E hene, 29.04.2024, 02:25 AM (GMT+1)

Mendime

Anton Quni: Rugova dhe rezistenca për pavarësi

E shtune, 06.02.2016, 04:57 PM


Presidenti Rugova i pari lider bëri institucionalizimin e rezistencës për pavarësi

Shkruan Xhevat Rexhaj

Këtu ua sjelli fjalimin e plotë të Z. A. Quni, njeriu i luftës dhe paqës, komandant lufte dhe deputet e anëtare Kryesie në LDK. Fjalimi i tij ishte ndjekur me aq interesim, sa une si gazetar rrallë here këto vite kam perjetue diç të tillë. E gjitha salla dhe të pranishmit ishin heshtur dhe ngulitur në fjalët e Z. Quni, që të vërteteohet se një referatë ma të thukët për Rugovën pak kush e ka bërë si Antoni ju ofroi lexuesëve të gazetës sonë.

Fjalimi i anëtarit të kryesisë së LDK-së dhe  Deputetit të parlamentit të Kosovës z. Anton Quni në Akademinë përkuijtimore në 10 vjetorin e shkuarjës në përjetësi të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, organizuar nga Dega e LDK-së në Zvicër

I nderuar zotri kryetar Haki Latifi,

Anëtarë të kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër,

Veprimtarë të nderuar,

Zonja dhe Zotërinj,

Ju përshëndes në emër të kryetarit të LDK-së , të kryeministrit z. Isa Mustafa, të kryesisë së LDK-së, të grupit parlamentar të LDK-së,

E nderuara z. Deputete Doruntina Maloku , i nderuar z. Deputet Sali Morina

Më 21 janar janë bërë 10 vjetë që kur presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova kaloj në amshim, duke lënë një mungesë të madhe dhe të të pakompensueshme në skenën politike të Kosovës, si dhe në procesin e shtetndërtimit të saj.

I lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cërrcë të Istogut, presidenti Rugova, pati një jetë me plotë sfida dhe halle, pasi që vetëm pas një muaji që u lind, forcat serbe të kohës ia vranë bababanë  Ukën dhe gjyshin Rrustën, duke lënë atë në kujdesin e nënë Sofës, e cila iu përkushtua të birit që të rritet dhe të plotësojë familjën e pakësuar dhe të viktimizuar.

Kur të flitët për presidentin Rugova, për formimin e tij njerëzor, intelektual, shkencor dhe politik, duhet  thënë se ka një rëndësi të madhe të thuhet  se tre faktorët  kryesorë janë  që kanë ndikuar më së shumti në formimin e personalitetit të tij: historia e familjës; shkollimi; përfshirë edhe qëndrimin në Paris te semiologu, Rolan Bart, dhe vetë proceset  e tij jetësore, të punës dhe të karrierës.

Ndikimi i historisë së familjes ka qenë i madh  jo vetëm pse ky ndikim është i rëndësishëm për të gjithë, por edhe për faktin se kjo histori i ndërlidhej edhe me historinë kombëtare, sepse edhe historia e tij, që nga Kelmendasi i Malajve, Sadri Elezi, e deri te përjetimet  tragjike të gjyshit Rrustë, e babait Ukë Rugova, është histori angazhimesh dhe flijimesh për liri dhe rrezistencë ndaj pushtuesve të ndryshëm.

Ndikimi i shkollimit, te presidenti Rugova  ka qenë shumë i madh, sepse ai ka realizuar një shkollim me vuajtje të mëdha materiale, me diskriminim nga shteti etj. Duhet të them se gjatë studimeve në degën e Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, që filloj më 1967, pasi që përfundoj shkollën e mesme në Pejë, ka pasur vështërsi të mëdha, sepse përkundër kushteve të dobëta ekonomike, shteti nuk i kish dhënë bursë, kurse në kovikt banonte ilegalisht. Bile gjatë vitit të dytë studimeve, u detyrue të punonte në Obiliq si arsimtar, për për të mundur të përfundonte studimet. Megjithatë, dashuria për librin, përkushtimi për studimin dhe pasioni për dijën, bënë që presidenti Rugova të përballonte të gjitha këto vështërsi dhe të thellohej në lexim, studim dhe analiza estetiko-letrare që sollen  koncepte të reja për shkencën dhe studimet  në fushë të letërsisë dhe të estetikës. Edhe gjatë studimeve, presidenti Rugova më shumë interesohej për rrjedhat moderne të studimeve letrare dhe estetike, dhe nuk kufizohej  vetëm në konceptët zyrtare shkencore. Me këto koncepte moderne, presidenti Rugova, bashkë me Rexhep Ismajlin, Eqrem Bashën dhe të tjerë, do të pajisin shkencën tonë të letërsisë me metoda që merreshin me studimin e strukturës së veprës si një entitet strukturor i veçantë. Siç e ka pranuar edhe vetë më vonë, një ndikim të madh te presidenti Rugova ka pasur qëndrimi në Paris, te semiologu Roland Bart, gjatë periudhës 1976-1977, kur edhe u njoh më afër me debatet shkencore, filozofike dhe politike të shoqërisë franceze, por edhe më gjerë. Të gjitha këto do të ndikojnë që presidenti Rugova të merret me përqasje të raportit individit- shoqëria-shteti, liria individuale, kolektive, refuzimi, protesta etj. Me fjalë të tjera, presidenti  Rugova që në rinin e tij dhe në vazhdim, ka formësuar konceptet bazë të pikëpamjeve të tij filozofike, sociologjike etj., e të cilat janë pikëpamje të një fryme të pa epur për lirinë, për individin dhe për kolektivitetin, për pozitën e tyre në kontekte të ndryshme socio-politike etj., dhe mund të thuhet që në këtë kohë, siq ka thënë edhe vetë, nën ndikimin e përqasjeve të raporteve të mësipërme, ai ka krijuar edhe idenë se si “mund t`i qasemi çështjës së egzistencës së një levizje për liri”.

Presidenti Rugova, jo veç në aspektet  studimore ka qen shumë aktiv, shumë i përkushtuar, dhe shumë dinamik, por edhe në fushë të karrierës dhe të punës shkencore ka qenë i tillë: qysh herët do të filloj të botoj në gazeta dhe revista të ndrshme,  kryesisht  poezi, kurse gjatë studimeve, do të botoj studime dhe analiza për poet dhe shkrimtarë të njohur botëror, kryesisht në gazetën e studentëve “Bota e re”, në revistën “Dituria” dhe në revistën “Fjala”.  Duhet të them se Presidenti Rugova, studimet i nisi më 1967, pra një vit para demostratave të vitit 1968, që do ta botoj një shkrim homazh për 28 Nëntorin e vitit 1912, ku si një arakull do të parathotë të ardhmën e tij politike. Në këtë shkrim të titulluar “Pavarësia kombëtare”, ndër të tjerash do të thotë: “ Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”. Dhe do të jetë pikërisht vetë presidenti  Rugova që do të formësojë filozofinë e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, pra ku do të bëjë bashkë filozofinë e lirisë me të cilën është brumosur që në vegjëli, por edhe gjatë qëndrimit në Paris, filozofinë e demokracisë, që po ashtu, është një shpërfaqje e filozofisë së lirisë, dhe filozofinë e pavarësisë kombëtare, por edhe të pavarësisë si gjendje,situatë dhe realitet i qeniesimit të mëvetësishëm të individit dhe të kolektivitetit, dhe ku do të bazohet edhe ai refuzimi ndaj jolirisë, ndaj shtypjës dhe ndaj kufizimeve të tjera individuale dhe kolektive, që do t`i shpërfaqë në esenë “Refuzimi estetik”, në librin me po këtë titull, të botuar më 1987. Kur është fjala, te këto çështje, duhet të them se idetë e tij për lirinë dhe pavarësinë, presidenti Rugova i ka shfaqur qysh herët, dhe atë qysh në vjershën “Uroj atdheut”, të botuar më 28 nëntor 1961, pra kur ishte 17 vjeç, dhe në të cilën thotë: “ Uroj- atdheut ti / Dy pranvera n` mot”. Kurse në librin “Strategjia e kuptimit”, të cilën do të botoj më 1980, presidenti Rugova ka botuar konceptët lidhur me raportin që ka shteti me rezistencën ndaj  jolirisë, shtypjës dhe kufizimeve. Në këtë libër, janë vënë bazat e strategjisë së refuzimit, e cila do të nihet si filozofia politike e presidentit  Rugova ose filozofia rugoviste, rugovjane etj., që do të jetë filozofia më e veçantë, më e plotë dhe më efektive e çështjës kombëtare, e cila përveç aspekteve të lartëpërmendura dhe ndikimeve në fjalë, bazohet edhe në historinë e mendimit politik dhe kombëtar shqiptar, si dhe në frymën refuzuese të shpirtit të kombit shqiptar. Dhe në këtë kontekst, presidenti Rugova ka ndërlidhur pikërisht aspektet e letërsisë si një produkt shpirtëror intelektual, me shpirtin refuzues, të rezistencës dhe të gjakimit për liri. Mahnitja me veprën e Pjetër Bogadanit “ Çeta e profetëve”, për të cilën, më 1982, botoj studimin monografik “ Vepra e Bogdanit (1675-1685)”, pati një ndikim tepër të madh në formimin e tij intelektual dhe të koncepteve politike të tij, dhe bashkë me mahnitjën që i  shkaktoj humanizmi i Nënës Tereze, i dhanë personalitetit të tij, shpirtin e dashurisë, të angazhimit kundër së keqes dhe për një bashkim shpirtëror, konceptual dhe humanist të shqiptarëve. Këto kanë ndikuar tepër shumë edhe në karakterin jo polemik të tij dhe të filozofisë së tij politike, e cila është një nga veçoritë kryesore të personalitetit të tij dhe të teorisë së ti j politike.

2

Inkuadrimi i presidentit Rugova në politik, prandaj nuk duhet kuptuar si një imkuadrim për një karrier politike, për një dashuri dhe për një përkushtim për politikën, por duhet kuptuar si një fazë të angazhimit të tij intelektual dhe kombëtar të shpërfaqur, siç thashë, që në moshën 17 vjeçare. Prandaj.  Ai gjatë tërë kohës, politikën e ka parë si shpërfaqje praktike të koncepteve të tij të rezistencës, të refuzimit dhe të kundërshtimit ndaj jolirisë, kufizimit dhe shtypjës, të ndërtuar mbi një strategji tipike të një refuzimi të ndërtuar në mendjën, në shpirtin, në vetëdijën dhe ndërdijen individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Rezistenca Rugovjane nuk ka qenë rezistencë pasive, nuk ka qenë rezistencë gandiane, por ka qenë rezistencë dhe refuzim ndaj të keqës, ndaj shtypjës dhe ndaj pushtimit në frymën e një lëvizjeje intelektuale, fillët e së cilës janë pikërishtë në atë lëvizjen kulturore që në thelb kishte filozofinë e lirisë dhe demokracisë përendimore. Si gjakim individual dhe kolektiv për lirinë, për pavarësinë, i një real politike, në kuptimin e gërshetimit të koncepteve filozofike, politike,  sociologjike, etnologjike, etno-psikologjike të individit dhe të kolektivitetit me filozofinë e së mundshmes, së arritshmes dhe të pranueshmes. Intelektuali politikan, siç mund të cilësohet presidenti Rugova, i formuar në frymën e filozofisë së lirisë, të racionalizimit dhe të një pikëvështrimi humanist për shoqërinë, dhe për botën, nuk mund të mos kishte shkallën e lartë të përgjegjshmërisë dhe të vetëdijës për peshën e aksionit politik, institucional etj. Në këtë kuptim, presidenti Rugova që në krye të herës bëri institucionalizimin e rezistencës , e kundërshtimit dhe veprimit politik, duke hapur kështu një kapitull të ri, edhe në historinë politike të shqiptarëve, e cila është e mbushur me momente të shumta të formave populiste, të mosanalizës së raportit nërmjet qëllimit dhe mjetëve, ndërmjet dëshirave dhe mundësive, dhe ndërmjet raporteve të ndryshme rajonale dhe botërore. Institucionalizmii politikës , i veprimit dhe i funksionimit të rezistencës, i sendërtimit të konceptit të shtetit, si formë e shpërfaqjës së konceptit të pavarësisë, për të plotësuar atë trininë: liri, pavarësi e demokraci, e që është në thelbin e filozofisë politike të presidentit  Rugova, por që sintetizon konceptet themelore të mendimit të tij filozofik, shkencor dhe intelektual. Në aspektin filozofik, kjo trini nuk duhet të kuptohet thjesht si një liri nga pushtuesi, një pavarësi nga pushtuesi dhe një sistem politik shumëpartiak, por më tepër se kaq, duhet kuptuar si liri individuale, si liri e brendshme e individit dhe e kolektivitetit, dhe si liri e jashtme e tyre, si pavarësi individuale dhe kolektive për të maturuar, realizuar dhe formësuar lirinë kurse demokracinë, si frymë, si mënyrë dhe si realizim i mundësive për  të realizuar lirinë dhe pavarësinë. Në këtë kuptim, liria është edhe përgjegjësi, edhe vetëdijësimi për kufijtë e saj, pra deri diku është në përputhje me konceptin e Xhon Stjuard Mili, “ Liria ime, përfundon aty ku fillon liria e tjetrit”. Ky konceptim i lirisë, duhet të kuptohet si një formë e vetë kontrollit, në kuptimin që secili të ketë lirinë e vetë, por askush të mos cenojë lirinë e tjetrit. Në kuptimin e real politikës, kjo do të thotë që ne duhet të kemi lirinë tonë, por atë të mos e ndërtojmë mbi lirinë e tjetrit qopftë si liri individuale brenda një shoqërie, qoftë edhe si liri ndërmjet shoqërive dhe popujve të ndryshëm. Liria, del të jetë si një marrëdhënie  ndërmjet individëve dhe shoqërive të ndryshme që bazohet në rrespektimin e gjithë mekanizmave individual dhe kolektivë, që individët, që individët apo shoqëritë ndërtojnë për realizimin e lirisë së tyre. Dhe këta mekanizma janë mekanizma të pavarësisë individuale dhe kolektive, e që janë mekanizma moralë, politik, ligjorë dhe institucionalë, e që nënkuptojnë edhe parimet morale që ka individi dhe kolektiviteti, edhe sistemin politiko-institucional, edhe raportet që krijojnë kolektivitete të ndyshme siq do të thoshte Emil Dyrkhejmi në librin e tij “Çështje të metodës”. Dhe është në të drejtën e individëve, të kolektiviteteve dhe të shoqërive të përcaktojnë mekanizmat e realizimit të pavarësisë së tyre, e ku ndërtimi i shtetit si një bashkësi politiko-institucionale është vetëm një nga mekanizmat që nënkupton të drejtën për liri dhe pavarësi, por që mund të zgjerohet edhe me të drejtën e vetëpërcaktimit për mekanizma të tjerë të përbashkët në kontekte më të gjera. Kjo do të thotë se koncepti rugovjan për pavarësinë  nënkupton konceptin e pavarësisë si shtetndërtim, por nuk kufizohet vetëm me këtë, pasi lë të hapuredhe forma të tjera të vendimarrjes së pavarur, siç është edhe vendimmarrja për krijimine mekanizmave të përbashkët me pjesët tjera të kombit dhe me shtetin shqiptar, e që do të thotë, edhe bashkim politiko-institucional kombëtar. Dhe ky bashkim nuk duhet të jetë detyrimisht dhe në krye të herës i tillë, por duhet të fillojë si bashkim shprtëror, ekonomik, shoqëror etj. Është e qartë se liria, dhe pavarësia, si të këtilla, parakuptojnë dhe nënkuptojnë demokracinë, e cila bazohet pikërishtë në konceptin e lirisë individuale dhe kolektive për të rregulluar funksionimin e të drejtave dhe të detyrimeve të tyre, si dhe në ndërtimin e mekanizmave të pavarur për të realizuar lirinë. Në këtë kuptim, demokracia është forma, është mënyra e funksionimit të lirisë dhe e përcaktimit të mekanizmave të pavarur që mundësojnë funsionimin e lirisë dhe ralizimin e saj. Demokracia, pra është formë dhe mënyrë në të cilën secili ka mundësi të realizojë lirinë e vetë individuale dhe të bëhet pjesë e realizimit të lirisë kolektive, e përcaktimit dhe ndërtimit të mekanizmave me të cilën krijohet hapësira dhe institucionalizimi i lirisë dhe i pengimit të cenimit të lirisë së tillë.

Presidenti Rugova, së këndejmi, konceptet e tij për lirinë, pavarësinë e demokracinë i ka parë ngushtësisht të lidhura me mekanizma dhe mënyra të shoqërive përëndimore. Në këtë kuptim, filozofia politike e presidentit  Rugova nuk është filozofi izolacioniste, ekskluziviste dhe inkluziviste, por është një filozofi e hapur dhe e integruar në kuadër të atyre mekanizmave.  I mahnitur me debatin shoqëror, filozofik dhe politik në shoqërinë franceze dhe përgjithësisht në shoqëritë perëndimore, presidenti Rugova u angazhua fort që te shqiptarët të realizoj atë emancipim  politik, atë vetëdije politike që vetën e shohin pjesë të shoqërive perëndimore, pjesë të kulturës dhe qytetërimit perëndimor, duke bërë kështu edhe rikthimin e shqiptarëve dhe të çështjës shqiptare në kontektin gjeopolitik dhe gjeostratigjik perëndimor. Koncepti i tij për Kosovën e pavarur anëtare e BE-së dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, duhet kuptuar si një përcaktim përkatësie tërësore perëndimore edhe në kuptimin e gjeopolitikës, edhe në kuptimin e qytetërimit, e jo thjesht e një aleance stratigjike në angazhimet për liri dhe siguri. Kjo do të thotë se, sipas presidentit  Rugova, të jesh anëtar i BE-së nuk do të thotë vetëm të plotësosh disa kushte politike, ligjore, institucionale, ekonomike, por edhe ta ndjesh vetën pjesë të një mekanizmi që funsionon mbi bazën e diversitetit kulturor, etnik dhe sociologjik, e që do të thotë si shkallë e avancuar e shpërfaqjës së lirisë dhe demokracisë, dhe që funsionon mbi bazën e lirisë dhe të drejtës së të gjithëve pavarësisht nga kulturat, etnitë, madhësitë, historitë, dhe veçantitë e tjera. Kurse miqësinë e përhershme me SHBA-të duhet kuptuar si miqësi në raporte më të gjera, si zgjerim të lirisë dhe të përgjegjësive për lirën, zhvillimin dhe sigurinë globale. Kjo mund të shihet edhe në kuadër të konceptit të globalizmit që zvoglon burokracitë, zvogëlon mekanizmat e kufizimit të lirisë dhe që hap horizonte të një gjithëpërfshirjeje globale.

Këto koncepte, natyrisht kanë kushtëzuar edhe strategjinë e veprimit politik, e cila u bazua në real politikën, por edhe në faktin se çështja e lirisë, e pavarësisë dhe e demokracisë nuk janë çështje ekskluzive të një kolektiviteti, por janë çështje me konatacione më të gjera, e që përfshijnë shumë faktorë politikë, diplomatikë, ekonomik, gjeopolitikë, gjeostratigjikë, e detyrimisht edhe ushtarak. Në këtë kuptim, strategjia e veprimit politikë e presidentit Rugova, e së këndejmi edhe e lëvizjes politike shqiptare për liri, pavarësi e demokraci ka sintetizuar të gjithë këta faktorë dhe ka funksionuar në bashkërendim me të gjithë këta faktorë. Forma e rezistencës paqësore, nuk ishte thjesht shpërfaqje e një real politike që nënkuptonte veprimin në kuadër të mundësive, por edhe si një mënyrë e institucionalizimit  të politikës dhe diplomacisë, edhe si një sendërtim të mekanizmave shtetëror në kontekte përkatëse të përgjithshme, edhe si mënyrë e bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kuptim, angazhimi institucional ka nënkuptuar dhe edhe ndërtimin e institucioneve të rezistencës së armatosur, por jo si forma të organizatave guerile latino-amerikane, por si pjesë e sistemit shtetëror të Kosovës. Që në fillimet e lëvizjës, presidenti Rugova ka realizuar marrëveshje me shtetin shqiptar për të stërvitur grupet e armatosura shqiptare, kurse pastaj është angazhuar për ndërtimin e strukturave shtetërore të mbrojtës, si mekanizëm shtetëror . Por ajo që duhet të thuhet, është se e gjithë strategjia e veprimit të presidentit Rugova është bazuar në bashkërendim me shtetët aleate, e të cilat kishin jë mirëkuptim të brendshëm, dhe në bashkërendim me shtetët aleate, e të cilat kishin një mirëkuptim dhe mbështetje të madhe për presidentin Rugova, për lëvizjen  pölitike për liri, pavarësi e demokraci, si dhe në nevojën që të mos bëheshin veprime që mund të rrënonin gjithë angazhimet në këtë aspekt. Së këndejmi, refuzimi i tij për luftën frontale në Kosovë, kishte parasysh edhe raportin e forcave  që mund të sillte masakra, spastrim etnik, por edhe shkapërderdhje të shqiptarëve dhe të çështes kombëtare, por edhe këshillat e miqve dhe të aleatve të shqiptarëve për të pasur kujdes, e që kulmoj me të ashtuquajtürën  “Vijë e Kuqe “ e presidentit amerikan Xhorxh Bushi Plaku. Në sistemin e filozofisë politike  të presidentit Rugova, faktikisht ishin të përfshira të gjitha format  e rezistencës së mundshme, efektive, por të gjitha këto u bënë në frymën dhe konceptin institucional të rezistencës. Në këtë kontekst, presidenti Rugova ishte i pari që në mënyrë sistematike kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake të perëndimit, përkatësisht të NATO-s, duke dëshmuar kështu se ai ishte i vetëdishëm, dhe e kishte pjesë substanciale të strategjisë së tij politike, pikërisht përdorimin e forcës kundër forcave serbe që ushtonin forma barbare dhe mizore të dhunës dhe të masakrave ndaj shqiptarëve. Dhe këtë e bënte, rdhe për shkak të traditës së tijë familjare të rezistencës së armatosur, edhe për shkak se vetëm NATO-ja mund të pamundësonte operacionet e dhunës dhe të masakrave serbe  mbi shqiptarët. Ftesa e vazhdueshme e NATO-s për ndërhyrje ushtarake ndaj makinerisë së dhunës dhe të masakrave serbe mbi shqiptarët,  ndërkaq, nuk duhet kuptuar thjeshtë si një ftesë ndaj një mekanizmi ushtarak që ka forcën për të vepruar si e tillë, por ishte edhe si besim, edhe si orientim gjeopolitik e gjeostrategjik. Presidenti Rugova nuk ftoi shtete të veçanta, por ftoi një organizatë politiko-ushtarake të shteteve demokratike perëndimore. Intervenimi i NATO-s  ndaj makinerisë policore, ushtarake e paraushtarake të serbisë, në këtë mënyrë ishte edhe shkëputje përfundimtare e shqiptarëve nga konteksti gjeopolitik e gjeostratigjik lindoro-komunist, dhe rivendosje në kontekstin gjeopolitik dhe gjeostrategjik perëndimor.

3

Periudha e pas luftës, është një ndër periudhat më të veçanta për lëvizjen politike për liri, pavarësi  e demokraci, edhe për vetë presidentin Rugova, pasi që përkundër kontekteve  socio-politike që u krijuan, presidenti Rugova, shpërfaqi në praktikë konceptet e tij për lirinë, pavarësinë e demokracinë. Në këtë kuptim, presidenti Rugova, prandaj edhe LDK, jo vetëm që respektuan lirinë e gjithësecilit për shprehjën e bindjeve individuale dhe kolektive, por edhe u angazhuan fort që këtë ta bëjnë edhe vetë ata. Në këtë aspekt, presidenti Rugova dhe LDK dëshmuan se hapësirën e lirisë, për respektimin e saj, dhe për ndërtimin e mekanizmave që mundësojnë realizimin e saj, kanë vullnetin dhe vendosmërinë maksimale. Funksionimi demokratik, do të thotë liri e shprehjës së ideve, pikëpamjeve, bindjeve dhe bashkimeve politike,shoqërore etj., e së këndejmi edhe bashkëpunim të pakushtëzuar me të gjithë. Ndarja e përgjegjësive politike, institucionale dhe administrative, si respektim i shpërfaqjeve kolektive të vullneteve politike, është një ndër praktikat më të zakonshme që ka zbatuar presidenti Rugova. Dhe në bazën e kësaj nuk kishte asgjë tjetër , pos vendosmërinë për të çuar përpara dhe për të përmbyllur formën konkrete të realizimit të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, e që është shteti i Kosovës, i cili që në krye të herës, ishte konceptuarsi shtet që shpreh të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të pasur mekanizmat e tyre ë sendërtimit të lirisë dhe pavarësisë e demokracisë, por gjithnjë duke respektuar edhe të drejtat e komuniteteve të tjera etnike. President Rugova, si një intelektual përmasash të mëdha, refuzoi karakterin polemik dhe konfliktual të debatit dhe të anagazhimeve të ndryshme, që vinin edhe si shprehje e mungesës së kulturës politike, edhe si shprehje e reminishencave të veprimeve emocionale nga e kaluara. Pavarësisht nga të gjitha, presidenti Rugova i qëndroj besnik formimit të tij intelektual, filozofisë së tij politike dhe vullnetit të tij për të ndërtuar lirinë, pavarësinë e demokracinë.

Në dëshminë e tij në Hagë, presidenti Rugova, gjithnjë në përputhje me filozofinë e tij politike, refuzoj kategorisht përpjekjet djallëzore të nxitjës së konfliktualitetit politik, të nëpërkëmbjes së UÇK-së dhe të luftës për liri. Po ashtu, ai mbrojti fuqishëm të drejtën e shqiptarëve për të mbrojtur familjët e tyre, për të mbrojtur shtëpit e tyre, për të mbrojtur vendbanimet e tyre. Nuk pranoi në asnjë rast çfarëdo etiketimi që bënte Millosheviqi, kurse pjesëtarët e UÇK-së i quajti patriotë që kanë kapur armët për të mbrojtur familjët e tyre, për të mbrojtur shtëpitë e tyre nga formacionet policore, ushtarake dhe paraushtarake. Presidenti Rugova ka shpallur tri ditë zie kur është bërë masakra mbi familjen e Adem Jasharit. Presidenti Rugova ka vlerësuar luftën, ka vlerësuar edhe kontributin e mërgatës shqiptare si në aspektin material, organizativ, ashtu edhe në atë të afirmimit të çështjës së  shqiptarëve në botë, por edhe kontributin në luftë.

Dega e LDK- së në Zvicër ka qenë dega e shumë luftëtarëve që kanë dhënë jetën për lirinë, por edhe të tjerëve pas luftës i janë rikthyer familjëve dhe formave të ndryshme të konributit për vendin; është dega që ka kontribute të mëdha në të gjitha format e organizimit dhe të ndihmës për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Mirëpo, presidenti Rugova ashtu siç ka ditur të vlerësoj shumë kontribiutin e të gjithëve për lirinë, pavarësinë  e demokracinë, ka ditur të vlerësoj edhe mbështetjën dhe përkushtimin e shtetëve aleate, të BE-së, të NATO-s dhe të personaliteteve të ndryshëm. Shumë prej tyre i ka falenderuar me mirënjohje dhe i ka dekoruar, ashtu siç ua ka shprehur edhe vendosmërinë për paq dhe miqësinë e përhershme me të gjithë ata.

Përmasat e tij të mëdha, përveç këtyre, e shprehin edhe vlerësimet e ndryshme që ja kanë bërë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Kështu, më 1995, presidentit Rugova iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Pulicer në Danimarkë,

Më 1996, presidenti Rugova u shpall doktor nderi ( Honoris Causa ), i Universitetit të Parisit Vlll;

Më 1998, presidenti Rugova iu dha Çmimi  Saharov i Parlamenti Evropian;

Më 1999, presidenti Rugova iu dha çmimi për paqe i qytetit Mynster në Gjermani;

Në vitin 2000, presidenti Rugova iu dha çmimi për paqe i Unionit Demokratik të katalonisë “ Manuel Carrosco i Formiguera, në Spanjë;

Më 2003, në Belgjikë, presidenti Rugova u shpall Senator nderi i Evropës;

Më 2004, presidenti Rugova u shpall doktor nderi ( Honoris Causa ) në Universitetin e Tiranës.

Krejt në fund, më lejoni që të shpreh për presidentin Rugova po ato konsiderata që i ka shprehur presidenti amerikan, Bill Klinton, presidenti Xhorxh Bush i Riu, dhe kryeministri britanik, Toni Bler. “ Peesidentin Rugova e kam konsideruar mik shumë të afërt. Ai ka qenë njeri shumë i madh. E kam pasur për zemër dhe e kam vizituar edhe kur ishte i shtrirë në spital. Ai ishte njeri shumë i mirë dhe patriot i madh. Jam i lumtur dhe krenar që e kam pasur mik”, ka thënë ndër të tjerash Bill Klinton. Kurse presidenti Xhorxh Bush i Riu, ka thënë: “Shtetët e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroj gjithashtu edhe respektin e gjithë botës”. E kryeministri  britanik, Toni Bler, ndër të tjerash, ka thënë: “ Ai foli me një zë të ulët por me sinqeritetin më të madh… duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet…. Unë i thashë Britania e Madhe do të ndihmojë. Unë ia dhashë atij “Besën”, dhe besën ia mbajta”. Toni Bler, ka pranuar se megjithë kritikat e herëpasherëshme, “ koha e dëshmoi se, e trejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës.”

Lavdi jetës dhe veprës së presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova!

Ju faleminderit  për vëmendje.

Schliren/ZH, 31 janar 2016

(Anton Quni anëtar i kryesisë së LDK-së dhe deputet i Parlamentit të Kosovës)



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora