Mendime
Gëzim Hoxha: Me kë po luftojmë?
E merkure, 06.01.2016, 09:29 PM
Me
kë po luftojmë?
Nga Gëzim Hoxha
Mbrëmë në lajmet e TV KLANIT dëgjova bilancin tragjik të këtij fillim viti. Janë plot 13 viktima. Në të, bie në sy që 6 persona janë ekzekutuar me armë, ndërsa pjesa tjetër ka humbur jetën në aksidente. Vdekja paska pritur vitin e ri për të kositur me kosën e saj disa jetë të tjera. Një bianc të tillë do ta kishte zili edhe Siria. Po a dihet gjë se me kë po luftojmë? Kush na ka pushtuar? Këto janë pyetje thjesht retorike e ngelin pa përgjigje, se Shqipërinë nuk po e nguc askush në kuptimin e ngurtë, apo klasik të fjalës “PUSHTIM”. E nëse jemi kaq luftarak, atëherë nuk na e ka asnjeri fajin. Vetë ne, vetë ne e kemi fajin për gjithçka.
Dhe thashë me vete: sa pak vleka kjo jetë?. Sa një plep ndoshta, sa një refuzim për martesë, apo diçka më tepër? Apo mjafton thjesht një çekuilibrim mendor dhe vret. U tha për atë burrin në Sarandë se familja e tij ishte në një gjendje jo të mirë ekonomike etj, etj. Po, kjo ka kuptim edhe pse nuk mund të mendohet kurrë, se situata e tyre ishte në një udhëkryq a në një rrugë pa rrugëdalje. Dhe njerëzit mendojnë të ikin, po ku të shkosh?, gjithandej është njësoj. Pashë, po mbëmë në lajme, se një shqiptar e kishin torturuar aq shumë sa vdiq nga hematomat e plagëve të shkaktuara prej goditjeve të policëve në një burg në Greqi. Një tjetër në Italli ishte vrarë për prishjen e pazareve të drogës.
Po pse kaq e vështirë qenka të jetoke në Shqipëri? Kaq e vështirë qenka të bëhej ky vend? Jo se nëpër botë nuk ka krime, por unë e di se kriminaliteti është në përpjestim të drejtë me gjendejen ekonomike të një vendi. Në Suedi ka më tepër se një dekadë që policët nuk kanë vrarë një person. Ndërsa përsa i përket vjedhjeve nuk mbahet mend kur ka ndodhur e fundit. Një miku im që banon atje, më thoshte se aty dyert e shtëpive nuk mbyllen asnjjëherë me çelës. Në se pyesni se si ka mundësi të ndodhin këto çudira, mund t’iu them se gjithçka ka lidhje me modelin e shtetit që suedezët kanë zgjedhur. Një shtet social me taksa të larta dhe me nivel po kaq të lartë jetese. Aty shumica e popullsisë i përket një shtrese, asaj të mesme, ka shumë pak të varfër dhe edhe më pak të pasur. Kjo lidhet dhe me një gjë tjetër: ME SHPËRNDARJEN E PASURISË KOMBËTARE.
Dëgjova ashtu si ju edhe disa çudira të tjera. Në Zvicër do të zhvillohej një referendum për t’u pyetur populli nëse ishte dakord të caktohej një pagesë fikse për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Në Finlandë, qeveria do të caktonte një shumë fikse pre 800 € për personat e varfër. Ndërsa tek ne paga minimale është 22000 lekë afërsisht 170€, ndima ekomike që i jepet një familje në bazë të anëtarëve të saj dihet sa është. Me këto çmime një familje me ndihmë ekonomike mezi e shtyn një javë e jo më një muaj. Nuk është më i mirë edhe fati i tyre që punojnë dhe “marrim” një pagë minimale, pasi ajo reduktohet në 15000 lekë, se duhen paguar dhe kontributet shoqërore dhe ato shëndetsore ndryshe gjobitesh, kjo ndodh në rastin më të mirë, se mund të ndodhë që të punosh dhe të mos paguhen fare as ato.
7 personat e tjerë ndërruan jetë nga aksidentet rrugore. M’u dhimbs ai çifti që vdiq pak pas ndërrimit të viteve në “autostradën” Lushnje Fier. Kishin dalë për të festuar mbase dhe ja … Tash e mbrapa duhet me e pyt veten mirë kur don me dalë se nuk i dihet. Për këta fatkeq mund të thuhen shumë gjëra: jo ishin me shpejtësi, jo autostrada nuk ka standartet e duhura, jo policët nuk e bëjnë si duhet punën e tyre, jo ka mungesë sinjalistike etj, etj. Por rëndësi ka që ata ikën nga kjo botë dhe për të afërmit e tyre, çfarë do që të thuhet nuk mund t’i ngushëllojë.
E prapë kthehem tek ato pyejet e fillimit. Me kë po luftojmë? Kush na ka pushtuar? Pse ndodh që kjo jetë të vlejë kaq pak? Pse tek ne ndodhin gjithë këto gjëra? Pse tek ne ka shumë të varfër, sa disa prej tyre shohin si rrugëdalje vetëm vetëflijimin? Pse? Pse?
Ou u lodha. Ou na lodhe mund të thoni edhe ju. Po, të drejtë keni. Dhe si përgjigje e të gjithë këtyre pse –ve dhe qaravitjeve m’u kujtua një thënie e ish – presidentit Kenedi: mos thuaj çfarë mund të bëjë Amerika për mua, por pyet se çfarë mund të bëjë unë për Amerikën.