E hene, 29.04.2024, 03:36 AM (GMT+1)

Mendime

Artur Vrekaj: Gazetarët amerikanë ndihmuan shqiptarët

E shtune, 26.09.2015, 06:48 PM


GAZETARËT AMERIKANË NDIHMUAN REFUGJATËT SHQIPTARË QË SHPËTUAN NGA MASAKRAT GREKO-SLLAVE

NGA ARTUR VREKAJ

Ndihma Amerikane ishte një mision jetik për Shqipërinë me shtëpi të shkatërruara e popullsi të masakruar e të përndjekur nga Grekët, Serbët dhe Malazezët në vitet 1913-1914.

Informacioni i detajuar për krizën humanitare në Shqipëri ishte i pakët ose mungonte fare për hir të luftës Ballkanike që ishte ndezur në tokat Shqiptare. Në një situatë tepër të vështirë, gazetari guximtar William Willard Howard vizitoi për herë të parë Shqipërinë në Tetor 1913 ku vlerësoi mbi të gjitha gjëndjen e mjerë të vëndit dhe mikpritjen Shqiptare. Ai solli me vete një film me 70 fotografitë e bëra në Shqipëri, të cilat i përdori për të njohur popullin Amerikan me dëmet e masakrat Serbo-Malazeze si dhe për të mbledhur fonde në ndihmë të mbijetuarve e të shpërngulurve nga lufta.

Me tu kthyer në SHBA ai ju përkushtua sensibilizimit të popullit Amerikan për të ndihmuar Shqipërinë e braktisur nga fuqitë Europiane. Stafi i gazetës "The Christian Work" u bë edhe bërthama e fondit për Shqipërinë. Në pranverë të vitit 1914 gazetarë dhe biznesmenë themeluan Fondin Shqiptar të Ndihmës në Nju Jork. Ndër nismëtarët ishin humanistët Howard dhe Dutton, vjerri i editorit të gazetës javore "The Christian Work".

Komiteti Ekzekutiv i Fondit Shqiptar ishte i përbërë si më poshtë:Charles R. Crane, President, The Crane Company, Çikago; prof. Samuel Train Dutton, Columbia University, Nju Jork; Rev. John Wesley, Int. Peace Forum; prof. Charles William Barkett, "The American Agriculturist", Nju Jork; Rev. Frederick Lynch, editor, "The Christian Work"; Norman Harpgood, editor, "Harper's Weekley"; Hamilton Holt, editor, "The Independent"; Herbert Collingwood, editor, "The Rural News Worker"; Edwin S. Ives, J & J Little & Ives; B. Peele Willet dhe Rev. William Willard Howard, sekretar i fondit, manaxher i "The Christian Work".

Presidenti i fondit Shqiptar të Ndihmës Charles Richard Crane ishte biznesmen i fuqishëm i Çikagos, një nga filantropistët më të mëdhenj Amerikanë për Europën Lindore, Azinë e Vogël dhe Ballkanin . Ai mbante korrespodencë me komitetin e kolonisë Shqiptare në Turqi. Më herët ky njohës i mirë i Shqiptarëve kishte ndihmuar kryengritjen Shqiptare të Malësisë së Madhe të vitit 1911 kundër perandorisë Turke me 500 mijë franga. Gjithashtu, Crane dhuroi $1000 në Qershor 1913 për fondin Shqiptar të Ndihmës me çek në emër të Dako.

Këta humanistë Amerikanë vunë dorën në zemër për Shqipërinë dhe Shqiptarët duke ndihmuar me çfarë të mundnin për të shpëtuar sa më shumë jetë Shqiptare në vitet 1913-1916.

Zyra e gazetës "The Christian Work " në avenunë e Pestë në New York u bë qëndra e komitetit të Ndihmës për Shqipërinë. Editori i saj Frederik Lynch, sekretar i kishës së re të Paqes dhe Bashkimit u zgjodh financier i fondeve që do mblidheshin. Kjo gazetë publikonte në çdo numër të gjitha kontributet me emrat e dërguesve dhe shumën e dhuruar. Pra, ishte një punë e hapur me publikun.

Në konferencën e ministrave Baptistë në pranverë të vitit 1914 Howard shpjegoi krizën humanitare në Shqipërinë e vetmuar e të rrënuar nga ushtritë e fqinjëve.

Howard e vizitoi për herë të dytë Shqipërinë në vjeshtë të vitit 1914. Tashmë, ai ishte i vendosur për të nxitur më shumë me median e shkruar nismën humanitare për Shqipërinë.

William Willard Howard, sekretar i fondit deklaronte se pas dhjetë muajve luftë në Shqipëri - Serbët, Malazezët dhe Grekët shkatërruan vëndin, vranë dhe dogjën për vdekje 20 mijë njerëz, shpërngulën 200 mijë gra, burra dhe fëmijë,shkatërruan më shumë se 300 fshatra me një humbje 40 milionë dollarë.

Nga ky terror i fqinjëve pushtues 40 mijë refugjatë shkuan në Vlorë, 50 mijë u morën në mbrojtje në Berat, 10 mijë në Elbasan dhe 100 mijë u ngjitën në male për tu shpëtuar masakrave. 30 mijë refugjatë kanë vdekur së fundi nga uria. Më shumë se 100 mijë banorë janë të kërcënuar nga uria nëse anija me ndihma ushqimore nuk mbërrin para Krishtlindjeve të 1914.

Konferenca e Baptistëve vendosi unanimisht të mbështetej komiteti i Fondit Shqiptar që po punonte për dërgimin e ndihmës humanitare me ushqime në Shqipëri me anije.

Shqiptarët bujarë e kanë ndarë bukën e tyre të pakët me refugjatët Serbë edhe pse ushtria Serbe ka djegur, vrarë e masakruar në mënyrë të pashëmbullt, - vinte në dukje Howard në shkrimet e tij në gazetat Amerikane.

Misionari Charles Telford Erickson e përcillte gjithashtu thirrjen për ndihmë për Shqipërinë në kishat e Anglisë së Re. Ky misionar që u deportua nga Shqipëria nga ushtria Serbe në vitin 1913 ishte dëshmitar okular për vrasjet, djegien dhe masakrimin e Shqiptarëve të pambrojtur nga Grekët dhe Sllavët .

Fondi Shqiptar i Ndihmës planifikonte të ngarkonte një anije Amerikane me artikuj ushqimorë siç janë misër, fasule dhe oriz dhe ta dërgonte atë me flamurin Amerikan në tre portet kryesore të Shqipërisë.

Howard shpjegonte se nuk egzistonte asnjë mundësi tjetër të ndihmojmë që nga Shqipëria, sepse nuk mund të transferojmë dollarë. Paraja nuk mund të përdoret në Shqipëri, sepse nuk ka ushqim. Prodhimet bujqësore janë shkatërruar, bagëtitë e imta dhe të trasha janë therur ose lënë pas në zonat e pushtuara. Afër 250 mijë gra dhe fëmijë janë pa strehim dhe të uritur.

Anija me ndihma ushqimore e stafit të gazetës  "The Christian Work" u quajt "Albania".

Konstantin Çekrezi, ish-sekretar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për Shqipërinë, në shkrimin "Shqipëria dhe Ballkani" nënvizonte se 300 mijë Shqiptarët e shpërngulur në Vlorë nga masakrat Greke janë ushqyer për disa kohë nga komiteti i Fondit Shqiptar të Ndihmës i Nju Jorkut ("The Christian Work", 10 Tetor, 1914).

Në gazetën "The Missionary Review of the World", Prill 1915, Howard  shkruan:

"Në Jug të lumit Shkumbin, Shqipëria Jugore 200 fshatra janë shkatërruar dhe 200 mijë fshatarë kanë mbetur pa mbrojtje dhe pa shtëpi nga trupat Greke pranverën dhe verën që shkoi. Me qindra janë duke vdekur nga të ftohtët dhe uria.

Asnjë ushqim nuk shkon në Shqipëri nga bota e jashtme. Eksporti i ushqimeve nga Italia është ndaluar. Greqia nuk ka asgjë për të eksportuar. Serbia dhe Mali i Zi i kanë marrë prodhimet bujqësore të Shqipërisë së Veriut për ushtarët e tyre. Nuk është e pamundur që shkrirja e dëborës të gjejë një milion njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së tyre, të vdekur nga uria."

Puna e fondit Shqiptar të Ndihmës u bë realitet falë kontributeve të popullit bujar Amerikan, organizatave jo fitimprurëse dhe mediave të shkruara. Shqipëria dhe Shqiptarët nuk ishin më vetëm. Ata kishin pranë kujdesin dhe dashurinë e kombit Amerikan.

Fondi Shqiptar në Nju Jork mori më 15 Maj 1915 një kabllogram ku përfaqësues të zonave të shkatërruara nga ushtria Greke në Shqipërinë e Jugut kanë firmosur këtë lutje për ndihmë të refugjatëve:

"Ne, të nënshkruarit e mëposhtëm, në emër të refugjatëve Shqiptarë të shpëtuar prej bajonetës dhe zjarrit të Serbëve dhe Grekëve që tani janë duke vdekur prej urisë dhe sëmundjeve në Vlorë e kudo shprehim mirënjohjen tonë të madhe për zemrat tuaja humane dhe njohim aksionin tuaj në emrin tonë.

Ne lutemi për ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim që jetët e të mbijetuarve të shpëtohen. Ky kabllogram është firmosur nga Aqif Pasha, Elbasan; Mehmet Pasha, Kalkandeli; Feizi Alizoti, Gjirokastër; Sotir Peçi, Korçë; Dr. Rauf, Gjirokastër; Eshref Frashëri, Frashër; Dr. Seifi, Kolonjë dhe Dr. Nimet, Kostur."

Thirrja për të ndihmuar Shqipërinë u publikua vazhdimisht në periudhën 1914-1916 në gazetat "The Christian Work", "The Independent", "Harper's Weekly" etj. Njoftimi për këtë qëllim ju bë edhe organizatave jo fitimprurëse.

Gazeta "Boston Evening" njoftonte më 3 Dhjetor 1915 : " William Willard Howard, sekretari i fondit Shqiptar të Ndihmës me ndihmën e ambasadës Amerikane në Romë ka garantuar se anija American Schooner "Albania" e cila është mbajtur nga autoritet Italiane në portin e Brindisi transporton furnizime për ndihmë humanitare në Shqipëri dhe leja për lundrim do ti jepet së shpejti."

Reverendi Howard shoqëroi anijen e "The Christian Work" me ndihma ushqimore që zbarkoi në Durrës. Në regjistrin e marinës Amerikane prej 2 Shtator deri më 2 Tetor 1915 është regjistruar me emrin e William Willard Howard anija Schooner "Albania" me 257 tonë mall, kurse në regjistrimet e 1 Janarit 1917 dokumentohet e njëjta anije me pronar W. W. Howard, e cila ka 219 tonë mall të destinuar për Shqipërinë.

Shqiptarët e Amerikës nga çdo qytet e falenderuan me telegrame punën e fondit Shqiptar të Ndihmës dhe gazetën javore "The Christian Work".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora