Mendime
Shahu: Dashnoret, gardianët dhe Ismail Morina
E premte, 16.10.2015, 09:41 AM
DASHNORET, GARDIANËT E LIGJIT DHE ISMAIL MORINA
NGA REXHEP SHAHU
Historia e Ismail Morinës, e djalit kuksian që ngriti flamurin e tij në të cilin shkruhej Autoktonë, në qiellin e stadiumit të Beogradit para një viti dhe që hyri në histori si askush deri sot për bëmën e tij, hyri në histori si askush deri sot dhe nuk mund t'ia zërë vendin askush, kurrë sepse akush kurrë s'do të ketë rast ta bëjë atë që bëri ai, dhe edhe po e bënë, do të jetë kopje e bëmës së tij, që e quajtën edhe Ballist Morina, ka trazuar shumkënd sidomos tani që e panë kalorës të pambrritshëm në historinë tonë, në historinë e ndeshjeve e përplasjeve shqiptaro-serbe, në historinë e fitoreve e humbjeve, të urrjetjeve e dashurive shqiptaro-serbe.
Duhet të ndalemi dhe të mos bëhemi qesharakë, të mos e urrejmë Ismail Morinën sepse ai tashmë është i pacënueshem në lavdinë dhe famën e tij, thjeshtë është i pambrritshëm.
Nuk kemi ç'ti bëjmë, është bërë shumë i famshëm. Pa dashjen dhe lejen tonë.
Aq i famshëm sa pesha e famës po e përkul, po e kërrus.
Por ai edhe pse ka famë me tepri, nuk i jep dot ndonjë copë famë askujt, asnjë copë famë nuk ia jep dot askujt edhe pse ai, jam i bindur, don ta heqë qafe famën e tij.
Sepse ai vetem për famë nuk ka punuar. Famën po ia vjelin të tjerët për interesa të tyre.
Fama e bëma e tij janë diçka tjetër dhe arrestimi i tij për armëmbajtje pa leje është diçka tjetër.
Gjykojeni, dënojeni, po deshet edhe me 50 vjet burg dënojeni, por mos lëpini në famën e lavdinë e tij, mos ia përjargni famën dhe lavdinë e tij përsonale.
Ai s’ka asgjë tjetër veç famës së shqiptarit të thjeshtë që ua kujtoi gjithë shqiptarëve serbët, që ua kujtoi gjithë shqiptarëve shqiptarët e vrarë prej serbëve, që ua kujtoi gjithë serbëve të gjallë e të vdekur shqiptarët, që ua kujtoi serbëve masakrat, genocidin dhe shpërnguljet që kanë bërë ndaj shqiptarëve. Po, ua kujtoi të gjithve gjithçka. Dhe thjeshtë, me një veprim individual. I shtyrë dhe nxitur nga dashuria për vendin e tij.
Duke iu përgjigjë thirrjeve të varreve që ka në oborr të shtëpisë së tij në Shikaj të Kukësit. Thirrjeve të dy palë varreve, të varreve serbe në oborr të shtëpisë së tij të vrarë prej të parëve të tij duke u mbrojtë, dhe të varreve të të parëve të tij që u vranë prej serbëve pushtues, në oborr të shtëpisë së tij.
Por ju që bëni bla-bla-bla kundër Ismail Morinës nuk i dëgjoni ato thirrje varresh. Keni harruar të dëgjoni thirrjet e varreve të të parëve tuaj që serbët i vranë në oborre të shtëpive të tyre. Keni harruar të dëgjoni thirrjet e varreve dhe jeni mësuar me ikë prej varreve duke i lënë vetëm, duke i braktisë, duke i harrue.
Ismail Morina nuk ju spërkat dot me famën e tij. Asnjë burrë a grua, asnjë gazetar apo lexues, asnjë politikan apo votues ai nuk e spërkat dot me famën e lavdinë e tij, nuk u jep dot nga fama e tij.
Por as biografinë nuk ua prish Ismail Morina. Por as nuk ia prishni dot kurrë asnjëherë biografinë atij, çfarëdo që t’i bëni, çfarëdo që t’i ndodhë e kurdo që t’i ndodhë.
Mos u tutni, nuk ia prish biografinë askujt Ismail Morina. Ju siguroj se nuk ua prish biografinë. Por as nuk ua shton dozën e patriotizmit e të atdhedashurisë.
Ai nga njëra anë është hero. Nga ana tjetër ka shkelë ligjin.
Nuk e di kush dreqin e mësoi dhe nxiti të gjente armë, të mbante armë. Ai nuk e di se nuk e mbron arma. Ai nuk e di se arma vetëm e vret.
Por dikush nga "dashuria" e madhe për të e mësoi dhe nxiti të paisej me armë.
Tani duhet ta vuajë dënimin. Edhe me mllef po të dënohet, ai duhet ta vuajë dënimin.
Ai nuk duhet të kërkojë mëshirë sepse nuk i ka hije mëshira.
Atij nuk i ka hije t'i jetë mirënjohës askujt pse mund ta lirojnë apo lehtësojnë dënimin.
Une po shkruaj një monografi për të, siç është, unë nuk po e kuroj atë, as heroizmin e tij, as bëmën e tij, as veprën e tij.
Por ata që janë gardianë të zbatimit të ligjit, që vetëm me moralin nuk kanë lidhje, ata që janë dashnore(ë) të kallur të ligjit e të zbatimit të ligjit, duhet të jenë të tillë edhe në rastet kur baballarët e tyre kanë vjedhë 500 mijë euro, 800 mijë euro, 1.2 milionë euro, kanë vjedhë, kanë marrë apo janë deshmitarë dhe përfitues të përfitimeve të shumta të paligjshme të fondeve publike apo të granteve të dhuruara shtetit shqiptar e me këto para janë shkolluar e kanë shirë lëmë metropoleve të huaja, janë shkolluar universiteteve të huaja dhe nga paratë e shumta nëpër duar janë bindë se nënat e tyre nuk i kanë pjellë si të tjerët por i kanë nxjerrë nga sqetullat dhe për baballarë njohin vetëm portretet e figurave që janë stampuar në kartmonedha vendase e të huaja..
Dashnoret e gardianët duhet të jenë gjithmonë të tillë dhe jo të bëhën gardianë të ndershëm, të rregullt, vetëm në rastin e Ismail Morinës.
Nëse ndokujt i dhemb që Ismail Morina sfidoi serbët dhe patriotët e fjalëve, nëse ndokujt I vjen keq për stuhinë që krijoi Ismail Morina në qiejt serbë e shqiptarë dhe e quan atë budalla dhe nuk i dhimbset edhe po e vranë serbët, unë e ngushëlloj atë deledash kampion të internacionalizmit, interlekutor serbo-shqiptar, e ngushëlloj sepse Ismail Morina nuk pshurr dot famë për atë njeri që ta spërkasë me pika fame.
Unë jam kundër lëmoshave për Ismail Morinën, jam për zbatimin korrekt të ligjit ndaj tij.
Ai duhet të paguajë për atë që ka bërë. Heroi bën dhe paguan.
Ai mund të vinte kufomë nga Beogradi. Mund të shpallej kriminel internacional. Mund të shpallej prishësi i paqes e dashurisë shqiptaro-serbe, sjellësi i dimrit e prishësi i pranverës së shpikur e të shtirme shqiptaro-serbe. Mund të vinte në arkivol dhe mund të pritej i vdekur por hero.
Dhe do t’u mungonte, siç po ju mungon, vetem fëmijëve të tij, prindërve të tij. Do të harrohej si bora e parë, si bora e vjetme.
Por ai është gjallë. Është hero. Kacavirren shumë në lavdinë e tij. Ai nuk e di ende çfarë është. Dhe kjo është fatlume që ai nuk e di çfarë është. Ai nuk ka bërë atë që bëri për të qenë dikushi. Ai thjeshtë duhet të ketë kujtuar babanë e tij që i thërriste IsmailQemal dhe pasi ka ngritë flamurin në qiellin e Beogradit vetëm me babanë e tij ka folë pa zë, duket t’i këtë thënë e ngrita babë flamurin tim, nuk e turpërova emrin Ismail Qemal.
Po ta dijë se çfarë është e si e sa është, ai hesht krenar, nuk pranon lëpirje, nuk pranon mëshirë, nuk pranon falje sepse kështu do të mbetej peng i dikujt, do të përdorej e keqpërdorej nga dikush.
Keqpërdorimi që i bënë naivitetit të tij e çoi aty ku është në burg.
Herojtë përgjithësisht janë naivë. Naiviteti i bën të bukur.
Ismail Morina është hero i bukur.
Mos u përpiqni ta shëmtoni, ta pështyni e kafshoni duke dashtë me e puthë.
Mos hidhni gurë mbi të. Mos e gjykoni si armik të popullit e të partisë.
Gjanëm, bëni si të doni, gjykojeni si të doni dhe rëndë sa të doni, por ai edhe në burg, edhe në varr është hero.
Sepse ka bërë atë që as në ëndërr nuk e keni parë ju që e keqgjykoni, që e pështyni dhe lëpini.
Ka bërë atë që kurrë nuk do te keni rast e shans ta bëni ju që kujtoni se keni në dorë fatin e famën e tij.