Mendime » Çeliku
Çeliku: Tanusha shkon nuse pa flamurin kuqezi
E enjte, 18.02.2016, 09:39 PM
TANUSHA SOT SHKON NUSE
PA FLAMURIN KUQEZI
NGA KALOSH ÇELIKU
Kumanova qyeti historik i Luftës së 2001 – shit, Tanusha ajo vashë e bukur legjendare, sot nga Shkupi shkon Nuse në Kumanovë pa flamurin kuqezi?! Ditë e dielë 14 shkurt 2016. Edhe, atë: Ditën e themelimit të Shtabit parazgjedhor të BDI –së, në Çair të Shkupit.
Përderisa kthehesha rrugës për në shtëpi, përpara xhamisë së Jahja Pashës e takoj kolonën e dasmorëve me targa regjistrimi KU duke marrë Nuse pa flamurin kuqezi. Rrugë kjo, përkarshi Xhamisë “problematike” nga ku niseshin protestat “paqësore” për rastin “Monstra” me parulla, brohoritje “Allahu akber” e flamuj turko-arab. Vendin e shenjtë, për të cilin asaj kohe Patrioti i Vonuar tha, se: nuk kanë nga ku të nisen protestuesit, oborret e shkollave dhe të universiteteve ua ka pushtuar BDI dhe PDSH. Pa marrë parasysh se, historikisht asnjë revolucion nuk është nisur nga oborret e kishave dhe xhamive, po nga insitucionet e arsimit: shkollat dhe unievrsitetet. Punë tjetër është ajo, se këta “revolucionarë me Din e Iman” nga oborret e xhamisë e thirnin “Pranverën arabe”.
Qyteti i Shkupit, që gjatë këtyre viteve “lirie”, flamurin kombëtar kuqezi e kish zvarritë e përdhosur nëpër skenat e Teatrit të pakicave me “kryeveprat e tyre artistike”, dasmave familjare e festave kombëtare, sot Nusen përmes Çarshisë Shkupit e merrnin “krushqit e lirisë” pa flamurin kombëtar kuqezi. Flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare, për të cilin sot një trusakat merr guximinin të thotë në Facebook: “Shqiponja në Çair simbolizon koalicionin dykrerësh Ahmeti- Gruevski”. Pavetëdije, publikisht përdhos Shqiponjën dykrenare që vite me radhë gjatë fushatave zgjedhore, soji i këtij eksponeti me shokë i “vëllazërim-bashkimit” e kishin harruar në borë e shi duke u kalbur nëpër bandere. Edhe kush, partizanët e arratisur të shëtitur nëpër Qeveri e kabinete me poste politike: ministra, drejtorë e ambasadorë, që e kishin bërë dy sahat Shqipëri Etnike nëpër debate politike në gazetat e “pavarura” dhe ekranet televizive. Kokë më kokë që dilnin në “syrret” në debate politike si “sejmenë” të “shpëtimtarit” shqiptarëve.
Pykat shqiptare të shelgut, sot përsëri erdhën në shprehje, kopeisht t’i ndërsehen edhe shqiponjës dykrenare. Sot për sot, nuk “janë “branitelat” armiqtë e shqiponjës dykrenare, por “sejmenët e shpëtimtarit” (shqiptarët e ndershëm) të strukur nëpër jatakët e armiqve shekullor të popullit shqiptar. Fatkeqësisht, që nga ky soj i analistëve politik me këmbët dhe trutë në legen, ky popull pret ndryshime politike. Amani, mos më shtini t’i vjellë edhe zorrët nga “analizat” e tyre politike teknefese. Shumica e të cilave janë edhe të nënkryeme, sillen rretherrotull, nuk dalin dot nga vatha. Vështirë mund t’u afrohesh me kusi t’i mjelësh, nuk kanë tambël. Përmëtepër, qesin edhe shqelma, e derdhin kusinë. Ujkut i shkojnë pas me të katra sonambul, i cili vetëm me një dele në shpinë ngjitet kodrës drejtë maleve, e kopeja e deleve e ndjek përmbrapa deri te vendi i Kasaphanes, në përrua.
E pabesueshme, qyteti që gjatë asaj kohe hyri në histori si qyteti i skarificës kombëtare për liri. Gjatë kohës së Luftës të 2001 –shit, nuk i lëshoi vatrat e tre, por qëndroi heroikisht mes bombardimeve nga toka e qielli. U dogj dhe u poq për “Shqipëri Etnike”. Edhe, dha viktima njerëzore lufte, më shumë se çdo qytet shqiptar. Pas lufte, për çdo vit edhe u përkul dhe vendosi lule te varrezat e dëshmorëve para kamerave televizive.
Përçudi, pas lufte mu ajo popullatë edhe dha më së shumti kuadër “profesional” deficitar nëpër ministri e Qeverinë e “vëllazërim-bashkimit”. Komanadantët e saj turr dhe u strehuan me poste politike në minisistri, Qeveri, Institucionet e shtetit “demokratik”. Ndonjëri, gjatë gjithë këtyre viteve edhe si deputet, ministër, zv/ministër, drejtor e administrator Qeverie me rroga qeveritare pa asnjë ditë pune.
Edhe, kush?! Qyteti i Ismet Jasharit. Qyteti i mikut tim shkrimtar, Fadil Bekteshi. Idealistit, të cilit sot vendlindja nuk ia përmend as emrin. Themelusit të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptar, Takimeve Poetike të Karadakut, revistës së parë të pavarur “Doruntina”. Qyteti heroik me”komandant” lufte ende në mal për liri.
Qyteti, që pas lufte për çdo vit shpallte republika shqiptare edhe nëpër katunde. Qyteti që sipas këngëtarit popullor që nga koha e Turqisë me qifteli: “... për çdo vjet e niste nga një luftë. Herë me Krajl e herë me Mbret”. E, mu në Ditën e sotshme harronte se, historikisht ky popull çdo njëqind vjet e ka nisë nga një luftë.
Qyteti heroik, në të cilin sot nuk mund të shkelë këmba e Komandantit të tyre Ali Ahmeti. Mund të shkelin “sejmenët” e tij, por jo edhe Ali Pasha me dy-tre “sejmenë” përmbrapa. Arsye, shkaku se: nuk i përkrahu ta nisin edhe një luftë në Kumanovë. Edhe atë, në “Lagjen e trimave”. Vend urban banimi me familje e fëmijë. Përmëkeq, nuk mundet t’i nxjerrë “shokët” e luftës nga burgu. Zot u doli “vëllai shpëtimtar” i shqiptarëve. Prandaj, banorët e kësaj lagjeje e pritën krahpur duke e përqafuar e puthur në të dyja faqet, që ai të nesrërmen t’i shpalli “terroristë”.
Provokim i radhës ky për shqiptarët, pas gjithë atyre montimeve politike: Afera e armëve, shpallja e Iliridës, ngritja e flamurit kombëtar kuqezi para komunave në Tetovë e Gostivar, Rasti i Bit –Pazarit, Sopoti, Monstra etj. Shqiptarët, siç duket deri më sot, asgjë nuk mësuan nga historia që po u përsëritet me shekuj. Mendja ma thotë se, nk janë rritur me Abetare, po me “bukvare”. Përndryshe, nuk do të ishte e panjohur pë ta përralla popullore e Abetares: Dy qetë dhe Ujku. E kuptoj luftën e partive politike për pushtet, dëshirën e tyre për ndryshime politike. Ama, jo me këto “armë” politike, kujt t’i teket t’i keqpërdorë dhe bredhë me simbolet kombëtare.
Imzot, vallë shqiptarëve a u duhej edhe një “kryengritje” shqiptare në Kumanovë me një grusht aventurierësh, vend urban për t’i shpallur shqiptarët si “terroristë”?! Nuk ka rëndësi qëllimi i saj politik, për ta rrëzuar pushtetin, apo për të ardhë me “luftë” në pushtet. Ose, mos Zot më keq, pati intersin e përfitimeve grupore materiale. Asesi, jo duke i pasur gjithë ato fusha e male. Edhe atë, kohë kur dy muaj përpara komandanti i “branitelave” Vangellovi, parashikonte “rrezikun” për Shtetin e “përbashkët demokratik” nga shqiptarët. Nateditë, jepte intervista serike para kamerave televizive, se: shqiptarëve u janë dhënë dy miljon euro për Ushtri paralele të UÇK –ës.
Aventurirët e dalldisur të “kryengritjes” shqiptare ranë në grackë, e nisën Luftën “çlirimtare” në “Lagjen e trimave”. Poashtu në grackë ranë edhe “miqtë” e tyre strategjik të “Luftës çlirimtare”. Pak rëndësi ka këtu në këtë shkrim, këmba e Ujkut e lyer me miell për t’ia hapur edhat portën. Populli thotë: mos ia bën gropën tjetrit se bie vetë bythekrye brenda. Dëshmi historike, që policia maqedonase i zuri në gjumë si lepuj të strukur nën ferrë. Herët në mëngjes, ende pa dalë drita, i sulmoi me të gjithë arsenalin policor e ushtarak. Tetë policë të vrarë, mes tyre edhe një polic shqiptar. Dhjetë komandantë të rënë në fushën e betejës. 35 të tjerë u dorëzuan dhe u burgosën. Ndonjëri arriti të “ikë” duke e dërguar policinë te “magizina” e armëve në mes të pyllit.
Edhe, përfundimi i kësaj “kryengritje” shqiptare: Kush i thirri “çlirimtarët” në një vend urban për ta nisë lufën?! Erdhën vetë, apo dikush ua “përgaditi” terenin e luftës. Kush u ka faj shqiptarëve, Ali Ahmeti? Menduh Thaçi, Hashim Thaçi, Edi Rama, Sali Berisha, apo ndonjë politikan tjetër me këmbët dhe trutë në legen? Aq më pak besoj se faj u ka Gruevski e Zaevi. Edhe, seç ma kujtoni një thënie të popullit shqiptar: “I yti nëse ta hanë mishin, së paku do të ta ruaj kocin”.
Moti e kam thënë nëpër shkrimet e mia publicistike: Fajin e ka Ali Ahmeti (“sejmenët” e tij besnik). E kam thënë këtë edhe për “analistët” politik me këmbët dhe trutë në legen. Papagallët e partive politike, që me dërdëllisjet e tyre veç përbmushin hapësirat e faqeve të gazetave dhe ekranet televizive, nuk shohin më larg, në Lëmë. Tashti, e përsëris mendimin: shqiptarët përveçse “analistë” politik, sot kanë edhe politikanë me këmbët e trutë në legen. Populli thotë: Shteti kur do, lepurin e zë edhe me qerre. Dëshmi, që sot (e dielë), e jo e enjte sipas dasmave tradicionale shqiptare, Kumanova merr Nuse pa flamurin kombëtar kuqezi.
Krushqit dikushi na i ka ngri në male. Ose, u është thyer rrota e koçisë...