E diele, 28.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Mendime

Kalosh Çeliku: Kërçova si qytet afër Zajazit

E shtune, 26.09.2015, 06:54 PM


KËRÇOVA SI QYTET

     AFËR ZAJAZIT

NGA KALOSH ÇELIKU

“Analistë” teknefesë me këmbët dhe trutë në legen, kohën e fundit pak si shumë merren me Zajazin. “Delet” e Ali Ahmetit. Parashikime, që unë moti i kam publikuar nëpër shkrimet e mia publicistike. Herët i kam lëshuar të kullosin bar kokë më kokë Livadheve. Dihet, Bariun me gjithë kërluk e janxhëk krahut e kanë pasur në ballë të Kopesë. Qentë e Sharrit si roje t’i dalin përballë Ujkut. Pasqyrë tjetër është ajo, sesa lexojnë dudumët, e vrasin trurin nateditë mes atyre rreshteve profetik për Ditën e Nesërme. Trusakatët mendojnë, se: Zajazi është Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi. Edhe pse, Populli thotë: dardha bie nën dardhë. Ferra nuk bënë kumbulla. Kërroca, kutadi unë: ndoshta sipas tyre një ditë, bën qershia. Publikisht e them, plot gojën: Zajazi është Baba Tomorri i shqiptarëve. Asnjë katund tjetër shqiptar nuk ka dhënë kaq shumë kaçakë mali. Personalitete historike, që kanë bashkëluftuar krah për krahu me Bajram Currin e Dervish Carën për Shqipëri Etnike. Zajazi i ka pasur, i ka dhe do t’i ketë gjithmonë kryengritësit e tij shqiptar. Vertetë historikisht, deri më sot nuk ka dhënë politikanë, por ka dhënë burra të pushkës, që u kanë pri në ballë çetave të kaçakëve nëpër shekuj për Liri.

        Përderisa, Kastrioti (Sërbica) e Kërçovës ka dhënë burra të penës (arsimit), Zajazi ka dhënë burra të pushkës. Krah për krahu këto dy katunde kërçovare kanë ecur në jetë me pushkë dhe penë nëpër Shqipëri. Punë tjetër, është ajo se, këto “analistë” me këmbët dhe trutë në legen nuk e njohin Historinë shqiptare. Kaçakët e kësaj ane: Kalosh Zajazi, Sadin Selmani, Sefer Zajazi, Nezir Koxha, Osman Gjini e Sulltanë Qafa… Dhe, Mefailat e Zajazit. Historinë shqiptare që e ka njohur edhe Perandoria Osmane dhe Serbia.

         Padashtas, rasti ma kujton një ngjarje interesante me tren në kohën e Ish Jugosllavisë, kur duhej të udhëtoja me familje përmes Beogradit për pushime verore në Ulqin (Mal i Zi). Udhëtari rastit serb në kupe, papritmas më pyeti se nga cili qytet jam? Iu përgjigja: nga Kërçova. E ku ndodhet kjo Kërçova, më pyeti ai me habi, mos është diku afër Zajazit?! Po, iu përgjigja unë me një buzëqeshje ironike. Kërçova ndodhet, mu afër Zajazit. Katundit të kaçakëve, rrëzë Drenovës.

         Përgjumshëm, sot disa “analistë shqiptar” flasin e shkruajnë për “bashkim kombëtar”, me këmbët dhe trutë në legen. E, me “Allahu akber” në mes të Shkupit. Trumbetave u bien me të madhe nëpër Çarshi se, Bashkimin kombëtar të shqiptarëve do ta bëjë Turqia “mike”?! Përmëtepër, Kryeministri turk Erdogani. Hopaaa, kunkurencë po na i bëka sot “shpëtimtarit” të shqiptarëve. Bombahedhësit të “kashikarave” politike, në Shkup. Mirë, them unë si shkrimtar. Pakrëndësi ka kjo, por pse deri më sot Çështjen shqiptare nuk e zgjidhi Turqia e as Serbia?! Pashallarët e vojvodat i kishin shqiptar, edhe njerëzit e penës. Themeluesit e gjuhës letrare turke e të shtetit demokratik. Serbët, edhe bashkëluftëtar me funskione të larta e poste politike në rindërtimin e Jugosllavisë socialiste. Përgjigjuni, si “analistë” me këmbët dhe trutë në legen! Nuk keni përgjigje, ë? Edhe, atë: atëherë, kur ata burra me armë në dorë, Shkupin njëqind vjet para këtyre politikanëve trugrisur e kanë shkelur me këmbë dhe e kanë çliruar nga turqit dhe bandat çetnike serbe me penë dhe armë në dorë.

         Fatkeqësia, sot cilët trima m’i nxirrni në ballë t’i pri popullit shqiptar: “Burrat” e sotshëm me brekët mbi pantollona, që ende përpiqen ta mashtrojnë popullin shqiptar me “besë” e shptëtimtarë “vëllezër” neokoministë. Përditë, themelojnë parti të reja “demokratike shqiptare”, shoqata “joqeveritare e humanitare” në emër të popullit shqiptar për përfitime personale e familjare. Zhurmë politike e kulturore bëjnë nëpër Çarshi. Larg, shumë larg janë atyre burrave kaçakë me penë dhe pushkë për Liri. Turp si nuk kanë fere, i di e gjithë bota me emër e mbiemër: Janë pjella kopile, fundrrina që i kanë përzënë nga radhët e tyre Partitë Politike Shqiptare: PPD, PDP, PDSH e BDI.

         Imzot, po me këto fundrrina, kopila të këtij soji pas porte nuk bëhet politikë shqiptare. Padyshim, as bashkim kombëtar historik. E kënaqën politikën shqiptare Nënat e tyre delie me pashterkë të kuqe, tashti radha u ka mbetur ta provojnë veten në politikë edhe kopilat melezë si kalorës të arratisur. Vallë, nuk i përcillni deklaratat e tyre të përditshme teknefese, veprimet e tyre “politike”, bashkimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në një “front të përbashkët” para kamerave televizive?! Qëllimin e tyre skandaloz politik: Përzënjen e BDI –së nga skena politike, gjoja për ndryshime politike. Haptas dalin kundër Nënës së tyre, që gjatë këtyre viteve na i polli këto kopila, u dha gji dhe na i flugu natën pas porte.

       Dorën në zemër, edhe unë moti kohë jam për ndryshime politike, por jo me këto kopila melezë trusakatë, që vite me radhë na ngatërrohen nëpër këmbë. Frymën na e kanë zënë me vite. Fundekrye janë kamelonë politik pa perde. Dërdëllisës  propagandistik të cilëve nuk u besojnë më as fëmijët në shkollë. Shkaku, se: njzet vjet me radhë i lanë pa tekste shkollore, lektyra shkollore, ravista për fëmijë. E ku më, t’u besojë një popull, që me shkeuj bënë luftë për Liri dhe bashkim kombëtar.

         Thesi i tyre politik mbi gomar, moti është grisur rrugës për në mulli. Arnë nuk kemi që ta qepim në Ditën e sotshme për Nesër. “Partallat” e Shkupit, para le t’i qepin brekët e tyre të grisura në Bit – Pazar, e pastaj tirqit e shqiptarëve me dumbëdhjetë gajtana. Struken nuk ka nevojë, e kemi qepur, e qepim dhe do ta qepim vetë maleve.

        Shqiptarët, kësaj radhe nëse vijnë në skenën politike, nuk do të vijnë me gomarë, po me koçi e kuaj me shalë. Mjaftë më e dërguam drithin në mulli me thasë të grisur arnë përmbi arnë. Koha është sot, të dalim me thasë të rinj shqiptar ngarkuar në qerre pa arna kanapi: Made in Albania. Thasë të cilët drithin nuk do ta derdhin rrugës, por do ta shpien kokërr për kokërr mes gurëve të mullirit, në breg të Lumit.

         Sanço Pançot e arratisur, pjella të djeshme meleze të Nënës Parti hipur mbi gomarë, sot për sot, mirë është t’i mbani sa më larg Partive Politike Shqiptare!...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora