Kerko: a
Kujtim Mateli: Në universin poetik të Kozeta Zylos
E shtune, 15.08.2015, 04:38 PM
Në universin
poetik të Kozeta Zylos
Nga Kujtim Mateli
Dy librat që tashmë ne kemi nëpër duar, “Diaspora
si krah shqiponje” dhe“Kujtime si fletëz libri” përbëjnë një ngjarje të
rëndësishme në jetën e poetes dhe publicistes së nderuar, znj. Kozeta Zylo,
sepse me këto dy vepra ajo shënon një tjetër pikë kulmore në fushën e letrave
shqipe. Do të ndalem shkurtimisht tek vëllimi poetik “Kujtime si fletëz libri”
i cili artistikisht ka krijuar nëpërmjet poezive të këtij libri, realitetin
shqiptar në të gjithë dimensionin e tij kohor dhe veçanërisht realitetin e
krijuar në këto 20 vitet e fundit. Janë poezi të shkruara në një tjetër
kontinent, larg Evropës dhe Shqipërisë, por ato tregojnë se poetja ka menduar
dhe përjetuar realitetin shqiptar në të 365 ditët e vitit, njësoj si dhe ne që
jetojmë këtu.
Kjo lidhje shpirtërore e saj me Shqipërinë dhe trojet shqiptare të
kujton poemën e famshme të Dritëro Agollit që thotë se brodhi Evropës kudo, por
“mbeti devolli që nga thonjtë e deri tek flokët”. Koha e pas viteve `90 hodhi
rreth 1milion shqiptarë nëpër Evropë dhe Amerikë, por shumë prej tyre nuk e
pranuan tjetërsimin, ata mbetën shqiptarë me zemër e me mendje. Në këtë grup që
përbëjnë kockën e fortë apo shtyllën kurrizore të shqiptarëve në Diasporë,
gjendet dhe znj. Kozeta Zylo e cila përbën zërin më të spikatur të këtyre
shqiptarëve. Në Nju Jork (
Me librat e saj dhe veçanërisht
me poezinë, ajo ka krijuar një realitet artistik duke depërtuar tek çdo
shqiptar i Amerikës që kërkon ta përjetojë emocionalisht atdheun e vet. Në
udhën e saj poetike vëllimi “Kujtime si fletëz libri” është një himn për trojet
shqiptare, për njerëzit kurajoz që duan
dhe luftojnë fort për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët
kudo që ndodhen. Në këtë realitet ku njerëzit prodhojnë vlera, nëpërmjet të
cilave mbahet në këmbë dhe lëvizë drejt përparimit dhe progresit shoqëria
njerëzore, ekziston dhe një tufëz njerëzish që bëjnë të kundërtën. Ndaj këtyre
njerëzve, poetja e ka bërë vargun e saj kamzhik duke i goditur pa mëshirë.
Duket sikur shqetësimi i saj kryesor është pastrimi i shoqërisë nga njerëz të
tillë. Ndaj dhe ky vëllim poetik hapet me poezinë “Anonimët me kokë të prera”.
Janë rritur shumë komentuesit anonimë në faqet oneline të gazetave ku
gazetarëve dhe njerëzve të guximshëm që përballen me problematikën e realitetit
shqiptar, u kundërvihen njerëz anonimë që e fshehin identitetin e tyre. Këta
janë me qindra dhe mijëra dhe që shumohen vazhdimisht, që nxijnë me komentet e
tyre punën e mirë. Këtyre anonimëve mund t`u gjendet një zgjidhje dhe gazetat
mund t`i mbyllin komentet, por problemi është tek realiteti i krijuar në
shoqërinë shqiptare, sepse ata do të gjejnë mënyra të tjera për të ruajtur
ekzistencën e tyre.
Nuk i ka mjaftuar një poezi e vetme për ta demaskuar rrënjësisht këtë dukuri
negative që krijojnë anonimatët, por realizon dhe dy poezi të tjera të
titulluara : « Anonimi me emrin qen » dhe « Miushët
anonimë ». Secila prej tyre ka orgjinalitetin e vet dhe të tria së bashku
krijojnë tablonë e plotë të njeriut anonim, i cili nuk e gëzon lirinë që i
është dhënë për të krijuar personalitetin e tij. Ata nuk kanë vend në shoqëri dhe në vargje
klasifikohen jashtë shoqërisë njerëzore: Citojmë
« Anonimët nuk i dalloj dot nga minjtë,
njëlloj fshihen, një turi kanë.
Për strehim kanë vrimat
dhe nëpër orteqe komentesh të ndyra,
fusin turirin të brejnë lisat… »
2
Një tablo tjetër krijojnë poezitë e këtij vëllimi për ata që i dolën zot
vatanit në momente vendimtare, për ata që flijuan jetën dhe mbetën përjetësisht
në zemrat e njerëzve dhe në vargjet e poetëve. Ismail Qemali e Isa Boletini
janë portretizuar në poezitë « Gjithë trojet kanë një Vlorë » dhe
« Ismail Bej Vlora ». Ibrahim
Rugova jepet si lideri vizionar i rezistencës paqësore në poezinë
« Burri shqiptar Ibrahim Rugova », ndërsa legjendari Adem Jashari dhe luftëtarët e UÇK
janë skalitur mjeshtërisht në poezinë « Për ty Kosovë ». Në këtë
hapësirë të trojeve shqiptare ku jeta dhe heroizmi janë binjake me
njëra-tjetrën, do të zërë vend dhe Tepelena, Tepelena e heronjve dhe burrave që
lanë emër në rrjedhë të historisë.
Një vend
të veçantë do të zërë dhe Mezhgorani, ku derdhi gjakun Heroi i Popullit Asim
Zeneli dhe që poetja e ka përjetësuar me poezinë « Në harkun e qiellit
vetëtimë ». Në këtë hark qiellor që lidh dy male : Trebeshinën dhe
Shëndëllinë dhe që njihet si vendlindje e trimërive, ndodhet Mezhgorani dhe
gryka që mban emrin e tij, me banorë të vjetër sa dhe vetë bota. Kjo lashtësi
nuk vërtetohet vetëm nga toponimia e emrave si: Kroi i Erës, i Diellit dhe
Hënës, por edhe nga arkeologjia, ku poshtë tij, në Sajmolë, Vjosa rreh me
dallgët e saj një mur antik, i ndërtuar në mijëvjeçarin para Krishtit, i
quajtur ndryshe pellazgjik. Përmasat e gurëve me rreth 2m gjatësi dhe gjysmë
metri lartësi e bëjnë atë të kategorisë së parë, megjithëse ai ende u fshihet
syrit të njerëzve nën degët e rrepeve të moçëm dhe ata që dinë për ekzistencën
e tij janë të paktë.
Fushat e grurit mbushur me paparune të zjarrta,
si piktura e famshme e artistit holandez Van Gogut,
dallgëzohej dhe gufohej si gjoksi i Pamela Anderson,
që shpërthente në vështrime të ndezura si frutat vishnje të qershive,
që vashat i varnin si vath në vesh.
3
Ashtu si tërësia teritoriale e një vendi është e paprekshme, po kaq e
paprekshme është dhe historia e tij. Territori dhe historia e një vendi nuk
mund të ndahen nga njëra-tjetra dhe secila ka institucionet e saj që i ruan.
Pas cënimit të historisë së një vendi nga dashakeqës të vendeve të tjera, vjen
dhe cënimi i territorit të atij vendi. Poetja ndan me lexuesin e saj një
shqetësim që është publik. Pseudohistorianët e vendeve fqinj kërkojnë të
tjetërsojnë historinë e vendit tonë, por prej gardinëve të saj, që janë
institucionet tona shkencore dhe ato politike ka heshtje. Poetja është e
drejtpërdrejt siç është dhe opinioni publik dhe në poezinë “Liderë të frikshëm”
do të shprehet :
….emra ilirësh,
të ndryshuar dhunshëm,
nga liderë të pabesë grekë,
që janë futur si kali i Trojës,
në palcën e tokës sime
dhe me leje të sahanlëpirëse,
apo historianëve të dalë boje,
kafshojnë historinë me dhëmbë gjarpri të zi.
E ashpër është poetja me gardianët e historisë shqiptare, por nëse poeti nuk do
ta ngrinte me forcë zërin e tij për çështje që shqetësojnë themelet e një
kombi, përse do t`i duhej poeti një shoqërie ? Poeti përfaqëson popullin
në planin artistik : ligjërimin bisedor të njerëzve të zakonshëm, poeti e
kthen në ligjërim artistik për t`i dhënë fjalës më tepër forcë dhe siguri.
Mendimi poetik ka më tepër jetëgjatësi se mendimi i shprehur me gjuhën e
zakonshme, ndaj poetja Kozeta Zylo është kujdesur shumë për vargun, e ka
skalitur atë me kujdes, i ka dhënë forcën e duhur për ta bërë komunikimin e saj
sa më të ngrohtë. E falënderojmë znj. Kozeta Zylo për magjinë e vargjeve që ajo
na ka dhuruar dhe i urojmë suksese në udhëtimin e saj poetik.