Kulturë
Miftari: Ju tregoj vizitën e Kadaresë në Strugë
E diele, 28.08.2016, 10:55 AM
Flet detari dhe patrioti strugan, Ajrush Miftari: Ju tregoj vizitën e jashtëzakonshme të Ismail Kadaresë në nëntor 2002 në Strugë
-Erdhi thjesht për vizitë personale, por rreth tij u mblodhën pa u lajmëruar qindra nxënës shkollash
-Nxënësit i kërkuan autograf Kadaresë në çanta, libra, bluza, fletore, blloqe
-Prof. Nexhat Mustafa kur e pa, u befasua, fërkoi sytë të shihte qartë
-Prof. Nexhat Mustafa, në vitet 1970 i kishte vënë qeleshen në kokë Titos
-Këtë gjest të tij e komentuan të gjitha gazetat serbe “Tito me qeleshe shqiptare”
-Në mëngjes, Ismaili fshehurazi meje dhe Helenës shkoi tek ura ku rridhte Drini se i bëri përshtypje
-Problem ishte fjetja, pasi duhej një hotel i sigurtë, isha i frikësuar
-Fshehur prej tij, ne qëndruam afër hotelit dhe pse e siguruam në hotelin “Aakuarius” të një shqiptari
-Në takimin me intelektualët e Strugës, një mësues e provokoi duke e quajtur largimin e tij në Francë tradhti
Nga Albert Z. ZHOLI
Takimi me aktivistin dhe detarin Ajrush Miftari në Strugë ishte një befasi. Një patriot i vërtetë që ngjarjet në Shqipëri i njihte më mirë se ato në Maqedoni. Ajrushi ishte ndër mbështetësit kryesorë në zonës të luftëtarëve të UCK dhe ka organizuar ardhjen në Strugë të shumë personaliteteve të artit, kulturës dhe politikës shqiptare dhe kosovare në këtë qytezë të bukur shqiptare. Por nga të gjitha organizimet e tij ai veçon si një festë, si ëndrrën më të bukur të realizuar, vizitën e Ismail Kadaresë. E kërkoi vizitën e tij si thjesht personale, por me ardhjen në Strugë Kadareja u ndesh me mijëra nxënës, intelektualë, qytetarë të thjeshtë që e njohën sikur të ishte vendali dhe nuk ju ndanë për orë të tëra. Nxënësit e shkollave lëshonin lot gëzimi dhe nuk largoheshin pa marrë një autograf në çantë, libër, bllok, bluzë, këmishë ku të mundnin. Ajo vizitë edhe sot (sipas tij) mbetet një histori me vete, si një pikë kulmore në jetën artistike, por edhe politiko-atdhetare të qytetit të bukur të Strugës. I shoqëruar nga gazetari palodhur Mehmet Latifi, nuk mund të lija pa marrë impresionet e kësaj vizite të madhe të Kadaresë në qytetin e kaltër të Strugës, kur merr jetë lumi më i madh i tokës arbërore, Drini i Zi.
A e kishe menduar ndonjëherë takimin me Kadarenë dhe pse e kishe ideuar këtë takim apo organizim në qytezën tuaj?
E kisha pasur ëndërr të realizoja një vizitë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare në Strugë. Vazhdimisht kërkoja të gjeja mundësinë të realizoja këtë ëndërr me të njohurit e mi në Shqipëri. Por kjo ëndërr u bë realitet në vitin 2003 kur një miku im nga Pogradeci, Ilia Disho shoqëronte në Ohër Ismail kadarenë. Ishte nëntor i vitit 2003. Së bashku me një shokun e tij Ilia kishte marrë në veturë Ismail Kadarenë dhe Elenën për një vizitë në Ohër. Ishte dëshira e Ismailit vizita në Ohër. Kur mbërritën ën Ohër dhe ndenjën disa orë miku im Ilia Disho më merr në telefon dhe më thotë se jam në Ohër me Ismail Kadarenë. U befasova. Mora makinën dhe u nisa menjëherë në hotelin ku më tha miku im. Pasi u takova I thashë dhe i bëra prezent Ismailit ëndrrën time që ai të vinte në Strugë. Për shumë minuta ai nuk më ktheu përgjigje. Dukej haptazi që nuk donte. Por këmbëngula ime e habiti. Përse kërkon me insistim më tha? Sepse dua që qytetin tim ta vizitoj shkrimtari që e kanë zili të gjithë maqedonasit dhe serbët I thashë serbes. Ai u çudit me përgjigjen time. Më pyeti se sa shqiptarë ka Struga. I thashë mbi 50 % (para13 viteve sepse sot dominimi është absolute) dhe pjesa tjetër ka nga disa kombësi. U bind. Gjatë rrugës më tha, duhet at kesh të qartë që vizita ime është thjesht personale, pra për vizitë pa asnjë angazhim vetëm për të njohur këtë qytet shqiptar. Dakord i thashë. Gjatë gjithë rrugës nga Ohri në Strugë ai më bënte pyetje të ndryshme, për marrëdhëniet me maqedonasit, për gjuhën, shkollat, punën, për klimën, etj….Ishte kurioz për çdo gjë. Shihte me vëmendje çdo gjë që I kalonte para syve.
Ku ndaluat kur shkuat në Strugë?
Së pari ndaluam tek lokali im “Dredhëza”. Pimë nga një kafe dhe filluam biseda të ndryshme. Unë po I përmbahesha dëshirës së tij dhe nuk bëra asnjë lajmërim tek intelektualët dhe njerëzit e tjerë të ketrave në Strugë.
Si vazhdoi vizita e mëtejshme në qytet?
Kur u çlodhëm disi dhe pimë kafetë me rehat Ismaili më thotë të dalim dhe të vizitojmë me këmbë qytetin. Shumë dakord i thashë. U nisëm përgjatë rrjedhjes së Drinit. Ai tek ura e Drinit të Zi ku zë fill lumi më i madh i joni pyeste dhe shikonte me kërshëri. Habitej me çka shikonte. Pyeste për detaje që as unë si çoja në mend. Nga vinte uji, si rridhte, ku kalonte, a kishte pengesa, sa i thellë ishte,, sa metër kub në sekondë ishte rrjedhja normale, kur ishin ndërtuar kaskadat, e shumë pyetje të tilla. Kur hymë në shëtitoren kryesore të qytetit kurioziteti i tij për çdo gjë që shikonte shtohej dhe më tepër. Në këtë kohë na del përpara Prof, i kimisë dhe biologjisë Nexhat Mustafa. Ai kishte një simpati të jashtëzakonshme për Ismail kadarenë. Ishte me nipin. Kur pa Ismailin shtangu. Nuk e besonte dhe filloi të fshinte sytë. Tek ai u pa një gëzim i jashtëzakonshëm, që se kam parë kurrë tek një njeri tjetër në jetën time të gëzohej aq shumë, kur takohet me një shkrimtar si Ismaili. Ju turr duke harruar për një moment edhe të nipin. Kadareja ën fillim u tkurr pasi nuk e priste atë vrull takimi. Menjëherë Nexhati u prezantua dhe I shprehu simpatinë. Filluan të bisedonin. Pastaj Prof. Nexhati u shkëput për të çuar nipin në shtëpi dhe më pas nuk u nda nga ne. Prof. Nexhati ka qenë një ndër emrat më ët spikatur intelektual të Strugës. Ai ka pasur një moment shumë domethënës gjatë një vizite që ka bërë Tito në Strugë rreth viteve 1970.
Çfarë momenti ka qenë ky?
Eh, ishte një moment që ka bërë bujë në mediat e kohës. Dihet që Tito ishte me autoritet të jashtëzakonshëm. Atij nuk i afrohej njeri. Madje shoqëruesit e tij ishin tejet të rreptë. Gjatë vizitës në Strugë ai shoqërohej nga një eskortë e fuqishme që nuk lejonte takime të drejtpërdrejta. Madje askush nuk e merrte mundimin ta takonte dhe jo më të bisedonte. Por ja ndodhi ajo që nuk besohej. Në një moment kur do shkonte pranë makinës, Prof. Nexhati i afrohet dhe i vë një qeleshe në kokë. Në fillim të gjithë shtangën. Dihej kudo në ish-Jugosllavi qe qeleshja ishte pjesë e veshjes kombëtare shqiptare, madje veshje specifike kombëtare shqiptare që nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Pra kjo qeleshe e bëri Titon të identifikohej si personalitet shqiptar. Duke parë guximin por dhe stepjen e shoqëruesve, Titua për të ndryshuar atmosferë dhe të mos e jepte veten para kamerave të shumta, buzëqeshi. Ky gjest ngjalli shumë diskutime, por kryesore ishte se veprimi i Prof Nexhatit në të gjithë qytetin u konsiderua si akt heroik dhe atë e vlerësonin shumë në qytet. Për këtë frymë atdhetare ai dallohej gjithmonë ndaj dhe e shprehu dhe në takimin me Kadaranë e madh që ai e kishte idhull.
Si vazhdoi shëtitja e Ismailit në shëtitoren e Strugës pas këtij takimi?
Sa u ndamë nga Prof. Nexhati, u nisëm lart për tek lokali im “Dredhëza” në qendër. S’kishim bërë as dhjetë metra rrugë kur rreth Ismailit u mblodhën qindra nxënës të shkollës 9-vjeçare. As unë nuk e besoja që pa i lajmëruar njeri, pa ditur a ishte ai, ju mblodhën rreth si buqetë me lule. Befasi! Kjo besoj nuk ka ndodhur as në Tiranë. Ku e njohën ata fëmijë të vegjël, aq më tepër që s’kishin pasur kurë kontakt fizik me të? Fëmijët e Strugës të njihnin si të ishin rritur afër shtëpisë së tij Kadarenë e madh askush nuk e besonte. Ata nuk shkuleshin n.q.s nuk merrnin një autograf në çanta, libra, bluza, fletore, blloqe. Kjo situatë zgjati mbi dy orë. U bë një miting i rastit. Përreth u mblodhën mbi 600 veta. Policët erdhën disa herë për të parë çfarë bëhej. Kur dëgjonin dhe panë Kadarenë rrinin sit ë shushatur. Kjo tregonte se dhe ata e njihnin mirë shkrimtarin tonë të madh. Madje shprehnin admirim nëpërmjet gjesteve të ndryshme.
Gjithë kjo dëshirë për takim, Ismaili nuk e pa të arsyeshme një takim?
Kur u ulëm për kafe rreth nesh erdhën shumë intelektualë. Ata kërkuan një takim të domosdoshëm me të. Pas një mëdyshje Kadareja pranoi dhe ne pamë orën 18-00 të mbrëmjes për takim. Takimi do të bëhej në sallën e Kulturës. Në këtë takim erdhën të gjithë intelektualët e qytetit ku do të veçoj, Prof. Nexhat Mustafa, dr. Nuhi Vinca, dr. Rahmi Tuda, Nuri Mazari (ose Komandant Struga), Xhemal Hajredini (Prof. i gjuhëve të huaja) Agim Mlita, etj..
Cilin ishin pyetjet kryesore?
Pyetjet ishin mbi gjendjen politike në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Maqedoni. Pati edhe pyetje me karakter letrar. Por pyetja më e rëndë që rrezikoi deri diku takimin ishte e një mësuesi, I cili pasi e pyeti pse u largove në vitin 1990 nga Shqipëria, vazhdoi duke thënë: A nuk ishte kjo një lloj tradhtie në atë kohë? Përgjigjen e kësaj pyetjeje Kadareja u mundua ta sqaronte me korrektësi dhe durim dhe pse e pikasi që ishte provokuese. Por argumentet e tij ishin shumë të qarta dhe të besueshme. Ky takim zgjati mbi dy orë. Ishte një takim, i gjatë, i lodhshëm, por shumë I domosdoshëm. Aty mësuam shumë gjëra dhe ky takim ka hyrë në historinë e qytetit. Me thënë në shumë pyetje kishte tendenca provokimi, dhe unë u befasova me qetësinë e Kadaresë. Ai u dha shpjegim për çdo pyetje.
A e patë veten ngushtë në ndonjë moment gjatë kësaj vizite?
Në çdo moment isha në siklet. Në çdo moment prisja të ndodhte diçka. Isha ën siklet se e kisha marrë unë përsipër këtë vizitë. Kadareja kishte bujtur në shtëpinë time dhe unë isha përgjegjës për çdo gjë. Kisha frikë nga ndonjë maqedonas provokator, kisha frikë nga ndonjë shqiptar besnik I Enverit. Pra në çdo rast isha në siklet. Por mbi të gjitha ajo ishte një vizitë personale dhe u kthye në një miting disa orësh. Situata në çdo sekondë mund të dilte nga kontrolli. U bëra me dhimbje zemre (qesh).
Ku fjeti atë natë Kadareja?
Ah ky ishte sikleti më i madh. Ta merrja në shtëpi nuk kisha besim pasi ata kanë jetën e tyre, kërkesat e tyre dhe nuk do ndiheshin qetë. Bisedova me shumë miq dhe vendosëm ta çonim tek Hotel “Akuarius”, i cili ishte në pronë të një shqiptari. Kështu e hoqëm këtë siklet duke biseduar me recepsionistin që deri ën të gdhirë të mos e shqetësonte njeri. Madje unë me disa shokë qëndruam tek bari Hotelit deri në mëngjes.
Nuk pati ndonjë incident?
Ah! Të nesërmen nga ora shtatë shkova në hotel. Qyteti gumëzhinte. Marr në telefon dhomën e Kadaresë. Më del Helena. Pasi e pyes si e kaluan natën I them ku ndodhet Ismaili. Më tha se më njoftoi do dal tek bari hotelit. Shtanga. Aty nuk kishte njeri. U nisa me vrap përgjatë shëtitores buzë Drinit. Nxitoja tek kryqëzimi I liqenit me lumin. Nga larg e pashë tek ura e Drinit që e këqyrte me shumë vëmendje. U lehtësova. Ku nuk më shkonte mendja. Pas disa minutash rreth tij u mblodhën shumë njerëz, por tashmë isha I sigurt.
Si u shpreh kur u largua?
Më tha se ishte një ndër vizitat surprizë të jetës së tij. Nuk e priste këtë mikpritje dhe tha se do të vij sërish. E presim.
Keni pritur shumë personalitete të tjera shqiptare?
Kam pritur, por më shumë vitet e fundit kam pritur intelektualët patriotë, ata që luftuan për lirinë e Kosovës, por edhe luftëtarët tanë të UÇK. Patriotizmi duhet mbajtur lart. Pa patriotizëm do humbasim çdo gjë që kemi fituar. Këtu kanë ardhur shumë veteran të luftës në Kosovë, ku mes tyre do të veçoj dhe Nënë Loken, Vitore Stefa Leka, e cila ka qenë pjesë e kësaj lufte. Gjaku i derdhur për atdhe nuk duhet harruar kurrë. Ne kemi ruajtur gjuhën në situate të vështira jo më sot. Ndaj e kujtoj gjithmonë vizitën e Kadaresë, pasi aty pamë se si na lidh gjaku. Aty pashë se si e njihnin të vegjlit, kur unë në rrethana të tjera edhe mund të mos e njihja.