Mendime
Gëzim Hoxha: Epilogu i një ndeshje…
E premte, 09.10.2015, 04:20 PM
Epilogu i një ndeshje…
Nga Gëzim Hoxha
Në stadiumin e improvizuar nga bashkia e Fierit isha edhe unë. E pashë ndeshjen dhe m’a deshi zemra të fitonim. Unë nuk jam specialist futbolli dhe nuk do të merrem me analizën e kësaj ndeshje, por ama si një nga tifozët e shumtë në numër do të thosha se kjo ishte për mendimin tim ndeshja më e keqe e luajtur për këto eleminatore.
Kaq për ndeshjen, se nuk di ç’të them dhe në një farë mënyre bëmë mirë që e humbëm këtë ndeshje, sepse ne treguam respekt për kundërshtarët dhe ditëm t’a përballonimin peshën e saj. E pra të gjithë e mbajmë mend se çfarë ndodhi në Beograd para një viti. Ajo mund të quhej gjithçka, vetëm ndeshje futbolli nuk e kishte emrin. Ndërsa tek ne, në Elbasan Arena, ishte një tablo krejt tjetër. Nuk dua t’ia humbas punën qeverisë dhe forcave të rendit në veçanti, por ajo që bëri policia nuk kishte shumë ndryshim nga masat e sigurisë në Beograd para një viti. Por atje edhe policët hynë në stadium dhe i goditën lojtarët tanë se mbrojtën flamurin jo më tifozët serbë që u derdhën në stadium dhe filluan t’i rrihnin ata.
Tani që fituan çfarë i mbetet të bëjë kryeministrit serb që u kap pas një guri të hedhur nga një adoleshent, që me shumë gjasa as që mund t’a dinte fare se në këtë autobuz udhëtonin lojtarët serbë. Unë pres që sidomos pas fitores dhe mikpritjes që i bënë studentët shqiptarë atyre serb dhe me mbarëvajtjen e ndeshjes që ai t’a anullojë masën e ndërmarrë kundër ambasdorit tonë në Beograd. Megjithatë kjo do të shtronte një sërë pyetjesh. Ndër më kryesoren do të përmendja : a është gati ai të pohojë barbarinë e ushtruar para një viti? Pranimi do të ishte thikë me dy presa. E them këtë se nga një anë kjo do të shënonte një kthesë shumë të madhe në drejtimin e duhur për marrëdhënie më të mira mes dy vendeve. Por ana tjetër e medaljes ka të bëjë me pranimin e një fakti se duke qënë borxhlinj ndaj nesh, ata tremben madje edhe nga një flamur me dy figura historike. Dhe gjërat lidhen aq keq sa krijohet një rreth vicioz sa nuk del dot. Këtu implikohet në rradhë të parë njohja e Kosovës dhe dhënia e më shumë të drejtave shqiptarëve autoktonë në luginën e Preshevës, dhe të atyre që koha i asimiloj me hir a me pahir(desha të them disa ose shumica e shqiptarëve të Novi Pazarit, dhe akoma më, atyre që gjenden në fshatrat e Serbisë lindore dhe jug lindore).
Në Fier psh aty ku dhe unë isha present dhe madje e njëjta ka ndodhur edhe në shumicën e stadiumeve të improvizuar ,qyteteve shqiptare fundi i ndeshjes nuk shkoi ashtu si duhej. Njerëzit të nervozuar nga humbja filluan të thyenin dhe të shkelmonin çfarë t’u dilte para. Unë këto nuk i quaj, sepse njihen dëmet e shkaktuara nga tifozët e dëshpëruar dhe aq më tepër kur shtiqiptarët presin me padurim t’a shohin kombëtaren e tyre në një kompeticion të këtyre përmasave. Rëndësi ka fakti që në Elbasan shkoi çdo gjë si duhet. Në fund kur njerëzit po rendnin për t’u kthyer pashë një ushtri mbledhësish kanaçesh kryesisht birre që i gëzoheshin faktit që njerëzit kishin pirë aq shumë birra sa kishte kanaçe mjaftueshëm për këdo që e fiton bukën e gojës me përfshirjen tij në biznesin e riciklimit. Edhe pronarët e zgarrave të improvizuara iu gëzuan fitimeve dhe një xhiroje jo të zakonshme.
Edhe qytetarët dolën të fituar pasi edhe pse kombëtarja e tyre humbi ata u kënaqën me muzikë, kush deshi të kërcente e bëri, shumica këndoi dhe mbi të gjitha ata përjetuan drithërima të panumërta dhe ç’tensionoheshin duke sharë dhe duke bërtitur me sa kishin zë. Ma ha mendja se e njëjta atmosferë ka mbizotëruar kudo, por kryesorja këto aktivitete u kthyen në një traditë dhe festa të tilla janë ose duhen të jenë thjesht normale. Ato mbartin me vete dhe një mundësi më shumë për të gjithë si për qytetarët ashtu dhe për tregtinë e produktevee të caktuara ushqimore.
Edhe pse kualifikimi i Shqipërisë në kampionatin Evropian të futbollit nuk u përcaktua mbetet dhe një ndeshje dhe shanset për t’a fituar atë janë të mëdha. Veç kësaj që është një çështje teknike dhe ka se kush merret me të, unë do të thosha se, si të shkojë kjo histori, kualifikohemi apo jo, fitimtari I vërtetë i mbrëmjes së 8 Tetorit është imazhi i vendit.
Pra, ajo që i treguam ne sonte është fakti që ne jemi një popull i kulturuar, mikun e presim mirë dhe që nuk i kemi borxh kërkujt ndërsa e kundërta është e vërtetë.