E diele, 28.04.2024, 07:32 AM (GMT+1)

Mendime

Ilir Xhemaili: Politika dhe pritshmëritë nga partitë

E hene, 29.02.2016, 05:11 PM


Politika dhe pritshmëritë nga partitë politike

Nga Ilir Xhemaili

Politika datimet e para të ndarjes si shkencë e veçantë nga filozofia, i ka marrë nga Greqia Antike, ndërsa tani zhvillimi i kësaj shkence ka etabluar, dhe format qeverisëse, teoritë politike, largpamësia e filozofisë politike, ka arritur në një stad, që secila shoqëri në një shtet, mundet që të ndërtoj të ardhmen e saj në përputhje me qëllimet e mëhershme, dhe të tanishme. Ndonëse ne, si shoqëri, politikën po e shohim si një mjet të arritjes së ngadalshme, ngase në mungesë të vizioneve dhe alternativave demokratike të politikbërjes, po gjendemi në situata të palakmueshme. Situatat politike po na gjejnë të papërgatitur për t’u ballafaquar, sikurse që s’ka palë fituese në kompromis, por megjithatë mbi qëllimin e kompromisit duhet që idetë dhe vizionet jashtë temës së kompromisit të jenë të shoshitura mbi parimet e filizofisë politike nga partitë politike dhe shoqëria në përgjithësi. Sepse, nëse një shtet e përbëjnë  shumë etni, atëherë automatikisht ky shtet, figurativisht është si një kompani e ortakëve, kur ndonjëri ortak e bën ndonjë stagnim, atëherë ky stagnim determinon në regres për kompaninë, dhe atë Kompani me ortak s’mund ta mbajë gjallë vetëm njëri prej tyre. Sikurse në rastin e Maqedonisë, mospërkushtimi i të gjitha etnive për debllokimin e krizave politike të njëpasnjëshme shkon në dëm edhe të etnive të tjera, e në veçanti te shqiptarët që janë përcaktuar më bindshëm në proceset Euro- Atlantike.

Parametrat në të cilat udhëhiqen politikat e shteteve të përparuara janë larg partive politike të këtushme. Qeveritë e ndryshme të shteteve Europiane, marrin përsipër që të përmbushin një platformë politike ose të përbashkët me partite e tjera të koalicionimit. Kurse tek ne, ndodh e kundërta, që nga pavarësia e Maqedonisë, nga Federata Jugosllave, të gjitha partitë politike shqiptare garën dhe betejën e tyre politike e zhvillojnë në premisat që të respektohen të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, të mos ketë diskriminim në kontekst të barazisë dhe lirisë, dhe të respektohen marrëveshjet që janë të arritura me nënshkrues nga të gjithë faktoret politik relevant dhe nga bashkësia ndërkombëtare, të cilat marrëveshje kanë dalë si rezultat i rezistencës dhe sakrificës së jashtëzakonshme, mirëpo këtij diskursi politik nuk i përmbahen me të njëjtën koherencë partitë politike maqedonase. Nëse në Republikën parlamentare të Maqedonisë, tanimë të bindur se ngecjet janë të shumta në të gjitha sistemet shtetërore, edhe atë, parlamenti tanimë është shndërruar në një arenë fyerjesh, dhe demokracia e brendshme e zërit të popullit në parlament është i nivelit të demokracisë formale; debatet që zhvillohen, kanë një nervozizëm të theksuar nga opozita apo edhe pozita, që dëshmon për betejë të pushtetit me të gjitha format e mundshme dhe jo të rregullimit shtetëror dhe respektimit kushtetues etj. Nëse zëri i lartë i një deputeti në kuvend, injoranca, servilizimi, mosmarrja e fjalës asnjëherë  për të adresuar tangimet e popullit, dhe ne megjithatë i duartrokasim kësaj katadinsjeje, atëherë sikur nënkuptohet se vetëdija dhe perceptimi ndaj politikës aktuale është si në kohën e shëmtuar të sistemeve anakronike!!!

Mungesa e zërit opozitar brenda partisë në pozitë, është rezultati i kësaj heshtje totale...

Në gjyqësor saga e dënimeve të larta për shqiptarët, asnjëherë s’po arrinë të frenohet. Ky avaz i sistemit gjyqësor të tanishëm me procese të ngutshme dhe senzacionale po krijon paragjykime te shqiptarët. Kjo praktikë, jo vetëm që është larg normave ligjore por arrinë deri në shkallën e ndonjë shteti të pakonsoliduar. Nëse revolucionet s’po arrijnë që të ndryshojnë këtë mendësi të egër ndaj nesh, formula demokratike e paqësore, është ligji.

Tërësia e ligjeve, të cilat gjithnjë kanë qenë diskriminuese ndaj nesh, kanë lëvizur dhe janë korrektuar pjesërisht, mirëpo për ta vënë ligjin në funksionim duhet të jenë gjykatësit që e respektojnë ligjin, politikanët dhe të gjithë të tjerët që janë të thirrur për rregullimin e jetës shoqërore.

Tanimë vënia në funksion e ligjit në shkeljet, dhe në mosrespektimin e ndryshimeve ligjore që barazojnë etnitë në liritë e tyre, asnjëherë s’ka ndodhur që ndaj një institucioni të merren masa preventive, që s’ka zbatuar normat ligjore, si të thuash për gjuhën, për ndarjen e buxhetit, etj. Nga këtej, konkludimet shkojnë në kahjen se kemi shtet dhe sistem politik që s’po e respekton ligjin kushtetues ndaj etnive pjesë përbërëse të kësaj shoqërie në këtë  shtet.

Ky shtet, jo vetëm që është larg anëtarësimit në strukturat Euro – Atlantike, por është edhe larg të mirës së pritshme të shoqërisë së këtij shteti. Megjithatë bashkësia ndërkombëtare, është si të thuash një lloj katalizatori për ta orientuar pushtetin nga duhet të punojë më shumë, mirëpo është imagjinare që të pritet se problemet e brendshme do i zgjidhin ata. Kjo barrë është e pushtetarëve, që zotohen për shtet ligjor, dhe moszbatimi i këtij zotimi është shpresa “e vdekur për momentin” për të lëvizur gjërat në të mirën e shtetit dhe shoqërisë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora