E shtune, 05.10.2024, 07:56 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Një dolli nga gropa septike!

E enjte, 31.12.2015, 06:20 PM


Një dolli nga gropa septike!

Nga Arbana Xharra

Në fundvit nëpër editoriale, emisione e debate televizive kryesisht bëhet përmbledhje e vitit që po lëmë pas. Numërohen sukseset dhe dështimet e vendit  me shpresë gjithherë dhe duke uruar për një vit më të mirë në mot. Viti përmbyllet me politikanë që urojnë me tekstet, që s’i  kanë shkruar vetë. Me programe festive ku të ftuar kanë politikanë të pispillosur me flokë të ulur në gel, këpucë me maje e politikane me frizura, të pudrosura, qerpikë e thonj artificialë, që cakërrojnë gotat për sukseset e tyre.

Qytetarët shtrojnë tavolinat me ushqime, që kanë blerë me star-kartela për t’i paguar me këste. Një tavolinë e sofër e shtruar me produkte të lira, të veshur me modesti, sikur me zor duan ta lënë pas mundin nëpër të cilin kanë kaluar plot 365 ditë. Në orën 20:00 ulen rreth TV-së, ekrani plot drita, këngë, vallë e skeçe me barsoleta... gjithçka që transmetohet është lustër që fsheh realitetin. Edhe pikërisht këtë duan ta përjetojnë së paku këtë natë qytetarët e dërrmuar. Të mpirë nga lodhja, provojnë të relaksohen duke i dhënë gajret vetes, se “do të bëhet më mirë”.

Dikush lakmon kushëririn që me familje ka shkuar ilegalisht në Evropë, bashkë me rreth 100 mijë bashkëqytetarë të tjerë. Për pak çaste i sillen nëpër mendje pamjet e fëmijës me djep që kalonte me prindërit e tij përmes Serbisë, e grupe kontrabandistësh të paguar për t’i hedhur ilegalisht përtej kufijve të Schengenit. Çdo natë autobusët që  mbusheshin me gra, fëmijë, burra e të rinj teksa shtyheshin për të marrë rrugën plot rreziqe në kërkim të një jete më të mirë. Gjithë këtë rrezik e mund e arsyeton kur e bën mend ku po jeton vetë. Fëmijët e diplomuar që s’gjejnë punë, vetë pak para pensionit. Nusja e djalit e diplomuar në ekonomi, që po punon si floktare (frizere).

Llogarit shpejt e shpejt faturat e dimrit, “vëllai Erdogan” që s’pyet a ke a s’ke, ta këput telin po s‘pagove. Nipat e mbesat i sillen nëpër këmbë, fillon e numëron vitet e pasluftës, llogarit edhe një 16-vjetësh tjetër dhe moshën e tyre sa do të rriten. Provon ta paramendojë Kosovën ndryshe, por s’mundet, i dalin përpara xhipa të zinj, vila e lukse të politikanëve të pozitës e të opozitës, skenën politike përlot analfabetë, diplomaci me kushëri, vëllezër të këngëtareve e balldëska të ministrave... “Nipat e mbesat e këtyre milionerëve s’kanë me lënë vend për nipat e mbesat tanë, krejt çka mujin me u bo, rrogëtar të tyne”, flet në vetvete teksa mbush gotën me verë, prodhim vendor të Rahovecit.

Për një moment i vjen një ngazëllim i brendshëm kur sheh nipin me ndresën e Messit. “Shyqyr që po shkon në futboll ky djalë, kurrë s’i dihet e shesim në Evropë, e dalim krejt prej krize, s’kemi nevojë me e lut kërkon për një rrogë e bukë të gojës”, vazhdon t’i flasë vetes e me zor t’i japë vullnet. Vëmendjen ia shpërqendron zëri pushkë i këngëtarit që i këndon luftës, të rënëve dëshmorë e Kosovës kreshnike. “Eh po në zor të madh kemi qenë, sa shpejt e harruam që në rrugë s’kemi guxu me dal”...fillojnë e i përzihen emocionet, i mbushen sytë me lot. Kujton shokët e tij të luftës që disa vjet më parë ofruan jetën, të gatshëm për të mos e duruar padrejtësinë. “Çfarë ndjesie e poshtër kur ish-luftëtari i UÇK-së futet me një thes me matrapazët, që sot po shkelin mbi çdo interes kombëtar për përfitime personale”, vazhdon të flasë në vetvete, thuajse nuk e vëren zhurmën në dhomë, të qeshurat e fëmijëve e këngën patriotike që s’po ka të sosur e njëjta tash e sa vjet që transmetohet çdo natë të ndërrimit të moteve.

Afron ora 00:00, fishekzjarrët ndriçojnë qiellin e mbuluar në mjegull, tymi gjithandej, era barut... Kriza politike, gazi në Kuvend, “ktY”, “atY”... Kosova në fund të pusit po nis edhe një vit të ri.

Nga një të mirë shpejt e shpejt ia urojmë vetes. Në ndërdije lutemi për ditë më të mira. Nuk duam të besojmë se jemi të harruar sikur në një gropë septike që kemi shpresuar se kapakun do të na heqin për të na pastruar nga fëlliqësirat e pisllëku, që na kanë ngufatur.

Gëzuar nga gropa septike!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora