Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Fshati poetik kuqezi
E shtune, 05.12.2015, 09:08 PM
FSHATI POETIK KUQEZI
NGA KALOSH ÇELIKU
Vite më parë (1966 - 1971), si nxënës të Shkollës Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, gjatë kohës egër komuniste, flamurin kombëtar e fshihnim nga Qoftëlargu nën jakën e setres. Dhe, po të na e zbulonin rrufjanët i hanim më së paku dhjetë vjet burg në Idrizovë. “Universitetin” e shqiptarëve. Përderisa, sot lirshëm pa frikë e ngriti Fshati Poetik tek restoranti “Pisha”, një çerdhe e artistëve mes maleve të Dërvenit.
Fatkeqësia, edhe në Ditën e Sotshme Historike, ende mu ato rrufjanë na shpellen si patriotë, me vite na ngatërrohen nëpër këmbë. Namë turku, që e ndjek popullin shqiptar brez pas brezi me shekuj. Prandaj, ky popull historik edhe sot e kësaj dite nuk mund të ngrejë krye si populli më i vjetër i Ballkanit, i cili jeton me “vëllezërit” nëpër shekuj nën një çati. Çështjen shqiptare, sot ta zgjidhë në Kuvend me armë demokratike. Mallkimi historik, i rrinë me shekuj si sëpatë mbi krye: “vëllezërit” duke e coptuar nateditë ashkëla për ndezje zjarri të vatrave të huaja luftarake nëpër botë. Fajin duke e kërkuar si popull liridashës tek të tjerët: “miqtë” dhe “vëllezërit” shekullor, e kurrë tek Vetëvetja si popull, që mbeti gjithë jetën maleve për Liri.
Organizatori i ABC –esë poetike (II), Sami Sherifi, që gjatë asaj kohe kishte qenë i detyruar ta lëshojë vendlindjen, sot e kishte skuqur me flamuj kombëtar kuqezi Malin e pishave të Dërvenit. Poetët i priti në Ditën e Flamurit me derën e hapur krah më krah. Mikpritje shqiptare, që e njeh e gjithe bota. Punë tjetër është ajo, se ky popull historik, edhe sot e kësaj dite nuk di ta pres si paraardhësit e tij, Vetëveten.
Poetët si gjithmonë me vargun në brez erdhën ta shkrepin fishekun e poezisë edhe në Fshatin Poetik, që dikur nuk mund ta shihnin as në ëndërr. Vashëzat shkollare dhe burrat e ketyre maleve kreshnike me veshje kombëtare i pritën tek porta. Mirëseardhje u dëshiruan poetëve, që dikur vështirë këto vise malore i kishte shkelur këmba e tyre poetike vëllazërore. Pronarit të reastotantit Sefer Isaku, që bora veç më i kishte trokitur te porta, nuk i zihej vendi vend. E ndezi si nikoqir i Shtëpisë për poetët edhe zjarrin në oxhak. Flaka me dru lisi mori hov, tymi për oxhaku doli mbi çati plot xixa në qiell.
Poezia, tashti më mori krah, u ngritë më këmbë. Agim Desku kishte ardhë nga Kosova. Gruaja e dëshmorit të kombit Agim Bajrami nga Zvicra. Gjenerali, një dashamir i fjalës poetike nga rezidenca e tij ushtarake. Vargu poetik e ngriti zërin. Poetët i kënduan flamurit, Shkupit e Atdheut. Tahir Seferi me çifteli Nuses me koçi, që i prinin krushqit përpara me atë këngën e mirënjohur popullore shqiptare: Hajdeni bini djemtë e Shalës, përmes sarajeve të Pashës. Ditë e madhe historike, kur dasmorët e prisnin Nusen e maleve, në Prizrenin historik.
Dreka poetike e shtruar me raki rrushi e verë të kuqe me shtamba, vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me vargje e këngë burimore shqiptare. Poetët i lexuan poezitë e tyre patriotike - erotike, herë me ftesë të organizarorit e herë vetë sipas dëshirës e rrëmbenin mikrofonin. Krah për krahu, atë Ditë festive i lexuan poezitë e tyre: Agim Desku, e shoqja e dëshmorit Agim Bajrami, Fadil Curri, Seida Beganoviq, Rami Kamberi, Zejnepe Halili, Remzi Salihu, Behare Rexhepi, Kasam Shaqirvela, Aqif Isaku, Rexhep Bajrami, Behare Neziri, Adem Abdullahu, Sefer Tahiri, Asdren Çeliku, Sami Sherifi, Nehas Sopaj, Sermet Sulejmani, Ali Qerimi, Ajla Hajdari, Alush Kamberi, Mustafa Spahiu, Sadri Jakupi, Kalosh Çeliku etj. Flamuri kombëtar kuqezi, në këtë Ditë madhështore i bëri bashkë si popull shqiptarët, pa dallim feje e ngjyrave partiake.
Mikpritësi, pasi e shpalli Fshatin Poetik si manifestim kulturor tradicional, u premtoi të pranishmëve se, nga viti i ardhshëm mes këtyre maleve do të lëshojë rrënjë edhe Kolonia e artsitëve: piktorëve dhe shkrimtarëve. Dhjetë ditë, ku mes këtyre maleve piktorët dhe artsitët do të jenë mysafirë të Shtëpisë Malore “Pisha”. Pagesa do të jetë simbolike, “dënimi”: gjatë kësaj kohe qëndrimi mes këtij mjedisi piktoresk, t’i dhurojnë Shtëpisë Malore “Pisha”, piktorët nga dy piktura e shkrimtarët nga dy libra.
Në fund, piktori i mirënjohur Afrim Shatku i shpërbelu poetët me 15 piktura artistike. Ditë historike, të cilën artisti e kishte pritur me shekuj mes këtyre maleve. Troje etnike shqiptare, të cilat me shekuj i kishte rrahur shiu, breshëri e dëbora. Nateditë, Dimri Madh paptitur u kishte trokitur tek porta. Dihet, dhuratat i kishin merituar si poetë.
Dhashtë Zoti, për çdo vjet mes këtyre maleve poetët të na vijnë si zogjtë shtegtar me poezi degë më degë majë pishave!... Festën e Flamurit kobëtar kuqezi ta presim së bashku kokë më kokë. Dimrin të na e bëjnë Pranverë...
Rreth oxhakut me flakë në Katund, mes Dimrit të Madh...
Afrim Shatku para hapjes së ekspozitës figurative mes maleve...
Sami Sherifi, Afrim Shatku dhe Kalosh Çeliku gjatë hapjes së ekspozitës figurative, në Ditën festive të Flamurit kombëtar kuqezi.
Bisedë miqësore si në katund, në prag të Orës Madhe poetike...
Organizatori, Sami Sherifi para hapjes së ABC –esë poetike.
Pronari i Restorantit “Pisha” Sefer Isaku, në fund të programit mes poezive, në Katund duke i përcjellur me buzëqeshje poetët...