Mendime
Skënder Kapiti: Puna në drejtësi është si një mallkim
E diele, 13.09.2015, 12:56 PM
Të kesh punë në drejtësinë shqiptare është si një mallkim
Nga Skënder S. KAPITI
Ka filluar gjithnjë e më shumë të dëgjohet shprehja mjaft domethënëse që nëse e urren ndokënd, që e ke inat apo të ka bërë ndonjë të keqe, që të është mosmirënjohës dhe bukëshkalë, i lig dhe i pashpirt, zullumqar dhe i urryer thuaj: të pafsha nëpër dyert e gjykatave . Kjo, jo sepse gjykata do ta ndëshkojë për shkelje të ligjit, për krimin, për zullumin që ka bërë, për korrupsionin, për vjedhjen e për çdo krim e keqbërje cilado qoftë ajo, po sepse kandari i gjykatës peshon dhe anon vetë për nga krimi, korrupsioni, grabitja ,vjedhja dhe ryshfeti e paraja e pisët që bën vetë ajo duke manipuluar, spekulluar e trafikuar ligjin dhe drejtësinë, e që vetë gjyqtarët dhe vendimet e sjelljet e tyre janë më kriminale dhe shumëfishherë më të poshtra, më të pamoralshme, më hajdute , më të korruptuara se sa çfarë janë ato që i ka bërë ndokush tjetrit. Kjo, pasi gjykatat në Shqipëri janë zullumqaret më të mëdha.Mjerë ai njeri apo qytetar i ndershëm që është i detyruar t’i drejtohet pastaj kësaj soji drejtësie e gjykate për të fituar të drejtën e tij. Në Shqipëri si paditësit ashtu dhe të paditurit, hallexhinjtë që kërkojnë drejtësi e që gati pothuajse janë gjithë qytetarët shqiptarë , të gjithë këta shikohen dhe faktikisht janë klientët apo më saktë janë preja e predatorëve të drejtësisë: e gjyqtarëve, prokurorëve , avokatëve dhe e tërë rrjetit të tyre mafioz të lidhur ngushtë si ndërvete ashtu dhe në simbiozë dhe me rrjetin tjetër mafioz e korruptiv të politikës e pushtetit. E drejta në drejtësinë shqiptare është mall ankandi dhe fitohet nga ai që pagun më shumë , fitohet me urdhërdhënënien e eprorit më të lartë apriori që ka si monopolin e emërimit dhe të “ndëshkimit”për kontrabandistët e trafikantët e drejtësisë të shkallëve më të ulta, e këta monopolistë të gjyqësorit janë Partitë dhe influenca politike, Parlamenti e sidomos KLD e Presidenti.E drejta në Shqipëri fitohet nga urdhëri që vjen prej pushtetit dhe pushtetarëve të lartë dhe të rrjetit mafioz pranë tyre; dhe si rrjedhojë e kësaj ndërthurje korrupsioni , hajdutërie e lidhje mafioze merre me mend se çfarë haraçi paguan qytetari i mjerë shqiptar sa që i bie pishmanit dhe mallkon veten se çfarë kërkoi dhe deshi në dyert e gjykatës; pasi kërkon dritë po nxjerr sytë; pasi kërkon drejtësi e gjen belanë; kërkon pronën e vet dhe aty e humb dhe ja marrin e ja grabisin të tjerët atë; pasi jo vetëm që të drejtën nuk e fiton qytetari shqiptar te drejtësia shqiptare , po përkundrazi, vetëm sa përveç humbjes së saj ai humb shumë edhe kohë dhe para të tjera duke u sorollatur poshtë e lart me vite e vite nëpër dyert e zyrat e tmerrshme dhe të sikletshme të drejtësisë, dhe, përveç këtyre taksirateve qytetari i mjerë pëson dhe depresion e tronditje të rëndë morale e psiqike , ankth e panik, konflikt e vetëgjyqësi që nxit dhe ushqen, që edukon dhe kultivon vetë drejtësia e padrejtësisë , e mafies, e krimit dhe e korrupsionit në Shqipëri. Ky shkrim ashtu si dhe dy të tjerët me titull “Sistemi gjyqësor shqiptar , avokaturë e mafies dhe krimit” dhe “Drejtësia shqiptare penguese e integrimit dhe kërcënuese për sovranitetin kombëtare” janë në sinkron të plotë dhe vertetohen si realë prej faktin skandaloz që pabesueshmëria publike te drejtësia është 90%, që do ë thotë se te drejtësia shqiptare besojnë vetëm 10% aq sa është numri i atyre që përfitojnë padrejtësisht nga krimi dhe korrupsioni politik, nga krimi dhe korrupsioni i atij të pushtetit administrativ dhe sidomos nga korrupsoni dhe krimi institucional juridik që rjepin burimet publike, kombëtare dhe qytetarët e vet. Aq i tmerrshëm dhe i diskredituar është sistemi gjyqësor në Shqipëri sa që , për nga shkalla e pabesueshmërisë publike ky fakt e vendos sistemin e drejtësinë shqiptare si kampione bote për korrupsion dhe për antiligjshmëri . Dhe jo më kot pothuajse e gjitha bota demokratike, politike dhe juridike perëndimore është fokusuar te domosdoshmëria për Reformën në Drejtësinë shqiptare, ku vlen të theksohet dhe deklarata tronditëse e rrënqethëse e ambasadores së Bashkimit Europian Znj. Romana Vllahutin në Shqipëri dhënë me dt. 09 07 2015,një ditë pas asaj të Kancelares gjermane Merkel kur deklaroi se: gjyqtarët shqiptarë kanë sjellje kriminale, ndërsa prokurorët nuk hetojnë korrupsionin në këtë sistem, dhe vazhdon më tej : se drejtësia shqiptare është tallje e madhe për qytetarët e këtij vëndi dhe se duhet ndërmarrë një reformë e thellë dhe pa kompromis. Besoj se kjo deklaratë ashtu si dhe ato të ambasadorit gjerman, atij të OSBE, atij britanik , atij amerikan dhe të kancelares gjermane ca ditë më parë që i përmënda në dy shkrimet e mëparshme nuk kanë nevojë për shumë koment për të vertetuar gjëndjen skandaloze të sistemit të drejtësisë në Shqipëri që është bërë një shëmbull eksperimental negativ degradimi e degjenerimi. Ndryshimi ndërmjet sistemit të drejtësisë së sotme me atë të ishdiktaturës konsiston në faktin e ndërrimit të maskës juridike kamufluese; e ndërsa në diktaturë drejtësia ishte një avokaturë e hapur në mbrojtje të sistemit politik , të dhunës së tij dhe të antidemokracisë e antiperëndimit, sot kjo drejtësia “demokratike”është një drejtësi që kërcënon e tallet me sistemin politik demokratik, tallet me qytetarët dhe me të drejtat e liritë e tyre, bën avokatinë e korrupsionit , krimit dhe të hajdutërisë; pengon dhe bllokon integrimin ; pengon ndërtimin e shtetit ligjor dhe me standarte demokratike; spekullon e manipulon me liritë e të drejtat e njeriut sidomos me atë të pronës ; shfrytëzon burimet publike; nxit dhe shkakton hakmarrjen, vetëgjyqësinë , destabilitetin , eksodin si dhe kërcënon sovranitetn kombëtarë .Këto janë dhe arësyet përse dhe qytetarët nuk kanë besim te drejtësia dhe as shpresë se mund të bëhet Shqipëria shtet modern , sepse shtetin modern të qëndrueshëm , të mirëqënë , të sigurtë për qytetarët e vet e bën vetëm sundimi i ligjit, pra shteti ligjor dhe me standarte demokratike. Mjafton të përmëndim faktin se kombi dhe shteti i lavdishëm i SHBA-ve u krijua me anë të kultivimit dhe të respektimit të standarteve dhe vlerave të përcaktuara në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e saj. SHBA –të që fatmirësisht janë aleati ynë më i madh strategjik e që roli i saj në momente kyçe ka qenë vendimtar për egzistencën , krijimin dhe konsolidimin e dy shteteve shqiptare ; dhe SHBA janë edhe shëmbulli më i mirë që i duhet t’i referohemi për të mësuar se: janë drejtësia, kushtetuta dhe sundimi i ligjit ato që shënojnë dhe i japin autoritetin ,sovranitnitetin dhe garantojnë egzistencën dhe ndërtimin e shtetit modern e demokratik. Por fatkeqësisht vëndi dhe kryesisht politika jonë është në kundërkohe dhe shumë prapa, pasi në Shqipëri funksionon një drejtësi anticivile, antisistem dhe tejet e korruptuar. Këto dhe moszbatimi i ligjit kërcënojnë qytetarin ,shoqërinë dhe shtetin, dhe prandaj duhet një reformë radikale në sistemin e drejtësisë e cila është jetike për Shqipërinë.