E enjte, 01.05.2025, 05:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Syrja Kurti: Puthemi para se djajtë të vijnë

E merkure, 04.11.2015, 07:15 PM


SYRJA KURTI

 

Puthemi para se djajtë të vijnë

-Cikël poetik-

 

Ditë me shi…

 

Qielli është nxirë, kullojnë strehët

qyteti nën grinë e kohës është fshehur

pas xhamave shohim k'të shi të fundvjeshtës

që sot më duket se fare është cmendur.

Ti pikat e shiut rri dëgjon e trishtuar

se pas pak nuk do të jemi më bashkë,

kjo botë të dyve kurrë s'na ka pranuar

ndaj me të tjerë e ndajmë diku atje jashtë.

Një puthje në dritare.Për sot është e fundit

brengat dhe dhimbjen brenda vetes e mban

akrepat skuqen, por të ndalen nuk mundin

shiu dëneset e ngashërehet mbi xham.

Ti pikat e shiut rri shikon e menduar

që kushedi se ku shkojnë duke nxituar.....

 

 

Puthemi para se djajtë të vijnë

 

Mezi marrim frymë. djajtë janë afruar

që të keqen fshehin duke drejtuar një gisht

duan dhe ty të baltosin se sa për mua

ndonjë ditë do më nxjerrin dhe njeri me bisht.

Nuk na duan padronët e zinj të jetëve

se të mirët si ty ja prishin qetësinë

e huaj është për ta

i vret dashuria e engjëjve

ndaj puthmë e dashur para se djajtë të vijnë.

Të lutem engjëll më përqafo sa më gjatë

që mos të munden të më sëmurin djajtë...

 

 

Pasdite tetori

 

Erërat e ftohta që vijnë larg nga malet

degët e pemëve të inatosura shkundin

tetori ka ftohtë por si djalosh do të mbahet

dielli i lodhur lëshon rrezet e fundit.

Erërat e ftohta që fryjnë nga shpirtërat

si pemët në vjeshtë kanë zhveshur vetveten

s'ka zhurma në ajër, nuk dëgjohen britmat

vetëm mendimet bien, përzier me gjethet.

Kjo erë tetori mendimet dhe pemët shkundi

pa ditur se nga ra gjethja e fundit...

 

 

Mëngjes

 

Nata i mblodhi flokët e saj të zinj

i bëri gërsheta,

u ngrit për ti lëshuar vendin ditës

e së bashku me hënën shkuan të flenë.

Dita gazmore dhe e freskët

nis e krihet në pasqyrën e qiellit,

për ta ndihmuar në tualetin e mëngjesit

thërret si parukier diellin.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx