E enjte, 01.05.2025, 10:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Shënime të ushtarit të uçk-së

E hene, 26.10.2015, 02:22 PM


Nexhat Halimi


shënime të ushtarit të uçk-së


hëna mbi kullën e gjegj elez alisë digjet

një ndezullinë mijëvjeçare e shpërthyer në sy

hije plepash e malesh dhe rrjedha e ujit


asnjë udhë nuk të shpien jashtë vetes

asnjë udhë nuk të kthen kurrë më në vete

lehin qen qajnë fëmijë bien ecje kuturu

ja endriti i rri mbi fytyrë nënës së vdekur

ç`është me ty nënë i thotë je krejt e ngrirë

mbush grushtet gjak spërkat qiellin


vetëtima të ngrira kaq vjet gjarpërojnë

larg nga një dritare e mbetur hapur në kohë

dëgjohet një poezi dëgjohet një lirë

kush kënd e varros kush kënd  e qan


udhës bien zëra vijnë nga larg copa copa

përsëritet epika lirika pikat e gjakut  thika

e njëjta kolonë ajo e ikjes nga Toplica

molla e kuqe e mban ende në degë etjen

merr hov demi me brirë në breg e pëllet lopa

fusha me vare me gurë në krye çallma

 a është e shurdhër apo e vdekur evropa



rrëfim I


e shikoja në sy mjegullës nga afrohej

humbja vetëdijen pa qenë fare më vetja

më digjte një zjarr i panjohur

pëshpëritja e nuk kuptoja çfarë


flisja diçka përçart e ai shkelte krëndet

afrohej të hynte në vrasjen time


më kujtoheshe ti me shtambë në dorë

në këmishë liri nga zbrisje për në krua

kaq etje ndieja krejt robëruar në flakë

më dridhej kurmi zemra duart gishtat


prisja  i hutuar me sy në shënjestër

më shpërfaqej kurmi i gjakosur i gjyshit

duart fytyra shpirti i vdekur i babait

 

të shkrepja  apo jo të vrisja a të vritesha

ai afrohej me kufje përtypte çamçakëz

mbylla sytë e tërhoqa këmbëzën e ftohtë



rrëfim II


shkrepa e ai ra pa frymë mbi vete në tokë

dëgjohej shurdhër vetëm gërhitje e muzikës

       ko to kaže ko to laze


më shpoi dhembje e ashpër mbi gji

ktheva fytyrën nga qielli e kërkoja zotin

pika shiu binin në mua e më ndiznin


shikoja duart dridhesha s` besoja në asgjë

e ti a do të mund të më besosh më

a do të mund ta duash vrasësin zemër


ai ecte mbi gjethe afrohej të marrë çdo gjë

lundrimin t`ia vriste patës me zogjtë  në lumë

e unë e ndala e godita mes dy sysh

e unë përpëlitesha në vete villja veten


ti s`je vrasësi dëgjoja një zë të brendshëm

s`je vrasësi përsëritej me jehonë i njëjti zë



sillem dhe digjem


vrasësi është ai nga pidhi i së ëmës i shfaqur

ta kafshojë mollën e kuqe të besimit në gem

ta rrëzojë nga qielli i ëndrrës yllin e vjetër agon


vinte të merrte çdo gjë nga yrti yt

të merrte çdo gjë nga gjaku yt nga zjarri yt

ti nuk je vrasësi në asnjë mënyrë s`je

ti mbroje cicën dhe pikën e qumështit


më zgjohej e kumbonte për brigje të zemrës

një zë i brendshëm shqisa e gjashtë

sillem rreth vetes në majë të gjilpërës

sillem dhe digjem dhe fluturoj mbi toplicë

           

mblidhja një e një kafkat e çara nga vetëtimat

në zgavrat e syve të tyre mblidhja bozhuret e gjakut

dritën e tim et dhe të tim gjysh

nga lundrojnë lumit në varkë të letrës


a do të arrijnë ta shkruajnë atë që ra



torba e paramilitarit serb


shkrepa e ai ra pa frymë mbi vete në tokë

luftëtari vrasësi serb me kufje në veshë

iu çel torba e ujitur me gjak të lashtë ilir

mbi gur ranë veshë sy gishta ra shpirt i prerë


të zgjohen thirrje klithje gjëmë nga torba


ndihmë ndihmë ndihmë pse më vret

pse shtien në fëmijë pse s`më vret mua

binin nga qielli në flakë zëra pa vete

lehje qensh thirrje klithje e vetëtima

zgjonin gjëmë trishtimi nga veshët  e prerë

zgjonin pamje tmerri nga sytë e nxjerrë

nga gishtat e lidhur në krahoshët rreth qafës

të vishej me trimëri në të kther në naissus  

 

e zoti nuk shfaqej e zoti nuk bëzante dot

kot vdisja kot klithja në toplicë e në gjithësi


shkrepa e ai ra pa frymë vetes në mistikë



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx