E merkure, 04.12.2024, 12:46 PM (GMT)

Mendime

Kadri Kadiu: Si shpëtova pa më shpallur revizionist

E shtune, 20.02.2016, 04:22 PM


KUR SHPËTOVA PA MË SHPALLUR REVIZIONIST DHE KUR MORA VËREJTJE ME PARALAJMËRIM PËR PUSHIM NGA PUNA

Nga Kadri Kadiu

Ore, po unë i ngeshëm jam, dhe për 40 vite punë shteti që kam bërë, sikur vetëm nga një histori të çdo viti të tregoj, ju mbaj juve 40 ditë duke lexuar. Por ju, në paçi vakt e në paçi nerva të forta lexomëni, përndryshe, ndaj e kam Facebook-un unë, i lexoj vetë ato që shkruaj dhe kënaqem duke gjezdisur nëpër vite. Ja, mu kujtuan sot e po shkruaj tani, për nja dy ndodhi të miat:

Ishte viti 1988: Në atë kohë unë punoja në Ministrinë e Bujqësisë në Drejtorinë e Organizimit dhe mbuloja problemet e normimit të punës, të pagave e të trajtimit të punonjësve të ndërmarrjeve e kooperativave bujqësore.

Ne që i kemi jetuar ato vite, e kujtojmë krizën ekonomike që kish mbërthyer Vendin në tërësi e në radhë të parë Bujqësinë, e cila si rrjedhojë e politikave të gabuara të diktuara nga lart, sidomos me shpronësimin e fshatarëve nga mbajtja e gjësë së gjallë dhe me krijimin e famëkeqeve "tufëza e arëza" , arriti në atë farë derexheje sa që, si në fshat e në qytet, po harrohej shija e qumështit, e djathit, e mishit, e vezëve e shumë produkteve të tjera ushqimore bazë.

Në këto kushte të mungesave ushqimore, nga ana e Institutit të Studimeve Ekonomike në Tiranë ishte marrë iniciativë dhe u krye një studim që të zbatoheshin disa masa liberalizuese në ekonomi dhe t'iu lejohej kooprerativistëve por edhe punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore që të mbanin pula pa kufizim, si dhe të rrisnin edhe gica, viça, qingja e keca për prodhim mishi.

Këtë Studim Instituti i Studimeve Ekonomike, aty nga muaji gusht e dërgoi për mendim në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste por edhe në Ministrinë e Bujqësisë, si dikasteri i interesuar.

Për vetë detyrat që mbuloja në Ministri, ky studim mbërriti në Zyrën time dhe unë duhej të formuloja mendimet në emër të Ministrisë. E vërteta është se unë isha i njohur me atë studim dhe isha krejtësisht dakord me propozimet që bëheshin aty. Kjo për faktin se ai studim ishte kryer kryesisht nga dy shokët e mi të Institutit, ekonomistët Mihal Ziu dhe Zef Preçi, të cilët gjatë gjithë kohës vinin në Zyrën time dhe  shkëmbenim mendime. Mirëpo tjetër është të shprehësh e të shkruash një mendim personal e tjetër të përfaqësosh zyrtarisht një dikaster. Problemi ishte edhe shumë delikat apo si i thonë "me spec" pasi kishte të bënte me "politikën e madhe". Mendohem, dhe e gjeta një zgjidhje oportune: Pas 2-3 muajve, në nëntor, do të mbahej në Tiranë Kongresi i Kooperativave Bujqësore ( Kongresi i 6-të, mbajtur më 21-23 Nëntor 1988).

Përgjigja që formulova ishte pak a shumë kjo: "Meqenëse jemi në prag të Kongresit të Kooperativave, mendojmë që këto propozime të Institutit të Studimeve Ekonomike t'i vihen në dispozicion grupeve të punës që janë ngritur për organizimin e Kongresit, për përgatitjen e Raportit të tij dhe të projekt-vendimeve e detyrave që do të përcaktojë Kongresi. Këto propozime, pasi të jenë diskutuar nga grupet përkatëse të punës, të shtrohen në Kongres dhe të vendosi Kongresi".

E daktilografova me kujdes këtë përgjigje dhe u futa në Zyrën e Zëvendësministrit që mbulonte problemet ekonomike, Bilbil Jaupi. Bilbili, ishte një djalë i ri atëhere, një financier i aftë e një kuadër i devotshëm. E lexoi nja dy herë me kujdes përgjigjen që kisha dhënë unë, buzëqeshi, nxorri stilografin, e firmosi e më tha: Diplomat qenke treguar me këtë përgjigje o Kadr Kadiu, tashi çoje në Zyrën e Protokollit që të niset".

Mirëpo ky studim i Institutit të Studimeve Ekonomike u quajt revizionist nga ana e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe u denoncua në Udhëheqjen e Partisë. Për këtë u thirr në Sekretariatin e Komitetit Qendror Drejtori i Institutit Profesor Hasan Banja por edhe Ministrja e Bujqësisë Themie Thomai si dikaster që lidhej me problemin. Profesor Hasan Banjës i dhanë një dush të mirë aty por Zëvendësdrejtori i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Harilla Papajorgji që merrte pjesë në atë mbledhje, e kishte kritikuar edhe Themijen për moskundërshtim të këtij studimi.

Kthehet nga Komiteti Qendror Ministrja dhe, e mërzitur, e thërret menjëherë në zyrë Zëvendësministrin Bilbil Jaupi dhe e pyet: Çfar përgjigje i kini dhënë një studimi që ka sjellë këtu Instituti i Studimeve Ekonomike?

Po nuk besoj që të kemi dhënë ndonjë përgjigje të gabuar shoqja Ministre, por megjithatë kopjen e përgjigjes e gjejmë në Zyrën e Protokollit, i tha Bilbili.

Pas pesë minutash punonjësja e Protokollit solli shkresën që kërkohej.

E lexoi disa herë me vëmendje Ministrja shkresën që ishte konceptuar e sigluar nga Kadri Kadiu dhe firmosur nga Bilbil Jaupi dhe pastaj tha: Ma thërrisni këtu Kadriun!

Hyra unë në Zyrën e Ministres, pak i drojtur pasi nuk e dija se përse më kishte kërkuar.

Kadri, më tha, po të më kishe dalë para syve përpara gjysmë ore, kur unë nuk e kisha lexuar këtë shkresë, do të të kisha flakur nga Ministria. Tani po të them të lumtë! Se këto gjëra mor djalë janë aq me zarar sa nuk kursejnë as koka ministrash.

Por pas disa muajve, në janar 1989, u gjet një sebep tjetër e unë nuk shpëtova dot pa u lagur: Në Krizën që kish mbërthyer Vendin, edhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore ishte në vështirësi për pagimin e pensioneve kështu që dikujt aty i kishte pjellë mendja që të nxirrte dhjamë nga pleshti duke rritur moshën e daljes në pension të ekskavatoristëve, të buldozeristëve dhe drejtuesve të tjerë të makinerive të rënda me të cilat ishin pajisur ndërmarrjet e ndërtimit, ndërmarrjet e bonifikimit e të ujrave, por më pak edhe stacionet e makinave e të traktorëve dhe ndërmarrjet bujqësore. Ky propozim kish gjetur mbështetjen e Udhëheqjes së Lartë të Partisë kështu që Ministrisë së Bujqësisë i vjen një shkresë e firmosur nga Sekretari i KQ të Partisë, Vangjel Çërrava, ku kërkohej që të kryhej një studim me synim rritjen e moshës së pensionit për këto kategori punonjësish.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Kudret Arapi, i cili mbulonte ndërmarrjet e bonifikimit e të ujrave, më thirri mua nga Drejtoria e Organizimit dhe agronom Aleko Paçon nga Drejtoria e Mekanizimit dhe na ngarkoi që brenda një muaji ta kryenim këtë studim dhe ta paraqesnim për miratim në Kolegjumin e Ministrisë.

Iu futëm punës si turku ne me Alekon dhe brenda muajit ia dorëzuam studimin Zëvendësministrit. Sëbashku me Alekon, i cili ishte një specialist me eksperiencë të gjatë pune, shkuam në disa rrethe ku punuam nëpër ndërmmarrjet e bonifikimit e të ujrave, nëpër SMT etj, dhe angazhuam në këtë punë disa inxhinierë të mekanikës bujqësore por edhe specialistë të fushave të tjera. U përdorën për efekt të këtij studimi edhe aparatura speciale si për matjen e zhurmave që krijohen gjatë punës së këtyre mjeteve të rënda, i tronditjeve që krijohen, i dëndësisë së grimcave të pluhurit, i forcës fizike që përballojnë drejtuesit e këtyre mjeteve për manovrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, i risqeve për aksidente në punë etj, si dhe u trajtuan vështirësitë e punës në ambjente të hapura në kushtet e temperaturave të nxehta apo të ftohta. U konsultuam deri edhe me specialistë të shëndetësisë për shkallën e përhapjes së sëmundjeve profesionale të këtyre kategori punonjësish. Nxorrëm edhe të dhëna statistikore se deri në çfar moshe këta punonjës e përballonin në fakt punën me makineritë e rënda, ku na rezultoi se rreth 60 përqind e tyre në vitet e fundit kalonin në punëra më të lehta për të pritur moshën e pensionit.

Në përfundim të studimit dhamë konkluzionin se mosha e pensionit për këta punonjës duhet të ulet në 2-3 vjet.

Në Kolegjumin e Ministrisë, Alekua, megjithse profesionalisht kishte kontribuar më shumë se unë në këtë studim, më tha mua që të referoja.

Referimi im u dëgjua me vëmendje nga të gjithë anëtarët e Kolegjumit e sidomos nga Ministrja Themie Thomai, e cila u kënaq dhe na përgëzoi mua me Alekon për argumentimet që kishim bërë në këtë studim.  Kur fliste Ministrja për nivelin shkencor të këtij studimi, Zëvendësministrit Kudret Arapi i shkëlqente fytyra pasi mendonte se i takonin edhe atij këto merita.

Mirëpo në mbledhjen e Kolegjumit, si përfaqësues i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, merrte pjesë edhe Naim Hasa, që në atë kohë ishte Zëvendësdrejtor i atij Instituti. Sa mbaroi fjalën Ministrja u ngrit Naimi e tha: "Shoqe Ministre;  ky studim është kundër direktivës së Partisë që kërkon rritjen e moshës së pensionit dhe kjo kërkesë është bërë nga Sekretariati i KQ të Partisë me firmën e shokut Vangjel Çërrava" dhe ia tregoi shkresën Ministres".

Ministrja u befasua dhe e inatosur ktheu sytë nga Zëvendësministri Kudret Arapi. Ky Kudret Arapi, që nuk se shquhej për burrni, e drodhi  në vend qerratai dhe na shiti mua me Alekon duke thënë: " Po këta edhe mua, shoqe Ministre, nuk më kanë venë në dijeni për përmbajtjen e kërkesës së ardhur nga Komiteti Qendror".

Domethënë, tha Ministrja, ti Kadri e ti Aleko paski dashur të më vini mua në pozita kundërvënie ndaj direktivave të Partisë, turp të kini. Ti Aleko je i pushuar nga puna kurse ti Kadri ke vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna; mbledhja e Kolegjumit mbyllet.

Dolëm nga salla e mbledhjes, të gjithë të mërzitur për situatën e krijuar por mua dhe Alekos na kish rënë pika. U mërzit në fakt dhe i erdhi vërtet keq edhe Naim Hasës, të cilin unë e kisha patur student në Fakultetin e Ekonomisë Agrare dhe i kisha dhënë mësim. Më fal o profesor, më tha Naimi, por unë nuk e pandeha se do të reagonte kaq rëndë shoqja Themie.

Kur kthehem në Zyrë, Drejtori im, Valter Gega më pyeti: " Hë Kadri, si shpejt paska mbaruar mbledhja e Kolegjumit, a e pëlqyen studimin"?

Na lavdëruan për nivelin e studimit, i thashë unë, por në fund Alekon e pushuan nga puna ndërsa mua më dhanë paralajmërim për pushim nga puna dhe ia shpjegova se si u zhvillua situata.

Valteri, të cilin e kisha Drejtor por njëkohësisht e kisha edhe shok të vjetër pasi kishim punuar sëbashku edhe në Komitetin Ekzekutiv të Korçës, e mori kurajon dhe u nis për në Zyrën e Ministres për të folur me të.

Mirëpo përpara Drejtorit tim, kishte hyrë tek Ministrja Drejtori i Alekos, Bashkim Jupi, dhe i ishte lutur Ministres që ta anullonte masën që i kish komunikuar Alekos pasi e kishte specialistin më të mirë e të ndërgjegjshëm të Drejtorisë dhe i kishte theksuar se  "me konkluzionet e atij studimi kam rënë dakord edhe unë pasi kemi të bëjmë me profesione shumë të vështira".

Ikë o Bashkim, i kish thënë Ministrja, mos ma shto më dhimbjen e kokës, unë e di se kush janë Alekua e Kadriu, por unë i komunikova ato vendime e nuk i kthej tani, por do të bëj një gjë tjetër: Që nesër po nxjerr vendimin dhe  Alekon do ta emëroj Specialist në Stacionin Shkencor të Mekanizimit në Tiranë, kështu bëhet edhe më mirë për atë.

Sa doli Bashkimi, hyri Valteri në Zyrën e Ministres.

Hë mo Valter, i tha Ministrja, erdhe edhe ti si Bashkimi që të më thuash se Kadriu është burrë i mirë?

Po, shoqe Ministre, për atë kam ardhur.

Po ikë o Valter se ajo vërejtja që i dhashë Kadriut hiqet automatikisht pas 6 muajve e ska problem fare, por thuaj shyqyr që s'mu hap goja për më shumë.

Të nesërmen, Inspektori i Kuadrit të Ministrisë, Safet Buzali, ma solli në Zyrë vendimin e Ministres, ku thuhej: " Punonjësit Kadri Kadiu i jepet vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna për kryerje me nivel të ulët të një studimi".

Mirëpo kjo masë ndëshkimore me këtë motivacion nuk ishte edhe aq e thjeshtë për mua: Pas disa ditëve unë do të paraqitesha para Komisionit të Lartë të Atestimit në Universitetin e Tiranës për të mbrojtur Temën e Disertacionit në kërkim të gradës Doktor i Shkencave Ekonomike. Kisha depozituar pranë atij Komisioni një dosje të plotë me të gjitha dokumentat e nevojshme duke filluar që nga tema e disertacionit prej 150 faqesh, dëshmitë e provimeve pasuniversitare që kisha dhënë, kopje të referateve e kumtesave që kisha mbajtur në disa sesione shkencore, kopje të artikujve të botuar në revistat shkencore "Probleme Ekonomike" dhe  "Buletini i Shkencave Bujqësore", si dhe disa artikuj të tjerë që lidheshin me temën e studimit, që kisha botuar në organet e shtypit. Por më kishin njoftuar se në Dosjen time shkencore mungonte një vlerësim pune ose siç quhej atëhere karakteristikë pune e lëshuar nga qendra e punës, prandaj duhej që menjëherë ta dorëzoja atë.

E, ç'më polli belaja, i thashë Drejtor Valterit dhe Inspektor Safetit: Po ç'është ai Komision Shkencor që më bën Doktor Shkencash mua tani, kur në karakteristikën time të lexojnë se edhe një studim të thjeshtë e bëkam me nivel të ulët?

Nuk kemi si t'ia bëjmë, tha Safeti, karakteristikën e punës për ty do ta firmosë Ministrja ose Zëvendësministri që mbulon kuadrin kështu që nuk kemi si ta fshehim masën ndëshkimore që ke marrë me motivacionin përkatës.

Pasi u largua Safeti, Valteri më thotë: Kadri; ti je anëtar i Partisë prandaj karakteristikën tënde mund ta firmosë dhe Sekretari i Byrosë së Ministrisë, Rozafat Shllaku.

Rozafati kryente detyrën Drejtor i Planit në Ministri. I qeshur, i dashur, i drejtë, i gjindshëm, trim e me karakter burrëror ishte Rozafati, ky malësor me origjinë Kosovare.

Të dy me Valterin u ngjitëm në katin e dytë të Ministrisë, në Zyrën e Rozafatit dhe ia qamë hallin si e kishim.

Rozafati ishte tërësisht në dijeni të masës ndëshkimore ndaj meje pasi ai ishte prezent në mbledhjen e Kolegjumit dhe aty për aty e gjeti zgjidhjen: Valter;  i tha, bëje vlerësimin e punës së Kadriut ashtu siç e meriton Kadriu e siç e dëshiron ti dhe unë, e ma sill mua ta firmos. Masa ndëshkimore është marrë dje ndërsa ti dokumentit që do të firmos unë do t'i shënosh datën e dy ditëve më parë. Kjo e datës ka rëndësi pasi do të thotë se kur firmosa unë karakteristikën e Kadriut nuk mund të hidhja fall që ai do të ndëshkohej pas dy ditëve.

Zbritëm në Zyrën tonë, Valteri formuloi karakteristikën e punës time dhe ma dha mua: Shikoje, më tha, bëj ndonjë ndryshim po s'të pëlqevi dhe daktilografoje.

Me këtë karakteristikë që e shkroi Valteri, që e daktilografova unë dhe që e firmosi Rozafati, jo për Doktor, por edhe për Profesor po të konkuronja, unë do të kisha fituar.

E ç'të them për Rozafat Shllakun; heq kapelen para atij BURRi, sa herë që e takoj në Tiranë.



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora