Mendime
Florim Zeqa: Përgjigje ndaj tradhtisë së Isa Mustafës
E premte, 26.02.2016, 08:40 PM
Gazi
lotsjellës, si përgjigje ndaj çmimit të tradhtisë së Isa Mustafës ndaj VLAN-it
!
Shkruan: Florim Zeqa
Mjaft gjatë kemi duruar duke qenë të shtypur, të uritur, të papunë, të varfëruar, të shfrytëzuar dhe të diskriminuar, nën kamxhikun dhe padrejtësitë e regjimit Millosheviqian, vallë pse u dashka të durojmë torturën e një regjimi të ri, të kamufluar nën petkun demokratik, të një regjimi të korruptuar, nepotist, burokratik, oligarkik antihuman, antiligjor dhe antidemokratik të këtyre tetë viteve të fundit!
Tetë vjet sa të gjata, të rënda e të mundimshme, ishin edhe të zeza për shumicën dërrmuese të popullit, duke mbijetuar në mjerimin dhe në varfërinë më të thellë dhe më të skajshme sociale në rajon.
Protesta e opozitës së 17 shkurtit 2016 përveq paqe dhe urti politike demonstroi edhe kulturë të lartë demokratike, duke ripërsërtiur kërkesat e saj, që qeveria e korruptuar dhe e dështuar e tandemit Mustafa-Thaçi, të tërhiqej vullnetarisht (sa më parë, aq më mirë) nga skena politike.
Strategjia paqësore e opozitës, dëshmoi para opinionit vendor dhe para miqve tanë ndërkombëtar, se vërtet kemi të bëjmë me një pjekuri politike dhe demokratike njikohësisht, që po lufton kundër një qeverie kriminale, të korruptuar, mafioze, nepotiste, despotike, autokratike,antidemokratike dhe antipaqësore, e cila ka kohë që është shkëputur nga interesat e popullit të tyre.
Mirëpo, një strategji e tillë, nuk i shkoi për shtati regjimit totalitar të Thaçit e Mustafës. Deklaratat e mënjehershme të krerëve të qeverisë e treguan shpirtin e tyre antihuman dhe antidemokratik, nxitës dhe provokues ndaj opozitës.
Deklarata e Thaçit; “Ata kishin dërguar mesazhe, na pritni në Qeveri, e ne ishim 20 metra larg binës. Ata u larguan me bisht në shalë si qyqarë”, e tregon qartë gatishmërinë e tyre për shkaktim të gjakderdhjes shqiptare dhe shkatërrim të procesit të shtetëndërtimit pikërisht në ditën e 17 shkurtit, në ditën e shenjtë të njohjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kërcënimet e hapura të Hashim Thaçit, janë edhe një dëshmi më tepër, se insitucionet janë vënë në shërbim të klaneve, grupeve të interesit, dhe individëve që me çdo kusht duan ta mbajnë peng shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve të vendit.
Paraqitja para mediave, e tandemit Thaçi-Mustafa e dëshmonë në mënyrën më besnike nivelin e ulët të "kryeministrit" të vendit, i cili vetëm sa për sy e faqe e mbulon atë post, duke mos qenë në gjendje i vetëm të dali as para mediave, e lëre më të marri vendime të guximshme për vendin, apo thënë ndryshe vet po e dëshmon se është një kryeministër kukull në duart e Thaçit.
Vetëm dy ditë nga protesta paqësore, radha i erdhi përseri një dite të veshtirë në parlamentin e Republikës së Kosovës. Përseri opozita përdori gazin lotsjellës dhe bllokoi punimet e parlamentit.
Me ç'rast, pushteti shfaqi edhe njëherë karakterin e dhunshem te tij, duke tërhjekur zvarrë të zgjedhurit e popullit nga parlamenti, për t'i arrestuar më pas disa nga deputetët e opozitës.
Kjo ishte një dhunë e paralajmëruar nga Hashim Thaçi me 17 shkurti kur tha; "Opozita u largua nga protesta me bisht ne shale". Në vend që ta falenderonte opozitën për mënyrën paqësore të protestimit, e cila parandaloi dhunën e pritshme nga pushtetarët në ditën e Pavarësisë, dhunë e cila përveqse do ta dëmtonte rëndë imazhin e Kosoves, do të mund të shkaktonte edhe viktima në njerëz dhe dëme të mëdha materiale.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë i vetmi opsion i daljes nga kriza aktuale, e cila burimin e vërtetë nuk e ka të marrëveshjet e Brukselit, nuk e ka të "Zajednica" dhe as të demarkacioni aq shumë i përfolur në vend, por e ka tek TRADHTIA e madhe e liderit të LDK-së ndaj kolaicionit paszgjedhor-VLAN, pas një bllokade të gjatë 6 mujore institucionale në vend. Prandaj, ky është çmimi që po e paguajnë deputetët dhe qytetarët e vendit shkaku i aktit qyqar të Isa Mustafës.
Pra, shkaktari numër 1 në vend i të gjitha të këqijave pas zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014 e këndej nuk është askush tjetër pos Isa Mustafës, e këtij njeriu me ambicie të sëmuara për pushtet dhe privilegje shtetërore.
Përgjegjësia asnjëherë nuk bie mbi njerëzit e papërgjegjshëm, por mbi ata që kanë mundësinë e parandalimit të së keqës dhe nuk e bëjnë atë. Në këtë rast, është LDK-ja mbetët përgjegjëse kryesore, pse i mbështeti veprimet e papërgjegjshme të liderit të saj.
Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim, LDK-ja, partia e besës dhe shpresës shqiptare nuk ishte dasht ta mbështesë aktin e tradhëtisë së Isa Mustafës, për t'u shndrruar në thyerëse të shpresave të qytetarëve për jetë në vendin e vet. Nuk ishte në traditën e LDK-së kapja e shtetit, instalimi i frikës dhe shantazhit politik.
Nëse vërtetë LDK-ja ka vendosur ta mbështes të keqen e vendit deri në vitin 2018-të, dëshirë kjo e Thaçit dhe Mustafës, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta vlerësojë situatën pa ambiciet e pushtetit në të ardhmën, ngase me Isa Mustafën në pushtet, në zgjedhjet e 2018-s LDK-ja do të shndrrohet në parti minore në vend, pa ndonjë vlerë dhe rendësi politike për vendin.
LDK-istët, as mos ta mendojnë që do munden ta amnistojjnë vetën në të ardhmën, për heshtjen qyqare ndaj veprimeve antidemokratike të liderit të tyre, duke filluar nga periudha e VLAN-it, zgjedhja antidemokratike në kuvendin e VIII-të të partisë, nënshkrimi i "Zajednicës" e deri tek dështimet në qeverisjen e vendit.
Edhe një gjë dua t'ua rikujtoj disa mjeranëve politik brenda LDK-së që po e luajnë vallen e dreqit me SHIK-un; "Gjarpëri helmon edhe kur nuk kafshon"!