Mendime
Florim Zeqa: Ambiciet e sëmuara për pushtet
E premte, 16.10.2015, 11:07 AM
Ambiciet e sëmuara për pushtet të Isa Mustafës
Shkruan: Florim Zeqa
E kam thënë edhe një herë tjetër, po e përseris prap, ata që u munduan ta ruajnë "lëkurën" (karrierën) e tyre nën flakët e LDK-së, kanë për të dalur edhe më të djegur dhe të përvëluar nga ai zjarrë,...do ta kenë edhe më të vështirë (të pamundur) të rindërtojnë nga hiri i saj një LDK të re !
Saktësia e këtij mendimi po më shtyn të shkruaj edhe një herë rreth subjektit që e kishin për zemër shumica e shqiptarëve në këtë vend, partinë e besës dhe shpresës shqiptare-LDK-në rugoviane.
Kur e pyeta një mik timin në Kosovë, për arsyen e moskandidimit për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e fundit partiake, të një figure të respektuar nga elektorati rugovian, ai më dha këtë përgjigje (të saktë); "Nuk ka dashur të digjet,...është e pamundur kundër Mustafës,...e ka përgatitur terenin,...ai i ka shantazhuar pothuajse të gjithë delegatët..."
Menjëherë pas humbjes së LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të vitit të kaluar, mbrenda këtij subjekti politik kishin filluar përshpërimat e para për ndryshime në kreun e partisë. Si kundërpërgjigje e shpejtë erdhi pikërisht nga Isa Mustafa me lidhjen e koalicionit pasgjedhor i 10 qershorit me AAK dhe NISMA (LAN), i zgjeruar më vonë edhe me VV-në (VLAN).
Pas bllokadës politike mbi pesë mujore, thyerja e bllokut opozitar V-LAN, ndodhi pikërisht shkaku i lojës djallëzore dhe ambicieve të sëmura për pushtet të Isa Mustafës.
Kurorëzimi i (pa) natyrshëm Thaçi-Mustafa në mbrëmjen e 19 nëntorit 2014, theu përfundimisht shpresat e elektoratit të LDK-së dhe qytetarëve të vendit për ndryshim,...si rrjedhojë e kësaj nga vendi u larguan rreth 200 mijë njerëz nga trojet e tyre etnike,...nga Kosova e sotme "multietnike"!
Nga ai moment përseri filluan zërat për ndryshime në kreun e LDK-së,...për të vazhduar deri në prag të ditës fatale për LDK-në, të 31 majit 2015, me ç'rast ishin lakuar emra të ndryshëm si kandidat potencial për kreun e partisë!
Mirëpo, për ironi të faktit askush nuk e pati guximin t'u qëndroj besnik deri në fund fjalëve dhe premtimeve për ndryshime mbrenda këtij subjekti politik, përveq zonjës Vjosa Osmani, e cila u largua (dorëzua) me të filluar punimet e kuvendit !
Ata që thirreshin dhe shtirreshin për të "parin" e partisë, u rirreshtuan pas të keqës së madhe që u servoi i pari i partisë; diktatit dhe shantazhit politik, mashtrimit dhe gënjeshtrave, abuzimeve dhe shpërdorimeve të njëpasnjëshme të një lideri diktatorial,...vetëm e vetëm për të "mos" e djegur karrierën politike apo për të shkëputur diçka nga gjahu qeveritar i Isa Mustafës.
Me ose pa vetëdije, kjo kastë intelektuale mbrenda LDK-së, në emër të ruajtjes karrierës së tyre politike u shëndrruan në "piromanët" më të mëndhenjë të saj, duke mbrojtur liderin diktatorial, Isa Mustafën shkatërruesin fatal të LDK-së!
Ashtu siq e dëmtoi LDK-në heshtja dhe indiferenca e kastës intelektuale në emër të ruajtjes së karrierës politike, ngjajshëm, por akoma më keq rrezikon të pëson vendi nga një kastë intelektuale më e gjërë, e cila po qëndron e strukur në "istikame", duke pritur një grup "budallenjësh", që do të përballen të parët me kastën e këtyre përbindëshave politik,...për t'u shfaqur në sipërfaqe kah fundi i "betejës" me "alternativen" e tyre si shpëtimtar të vendit !
Për ta argumentuar këtë që po e themë, ditë më parë, një bashkatdhetar i imi i zhgënjyer më tha; këtu ska mbetë asgjë, secili po e ruan b....n e vetë, askush më nuk është i gatshëm për sakrifica, askush nuk e dëshiron ta rrezikojë karrierën e tij politike pa e pasur të qartë fundin e betejës, respektivisht cakun e realizimit të ëndrrës për pushtet !
Një situatë e tillë e kastës intelektuale përballë të keqës, është situatë vrastare për të ardhmën e qytetarëve të këtij vendi.
Nëse vetëm edhe për pak kohë vazhdohet kështu, nesër mund të bëhet tepër vonë. Ngase në Kosovë, më nuk do të ketë vend për intelektual të ndershëm dhe atdhetar,...por vetëm për servil të pushteteve dhe tradhëtar.
Të heshtësh si intelektual përballë kaosit politik, përballë një situate shpërthyese për vendin, përveqse papërgjegjësi intelektuale, është edhe padrejtësi njerëzore. Të qëndrosh i tërhequr në "istikame" për të ndërtuar karrier politike pas fatkeqësisë së bashkatdhetarëve tuaj, është pak më tepër se tradhëti kombëtare.
Qe kjo të mos ndodhë, është momenti i fundit të bashkohen të gjitha forcat progresive në vendin tonë pa dallime partiake, ideologjike apo fetare, për të shpëtuar atë që është e mundur të shpëtohet tani në këtë gjysëm shtet, me gjysëm liri dhe gjysëm pavarësi.
Ta pengojmë këtë injorancë politike, që të mos e dëmtojë edhe më tutje të ardhmën e fëmijëve tanë, t'u krijojmë përspektivë të shëndoshë gjeneratave të reja, pse jo edhe për karrierë politike në shtetin e Kosovës.
Ndryshimi nuk vjen nga intelektualët karrierist !