Mendime
Delvina Kërluku: Universiteti i ri - sfidë apo sihariq?
E marte, 13.10.2015, 06:20 PM
Universiteti
i ri - sfidë apo sihariq?
Nga Delvina KËRLUKU
Historia e shkollimit shqip në këto troje zanafillën e saj e ka përtej Rilindjes shqiptare. Kërkesat e shqiptarëve për këtë qëllim u intensifikuan kur në parlamentin osman, si deputet të qyteteve tona, ishin Dervish Hima, Ibrahim Temo etj. Përpjekjet e tyre jo gjithmonë u kurorëzuan me sukses. Këto aspirata vazhduan të jenë në fokusin e interesimit edhe pas shpalljes së pavarësisë të shtetit shqiptar. Siç na mëson historia e arsimit shqip, shkollat e para në gjuhën amtare në qytetet shqiptare të Maqedonisë së sotme u hapën pas dëbimit serb dhe funksionimit të administratës italo-shqiptare. Kjo s'do të thotë që ndonjë shkollë e ulët nuk ka funksionuar edhe gjatë okupimit osman. Dihet që zgjerim më të madh ky arsim shënoi pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë mungesën e universitetit në gjuhën e tyre shqiptarët e vuajtën gjatë kohë.
Universiteti i parë shqiptar në Maqedoni u themelua në vitin 1994, tre vjet pas shpalljes së mëvetësisë të kësaj republike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ku ajo ishte një nga gjashtë republikat e federatës. Unë atëbotë isha një çupëlinë e vogël, që me nëntë vjetët e mia, nuk kuptoja shumëçka nga kjo ngjarje e madhe që po ndodhte në shoqërinë shqiptare këtu. Më kujtohet si sot se për këtë temë flitej kudo, pra edhe nëpër familjet tona. Veçmas, në ato intelektuale.
Nuk më hiqet mendsh portreti i babait tim: i mendueshëm, i mërzitur, pa ndonjë disponim. Shfletonte ca fatura, bile disa herë. E merrte lapsin dhe fletën e bardhë, duke bërë llogari që nuk dilnin. Pastaj e thërriste nënën time pranë, me të cilën ndante çdo çast ngushtice (natyrisht edhe gëzimi), duke shpresuar se, prania e saj do ta zgjidhte problemin. E dëgjoja edhe nënën, e cila me zërin e saj të ulët, por vendimtar, i jepte zemër babait, duke i thënë: Besnik, një kilogram mish më pak, nuk do ta ndjejmë aq, por një lek më tepër për Universitetin në këtë çast, do të thotë shumë. Me këtë logjikë dhe arsyetim vepronte shumica e popullit tonë. Dhe tempullin e bënë, e mbrojtën dhe e mbajtën gjallë. Dëgjonim si nëpër mjegull edhe emra mërgimtarësh, atdhetarë të devotshëm, qofshin ata nga qytetet tona, apo ndonjë qytet tjetër shqiptar, siç ishte emri i një Nazari nga Amerika me prejardhje prespane, i cili paskësh shkrirë miliona dollarë. Këtë emër e dëgjuam edhe me rastin e situatave që përjetonte Kosova, por edhe më 2001 këtu. Por, siç isha duke rrëfyer për situatën e familjes sime, situatë e ngjashme në shumë familje shqiptare, faturat ishin të taksave dhe tatimeve, kamatave kredish për shtëpinë, etj. I linte grumbull, dhe dilte për një hov. Kthehej e i rishfletonte. Pastaj i radhiste dhe i fuste në një çantë të madhe.
Të vërtetën e zbulova vite më vonë, kur im atë ndërroi jetë dhe çantën ma kish lënë amanet. Kur u rrita sa të kuptoja peshën dhe rëndësinë e amanetit, nisa t'i shfletojë shkresurinat në çantën e babait. Kishte aty edhe fletëpagesa taksash e tatimesh, kishte edhe shkrime artistike me temë atdhedashurie, por kishte edhe dëftesa pagesash për Universitetin e Tetovës. Siç na tregon nëna tani, im atë brengosej se mos vallë kontributi i tij për tempullin tonë të parë të dijes, është i pakët. Por aq kanë qenë mundësitë e tij, duke mbajtur familje me shkollim fëmijësh e duke paguar kredi të ndryshme, si shumica e bashkëqytetarëve të tij. Ai kishte frikë se mos koritet, që thonë kosovarët, apo mos i merret fytyra. Brezi i tij kishte vuajtur shumë, prandaj dëshironte që fëmijët e tij të kenë mundësi të shkollohen në universitetin e tyre shqiptar, për të cilin ishin bërë kaq shumë sakrifica prej të gjithë popullit.
Pak a shumë më kujtohen edhe skenat e protestave, qoftë në qytetin tim, qoftë nëpër qytetet tjera shqiptare, kur individë e grupe të vogla e të mëdha protestonin, duke valëvitur flamurin kombëtar. Edhe pse të vegjël, kaq gjë kuptonim, ose kërkonim shpjegime prej prindërve tanë, në sytë e të cilëve jo rrallë herë shihnim edhe rrokullisjen e lotit. Përhapej si valët e detit parulla e rektorit të parë, Fadil Sulejmanit që e përsëriste shpesh: Ne luftojmë për laps. Ai na duhet ne, jo pushka! Jo dhuna. Ne kemi zgjedhur rrugën e arsimit!
Kështu flisnin edhe udhëheqësit e partive tona Nevzat Halili e Arbën Xhaferi, por shumica e deputetëve dhe intelektualëve shqiptarë. Do bënim padrejtësi nëse nuk do ta përmendnim edhe kontributin e mjeteve të informimit në gjuhën shqipe. Me një fjalë: me Universitetin ishte i tërë populli ynë. Kishte ndonjë dilemë rreth selisë së tij, nëse duhet të ishte Shkupi apo Tetova. Unë me këtë rast nuk do marr rolin e arbitrit... S'kam takat për ty gjykuar çështjen. Ma thotë mendja se vendimin e kanë marrë politikanët tetovarë, duke u treguar patriotë lokalë. Por, historia na vjen pas, thotë një këngë për Ismail Qemalin.
Kohëve të fundit, po merr hov një propozim për themelimin e një universiteti në gjuhën shqipe me seli në kryeqytet - Shkup. Prononcimet janë pro e kundër. Disa thonë është më se i nevojshëm, që Shkupi bile është i vonuar me këtë kërkesë, e një palë tjetër, mbrojnë qëndrimin se i kemi dy në Tetovë. O Zot! Ç'na dëgjojnë veshët: universitetet qenkan të tepërt! Fjala popullore thotë: ku hapet një shkollë, mbyllet një burg! Atëherë, sa burgje do të mbylleshin, kur do hapej një universitet?! Unë pajtohem me një palë njerëzish, të cilët frikësohen se ky i riu, mund ta dëmtojë (po qe puna me hile) këtë të vjetrin. Pema e tharë, thotë populli, duhet të pritet. Por, kjo thënie nuk i përgjigjet USHT - së. Ai gjelbëron dhe jep fruta. Është e vërtetë se ka edhe ndonjë degë të shtrembër, por ato degë, me kohë, mund të krasiten. Fjala është se në USHT ka partizim të tepërt, ka kuadro jo aq të afta, ka korrupsion, ka edhe shkelje ligjesh, normash e rregullash... Por, nuk dua t'i arsyetoj, këto nga këto sëmundje, pak a shumë vuajnë edhe institucione dhe ente të tjera në këtë vend.
Me pak vullnet, edhe këtu mund të sundojë rendi dhe ligji. Për një degë të vyshkur, nuk do presim pemën e gjelbër. Jo. Se Shkupit i duhet një universitet (i mirëfilltë), kjo nuk diskutohet. Shkupjanët kanë nevojë të madhe për t'u arsimuar, se po mbeten të fundit krahasuar me të arsimuar për kokë banori në Republikë. Pata fatin dhe privilegjin që angazhohem si pedagoge e jashtme në degët e shpërndara në Shkup të USHT-së. Unë kam mbetur shumë e kënaqur me interesimin aq të madh e serioz të studentëve kreyqytetas. Ishin të vetëdijshëm se popullata përparimin e pret nga bijtë e vet.
Të përfundoj, përsëri, me një fjalë të urtë: Hap pus të ri, por mos pështy (në këtë rast, mos e mbyll) te i vjetri.