E merkure, 04.12.2024, 10:12 AM (GMT)

Mendime

Gëzim Hoxha: Shqipëria nesër?

E diele, 21.02.2016, 11:13 AM


Shqipëria nesër?

Nga Gëzim Hoxha

Shqipërinë time e dua të pastër e me rrugë të shtruara. Shqipërinë time e dua të rregulluar dhe me fabrika e uzina të ndërtuara në periferi që të mos ndotin mjedisin dhe njerëzit të kenë mundësi të punojnë. Shqipërinë e dua pa njerëz të këqinj. Etj etj.

Këto janë pak a shumë ajo që do të lexoni në një projekt fëmije 10 vjeçar. Emri i tij është Geri. Ai  është një kaçurrels i vogël, me një shikim disi të hutuar që nuk ta mbush syrin, por shumë i zgjuar.

E ëma tregoi se ishte shqetsuar pak për temën e projektit, pasi kur mësuesja i kishte lënë të lirë të zgjidhnin temën e tij, Geri, që donte të dallonte nga shokët dhe shoqet e tij, i tha asaj se ai zgjodhi temën e projektit  “Shqipëria nesër?”. Mamaja e tij më tregoi se e kishte ndihmuar që ai të rregullonte gabimet por fjalitë ishin të tijat. Për ilustrim kishin vënë disa foto nga pritshmërtë e një projekti të Bashkisë Fier për një park që po ndërtohet tek ish - fabrika e miellit, përballë xhamisë.

Ajo që më bëri pëërshtypje nga e gjithë kjo histori nuk është  fakti që Geri dëshiron të dallohet nga turma, por ideja apo vizioni i tij për Shqipërinë.  Kaq i vogël dhe e di çfarë është e mirë për vendin e tij. Por ju do të habiteni edhe më shumë nga ajo që do të lexoni tani...

Vajza ime si çdo shoqe në moshën e saj nuk e ka ka vendosur akoma se çfarë do të bëhet. Dëshirat e saj variojnë për një mori profesionesh nga parukiere tek mësuese, gazetare terreni, këngëtare apo aktore. Por një ditë ajo më habiti me të vërtetë shumë kur më tha, se donte të bëhej kryeministre. I habitur jashtëmase duke zgurdulluar sytë e pyeta: ”Po pse dëshiron të bëhesh kryeministre?”. “Se dua të rregulloj Shqipërinë o ba.”, më tha.  Po mirë si do të jetë Shqipëria atëherë? – e pyeta unë. Po ja – filloi ajo, - nuk do të ketë asnjë rrugë me gropa, të gjithë do të kenë një punë, edhe ti që je me aftësi të kufizuara do të punosh, do të ketë parqe për fëmijët, shkollat do të jenë të ngrohta në dimër dhe të freskëta në verë, nuk do të ketë  pallate dhe shtëpi të vjetra, nuk do të ketë shumë makina që të ndotin ajrin, nuk do të ketë plehra të hedhura andej - këtej etj etj.

E pra fëmijë dhe e dinë se çfarë i duhet këtij vendi. Po ata që na qeverisin vallë a e dinë se çfarë i duhet Shqipërisë?. Si do të jetë vallë ajo nesër? E ndërtuar apo e shkatërruar, me apo pa plehra , me apo pa njerëz të këqij,  me apo pa  punë, me apo pa standarte,me ligje që apo që nuk zbatohen, në apo jashtë BE - së, e ndarë apo e bashkuar, e dhënë apo jo me konçensione, më e bukur apo më e shëmtuar, e pasur apo e varfër, zonjë si dikur apo...

Kaq shumë pyetjeve që bëra, vështirë se ka njeri që ti përgjigjet, pasi jo çdo gjë e ka në dorë qeveria. Në këtë kohë që ne jetojmë është budallallëk të mendosh se çdo gjë është në dorën e saj, pasi globalizimi e ka kthyer botën në një fshat të stër madh. Por ama më duhet të them se edhe pse jo çdo gjë nuk varet prej saj, ajo ka shumë në dorë.

Është detyrë e saj të kujdeset për të gjithë njësoj pa dallime, të bëj të mundur zbatimin e lligjeve që miratohen dhe që janë miratuar, të zbusë pabarazinë në shoqëri duke e ndarë më mirë pasurinë kombëtare, të ofrojë mundësi për të gjithë, duke filluar nga vogëlsira, siç mund të duket lëvizja e deri tek punësimi, të luftojë korrupsionin,  të gjej një mekanizëm për të rritur besimin tek gjykatat pa pritur miratimin e largët dhe hyrjen në fuqi edhe më të largët të reformës në drejtësi, të përmirësojë klimën e biznesit pasi shumë investitorë të huaj zgjedhin Maqedoninë dhe jo Shqipërinë, të ofrojë shërbimet që vetëm shteti mund ti ofrojë e mbi të gjitha ta bëjë Shqipërinë një vend ëndrrash pasi asaj nuk i mungon asgjë.

Unë nuk e di nëse do ta lexojë dikush këtë shkrim ndonjë nga ata që kanë pushtet, po pres që atë ta lexojnë njerëz të  thjesht që e duan këtë vend, se kanë zgjedhur të punojnë, të arsimohen dhe mbi të gjitha të  jetojnë këtu. Pres që vizioni i Gerit dhe Amit (vajzës time) t’i frymëzojë ata. Mund të thoni ne nuk kemi gjë në dorë. E vërtetë, po aq sa e pavërtetë. E them këtë duke u nisur që nga ajo ditë kur ju votoni. Disa prej jush nga nevoja për një vend pune apo për një thes me miell a diçka tjetër qoftë, e kanë hedhur votën në favor të premtuesit apo dhuruesit. Ndonjëri e ka zgjidhur hallin, po më besoni shumë prej jush ju kanë gënjyer. Më vjen turp nga e vërteta, por unë që shes mend jam njëri prej jush.

Më tej, qoftë edhe kur hidhni plehrat ndajini, se mbase ju nuk e dini, por ne importojmë letër të ricikluar nga Turqia e cila shërben për prodhimin e letrës higjenike. Unë shpesh e bëj, po shpesh gruaja më thotë - kot lodhesh o burrë, ata i hedhin të gjitha në një vend. Megjithatë unë vazhdoj t’i ndaj mbetjet.

Keni në dorë të bleni SHQIP, duke i bërë bizneset të mendojnë se duhet të hapin vende të reja pune. Keni në dorë të përshëndesni , të jeni të dashur, t’i gjendeni dikujt jo vetëm në të mirë por edhe në të keqe, ta ndihmoni atë, të mos baltosni askënd dhe më së fundi, të kërkoni dhe pse jo edhe të rebeloheni kur ju shkelin të drejtat.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora