E marte, 12.11.2024, 03:07 AM (GMT)

Mendime

Adil Fetahu: Jo vetëqeverisje e përkohshme

E diele, 27.09.2015, 12:13 PM


JO VETËQEVERISJE E PËRKOHSHME, POR ZGJIDHJE E DREJTË DHE E PËRHERSHME

Nga Adil Fetahu

Kurrëfarë varianti nën juridiksionin e Serbisë, për asnjë kohë. – S. Millosheviqi nuk është autor as iniciator i marrëveshjes së përkohshme, sepse ai nuk është njeri i paqes

Në mediat serbe këto po trumbetohet me të madhe dhe po manipulohet, kinse për arritjen e një marrëveshje parimore të përkohshme midis palës shqiptare (të Kosovës) dhe asaj jugosllave, apo më konkretisht midis kryetarëve Rugova e Millosheviq, për realizimin e një shkalle të vetëqeverisjes së përkohshme të Kosovës. Propaganda serbe orvatet ta paraqet këtë si një hap të vullnetit të mirë të palës jugosllave për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës, duke ia atribuuar S.Millosheviqit meritat dhe autorësinë e propozimit të asaj marrëveshje. Kjo është një gënjeshtër alla-serbe. Millosheviqi as është njeri i paqes as propozues i marrëveshjes. Për te, eurodeputeti Mendeluqe, në mbledhjen e Parlamentit të Evropës, të mbajtur në Bruksel më 3 shtator të këtij viti, publikisht u shpreh se “Sllobodan Millsheviqi nuk është humanist, veçse kriminel”.

Për “humanitetin” që ka treguar në Kosovë, në Bosnje e në Kroaci, S.Millosheviqi është “kandidati më i pjekur” për Tribunalin e Hagës. Madje, për këtë edhe po mbledhin nënshkrime organizata të ndryshme joqeveritare në Itali, në Suedi e gjetkë. Mirëpo, propaganda serbe nxitoi që nga kabineti i kryetarit të të ashtuquajturës RFJ, të publikojë lajmin gjoja për arritjen e marrëveshjes së përkohshme, në mënyrë që ta amortizojë presionin ndërkombëtar politiko-diplomatik, ekonomik dhe ushtarak që po i vinte, ose e kishte nuhatur se do t’i vie nga qarqet ndërkombëtare të vendosjes, të cilat po e humbin durimin nga gënjeshtrat dhe mizoritë e regjimit të Beogradit. Me këtë truk e me fjalë boshe, po përpiqet ta bindë botën kinse po bënë diçka në drejtim të zgjidhjes paqësore të problemit të Kosovës, derisa në Kosovë ka ndërmarrë një ofensivë të përgjakshme për asgjësimin në masë dhe pastrimin etnik të Republikës së Kosovës.

Modelet e propozuara nga Grupi i Kontaktit

Elementet e marrëveshjes për krijimin e institucioneve demokratike dhe realizimin e një shkalle të caktuar të vetëqeverisjes së përkohshme në Kosovë, janë dhënë qysh në Aneksin e Bonit, nga Grupi i Kontaktit, në mbledhjen e mbajtur në Bon, më 8 korrik 1998. Atë dokument prej 7 faqe tekst, të zbërthyer në 20 pika, i quajtur Aneksi i Bonit, palëve në konflikt ua ka dorëzuar ambasadori britanik – Brajan Donelli. Në atë dokument janë propozuar disa modele për zgjidhjen e statusit të Kosovës, sipas shembujve konkretë të disa vendeve, si psh.: Modeli “Z-4”, ai i Tirollit Jugor, i Ujdëhesave Alande të Finlandës, modeli i Tataristanit apo i Çeçenise. Ankesi përvijon elementet themelore për Kosovën republikë, autonomi apo status special, me variant  që të sigurohet e shprehet një vetëadministrim dhe një status i avancuar i Kosovës. Mirëpo, për popullin e Kosovës vetëqeverisja nuk është zgjidhje as e pranueshme. Sepse, vetëqeverisja është vetëm një formë e decentralizimit të pushtetit qendror, në të cilin raporti i organeve të decentralizuara varet nga regjimi politik i shtetit. Ajo i ka rrënjët në shtetet borgjeze, si një formë demokratike e pushtetit lokal. Populli i Kosovës është përcaktuar për pavarësi të plotë, qoftë në mënyrë paqësore, por edhe me luftë të armatosur.

Sipas varianteve të Aneksit të Bonit, janë propozuar këto modele:

Modeli i parë, “Z-4”, parasheh një status diçka më të ulët se republika, e diçka më të lartë se krahina (as mish, as peshk),  por që të jetë brenda Jugosllavisë. Ai model ka qenë i destinuar dhe u është ofruar serbëve të Kroacisë. Sipas tij, serbëve u jepej e drejta e kontrollit në fushën e stemës e të flamurit, gjuhës, arsimit, kulturës, energjisë, policisë lokale (përveç asaj kufitare); e drejta e kufizuar e taksave, marrëdhënieve ndërkombëtare nga fusha e arsimit, kulturës dhe turizmit. Parashihj që rajonet autonome (Krajina, Sllavonia, Baranja) ta kishin parlamentin, organet ekzekutive e gjyqësore, por që pushteti qendror (i Kroacisë) to të mbante kompetencat e mbrojtjes, tregtisë, financave, shtetësisë, kontrollin e kufijve, marrëdhëniet ndërkombëtare, etj.

Modeli i Tirollit Jugor.- Tirolli Jugor është një krahinë (provincë) italiane – Alto Adigje, me popullsi shumicë gjermane, që ka mbetur nën juridiksionin e Italisë prej vitit 1918, pas shpërbërjes së Monarkisë së Austrohungarisë. Ajo provincë ishte objekt i shumë diskutimeve dhe rezolutave të OKB-së deri sa u arrit marrëveshja, e cila  përmbanë në hollësi marrëdhëniet midis pushtetit qendror dhe atij lokal, për çdo segment të jetës. Për secilën nga 137 pikat e asaj marrëveshje, pason nga një aneks, elaborimi i hollësishëm dhe nga një akt tjetër juridik me të cilin rregullohen detalisht marrëdhëniet. Atje pushteti italian i mbanë kompetencat që kanë të bëjnë me ushtrinë, policinë, gjyqësinë, tatimet, doganat, PTT-n, komunikacionin. Përndryshe, Italia është e ndarë në 19 krahina, prej të cilave pesë e kanë statusin special, i cili dallon nga statusi autonom i krahinave tjera. Nga ato pesë krahina me status special është edhe Tirolli Jugor, porse Sicilia ka autonomi më të gjërë prej të gjithave. Ajo ka edhe autonomi gjyqësore, të cilën të tjerat nuk e kanë.

Autonomia e Tirollit Jugor është shumë nën nivelin e autonomisë që e ka pasur Kosova sipas Kushtetutës së vitit 1974, dhe kurrëfar modeli i saj nuk vjen në konsiderim për Kosovën tash.

Modeli i Ujëdhesave Alande (të Finlandës) – është poashtu joadekuat dhe i papranueshëm për zgjidhjen e krizë politike e kushtetuese të Kosovës. Alandet janë një grup (arkipelag) prej shumë ujdhesash, prej të cilave disa janë të banueshme, ndërsa shumica e tyre janë të pabanueshme. Sipërfaqja e tyre është gjithsejt 1552 kilometra katrore, dhe në to jetojnë gjithsejt nja 25.000 banorë të origjinës suedeze. Formalisht janë nën juridiksionin e Finalandës, por kanë një autonomi mjaft të gjërë. Tërë zona është e çmilitarizuar. Kanë shtetësinë e vet regjionale. Gjuha zyrtare është suedishtja, dhe pa e ditur  atë gjuhë askush nuk mund të punësohet në Alande. Gjuha finlandeze është fakultative atje. Ligjet dhe aktet e tjera qendrore që vijnë nga Helsinki, duhet të jenë në gjuhën suedeze. Shtetasit e Alandeve nuk janë të detyruar të shërbejnë në ushtrinë e Finlandës. Megjithatë, çështjet kushtetuese-juridike, mbrojtja, gjyqësia dhe ligjet civile e familjare janë në kompetencë të pushtetit qendror të Finlandës.

Modeli i Tataristanit.- Me qenë se në Grupin e Kontaktit për Kosovën është edhe përfaqësuesi i Rusisë, ajo është angazhuar që Kosovës t’i jepet një autonomi sikur e ka Republika e Tataristanit në kuadër të Federatës ruse. Tataristani, sipas kushtetutës së vet, është shtet i pavarur, mirëpo sipas një marrëveshje speciale me Federatën ruse, ekziston një lidhje (personale) me kryetarin dhe qeverinë federale (ruse), sipas së cilës qeveria ruse vendos për punët e jashtme dhe për eksploatimin pasurive minerale që ka Tataristani. Natyrisht se edhe Jugosllavia (Serbia) është e interesuar për Kosovën për aq sa ka interes nga eksploatimi i pasurive natyrore, e jo për numrin e vogël të serbëve as për muret e kishave.

* * *

Siç shihet, asnjë nga modelet që ofron Grupi i Kontaktit, përmes Aneksit të Bonit, nuk janë adekuat as nuk janë të pranueshme për zgjidhjen e statusit politik e kushtetues-juridik të Kosovës. Sepse, rasti i Kosovës me asgjë nuk është i ngjashëm me ato të përmendura në Aneks, pothuajse në asnjë aspekt. Kosova historikisht një periudhë të gjatë ka një mëvetësi territoriale-juridike, me statuse të ndryshme të autonomisë, herë më të gjërë e herë më të ngushtuar. Në kohën e sundimit turk në Ballkan, Kosova ka pasur statusin e vilajetit, që ishte i ngjashëm me njësitë federale të shteteve federative, me një autonomi të gjërë ekonomike, administrative e gjyqësore. Ndërkaq, në ish-Jugosllavi, Kosova ishte njëra nga tetë njësitë konstituive të federatës, me kufijtë e vet të caktuar e të pranuar me kushtetutën federative dhe me kushtetutën e vet; kishte organet e veta të pavarura legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore; kishe kushtetutën dhe ligjet e veta, organizimin e vet të brendshëm politik dhe territorial, dhe merrte pjesë në të gjitha strukturat dhe organet shtetërore të federatës jugosllave, bashkë me republikat e tjera. Me shpërbërjen e asaj federate, katër republika u krijuan si shtete të pavarura, sikurse që edhe Kosova, në bazë të referendumit të mbajtur e shpalli pavarësinë e vet, por u okupua dhe aneksua me dhunë nga Serbia.

Prandaj, për Kosovën nuk mund të aplikohet modeli “Z-4”, i cili ishte i destinuar për Krajinën, Sllavoninë e Baranjen (në Kroaci), të cilat kurrë nuk kanë pasur mëvetësi politiko-teritoriale as ndonjë status juridik çfarë e ka pasur Kosova. Nuk mund të aplikohet as modeli i Tirollit Jugor, sepse as ai kurrë nuk ka pasur ndonjë status të veçantë derisa ka qenë në përbërjen e Austrohungarisë. Ndërkaq, krahasimi i Kosovës me ishujt Alande (të Finlandës) është plotësisht joadekuat dhe joserioz, duke pasur parasysh se atje jetojnë nja 25000 banorë me prejardhje suedeze, të cilët poashtu kurrë nuk kanë pasur ndonjë status të mvetësishëm, sado që pozita e tyre reale është e lakmueshme për shumicën e popujve të botës. Sikur të ishin në Kosovë aq shqiptaë dhe sikur Jugosllavia ta kishte regjimin demokratik çfarë e ka Findlanda, autonomia e Alandeve do ishte e mjaftueshme. Por, Kosova është tokë dhe popull i ndarë me dhunë dhe padrejtësisht nga trungu shqiptar, dhe qe plot një shekull ka vuajtur e është diskriminuar dhe gjakosur nën regjimin fashizoid të Serbisë e Jugosllavisë. Prandaj, kurrnjë model dhe asnjë variant i vetëqeverisjes për Kosovën nën juridiksionin e Serbisë nuk duhet as të mendohet, e lere më të pranohet.

Elementet për një marrëveshje të përkohshme

Elementet për një marrëveshje të përkohshme për vetëqeverisjen e Kosovës në një periudhë kalimtare prej tre vjetëve, të cilën këto ditë ambasadori amerikan Kristofer Hill ua dorëzoi palës kosovare dhe asaj jugosllave për ta shqyrtuar, duket se janë kombinimi i elementeve nga Aneksi i Bonit, veçse pa përcaktuar kurrëfar statusi. Në një tekst mjaft të përgjithësuar, prej 12 pikash, jepen vetëm disa elemente për krijimin e institucioneve demokratike të qeverisjes në Kosovë. Aty nuk përmendet asnjë status: as krahinë, as republike federale, as shtet i pavarur! Ato elemente mbështeten në parimet e Kartës së OKB-së dhe Aktit Final të Helsinkit, duke përfshirë të drejtën për vetëvendosje si dhe parimin e pacenueshmërisë së kufijve me forcë, e duke pasur parasysh statusin e Kosovës që e ka pasur para vitit 1989, si dhe zhvillimet e mëvonshme në Kosovë.

Disa pika të marrëveshjes së propozuar mund të jenë të pranueshme, poqese për realizimin e tyre sigurohen mekanizma dhe garancione autoritative ndërkombëtare. Në pika të veçanta të elementeve të propozuara thuhet se:

Populli i Kosovës do të qeverisë vetë në mënyrë demokratike në Kosovë, përmes institucioneve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të cilat do të përcaktohen me marrëveshje të përkohshme,

Gjatë implementimit të marrëveshjes së përkohshme, institucionet e Kosovës do të kenë kompetenca jo më të ulta se ato që i ka pasur Kosova para vitit 1989, në fushën politike, ekonomike, kulturore e në fusha tjera,

Autoritetet jugosllave dhe ato të Serbisë nuk do të ndërhyjnë në veprimet e institucioneve të Kosovës,

Asnjë palë nuk do t’i ndryshojë në mënyrë të njëanshme elementet apo kushtet e marrëveshjes së përkohshme,

Pjesëmarrja e Kosovës në institucionet federale do të diskutohet duke marrë parasysh zhvillimet në Kosovë dhe në Jugosllavi që nga viti 1991,

Zgjedhjet do të mbahen nën mbikëqyrjen e ndërkombëtare, sa më parë që është e mundur,

Armëpushimi dhe tërheqja e forcave do të fillojë menjëherë (e në rast të shkeljes së armëpushimit, duhet t’iu raportohet vëzhguesve ndërkombëtarë, e nuk duhet përgjigjur me dhunë),

Secili komunitet etnik do të realizojë plotësisht të drejtat e veta në arsim, gjuhë, kulturë e në fusha tjera,

Do të merren masa për krijimin e besimit reciprok,

Secila palë do të bashkëpunojë dhe  t’iu ndihmojë qasje të papenguar organizatave humanitare ndërkombëtare, të ndihmojë në shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe të përshpejtojë kthimin e personave të zhvendosur dhe të refugjatëve në shtëpitë e tyre,

Bashkësia ndërkombëtare ftohet të ofrojë ndihmë dhe garanci për implementimin e elementeve dhe për negociatat, si për marrëveshjen e përkohshme, ashtu edhe për zgjidhjen e përhershme, përfshirë këtu përkrahjen politike, ekonomike dhe asistencën e nevojshme me personel (për zgjedhjet, për policinë, etj),

Arritja e një zgjidhje të përhershme të bëhet jo më vonë se tre vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së përkohshme.

*

Duke pasur parasysh ecejaket dhe angazhimin e ambasadorit Hill në relacionin Prishtinë – Beograd dhe deklarimet e disa zyrtareve të Amerikës, të Unionit Evropian, të NATO-s, etj,- mund të nënkuptohet se këto elemente për një marrëveshje të përkohshme e kanë mbështetjen e ShBA-ve, por edhe të faktorëve tjerë relevantë ndërkombëtarë.

Është e sigurt se asnjë marrëveshje, qoftë e përkohshme ose e përhershme për zgjidhjen e statusit të Kosovës, nuk mund të zbatohet as të realizohet pa garantimin dhe involvimin e një force të jashtme relevante. Prandaj, elementet e përmendura për marrëveshje të përkohshme në njëfar mënyre të heshtur do të thotë aplikimi i një protektorati në Kosovë, si fazë kalimtare deri në zgjidhjen e përhershme të statusit. Këto elemente do të siten e shoshiten nga të dy palët. Për secilin element të përmendur, por edhe për shumë elemente tjera që nuk i përmend projekti i tashëm, por që mund të futën në tekstin përfundimtar të një marrëveshje, duhet bërë aneks-marrëveshje e aranzhmane tjera të posaçme, në të cilat elaborohen dhe detalizohen çështjet, kushtet, mënyra dhe afatet e realizimit. Prandaj, edhe për definimin e tekstit përfundimtar të një marrëveshje të përkohshme, edhe për ankeset e veçanta të saj, kërkohet angazhim dhe punë shumë serioze dhe me përgjegjësi e një ekipi të madh të ekspertëve të fushave e profileve të ndryshme, si krah i grupit të negociatorëve, në mënyrë që prej negociatave të mos mbetemi me “mangë të shkurta”.

Në marrëveshje, qoftë edhe e përkohshme e cila nuk e përcakton statusin e Kosovës as republikë as krahinë, gjithsesi duhet të përshkohen qartë synimet e popullit të Kosovës për pavarësi, prandaj institucionet demokratike që do të formohen, duhet të jenë plotësisht të pavarura, duke u nisur nga shtetësia, organet e pavarura legjislative, ekzekutive e gjyqësore dhe segmentet e tjera. Dhe, në çfarëdo zgjidhje që bëhet, UÇK-ja duhet të legjitimohet si forcë reale e mbrojtjes së Kosovës.

Pala kosovare nuk bën të jetë inferiore në procesin e negociatave për shkak të kushteve që i ka krijuar okupatori me luftën e armatosur, me qëllim të dobësimit të pozitës sonë. Subjekti politik shqiptar, liderët dhe ekspertët, duhet të jenë vigjilent dhe unik në qëndrime e veprime në këto momente vendimtare. Sepse, po s’i ndihmuam vetvetes me punë, me mençuri, me arsye e urti dhe unitet, askush nuk do as nuk mudet të na ndihmojë e mbrojë.

(“Bujku”, 18 shtator 1998)

(Ky ishte një  kontribut imi modest atëherë, për t’iu ndihmuar negociatorëve në procesin e negociatave për zgjidhjen e problemit dhe statusit të Kosovës. Proceseve duhet t’u paraprihet e  të jepen alternativa për zgjidhje më të mira, e jo si opozita e tashme, që rrin, bëne sehir, e kur përfundohen marrëveshjet, uluritë për gabime e tradhti!)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora