditor, por një gjë di ta them me siguri:
Libri "Dritë-hijet" e një diplomati është si të thuash, pasqyra me dimesione më të mëdha, kur Faik Konica shihet si në një "kaleidokop" me të gjithë avantazhet intelektuale (ai qe nga të rrallët si njeri i ditur), por, në të njëjtën kohë dhe në"piruetat" në çdo fushë të jetës së tij.
Një emocion sa të dhimbshëm dhe aq të bukur në promovim, dha dhe nëna e autorit, ZONJA FISNIKE,ADIVIE ALIBALI alias MAMICA e njohur nga gjithë ata që kanë parë filmin "Skënderbeu". Ajo tregoi se jo vetëm e kishte nxitur të birin për të shkruar këtë vepër me kaq vlerë, por ishte bërë"shoqëruesja" e tij në sa e sa udhëtime, për të bërë sa më të plotë figurën e Faik Konicës. Ajo tha se ishte krenare për djemtë e saj dhe, pa dyshim, theksin e vuri tek puna me aq përkushtim e të birit që, më së fundi, e nxori në dritë.
Por, siç mendoj unë, më duket se pikat mbi i për këtë libër, sado që foli nga plateja, sikur i vuri Profesor Xhevat Lloshi që, si të thuash, bëri anamnezën e këtij libri. Unë këtë libër,- tha Profesori,- nuk e kam lexuar, por ky është "libër tavoline" dhe atje do ta mbaj, që, sa herë të më duhet, të ulem dhe ta shfletoj.
Këto janë veç ca përshtypje të mia, por që të flasësh për Faik Konicën nuk është as e lehtë. Është, në përshtypjen time, sigurisht, më kontraversi: herë- herë të lë përshtypjen (flas për karakterin) e ujit që merr formën e enës ku e hedh. Veç ta shikosh në qëndrimin që mban me shokët e një ideali (edhe idealin e ndërron) apo dhe në mardhëniet me shtetin apo dikasterin nga varet, gjithmonë pretendon që t'u imponohet dhe të hiqet ZOT! Askush nuk duhet të "pipëtijë" para tij dhe,ç'nxjerrë nga goja apo nga pena e tij, kanë vlerën e një aksiome. Loz "arushë" me ministrinë e jashtme, me presidentin dhe deri kur ai u bë mbret. Raportet, pothuaj, të diktuara nga "ZOTI". I vetmi diplomat në botë, historikisht, që për godinë amabasade, mban dhoma në hotel që paguhen nga shteti shqiptar, sa frëngu pulën. Loz me financat dhe gjithmonë e vërtit "kandarin" nga xhepi i tij.
Raportet me kolegët ku e ku, pothuaj , që ta shtarin. Deri letër FBI kundër NOL "bolshevikut", për mos vazhduar me të tjerë. Dhe nëse ndjek gjithë dinamikën e tij, s'ke se si mos"alarmohesh" nga ajo që vjell, për Ismail Qemalin, vëllezërit Frashëri( sidomos për Naimin) dhe nga goja e tij, edhe kur ka thënë ndonjë fjalë të mirë, nuk e ka për gjë fare që ta anatemoj. Shpesh, tek shkruaj për Faik Konicën, më duket i ngjashëm me Oskar Waldin. Ky më duket në një pikë doganore,sikur tha:- Po ju lë gjeninë time!!!
* * *
Sido që është kaq kontravers, askush nuk mund të hedh poshtë meritat e tij që, kur i vë në kandar, heq ato "kapërdisjet" që ia prishnin karizmën dhe mbetin se sa ka bërë për Atdheun, përmjet "Vatrës","Diellët" apo "Albania dhe, tek qëron egjërën nga gruri, ai mbetet karizmatik.
Të vjen mirë që, më së fundi, u zbuluan dhe dy romane të shkruara nga ai. Ai e la me gojën e tij që" ... biblioteka e tij, t'i falej BIbliotekës Kombëtare dhe, sado e cunguar, për bën një "Fond me vlerë" të Bibliotekës. Natyrisht, meritë e madhe, i takon AGRON ALIBALIT që, ende, është në kërkim të "fondit" të pagjetur akoma.
* * *
Unë e dua Faik Konicën dhe, ngaqë e dua, qysh në librin tim të parë "Regtimat e dashurisë", në "kolonën" "Njerëz që kam dashur dhe dua", kam shkruar një poezi të thjeshtë për të. Libri është botuar në vitin 2000 dhe poezia është në faqen 173. E kam shkruar më 25 prill 1996. Përfitoj nga rasti dhe po e sjell për lexuesin.
Faik Konicës
Burrë i ditur, i dëgjuar
Je paksa enigmatik
Falem sot para teje
Diplomat karizmatik.
Brodha shumë për të gjetur
(50-vjet të kam kërkuar?!!!)
Kurrë nuk ke për të vdekur
(Kë vallë kishe "lënduar?!")
Kutj i bënte hije emri
Vepra jote aq e çmuar
"Shqipëria- një copë shkëmb"
Historinë e ka "trazuar"
Pse i lije punët gjysëm?
Ç'demon të ndiqte nga pas?
O i madhi i Letrave SHqip
Fjala jote-gurelmaz.
Pak, të pëlqente vetmia
Pothuaj ishe një bohem
Por gjithmonë SHQIPËRIA
Qe ilaç e qe melhem.
Ndaj i hoqe lekët e rrugës
Ndaj i le me testament:
-Trupi yt, o BURRË I SHQUAR,
Në Atdhe, prehet i qetë.
Dhe tani, pas pesëdhjetë vjetësh
ATDHETAR! Fli i qetë!
Ne të kemi ms nesh
U plotësua një amanet.
Fier, 25 prill 1996.
Duke i mbyllur këto përshtypje të mia, sa më vjen mirë për këtë vepër me vlerë të studiosit skrupuloz,zotit AGRON ALIBALI, aq jam mbushur shpresë se hulumtimet e tij do vazhdojnë dhe do të zbulojë të tjerë "thesarë" nga "miniera" made in FAIK KONICA!
Tiranë, 19 dhjetor 2016