E merkure, 11.12.2024, 07:11 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Mesazhi i vargut nëpër kohëra

E marte, 27.10.2015, 08:26 PM


Analizë libri

Sejdi BERISHA:

PESHA E GËRSHETIMIT TË NDIJIMIT SHPIRTËROR ME MESAZHIN E VARGUT NËPËR KOHËRA...!

(Zhuljeta Grabocka Çina: “Ditari i gushtit” – poezi, ADA – Tiranë 2015)

Krijimtaria, nganjëherë sikur duket e çuditshme, sepse, shkrimtarin e detyron që krijimtarinë ta gërshetojë me rrugëtimin e jetës. E kjo, duket dhe është shumë e fortë dhe e mbrumur me ndijimin shpirtëror, gjithnjë kur vargu dhe poezia zënë rrënjë dhe japin mesazh edhe përmes profesionit që ushtron poeti apo krijuesi, siç është misioni i shenjtë i arsimit.

Për këtë arsye, poetja, Zhuljeta Grabocka Çina, në librin e saj me poezi “Ditari i gushtit”, na prezanton një bagazh të tërë të saj poetik, i cili i është grumbulluar me vite të tëra në shpirtin dhe mendjen e saj kur ishte mësuese dhe jo vetëm atëherë. Prandaj, që në fillim të librit e vërejmë atë shpërthimin poetik, të cilin, autorja sikur nxiton për ta thurë thua se vargu dhe poezia do t’i ikën po sikur mos t’i përjetësohet në atë kohë kur ka vendosur ta thotë e ta këndojë tërë atë që ka në “Ditari i gushtit”.

Në fillim, vargjet duken se janë të përqafuara vetëm me atë dëshirën e këndimit poetik. Por, jo. Poezia në këtë libër i ngjanë një rrugëtimi karakteristik krijues, i cili shoqërohet me mesazhin, mund të themi, të urtë dhe shumë njerëzor, gjë të cilën, që në fillim me “Nuk e di pse lindin vargjet e mia...”, na detyron ta kapim si provokim për respektimin dinjitoz të krijimtarisë poetike, të cilën e kushtëzon me katër stinët e vitit, që janë lëvizje shumëdimensionale e jetës trakullimave të saja nëpër periudha.

_________

Kur mendja dhe shpirti poetik janë rebelë dhe si të tillë gjithnjë rrinë pagjumë...

Autorja, duke pasur parasysh një jetë të tërë të kaluar në gjallërinë e gjeneratave të reja, me shpërndarjen e diturisë dhe të arsimimit, që janë përgjegjësi, dashuri dhe shenjtëri në të njëjtën kohë, ajo e fillon vargun me peshën e përgjegjësisë prej edukatores: “Nuk di ç’po ndodhë me mua tani/S’po ndahem nga ditari e shënimet/...Në një qoshe rafti rrinë fletoret.../ Mos më shihni me çudi/me kohë gjykimin për mua e keni dhënë/Aty germë për germë...”! Dhe, pastaj nis “karvani” i vargjeve me “Mëngjes”: “Më pëlqen ta pres diellin të lindë”, dhe kështu pastaj, këndimi dhe vargu shndërrohen edhe në pikturë edhe në rrëfim jete, i cili, nganjëherë “del taktit” me dëshirën për të kapur “çastin fluturak” gjithnjë me sprovat “për ta kuptuar veten”.

Poetja, nuk vargëzon rastësisht për “shkallët e jetës”, sepse, ato sikur i ka “kullandrisur” mirë, urtë e njerëzishëm. Për këtë, atë e vërejmë si dritë dhe rreze ”Te shtëpia e Zotit”, duke kënduar e medituar  edhe atëherë kur është “vetëm”. Por, për të vargëzuar brenda katër stinëve, herë të rrëmben frika, herë të përqafon gëzimi, herë të troket ndërgjegjja e herë të mbërthen malli e mërzia, të cilat, bashkë e begatojnë peshën, mesazhin dhe metaforën e vargut, për të thënë nganjëherë edhe diçka të veçantë e duke respektuar mendimin individual: “I përgjumur rri mendimi im.../rrugëve rebus dedalusiane/në të përjetshmin labirint...”! Duke e respektuar peshën, rëndësinë dhe madhështinë e moteve nëpër stinë, autorja na sjellë jo vetëm vargun për bukurinë përrallore të vjeshtës, por atë e sjellë edhe si mendim filozofik mbase edhe njerëzor: “Me vjeshtën mos u bëj xheloz/robinë e poetëve është ajo/Të okërtat ngjyra borxh i jep/në pikturat që fjalët t’ua lexosh”.

Mesazhet e tilla ajo i sforcon në shumë poezi në vijim, të cilat dëshmojnë për mendimin e pjekur dhe të thellë, por edhe për rrjedhën e natyrshme dhe esteto-letrare të secilit varg, ku etshëm dhe vrullshëm rrëshqasin fjalët dhe vargu si shikim i cili nuk ka fund: “Si fytyra e njeriut është koha/I ka brenda të katër stinët...”, ose: “...Të tjera ditë mezi po pret/Pa re, vetëtimë e zhurmë”!

Vargjet e fundit thua se na reflektojnë mendimin dhe dëshirën e poetes për ecjen dhe “vallëzimin e viteve” me hare e lumturi, sepse, njeriu edhe ashtu do dhe e meriton. Por, siç është e zakonshme, mendja dhe shpirti poetik janë rebelë dhe gjithnjë thuajse rrinë pagjumë, ngase: “Gjaku shpirtin ngroh, zemra regëtinë”. Dhe kur është kështu, atëherë, autorja di të “zbrazë” mendimin: “Kjo natë nuk ka gjumë/Perden ka ngritur përgjimi/Gjithçka si një lumë tokën përgjon”.

Atdheu-peshë, bukuri dhe thesar jete e historie edhe në shpirtin e poetes

Andaj, tash për ta ngritur e ndritur në varg vendlindjen, Zhuljeta Grabocka Çina, në disa nga poezitë, jo vetëm se i këndon dheut dhe atdheut, por edhe shumë qytete që kanë lashtësinë e historinë e tyre të veçantë, ajo na i lartëson në lapidar  unik, sepse, kanë zë, mesazh, bukuri e thesar jete e historie, që dot nuk shuhen në asnjë kohë dhe nga asnjë rrebesh. Poradeci i Lasgushit sikur vetë flet, kurse, autorja shpreh gatishmërinë të bëhet pjesë e “përrallës” së këtij vendi jo vetëm hyjnor: ”Emri i vjetër më pëlqen ta thërras/Të jam degë e njomë e drurit të vjetër/të legjendave, përrallave, ninullave e lirikave/Të jam si sirenë e pikturave/që bujisin nga burimet e gjolit tënd...”. Ndërsa, për qytetin e Ohrit, që ndoshta edhe sot është legjendë dhe si fjalë ende e pathënë deri në fund, vargëzon: Për Ballkanin ti je syri i kaltër/I përjetshëm në vargjet e bardhë/për Lasgushin, Mitrushin/Monument i gdhendur në fjalë”.

Mjaftojnë vetëm këto vargje që lexuesi t’i analizojë e t’i zbërthejë, të cilat, pastaj, dashtë e pa dashtë hulumtojnë e shprushin jo vetëm historinë e së bukurës...!

Autorja, ngjashëm ligjëron edhe në shumë poezi të tjera. Ndërkaq, tek poezia “Një këngë malli”, që i ngjanë një tregimi e një përshkrimi të detajuar pothuaj të të gjitha viteve, moteve e kohërave të Korçës, me fuqinë dhe përjetimin e thellë shpirtëror, na del se ajo nuk është krijuese e rëndomtë apo e rastit, por është një poete, një intelektuale e cila disponon me ndijimin dhe begatinë e arsyeshmërisë prej njeriut me zemër të bardhë dhe me dashurinë, të cila jo vetëm se nuk i harron dhe as nuk i neglizhon, por di t’i vë në piedestalin e kujtesave të rralla, të cilat u ngjajnë almanakëve të rrallë e të veçantë, ku zënë vend dhe “prehen” detale historie, kulture e bukurie: “Një serenatë për qytetin e serenatave/Si përshëndetje me dërgove miku im/Rrugicat e pastra m’u duk se kalova/në pragun e shtëpisë e ndala të rri”...!

Dhe shih pastaj, se çfarë ngrohtësie i ofron lexuesit: “U hapen të gjitha dyert, dritaret/era e gatimit të mirë depërtoi në gji/m’u duk sikur të gjithë më thërrisnin:/Eja bijë, eja, ke kohë pa ardhur në shtëpi”! Kjo është një shfryrje shpirti mbase edhe mall, e po ashtu, padyshim se është edhe një “larje” borxhi ndaj vendlindjes, por ndoshta edhe një klithmë e qortim për shkapërderdhjen e njeriut tonë jo vetëm përbrenda atdheut por edhe gjithandej botës...!

Pas tërë kësaj, po të analizojmë vjershë për vjershë, tamam libri na reflekton në një ditar jete në trajtë romani e i “konvertuar” në zërin e poetes, në klithmën, urtësinë dhe bujarinë e saj dhe të vetë vargut, që do të na nevojitej kohë e vend për të thënë e komentuar gjithçka e për çdo gjë.

Se poetja ka un, mbase edhe veti të veçantë të përjetimit për përgjegjësinë që ka njeriu ndaj jetës e jeta ndaj njeriut, në librin “Ditari i gushtit”, plotësisht e hasim reflektimin e karakterit stabil me peshën e rrallë jo vetëm të njerëzores. Këtë e vërejmë dhe do ta veçonim tek poezia “Dehja”, e cila, mund të themi se në një mënyrë i ngjanë “desertit” të njëmend të këndimit dhe të përjetimit të thellë poetik: “Vetëm një çast të isha e dehur/Kur dhimbja lotin të prekte/do ta ktheja në margaritar/E botës do t’ia falja”.

Vargu si tingëllimë e amanetit për begatimin e mendjes, të urtësisë dhe të njerëzores në rrugëtimin jetësor

Autorja, duke vargëzuar për jetën, në shumë prej poezive shpreh mallin për kohën dhe për ngjarjet që kanë kaluar e që janë me peshë, por edhe që kanë lënë gjurmë të thella në shpirt. Të gjitha këto begatojnë por edhe mbeten shpresëlënëse, se edhe krijimtaria që vjen e kësaj krijueseje, do të jetë me peshën e cilësisë edhe më pikante, dhe para se gjithash, me refleksionin edhe të porosisë, ose më mirë për të thënë, të amanetit për begatimin e mendjes, për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin jo vetëm krijues. Për këtë, nuk bën e të mos theksohen vlerat letrare, respektivisht, poetike, në këtë libër edhe tek vargjet: “Ku është fjala e shenjtë/Është dera e zemrës/Është e hapur, nuk do trokitur”, ose vargjet me tingëllimën e apelit individual dhe të njeriut të urtësisë: “Hapini dritaret/të hyjë dielli i mëngjesit/në çdo skutë/të largojë trishtimin/e ditëve pa shpresë të lëngimit”!

Një prej vargëzimeve më të ngrohta e të spikatura, janë edhe poezitë që u janë kushtuar njerëzve dhe qytetit të autores, në të cilat, në çdo çast ngritët në piedestal rrugëtimi historik e i begatuar me peshën e dashurisë dhe të fjalës së latuar ëmbël dhe mjeshtërisht. Që të gjitha u ngjajnë luleve dhe aromave më përvetësim zemre e shpirti, si me parfumeri dyqanesh të mëdha e të specializuara metropolesh, ku kthejnë vashat, nuset, zonjat e larta dhe të rinj për parfume si simbol kënaqësie, dashurie dhe jo vetëm kaq. E për të gjitha këto frymëjete nuk është edhe aq lehtë të bëhet kënga, vargu e poezia. Për këtë, autorja na ofron edhe këtë mesazh jo të parëndësi: “Sa e çuditshme është me zemrën/në dhomat e saj ka vend gjithnjë/më shumë se një dashuri/i ushqen e kurrë s’lodhet/me tik-takun e saj ritmik”!

Dhe, kështu pasojnë edhe shumë poezi të kësaj natyre: “Të dua”, “Ofelia”, “Unaza” dhe dhjetë serenatat e reja për qytetin e serenatave, të cilat përcjellën dhe këndohen ngrohtë, mu ashtu siç është jeta dhe kënga nëpër periudha dhe kohëra në Korçën e kulturës. Po e veçojmë serenatën e pestë me titull “Korça”: “Nëpër rrugë më treti jeta/eh, sa vite mbajta në shpinë pa ty/Prej mallit tënd i putha gurët/Asnjë vend s’mu bë si pragu yt”...!

Ndërsa, veçanti tjetër e vargëzimit poetik të Zhuljeta Grabocka Çina, është edhe vargu për më ta dashurit e saj, siç janë fëmijët, të cilët i shndërron në diell e lumturi jete, ngase, zemra e nënës është si dallgë që pushton çdo breg e maje mali. Kurse, kujtimi i nënës edhe në varg është diçka që i ngjanë vendtakimeve të përjetshme.

Babai, gjyshi, motra, Leonarda, Doktoresha Zana etj, duken si rrjedhë ujëvare nëpër kujtimet e jetës, të cilat gjëra përherë i përqafon mirë edhe vargu, edhe poezia edhe vetë njeriu dhe lexuesi.

Autorja, në këtë vepër me titull të thjeshtë, modest por karakteristik, pasqyron shpirtin dhe ndijimin e vetë me dëshirën për më shumë paqe, lumturi e dashuri. Por, gjithnjë me këshillën për ta jetuar e menaxhuar jetën, sepse, hasmëritë dhe armiqësia përcëllojnë dhe djegin pamëshirshëm, sidomos njeriun tonë, i cili edhe sot vuan nga gjërat që sjellin kob e zi: “Si gjethet e vjeshtës këputen jetët/për pronën, arën e vijën e ujit diku/Plumbi hakmarrës/dashuri s’mbjell gjëkund”, dhe as “Nuk është e lehtë.../Si uji në burim pa shterur ikin ditët”...!

Libri “Ditari i gushtit” i Zhuljeta Grabocka Çina, është dëshmi e një krijimtarie që pasqyron preokupimet shpirtërore, të cilat janë ravijëzuar kujdesshëm, dhe shprehin rrugëtimin jetësor si në një pergamenë të shkruar me zërin e shpirtit brenda kornizës nëpër “stinë”. Dhe, nga e gjithë kjo, duke pasur për bazë historinë në një anë, dhe rrugëtimin e jetës se njeriut tonë në anën tjetër, kujtoj se është me peshë domethënëse që këtë analizë libri ta përmbylli me vargjet e poezisë “Romeo dhe Zhuljeta”: “Botës i duhet ende Zhuljeta/për ta hyjnizuar dashurinë/Edhe Romeo i duhet botës/për të treguar/fundin e trishtë edhe ndasitë”!

Andaj, libri “Ditari i gushtit” i Zhuljeta Grabocka Çina, është një vepër e cila padyshim begaton krijimtarinë poetike dhe letrare kombëtare.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora