Mendime
Novi Rosaj: Letërnjoftimi i harruar
E shtune, 26.09.2015, 05:27 PM
LETËRNJOFTIMI
I HARRUAR
Nga Novi Rosaj
Në Bashki, Komunë, Gjendje Civile, Polici, Gjykatë, Bankë a Postë dhe thuajse në të gjitha zyrat shtetërore apo private të gjithë ne jemi "ndëshkuar" dhe vazhdojmë të “ndëshkohemi” "nga nënpunësit e shtetit shqiptar kur z Letërnjoftimin.
Lind pyetja: si qënkërkemi të "ndëshkuar"?
Në Shqipëri, nënpunësi përkatës me të drejtë, për t’u siguruar se ti je “filania” apo “filani “ para kryerjes së veprimit të radhës nga punonjesja apo punonjësi i shtetit të kërkon "Kartën e Identitetit".
Dhe unë apo ti i themi:
“ ëëë Letërnjoftimin ?”
“ Kartën e identitetit” përgjigjet nënpunësja apo nënpunësi dhe ne marrim "ndëshkimin e radhës" me një përçmim sikur nuk e dimë emërtimin e këtij dokumenti të njohjes personale por po shqiptojmë një emërtim të vjeeeetër.
Sipas meje në 3-4 milionë shqiptarë të Shqipërisë (pra një shtet i tërë) pa përjashtim e bëjmë ose e kemi bërë këtë gabim në të shprehur.
Pse?
Nuk e dimë?
E dimë, e dimë por vuajmë nga mosvetëdashja.
Në këtë rast pa pikë nevoje dhe kundër së vërtetës kemi poshtëruar gjuhën tonë dhe zëvendësuar me të huajën si në qindra raste të tjera.
Secili nga ne e ka një Letërnjoftim.
Ju lutem shikojeni çfarë shkruan në krye, në të majtë; Letërnjoftim apo Kartë Identiteti?
Pse ndodh një gabim i tillë, ku për mua është pa diskutim armiqësor dhe pa pikë krenarie kombëtare?
Gabimi fillon që në momentin e parë kur paisemi me Leternjoftimin.
Sepse secili punonjës i gjendjes civile pa perjashtim ta shqipton qorrazi: Kartë Identiteti që nuk ështe as kund e shkruar në kartonin e fjalës.
Sipër, majtas shkruan
“LETËRNJOFTIM, por për mendimin tim është shkruar me shkronja tepër të zvogëluara edhe pse në atë kënd hapësira është e mjaftueshme.
Se nga “mbiu” ky emërtim askush nga këta miliona mbajtës të këtij kartoni nuk i jep dot përgjigje?!
Pas këtij emërtimi dashje e padashje qytetarëve u bëhet "edukatë" ta shqiptojnë njëlloj si nënpunësi kompetent i shtetit shqiptar.
Është për t’u habitur si ja themi të gjithë emrin italisht kur kemi një emërtim të qartë dhe kuptimplotë në gjuhën shqipe...
Për të ardhur keq sa shumë e urrejmë veten dhe të tonën dhe sa keq e zëvendësojmë me plot dëshirë me të huajën, qoftë kjo turke, italiane apo tjetër.
Poshtërimi i gjuhës sonë me qindra fjalë turqisht per 5 shekuj me është dukur i imponuar nga okupuesi.
Por, thuajse po aq në numër fjalësh e kemi poshtëruar gjuhën shqipe që nga viti 1990 e këtej.
Vetëm se kësaj radhe me dëshirën e secilit e madje pa pushtues. Që më len të dyshoj se pushtuesit Turk nuk ju ka dashur shumë punë për të futur fjalët e turqishtes në gjuhën e këtij populli huajsimdashës.
Ne shqiptarët tradicionalisht nuk e duam tonën para të huajës...
Deri në shpalljen e Pavarësisë e kemi “shpërlarë” gjuhën shqipe me qindra fjalë turqisht shumë të rëndësishme.
P.sh “hall, hallall, gjynah, shyqyr, kimet, medet, lezet, bereqet, kismet” e qindra të tjera fjalë turqisht që po t’i heqim nga gjuha shqipe e bëjnë shumë të varfër për faktin se shumica e këtyre fjalëve nuk kanë sinonim në shqip.
Per të shprehur kuptimin e njërës nga këto fjalë turqisht, nevojiten disa fjalë shqip, e një shkrimtari që dëshiron t’i shmanget turqizimit të gjuhës, i vështirësohet mjaft fuqia e të shprehurit në shqip.
Në fillim të shekullit të 20-të e kemi dyfishuar këtë larmi fjalësh të huaja po këtë radhë gjoja fjalë moderne sidomos nga italishtja. P.sh: “shezllon, okazion, aksesorë, celular, otto, çinkue, indietro, ciao” e qindra fjalë të tjera sidomos pjesë makinash dhe aparatura shtëpiake a industriale që në këtë fushë thuajse kemi njëqind për qind vetëm emërtime italisht. Sigurisht, më lehtë është të kopjosh por, e huaja mbetet e huaj gjithmonë.
Sa shqiptare tingëllojnë këto “fjalëza” të huaja?
Fjala që më bën të çirrem me zë të lartë dhe të qaj tashmë me dy palë lot është “PROKURË” e biles shumica e njerëzve ne Shqiperi kanë paguar për këtë t'famshmen fjalë të panjohur!
Për ç’ arsye?
Sa shqiptarë e kuptojnë këtë fjalë, në thelb?
Pse jo në shqip po italisht?
Meqë vërteton dëshirën e dy palëve, atëherë pse nuk i themi shqip “VËRTETIM”?
Me këto përdorime as shqiptarët, as gjuha shqipe nuk modernizohen, përkundrazi gjuha jonë kombëtare degradon.
Me këte varg fjalësh të huaja jo vetëm se e vështirsojmë njohjen e gjuhës tonë si në me të vjetrat në Ballkan por vetë e shkelim shuplakën e shatit...
Më bën përshtypje dhe krenohem kur lexoj në të gjitha trojet shqiptare në Kosovë fjalën “BARNATORE” në vend të fjalës greke “Farmaci”, apo “LARJE MAKINASH” e jo “Lavazh” sic përdoret nga italishtja.
Për çudi në shtetin am, që duhet të jetë dhe shembulli, po të shkruajmë “ Larje makinash” rrezikon “të të mos vijë njeri” pikërisht sepse nuk është “LAVAZH“….haha...
Turpi i botës!
Gjithë ky poshtërim i gjuhës tonë vjen nga disa arsye por kryesisht mendoj se vjen nga politika jonë jo kombdashëse që parësore ka vetëm pasurimin e politikanëve. Por, edhe nga ndikimi i madh i mediave dhe shtypit, që janë lakmuese të këtij lloj modernizimi hibrid i të shprehurit të përditshëm.
Padyshim edhe nga ndryshku i “pushtimit” të pozicioneve të ndryshme prej personave të paaftë. Si dhe kryesorja nga mungesa e investimeve të domosdoshme për studimin dhe pasurimin e vazhdueshëm të gjuhës shqipe nga specialistët dhe gjuhëdashësit e kombit shqiptar.