Mendime
Skënder Kapiti: Sistemi i Drejtësisë, avokaturë e krimit
E merkure, 09.09.2015, 06:45 PM
Sistemi i Drejtësisë
funksionon si avokaturë e krimit dhe e
korrupsionit
Nga Skënder KAPITI
Në Shqipëri kemi 25 vite që dëgjojmë fjalën reformë, reformë. Reformë do të thotë ndryshim dhe zgjidhje për në të mirë dhe për të përmirësuar, reformë do të thotë ndryshim në menyrë të tillë që të përmirësohet qeverisja, demokracia, liria dhe shteti në vazhdimësi dhe pandërprerë paqësisht drejt të vertetës, drejtësisë , sigurisë dhe mirëqënies. Ndërsa në Shqipëri janë bërë reforma që vetëm kanë përkeqësuar duke bërë jo progresin por regresin, madje një regres afatgjatë traumatik, depresiv dhe konfliktual; janë bërë reforma të tilla që ja kanë nxirë dhe sketerrosur jetën qytetarëve; reforma që shteti shqiptar perceptohet sot si nga opinioni i brëndshëm dhe ai ndërkombëtar si një shtet joligjor dhe i prapambetur civilizisht dhe demokratikish.Të gjitha këto janë pasojë e sundimit të antiligjit apo të ligjit të xhunglës , të sundimit mbishtetëror dhe mbiinstitucional të drejtësisë së mafias, krimit dhe korrupsionit, dhe prej këtij realiteti shqiptarët vetëm e vetëm sa kërkojnë të largohen nga Shqipëria për diku tjetër për të gjetur shpëtimin prej bashkëqytetarëve , drejtësisë dhe prej shtetit të vet , a thua se janë dhe kjo gjëndje u vjen si mallkim. Deri më tani ndërmarrja apo bërja e të ashtuquajturave reforma në fakt janë antireforma ose më sakt ishin reforma antipublike , kundërintelektuale dhe korruptive që zbatoi politika gjatë sundimit të pushtetit politik, ekonomik dhe juridik të saj, duke abuzuar me pushtetin e që janë bërë në ekonomi, me pronat, privatizimet, tenderimet, në arësim, në shendetsi, në polici dhe në të gjitha degët dhe institucionet qeverisëse ; reforma këto bërë për vjedhjen, mashtrimin dhe spekullimin e kthimit të pronave dhe të kompensimit për padrejtësitë e së shkuarës. Ky është tranzicioni me reforma e antireforma pazaresh e poshtërsish që ka kryer politika në çdo sferë sociale e qeverisje , produkt i të cilave ka qënë mirëkorrupsioni , krimi, abuzimi dhe vjedhja. Ky është tranzicioni i reformave të ligjërimit të vjedhjes dhe grabitjes së pronave dhe pasurive të të tjerëve, i tjetërsimit të të drejtave të të tjerëve . Ky është tranzicioni i ligjërimit të të paligjshmeve , tranzicion i drejtimit të shtetit dhe drejtësisë prej njërëzve të dehumanizuar nga ndjenja e pronës ; tranzicion që u pri dhe drejtua dhe drejtohet nga njerëz pa përkatësi e trashëgimi pasurore dhe pa trashëgimi patriotike ; ky tranzicion u drejtua prej njërëzve që nuk ja dinë as kuptimin e fjalës tapi dhe jo më të së drejtëS qytetare, pronësore, juridike e shtetërore; ky tranzicion u pri dhe drejtohet prej njerëzve me formësim e botëkuptim hibrid ndërmjet atij patriarkalo -krahinor me atë komunisto-ateist. Në krye të kësaj zallamahie e zullumi qëndron drejtësia shqiptare ; kjo avokaturë e mafies politike dhe ekonomike; kjo avokaturë e krimit dhe e korrupsionit; kjo avokaturë e pushtetarëve dhe e të fortëve të pushteteve të korruptuara dhe të korrupsionit të vet. Kjo është drejtësia e sistemit piramidal kriminal të korrupsionin dhe të trafikimit të së drejtës që i ka paraprirë degjenerimit dhe degradimit të shtetit dhe të shoqërisë ; pasi në këtë farë drejtësie, në tërë sistemin e saj, pas rënies së komunizmit, mbetën dhe reforma u bë me dhe nga ata ishprokurorë dhe gjyqtarë të gjyqeve politike dhe nga persekutorët më të zellshëm të diktaturës dhe të luftës së klasave . Si të gjitha reformat që ndërmori politika, edhe reformën në drejtësi e nisi dhe e bitisi PD, lidershipin e së cilës e kapën dhe e drejtuan ishsigurimsat e shtetit të diktaturës komuniste, të atij ishsigurimi famëkeq të terrorit që i shërbeu verbërisht diktaturës dhe që ka qenë gjykatësi , urdhërdhënësi dhe dirigjenti i drejtësisë dhe mafies komuniste ; atë pseudoreformë e bëri kasta politike, fillimisht e deri në agoninë e 23 Qershorit 2013 , u bë nga pushteti politik PD-ist me gjyqtarë ateistë , me pandjesi humane e shpirtërore. Përveç kësaj, në emër të pseudoreformës në drejtësi, ajo u mbush me gjyqtarë e prokurorë të kurseve sezonale; u mbush me juristë me diploma e tituj të blerë që me të tilla diploma këta palo juristë blenë dhe postet më të mira, fakt ky që u evidentua në forumin “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri- 2015” mbajtur në Durrës; drejtësia u mbush me profesionistë amoralë e të korruptuar ; drejtësia u mbush me asish juristësh me rekorde kriminale prej atyre të së shkuarës po dhe të këtyre të pas saj; u mbush me shërbëtorë fanatikë e servilë, me lidhje politike, nepotike, krimi, fisnore, kanunore , krahinore dhe me injorantë , militantë e besnikë partie që e degjeneruan dhe e degraduan drejtësinë deri në këtë gjëndje. Drejtësia shqiptare , institucionet e saj të çdo niveli i shërbyen dhe i shërbejnë politikës, parasë , vjedhjes , korrupsionit dhe tradhëtisë publike e kombëtare, drejtësi kjo, në sistemin e së cilës, në krye të tij është vetëinstaluar e konsoliduar një klikë apo kastë mafioze e fuqishme financiarisht që e ka kapur sistemin politik e shtetin, dhe ka guximin për të bërë gjithçka e çdo gjë duke mos pyetur dhe mos patur frikë as ligjin , as kushtetutën, as shtetin dhe as shoqërinë, madje, drejtësia shqiptare nuk do t’ia dijë as për diplomacitë, institucionet e drejtësisë ndërkombëtare ku shteti shqiptar është pranuar si p.sh GJEDNJ të Strazburgut. Drejtësia dhe shteti shqiptar i kapur prej saj as që do t’ia dijë për vërejtjet e këshillat e diplomacisë së aleatit tonë të madh SHBA , as të BE ku duam të integrohemi dhe as të OSBE, Helsinkit etj., për domosdoshmërinë e reformave në drejtësi dhe për ndëshkimin e gjyqtarëve të korruptuar. Drejtësia shqiptare e ka pronësur drejtësinë , ajo është trafikante e të drejtave qytetare dhe të së drejtës shtetërore. Drejtësia e padrejtësive në Shqipëri dhe për pasojë korrupsioni gjithinstitucional shtetëror dhe shoqëror e mban peng integrimin , progresin dhe perspektivën e kombit , dhe për ironi të faktit drejtësia, korrupsioni dhe mafia e saj frikësojnë dhe pengojnë edhe investimet dhe investitorët e huaj që të vijnë në Shqipëri. Reforma në drejtësi nuk bëhet pavarësisht se kryeministri i vëndit me të drejtë e akuzon drejtësinë si korporatë fitimprurëse, presidenti deklaron se drejtësinë e bëjnë injorantët dhe e jep zarfi i parave ndërsa ambasadori amerikan nuk thotë zarfi por thotë se drejtësinë në Shqipëri e jep thesi i parave; dhe pasi dihet që KLD nuk ka bërë pothuajse asnjë ndëshkim për gjyqtarët e korruptuar por është mburojë e korrupsionit në drejtësi.Pra, drejtësia në Shqipëri nuk e zbaton dhe nuk veret nga ligji por varet çfarë i imponon mafia; drejtësia shqiptare varet nga korrupsioni, trafikimiet, krimi dhe nga politika dhe paraja e pisët. Prandaj kjo lloj drejtësia e konsoliduar tashmë në Shqipëri është mafia vetë, dhe si pasojë nuk kam dëgjuar që ndonjë qytetar ta ketë fituar të drejtën në Shqipëri pa ryshfet , pra pa e blerë atë. Të drejtën dhe ligjin kjo drejtësia shqiptare e ka nxjerrë në anëkand dhe e fiton ai që paguan më shumë. Drejtësinë në Shqipëri e ka bërë politika dhe pushteti, e ka bërë Ishkryeministri Berisha që po kujtojmë një rast p.sh atë që kur e përzgjodhën Prokurore të Përgjithshme z. e nderuar Ina Rama ai foli dhe e ngriti lart në parlament si të aftë e të denjë për ta luftuar krimin e korrupsionin duke e krahasuar me personazhe heroik ndërkombëtar , por kur Prokurorja kryente detyrën si Institucion i Pavarur, korrekt, konform ligjit e kushtetutës dhe jo sipas urdhërit politik të kryeministrit dhe jo nën tutelën e tij, të gjithëve na kujtohet sulmi banal me fjalë të ulta dhe ordinere kundër saj për ta denigruar atë publikisht, dhe madje edhe për turpin tjetër të madh e skandaloz se pasi asaj i mbaroi mandati si Kryeprokurore drejtësia politike dhe e korruptuar shqiptare e urdhëruar nga ishkryeministri dhe nga KLD-ja e tij e lanë të papunë edhe si juriste madje.Dihet gjithashtu agresiviteti dhe sulmi i pështirë dhe i neveritshëm me fjalë të ulta edhe kundër ishpresidentit Topi kur ishte president i Republikës dhe Kryetar i KLD-së.Kur ky degradim ,shantazh e kërcënim u është bërë Presidentit, Kryetarit të KLD-së dhe ndaj Kryeprokurores të zgjedhur nga pushteti i Berishës dhe i PD –së merre me mend se ku e ka katandisur ishpushteti Drejtësinë, dhe besoj se për publikun do të ishin të mjaftueshëm vetëm këto dy raste , që dihet mirë publikisht, për të vertetuar moralin e reformave ne drejtësi të bëra nga ai ishpushtet. Mund të kesh vullnet për ta bërë reformën në drejtësi, po nuk mund ta bësh atë nëse ky vullnet bie poshtë vullnetit dhe dëshirës për pushtet, ku ky i fundit si qëllim kryesor i politikës i bindet presionit të instrumenteve ligjorë manipulativ të dukshëm dhe të atyre thellësisht joligjorë e amoralë të padukshëm; nuk bëhet reforma në drejtësi kur vullneti për ta bërë atë i bindet dhe përdridhet prej rezistencës së segmenteve politikë të korruptuara si brënda vetë partisë dhe po ashtu nga komponentët politikë të tjerë, dhe kur i nënshtrohesh kualicionit politik me të cilin bën pushtetin me nevojën e numrave të të cilëve krijohet qeverisja. Reforma në drejtësi kërkon guxim , edhe poqese paguan kosto politike, në të kundërt ajo mbetet gjithnjë në stadin hipokrit, deklarativ dhe spekulativ. Reformën në drejtësi në Shqipëri po e kërkon dhe po e mbështet tërë faktori politik ndërkombëtar perëndimor duke e quajtur të domosdoshëm dhe deri jetik për Shqipërinë. Në këtë gjëndje ashtu si tërë shtetin dhe shoqërinë, edhe drejtësinë e solli PD me të cilën padrejtësisht dhe në mënyrën më hipokrite ajo u vetëidentifikua me demokracinë , me rolin e misionin e saj për të vendosur demokracinë në Shqipëri, po që në realitet pas 25 vitesh duket që asgjë dhe asnjë nga premtimet dhe idealet e Lëvizjes së Dhjetorit prej së cilës dhe lindi dhe që kishte si mision PD nuk u kryen , madje edhe mafia komuniste dhe ishkomunistët gjetën strehën dhe mbrojtjen më të mirë nën pushtetin e PD –së duke realizuar e shfrytëzuar mjaft mirë lidershipin komunisto-ishsigurims të saj e duke e manipuluar tranzicionin. Të gjitha nismat në dukje si reforma, të gjitha organizimet politike e sociale dhe strukturat shtetërore dhe ato gjoja antikorrupsion si dhe mediat në Shqipëri kanë në themel e si qëllime të vetme atë të korrupsionit dhe të përfitimit prej buxhetit të shtetit , të parasë publike dhe prej korrupsionit e trafikimit politik. Por më i korruptuari dhe më kriminali është sistemi gjyqësor , që tallet me sistemin politik(pra me demokracinë), që tallet më shoqërinë dhe qytetarët si një sistem piramidal financiarisht i pisët që trafikon dhe shfrytëzon burimet publike dhe qytetarët shqiptarë.