Mendime
Afrim Caka: Kosova, në të cilën jetojmë
E hene, 19.10.2015, 05:48 PM
KOSOVA, NË TË CILËN JETOJMË
Nga Afrim Caka
Të më falesh Kosovë nga varfëria e fjaleve te mija, janë më të vogla ndaj madhështisë së rilindasëve tanë...
Shqetësimi për Kosovën ndihej më fort se kudo, me plot moskuptime që ngrihet midis politkes servile dhe popullit tim. Pamja e korrupsionit dhe e varfërisë së skajshme eshte e padurueshme. Egërsi feudalësh shqiptarë që i binin mespërmes Kosovës, në marshimet e tyre të çoroditura.
Dukej se ora e ligë kishte rënë për kombin shqiptar, të një vendi tragjik e me kulturë të lashtë. Vendi ndodhej në prag të katastrofës. Parandiej një roberi e një zi e re, e cila nuk vonoi të pllakoste disa muaj pas nënshkrimit të demarkocionit me Malin e Zi dhe Maqedonin.
Si është e mundeshme kjo?
Në shtetin tonë do të tërboheshin forcat e së keqes. Njeriu është i pandershëm, mirëpo shteti i jep pushtet e lek. Në vend që ta bëjë atë shërbëtor të popullit, ai i bën këta njerëz zotër të vendit e të drejtësisë. Kryeministrat dhe presidentët duhet të jenë në këtë pozicion. Atyre duhet paguar, sepse ata i shërbejnë vendit, por ata nuk duhet të shndërrohen në një farë pushtuesi, sikur vendi t’u përkiste atyre dhe ata të ishin zotërit e tij. Këtyre njerëzve duhet hequr kjo mundësi. Pushteti i bën shumë pushtetarë të pangopur, lakmitarë, ata janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë, vetëm që të kenë pushtet, kërbaç e topuz. Për hir të pushtetit ata janë gati të shesin shtetin dhe shpirtrat e tyre.
Kjo na qenka gënjeshtër! Që shteti na qenka populli. Dhe ja se çfarë gënjeshtre rrëshqet nga goja e tij: “Unë jam shteti dhe forca, unë jam ky popull!”. Shteti nuk është popull. Shteti është vetëm shërbëtor i popullit dhe ai duhet të veprojë si shërbëtor i popullit.
Meqenëse çdo shqiptar nuk duhet t’i përshtatet realitetit egër që e rrethon atë, psikika e tij duhet të jetë në gjendje të përceptojë situatën e krijuar. Duhet të luftohet korrupcioni, varfëria e skajshme dhe politika e përuljes përballë armikut.
Pasi jemi bërë të vetëdijshëm për këtë, kemi arriturë kështu një shkallë të caktuar pjekurie politike për të parashikuar sjelljet dhe për t’i kuptuar qëllimet e armikut. Qëllimi ynë jetësor dhe qëndrimi i përgjegjshëm ndaj atdheut është të arrijmë atë gjendje të ekuilibruar, kur mposhtet ndjenja e inferioritetit karshi armiqve dhe dëmi i shkaktuar nga mungesa e guximit dhe e përgjegjësisë zëvendësohet me ndjenjën e përkushtimit atdhetar, që arrijmë lirinë e plotë të shprehjes dhe të kalojmë në ndërtimin e shtetit funksional dhe të demokracisë parlamentare e institucionale.
Për ironi të fatit, pikrisht në kohën kur këta qeveritar e ndien veten e tyre në buzë të greminës, shumë njerëz thonë: lum ata, që janë aq të njohur, sa diktatura s’ka ç’i bën as drejtësia. Ka në këtë gjykim edhe smirë, edhe qortim. Smirë për statusin e tyre të veçantë, qortim se me atë status këta mund të bënjnë diçka më tepër për kombin e vet.
Përpara se ta fillojnë detyrën e tyre, presidentët, kryeministrat dhe ministrat, zakonisht e bëjnë betimin, pra të gjithë duhet të betohen se do të luftojnë për të vërtetën dhe se do ta mbrojnë tërësinë tokësore të atdheut. Por ndër ne thuajse është e pamundur të gjesh një politikan, i cili nuk gënjen. Natyrisht, ata gënjejnë duke i dhënë fytyrës të tilla pamje sikur thonë njëmend të vërtetën. Por ata harrojnë se gënjeshtrën është e pamundur ta fshehësh përjetësisht. Herët a vonë, ajo zbulohet. Moti është thënë se rrena i ka këmbët e shkurtëra.
Njëmendësia që kemi para vetes përbëhet prej atyre që kurrë s’kanë krijuar asgjë, por vetëm kanë shkatërruar, përbëhet nga emra zagarësh dhe sahanlëpirësish të pacipë. Mjerisht, këta përfaqësojnë sot popullin shqiptar të Kosovës. Dhe kur? Në momentin më delikat të ekzistencës kombëtare, kur është rrezikuar palca e kombit dhe tërësia tokësore e atdheut. Nga qëndrimi dhe ndershmëria e tyre, bashkë me fatin e Kosovës, varen jetë të tëra njerëzish, shqiptarësh të shumëvuajtur, varet fati dhe mbrojtja e kufijve tanë. Në këto çaste kaq kritike, populli s’duhet të rrijë duarkryq. Me fjalë të tjera, të ndërhyjë për të paralizuar së paku budallanjëtë çmitizuesit e atdheut, mbi të cilën, ndoshta, do të heqin dorë nga udha antikombëtare. Ajo që më trishton më shumë është se shenjat e kësaj sëmundjeje vihen re kudo në Kosovë.
Shqiptarët nuk dalin dot nga kurthi ku janë futur. Kosova apo merr fund! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbimin e dhe vdekjen e Kosovës. Ju jeni aty për lirinë, pra, për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj.
Me shpresën se do të më kuptoni drejt.