Mendime
Arben Idrizi: Kur therim kafshët si qeniet njerëzore
E merkure, 09.09.2015, 06:26 PM
Kur therim kafshët si qeniet
njerëzore, kur therim qeniet njerëzore si kafshët
Nga Arben Idrizi
Ky flijim, është gjëja më neveritëse që mund të hasësh. Ngase, në të vërtetë, veprimi i tillë nuk arrin të struket më vetëm te definimi arbitrar zanafillor. Në momentin që ndodh, e humb atë aurën e rreme të religjiozitetit dhe pranueshmërisë, për t'u shfaqur në natyrën e vet të vërtetë: një barbarizëm. Prandaj, miti modern më i njohur dhe më i ruajtur me fanatizëm i historisë sonë ka për bazë bash flijimin e qenies njerëzore
«Kur Albert Camus ishte ende fëmijë dhe jetonte në Algjeri, një herë gjyshja e tij i tha të shkonte ta merrte një pulë në pulëtoren në oborr. Ai u bind, e mandej qëndroi ta shikonte teksa ia priste kokën pulës me një thikë dhe ia kullonte gjakun pikë-pikë në një enë për të mos e njollosur fasadën e murit.
Ulurima e
vdekjes e asaj pule mbeti në mendjen e fëmijës në mënyrë aq të pashlyeshme, sa
që më 1958 Camus shkroi një sulm të pasionueshëm kundër gijotinës. Si pasojë e
pjesërishme e asaj polemike, në Francë u arrit shfuqizimi i dënimit me vdekje.
Ky është një pasazh nga ‘Jeta e kafshëve’ ( The Lives of Animals; La vita degli animali) e J. M. Coetzee, botuar më 1999, bash në vitin kur këndej pari, ne, qeniet njerëzore, thereshim mes vetes dhe e kullonim gjakun nëpër enë, me nge, por ende nuk e dimë mirë a na ka mbetur të gjithëve në mendje një e bëmë e tillë barbare, ulurima që ta këput shpirtin e vdekjes së qenieve njerëzore, sa të ulemi të shkruajmë me pasion kundër vrasjes, kundër çdo vrasjeje; kundër luftës, kundër çdo lufte.
***
Në të vërtetë, ka një ide tjetër që përcjell libri, e cila për shumëkë është edhe e papranueshme.
«Do të doja të kthehem për herë të fundit te vendet e vdekjes që na rrethojnë, thertoret para të cilave ne, me një sforcim masiv të përbashkët, i mbyllim zemrat tona. Për çdo ditë të lume zë vend një holokaust i ri, e megjithatë, me sa po shoh, qenia jonë morale as që gërvishtet», thotë personazhja e famshme e Coetzee-s, Elizabeth Costello.
Mund të diskutohet pafundësisht, e kjo është vërejtja e parë dhe më e shpeshtë që i është bërë autorit (autori mund të mbrohet se qëndrimi është i personazhes, edhe ajo vetë autore), nëse krahasimi i thertoreve me holokaustin është një ide e qortueshme dhe dënueshme.
***
E megjithatë, unë, edhe pa qenë vegjetarian dhe ndonjë mbrojtës i kafshëve, e shoh te ky krahasim një vështrim thellë në errësirën e natyrës njerëzore.
Ne do të ndiejmë për qenien njerëzore në varësi të asaj që ndiejmë për qenien shtazore.
***
Ne mund të themi, me një lehtësi dhe thjeshtësi që na e lejon sensibliteti dhe qytetërimi ynë, se deri te një veprim i tillë shtyn injoranca. Dhe kjo injorancë, edhe nëse është e dëmshme, nuk është se është qëllimkeqe. Mirëpo, injoranca, në të vërtetë, nuk ka legjitimim, justifikim. Injoranca është burim i të keqes po aq sa vullneti për të bërë keq.
Çdo flijim i bërë nga injoranca, dhe vetësiguria si pasojë e saj, reflekton një sjellje aspak humane, e cila mund të shkojë deri në katastrofë dhe krim të pambarim.
Gjesti, si i tillë, pra, i mbështjellë nga qëllimi, zgjon ndjesi të ndryshme. Të them se është vetëm, ose së pari, skandalizues, nuk e mbërthen në vete dhe si duhet tërë problemin.
Ky flijim, është gjëja më neveritëse që mund të hasësh. Ngase, në të vërtetë, veprimi i tillë nuk arrin të struket më vetëm te definimi arbitrar zanafillor. Në momentin që ndodh, e humb atë aurën e rreme të religjiozitetit dhe pranueshmërisë, për t'u shfaqur në natyrën e vet të vërtetë: një barbarizëm.
Prandaj, miti modern më i njohur dhe më i ruajtur me fanatizëm i historisë sonë ka për bazë bash flijimin e qenies njerëzore.
***
Prandaj therësit e njohur e të dëshmuar dhe therësit e mundshëm të ardhshëm, të qenieve njerëzore, kërcënojnë vazhdimisht se nuk e përjashtojnë as luftën nëse nuk dëgjohen dhe pranohen kërkesat e tyre (ta zëmë, këto ditë, shfuqizimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi). Kërcënimi i tyre për një luftë të re është aq lehtësisht i deklaruar sa nuk është aspak e vështirë të kuptohet sa vazhdimisht e menduar dhe sa fuqimisht e dëshiruar është lufta.
Nuk mjafton, për ta, sa jemi therur në fyt, me vite e vite, si ajo delja në Hajvali. Duhet të theremi ende. Dhe ta kullojmë, dalëngadalë, gjakun tonë, të bërë ujë, në kova muti...