Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Leximi i lumturisë që nuk ekziston...!
E enjte, 29.10.2015, 10:08 PM
Sh p ë r p u th j e
Sejdi BERISHA:
PUSHIMI NË DHOMËN TIME, OSE LEXIMI I LUMTURISË QË NUK EKZISTON...!
Kujtojeni se sa vështirë është kur e harron vetveten në momentet më të nevojshme, atëherë kur i nevojitesh fjalës sate, dritës dhe zjarrit, heshtjes dhe zërit. Kështu, të ikën edhe ai treni, ai treni i trenave. Pastaj, ngelesh pranë binarëve duke ngarë mendjen pas trenit, duke folur me binarë të cilët nuk flasin! Kurse, duke pritur fjalën e tyre, dielli e pritja të përcëllojnë e të kallin...!
_____
1.
Historia shkruhet lara-lara, dhe nëse ndonjëherë shëtisim nëpër periudha duket se gjërat duhet përbiruar nëpër birë të gjilpërës. Andaj, sikur gjithçka shpjegohet dhe del me mangësi, që duket material interesant për ndonjë roman i cili nuk është shkruar ndonjëherë më parë. Kështu pra, jeta ikën duke na i vënë rreckat e ditëve, që janë aq të pamëshirshme por edhe aq të ëmbla e të mbarësuara me dhembjen, mësimin e pësimin, dhe kështu sikur ngelim kurrë pa u mbushur mend...!
Disa ditë kisha qëndruar në Rugovë dhe shumë dëshirova të kënaqëm e mburrem me bukuritë dhe historinë e kësaj treve. Ka se çfarë të flet njeriu për këtë anë, edhe për të djeshmen edhe për të sotmen e saj. Por, ec e nise llafin për këtë temë kur e di se i frikësohesh fundit, i cili, thonë se asnjëherë nuk ka qenë i sigurt dhe as nuk është.
Duke kaluar si shpejtas nëpër kronologjinë e Rugovës, tash fundi del se sikur nuk je as me shehër as me Barilevë. Kësisoj, e kaluara dhe tashmja dot nuk e përqafojnë njëra-tjetrën. Më kujtohen shumë emra të trimave, të mendimtarëve, të atdhetarëve dhe të intelektualëve, por edhe emrat e shumë e shumë të tjerëve! Kur i kujton të gjitha këto, rruga që përshkon këto vise, të duket edhe e shkurtër edhe shumë, shumë e gjatë. Edhe këto figura, dot nuk koordinohen dhe se rrjedhat thuaj se marrin formën e bukës kulaçe të thërrmuar dhe të plasaritur...! E ngulita shikimin tek një shkëmb, Guri i Vashës, i thonë. Në këtë rast, nuk desha të mendoj gjë tjetër pos dashurisë. Megjithatë, nuk zë vend as kjo. Para vetes shoh shumë shkëmbinj të tjerë, rrasa guri, pisha e pishnaja, të cilat më bëhet se pëlcasin nga marazi për historinë që kanë dhe, sikur dridhen për historinë që do ta kenë.
Tërë kjo i ngjanë atyre faqeve të historisë, të cilat kur i lexon, të ngacmojnë mbase edhe ta detyrojnë ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin, gjëra këto që ende i kemi me grat. Këtu ndalem, dhe dëshiroj t’i vë detyrë edhe unë lexuesit për vazhdimin e komentimit, të mburrjes dhe të qortimit...
Si për së kthjellëti, sërish, atëherë kisha dëgjuar emrin e fshatit shumë të përfolur e në gazep me vetveten e me historinë, të cilit po i rrezikohej nga shlyerja mu sikurse kanë pasur fatin edhe shumë e shumë fshatra të tjera nëpër epoka. Fati i fshatrave tona?! Pra, ky është Kroi i Vitakut tek Mitrovica. Pse hezitohet dhe aq e padrejtë u bëhet këtyre banorëve, të cilët dëshirojnë dhe këmbëngulin për tu kthyer e për të jetuar në vatrat e veta. Në vendlindjen e stërgjyshërve, të gjyshërve dhe të baballarëve të tyre. Aty duan t’i ngritin dhe t’i rindërtojnë foletë e ngrohta të tyre. Po, pse kaq shumë heshtin të gjithë, edhe ata që survejojnë situatën. Shumë e padrejtë, more Kroi i Vitakut, por që kështu po të rritet gjithnjë e më shumë nami, po të shtohet dashuria. Damarët e jetës po të qarkullojnë gjithnjë e më vrullshëm.
Po, çfarë është kjo paralele në mes Rugovës dhe Kroit të Vitakut?! Sa pa lidhje...! Duke zbritur nga Guri i Kuq, prej nga i kisha soditur të gjitha ato bukuri që thurnin kurorë mahnitëse malesh, e që Rugovën dhe Kosovën prej atje i kisha si në shuplakë dore, hasa njërin i cili ngjitej shpatit me gomarin të cilin e kishte ngarkuar ding me barrë. Gjatë e shikova, derisa ky njeri më tha:
-Çfarë shikon,... a nuk ke parë asnjëherë gomar me sy, a?!
U nemita. Nuk e dija se a mos po mendonte se e shikoja këtë njeri që ishte me rroba të vjetra dhe i parruar, apo për gomarin, këtë kafshë shumë fisnike.
-Gomar, hesapi! -më tha dhe ia dredhi thupër bythëve gomarit, të cilit edhe qimet e lëkurës i kishin rënë pahijshëm...
2.
Duke shkruar, në notes mu kishin ngatërruar disa shënime, të cilat i kisha ruajtur muaj më parë për drogën, për pozitën sociale, për shkallën e arsimimit. Këto shënime, thuaja se kërkojnë me lutjen më të madhe për t’i inkorporuar në këtë shkrim hidhërak. Meditimi, tani ma kishte rritur dilemën. Por, pronari i kamp shtëpisë, ku isha ato ditë duke “pushuar”, më kishte vërejtur duke shkruar dhe nga larg më tha si në mahi:
-Zotëri shkrimtar, çdo inspirim që ju vjen derisa jeni këtu, do ta “paguani”!
Ktheva kokën kah ai dhe vetëm buzëqesha:
-Ke të drejtë! -i thash duke shtuar: ndoshta duhet paguar edhe për këtë, a?! Nuk është lehtë të begatohesh me inspirim, me këtë dhuratë të përgjegjshme e cila nganjëherë i ngjanë si ndonjë zonje të rëndë!
Prapë më erdhi një gaz, dhe vetvetiu buzëqesha...!
3.
Njeriu, gjithnjë, bile që nga fëmijëria, mendon dhe lufton për të qenë i lumtur, por, gjatë rrugëtimit, ai përthuret në shumë gjëra të cilat nuk sjellin gjithherë gëzim, por më shumë janë hidhërim. E po, ky hidhërim me vete sjell aq begati e rehati shpirti, sa që, sikur kurrë nuk mund të ndahesh me dëshirë nga ai.
Sillesh rrotull e rrotull me mendjen e trurin, sa që, nganjëherë ke dëshirë të “divorcohesh” me të gjithat. Sepse, punët nuk ecën gjithnjë ashtu siç mendon njeriu. Mu kujtua tani, pa lidhje, ai djaloshi, çunaku i cili në krah mbante çantën që sapo e kishte blerë, e bashkë me te edhe një “qerre” libra e fletore. Ishte i gëzuar dhe nuk e hetonte peshën e kësaj çante, e cila më vonë do t’i sjellë edhe telashe edhe lumturi. Mu aty, pa bërë shumë hapa, e takoi shokun e vet duarthatë, i cili për një kohë nuk ia ndau shikimin, por, dikur sikur nuk i pordhi asaj moshës së vet të vogël dhe iku duke bërë lakadredha deri në shkollë. Në bankë ishte ulur si i lëçitur. Por, kjo nuk ka lidhje me këtë shkrim dhe as me jetën! Po e lë këtë çunak ashtu siç është, dhe shkrimi le të mbetët i “mangët” për rrjedhat e mëtejme...!
Mirëpo, pas disa kohesh e pashë këtë çunakun e dytë. Edhe ai tani kishte çantë e libra. Nuk u durova pa e pyetur se si i shkojnë punët.
-Muzikën e kam në qejf! -më tha me thellësi lazdrimi dhe vazhdoi për të më rrëfyer për këngët që i këndon, e të cilat, ma thotë mendja se janë plotë e përplot lëngë jete.
-E dua shumë violinën, xhaxhi. Sepse, ka fuqi prej shpirti e Zoti...!
U rrëqetha dhe e ndala për të biseduar edhe pakëz me te. Më dukej se etja e syve të tij më jepte fuqi dhe freski. Po ashtu, ma shuante edhe një lloj etje timen të pakuptimtë! Sërish iku duke më thënë:
-Futja, more...
Po,... sa pa lidhje mu imponua provokimi për vlerësim dhe dashuria për tu miqësuar me këtë stërc të jetës. Gjithnjë, nga vetvetja, nga brendia më dilnin disa mendime me rrënjën, sythin dhe me kurorën e qortimit! Kjo, kur kapërthuret me jetën, atëherë, mësohesh mu si njeriu kur njëherë vranë ndërgjegjen, atëherë, nuk është e vështirë që këtë ta bëjë shpeshherë apo gjithnjë.
Tash, ec e ndali mendimet. Në këtë vorbull, sikur krijohet apo themelohet shkalla e lartë e miqësisë, e cila i ngjanë edhe vetisë së mirë, por edhe naivitetit. Në këtë kontekst, njeriu, nga mllefi, shpeshherë, më të afërt mund t’i ketë të vdekurit se sa të gjallët... Ose, tjetra. Gjithnjë, këto mendime si therca, si alegori për ta begatuar mendimin e lexuesit: a mjafton të jesh vetëm një çast i lumtur, ose, së paku këtë ta ëndërrosh?! Kështu, tërë koha të kalon me këtë shpresë katile, dhe vetëm kur e sheh fundin, njeriu i frikësohet vdekjes,... Por, njëri pat thënë:
-Po..., njeriu frikësohet më së shumti vetëm atëherë kur i “afrohet” vdekja! Pa lidhje është ky mendim, a?
Vërtetë, sa pa lidhje. Njeriu, kurrë nuk mbushet mend. Kështu shkon jeta duke na vënë apo duke na i shtuar rreckat e ditëve, javëve, muajve e të viteve që kalojnë...! Por, gjatë tërë kësaj kohe, sa mijëra e mijëra njerëz bëhen të lumtur vetëm me ëndrra e me shikim, të cilat u krijojnë e u trillojnë madhështi. Të cilat, nganjëherë duken edhe si piktura llahtarie. Por, nëse mirë e mirë e kuptojnë labirintin dhe nebulozën e jetës (e, ju mos mendoni se është kështu), le të janë këtu e kudo qoftë në “parajsën” e kurbetit, ata, nga malli, inati dhe zhgënjimi, nëse janë gjallë, do të vijnë për të hyrë në derën e atdheut, do t’i marrin gjërat e veta nëse kanë, dhe plotë mall e hidhërim do të thonë:
-Lamtumirë. Tash, duhet të shkojmë!
Kjo punë, ose ky veprim, është bërë e do të bëhet ndoshta edhe mijëra herë në vjeshtën e thellë, atëherë kur gjethet i tradhtojnë lisat dhe pemët, apo, nuk dihet se kush kënd e tradhton...! Pas tërë kësaj, mu kujtua monologu i atij çunakut që e adhuronte violinën, i cili, edhe ai sikur e ngushëllonte vetveten:
-Violinë! Lute Zotin që në Ty të luaj vetëm unë që di,... vetëm unë që e dua këngën,... vetëm unë që e njoh dhe e ndjej flakën e shpirtit tënd!
Sërish ngela i nemitur. Po, po. I nemitur...!
4.
Në dhomë vetëm dhe vetëm e me shkrimet, me mendimin, lapsin dhe me letrat e mia. Pasi shikimi shëtiti rreth e rrotull dhomës, mendja më tha se gjërat e përthurura, dikur të duken se janë sukses dhe punë. Sepse, me to pedatesh duke vrarë mendjen e duke gjykuar të kaluarën për të pasur kujdes për të tashmen,... edhe për të nesërmen! Ndalem, dhe sërish shikoj me siklet e ironi plot. Tani, në dhomën time gjërat duken të radhitura ashtu si dikur shumë më përpara. Ashtu, siç i kishin radhitur babai dhe nëna ime,... Kështu, edhe po më kthehet ajo kënaqësia, e cila më ka humbur, atë të cilën për shumë kohë nuk e kisha pranë dhe as përbrenda zemrës.
Në këtë atmosferë, përpiqem të lexoj diçka që nuk ekziston, apo, diçka për të cilën kurrë nuk më është dhënë mundësia ta them mendimin! Por, atë diçka nuk e kam pranë për të biseduar rrast e rrast për atë karakterin e errët, përmes të cilit kanë kaluar dhembjet dhe askush nuk i ka hetuar duke kalëruar përmes tij djajtë me maska dielli...! Kështu pra, ai çmimi i rrugëtimit ka ikur, apo e kanë vjedhur për të bërë karrierë rrenash e pafytyrësish.
Tani,... letra është e pastër, dua të them, është pa asnjë shkronjë, pa asnjë numër. Të gjitha i kanë shlyer. Tash, në te, si gjithmonë, mund të shkruash gjithçka. Unë nuk jam ai që dëshiroj të shkruaj gjithçka dhe asgjë, edhe pse, jeta i ngjanë asaj: vallëzo derisa ke mundësi,... vallëzo derisa nuk plasë! Por, ndoshta nuk ia qëlloj. Për këtë, duhet mësuar mirë këngën dhe melodinë e valsit. Sepse, në vals edhe të kthjellohet edhe të turbullohet mendja! Aty, fshihet ajo vlera e hapave të jetës, kjo dramë aq e vjetër, e cila si përmbajtje ka diçka si rrjedhë lumi... Për këtë arsye, nganjëherë më vjen mendimi për kthimin mbrapsht të lumturisë pa i komentuar dallaveret që edhe sot bëjnë mjegull e tym me fjalët e fshehura, me ngjarjet kurrë të zbardhura.
Andaj, kujtojeni se sa vështirë është kur e harron vetveten në momentet më të nevojshme, atëherë kur i nevojitesh fjalës sate, dritës dhe zjarrit, heshtjes dhe zërit. Kështu, të ikën edhe ai treni, ai treni i trenave. Ama bash ai treni i të gjithave. Pastaj, ngelesh pranë binarëve duke ngarë mendjen pas trenit, duke folur me binarë të cilët nuk flasin! Kurse, duke pritur fjalën e tyre, dielli e pritja të përcëllojnë e të kallin...!
Pastaj, duke qenë i pafuqishëm për të bërë diçka, ia kthen shpinën binarëve, por këmbët të tradhtojnë. Prapa teje të pret një karrocë e drunjtë, e cila i takon muzeut të muzeve. Me te kthehesh. Por se, ku?! Nuk e di dot dhe kurrë! Atëherë, edhe emri më shqetëson! Sepse, e kam friken se edhe vetë do ta harroj, dhe kështu do të më përzihen dhe ngatërrohen defterët edhe ashtu të shkruar gjithmonë me gabime...! Sa pa lidhje, mu në këtë moment, në këtë shkrim mu fut si vrimë apo pikë e zezë, “Enciklopedia” e Maqedonisë! Si komentim i kësaj, le të jetë mendimi sipër kësaj fjalie...
5.
Tash, edhe diçka. Para do vitësh, në stinë vere, ju kujtohet, në kryeqytet u dogj hoteli “Union”, i ndërtuar këtu e para nëntëdhjetë vitesh. Nuk dua, por as ju mos e komentoni as historinë, as rëndësinë e vlerave arkitekturale, as peshën e simbolizimit dhe të identifikimit të vlerave urbanistike. E di se lashtësia e forcon të sotmen por edhe të nesërmen.
Edhe pak dhe fund. Një mik imi, duke kaluar përbri lumit, i cili e përshkon me krenari qytetin, më përshëndeti dhe si në shaka më tha:
-E sheh atje poshtë, në shtratin e lumit si e kanë hedhur një pako me lëngje me mbishkrimin e firmës “Tango”?! Në paqetat e këtyre lëngjeve mund të gjenden fitime-dhurata nga më të thjeshtat e deri tek vetura...
Dikush në kalim e dëgjoi këtë bisedë tonën dhe sa ora zbriti në lumë. E hapi pakon me shpresë se do t’i buzëqeshte fati. Por, vetëm sa e ndoti edhe më shumë lumin duke i shkapërderdhur paqetat e lëngje. Nuk do koment kjo për shpërblimet dhe ndotjen. Të dyja t’i fusim në pakon e ndërgjegjes!
Dua të them se e kuptoj rrjedhën e lumit, por të jetës, jo si të lumit... E, Ju... nuk e di...!