E premte, 02.05.2025, 11:37 PM (GMT+1)

Mendime

Anton Marku: Shkolla në Fe

E hene, 02.05.2016, 07:29 PM


Shkolla në Fe

Shkruan Anton Marku

Feja është e rëndësishme për njeriun po aq sa dhe njeriu për fenë. Në shoqërinë shqiptare, kohëve të fundit, debati për futjen e mësimit fetar në shkollat publike, për herë të parë u incua nga instancat më të larta shtetërore në Tiranë, përkatësisht nga kryeministri aktual, për tu ri-tematizuar prapë në Kosovë. Por, sa jemi të përgaditur ne si komb me besime të ndryshme që të hapim dyert e institucioneve sekulare për religjionin? A do të thotë kjo se jemi pjekur si kolektiv në atë shkallë sa që të kthehemi në parahistori? Mos ndoshta do duhet të ndodhë e kundërta: që feja të kalojë në një stad të ri të reformimit të saj, dhe atë përmes emancipimit, duke e plotësuar atë me më shumë njohuri për jetën, lindjen e vdekjen, shikuar nga një perspektivë tjetër, më moderne: atë të shkencës pozitive, duke bërë kështu që ato të bashkëjetojnë në paqe dhe marrin më shumë se deri më tash nga njëra-tjetra. Përndryshe rrezikojmë të ecim me shekuj prapa. Aty ku nuk do duhej të ishim. Në gjenezë. Në fillim.

Ëndërr e parë dy herë

Të gjithë jemi të vetdijshëm sa sa thelbësore është që fëmijët tanë të marrin dhe kenë njohuri për fenomenet që i rrethojnë. Ndër to edhe për fetë, rolin dhe funksionin e tyre. Por, pse kjo kërkohet me kaq ngulm nga njëra bashkësi fetare? Dhe pse kjo do duhej të ndodhte mu në shkolla?

Është e papranueshme për një shoqëri që pretendon të kultivojë një islam tradicional dhe tolerant, të nënshtrohet para një invazioni të rrymave radikale ekstreme dhe të pranoj që të bie ndesh me kushtetutën që definon shtetin si laik në qenien e tij. Kjo për më tepër kur dihet fakti se arsimi, së bashku me shëndetësinë dhe gjyqësinë, bën pjesë në hallkat më të dobëta të shteteve shqiptare.

Ata që janë kundër kësaj mundësie argumentojnë, mbase me të drejtë, se pas kërkesave për bartjen e shamive, faljen e namazit në universitet dhe legalizimin e mësimit fetar nëpër shkolla, në një fazë të dytë do të mund të pasojnë edhe të tilla, si miratimi i sheriatit si kod i veçantë penal, i cili paralelisht me ligjin, do të rregullonte raportet e individëve në shoqëri e deri tek referendumi (apo dhe pa të) për aprovimin e rregullores që do të njihte dhe shpallte njërën nga fetë (atë të shumicës) si fe zyrtare shtetërore (e me këtë edhe kombëtare, sic!), çka automatikisht do të mund të kufizonte liritë themelore të bashkësive tjera fetare në vend, por dhe ateistëve. Diçka si kjo do dobësonte mirëkuptimin ndërfetar të kultivuar me shekuj dhe do vinte në pikëpyetje qenjen tonë si komb. Së paku ashtu siç jemi sot.

Përgjigja e duhur në këto tendenca do të ishte: ‘‘Nuk jemi as për religjion shtetëror e as për shtet religjioz’’.

Modeli që kisha katolike shqiptare ka krijuar tash e shumë shekuj do të mund të shërbente si mostër edhe për bashkësinë islame: që objektet fetare dhe infrastruktura përcjellëse e tyre të shfrytëzohen për mësimin fetar. Do ishte ideale të kopjohej ky kurs: feja në institucionet fetare-arsimi në ato publike.

Ne kemi me qindra xhami të cilat shfrytëzohen për faljen e namazit/iqindisë, kryesisht vetëm ditëve të premte, në mesditë, e të cilat përgjatë tërë javës pothuajse nuk shfytëtzohen fare, apo shfrytëzohen pak. Në to do të mund të zhvillohej lirshëm spjegimi i librave të shenjtë. Nëse do kishte nevojë për ndihmë në këtë çështje atëherë shteti do të duhej të zgjaste dorën e tij bujare.

Për më tepër duket se sot më shumë kanë nevojë fetë për arsimim se sa e kundërta. Në radhë të parë do të ishte e pritshme që në këtë revolucion të teknologjisë moderne në të gjitha sferat, kisha katolike të reflektojë mbi pozicionin e saj kundrejt celibatit, abortit, euthnasisë dhe martesave të pjestarëve të gjinive të njëjta. Në anën tjetër edhe udhëheqësit shpirtëror islam do duhej të ridefinojnë qëndrimet e tyre ndaj kufizimit të lirive të femrave, dënimit me vdekje, terrorizmit në emër të besimit, fatvas, xhihadit, etj.

Shqiptarët kanë dituri të mjaftueshme për fetë. Tani është koha e dijes. E dritës që ndiqon. Që nuk djeg.

Të zbulosh qiellin në tokë

Religjioni është një sistem besimi, një ideologji vlerash dhe parimesh, një pikëvështrim i caktuar, i cili përpiqet të sqarojë botën dhe kuptimin e ekzistencës sonë në të. Ai ka ‘‘zbritur’’ për ne ‘‘poshtë’’, jo për ata ‘‘lartë’’. Ai, pos tjerash, sqaron se Perëndia është dhe banon në ne. Në secilin prej nesh. Për fat të keq, klerikët e të gjitha ngjyrave po tentojnë që atë ta mbajnë larg njerëzve, duke u munduar që fenë ta afrojnë me qiellin dhe largojnë nga toka.

Tek ne, dhe jo vetëm, ka dy lloje njerëzish: ata që i nënshtrohen fatit dhe e kalojnë kohën duke pritur që ajo një ditë të ndryshoj për të mirë. Ata kanë frikë nga ëndërrat e mëdha. Këta mbase jetojnë gjatë, por përjetojnë pak. Të tjerët nuk pranojnë t’i binden ligjeve të pashkruara, janë aktiv në shoqëri dhe nuk tremben nga ajo që mund të sjell e nesërmja. Të parët janë të mirë për asgjë. Të dytët për gjithçka.

Ata që fenë nuk e marrin shumë për zemër theksojnë se parajsa nuk është doemos një hapësirë dhe vend gjeografik, por gjendje e lumturisë së përjetshme, e jo një kopsht në shkretëtirë përplot me hareme femrash që presin ‘‘shehidët’’ e tyre (kryesisht bombavrasës të fëmijëve dhe pleqëve të pafajshëm). Nëse kjo do ishte parajsa atëherë shumë nuk do preferonin të shkonin aty. Më parë do ‘‘vetdigjeshin’’. Diku tjetër.

Në viset shqiptare në Ballkan shumica janë besimtarë, por pak prej tyre e praktikojnë fenë. Së paku jo në mënyre strikte. Megjithatë, duhet konstatuar se viteve të kaluara ky numër sa po vjen e po rritet. Kjo dhe si rezultat i varfërisë së shoqëruar me mungesë perspektive dhe nevojës për  shpëtimin duke i drejtuar sytë nga retë.

Kthimi i historisë

Shqiptarët, më shumë se gjithë të tjerët, duhet të kenë kujdes kur janë në pyetje fetë dhe dallimet fetare. Përgjegjësinë më të madhe në këtë aspekt e ka komuniteti shumicë (në këtë rast ai islam). Në këtë kontekst, duhet thënë se, edhe pse historia jonë është e mbushur me shembuj të bashkëvuajtjes dhe mbështetjes së njëri-tjetrit në faza të ndryshme të bashkëekzistencës kombëtare, nuk duhet harruar se kemi pasur edhe periudha të tilla kur nuk kemi qenë në të njëjtat ‘‘valë’’, dhe atë duke filluar nga numri simbolik i delegatëve të krishterë në Lidhjen e Parë të Prizrenit, kundërshtimin e fuqishëm të forcave reaksionare të dirigjuara nga Stambolli në raport me alfabetin latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, përkrahjen deri diku masovike ndaj trupave të Haxhi Qamilit, një adhurues besnik ky i ‘‘Babës Sulltan’’, e deri tek sulmi gjithëpërfshirës gjer në çfarosje i klerit katolik në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, pasuar me shpallljen e shtetit të parë ateist në botë dhe vazhduar me servilizmin e politikës shqiptare ndaj OJQ-ve arabe me prapavijë të dyshimtë dhe Turqisë së Erdogan Pashës, ‘‘vllaut’’ të madh të Hashim Thaçit, dhe së fundit edhe Edi Ramës, por jo dhe shqiptarëve tjerë, andej dhe këndej kufirit.

Duke kuptuar dhe përfundimisht edhe pranuar se pjesë përbërëse e kombit shqiptar janë edhe krishtërizmi për dy mijë vite dhe islami për pesëqind vite. Sidoqoftë, kombi ju përket të gjithëve, jo vetëm një grupi, pa marrë parasysh se sa i madh në numër mund të jetë ai. Ndryshe funksioni i gishtit të vogël do të vazhdojë të mbetet i njëjti si dhe më parë: të kruajë gishtin e madh. Apo dorën e tretë. Të huajën.

Bashkësitë islame të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jenë më të zëshme se deri tash, duke treguar një neutralitet pozitiv, nëse jo dhe oponencë ndaj kërkesave që mund të prodhojnë përqarje në trungun e kombit.

Një keqkuptim, mosmarrëveshje apo konflikt mbrendashqiptar, i shkaktuar nga bindjet e ndryshme fetare, do ishte një ngjarje e pafalshme për ne. Ajo teoretikisht do të mund të ju ndodhte të gjithëve. Pos nesh. Neve jo. Përndryshe do të jemi përgjegjës mu para Perëndive të cilave ju besojmë, lutemi dhe falemi. E ata nuk janë shumë. Nuk janë disa. Është vetëm një. I njëjtë për të gjithë. AI nuk mund të ndahet. Nuk ka se si.

Fillimi i këtij shekulli ka treguar se shqiptarët ende kanë dilemma identitare në kuptimin e asaj se çka është për ta më prioritare: kombi apo feja. Perëndimi apo lindja. E nesërmja apo e djeshmja. Dielli apo hëna. Evropa apoo Turqia.

Në ndërkohë, me apo pa vetëdijen tonë, janë krijuar dhe etabluar shoqëri paralele dhe anti-shoqërore të cilat proklamojnë vlera të ndryshme nga ato të kultivuara me breza të tërë tek ne.

Tani rreziku më nuk vjen nga jashtë por nga brenda.

Këmbana bie për ata që duan të dëgjojnë.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx