E marte, 06.05.2025, 03:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ku e lamë e ku na mbeti…

E enjte, 13.08.2015, 07:50 PM


Ku e lamë e ku na mbeti…

Nga Blerim Rrecaj

Më duket se erdhi koha për t’ia nisur një shkrimi. Po,de,po! Një shkrimi të ri. Pas nja dy tre muajsh. Eh, kjo fjala “i ri” duket paksa intriguese kështu që këtë fjalë  mund edhe ta zëvendësojmë me fjalën tjetër :“tjetër”. Dhe pse të mos ta zgjasim muhabetin duke u përpjekur ta gjejmë një fije lëmshi a të kapemi për një fije bari a një fije kashte dhe njëri nga titujt që mund të vërtiten a të qarkulloj kokës mund të jetë edhe ky: “Një shkrim tjetër për plagën e vjetër(plagët e vjetra)”. Hë, duket si një fillim i mbarë, vazhdimi dhe përfundimi kushedi se si do të jenë.  Mbase do përmbajnë valë e dallgë kujtimesh që një cope jete që shkoi.

Një jetë e rëndomtë,  e “përhumbur” ca konkurseve( e kur jemi te konkurset , edhe këto të gjorat ku marrim pjesë ne të gjorët i kanë degraduar, pra, ata shpallësit e tyre, më përpara dikush të paktën të njoftonte, për pranim a mospranim, ndërsa tash kësaj pune “i ka vdekur nana”) ndejave nëpër kafiteri, e ca ditëve pushimi nëpër Durrës a në park a në bazenin e Gërmisë. Jetë me vështrime nga dritaret a ballkoni i banesës, udhëve të kryeqendrës a të kryeqytezës, me ankime e ofshama binjake të të punësuarve dhe të të papunëve  për një jetë kot që ka mbërthyer fort fytin mbase njashtu sikurse kollaret  nëpunësit e bankave(këta nëpunës  më erdhën në mendje, kështu që, hallet e nëpunësve  nuk kanë ndonjë dallim kushedi se çfarë)  që në hall e në siklet të madh marrin urdhërin për të kërkuar këstet e kreditorëve.

Në ndihmë për të vazhduar edhe më tej rrëfenjën tonë të rradhës mund të na ndihmojnë dhe fotografitë që gjenden nëpër  telefonat modern shumëfunksional.  Si në mode është bërë forma e reve formash të ndryshme nëpër qiell.  Ne edhe kemi pare ndonjë re në formë shiqete por edhe re me fytyrë njeriu të mërrolur duke shikur vocërrakë duke shtyrë karrocën me materiale e gjësende të ndryshme për riciklim. Si ta riciklojmë edhe një shkrim kur qindra e mijëra pamje e shumica prej tyre na ushqejnë hidhur qenien sa për të na nxjerr ofshama tjera të një jete jo të lehtë, e rëndesa e saj mbase mund të ishte e të jetë lehtë e shmangshme. Si e qysh?! Tash mbase kemi “sharruar “ thellë nëpër pusetat e pakapakta, këtu, atje, kudo…

Hallet e shqiptarisë janë të njejta, binjake, more veç kot mundohemi të bëjmë ndonjë krahahim, fjalët si gjithku nëpër shqiptari që kanë parasysh zymtësinë dhe moslëvizjen nga udhëkryqet a sjelljen nëpër rrethrrotullime pa drejtim.  Po si ta vazhdojmë këtë shkrim, tash kur s’dijmë kah të drejtohemi  e ku e patëm fjalën, për dertet e shqiptarisë a për hallet e mahallave tona që përbëjnë këtë shqiptari që na ka mbetur, e që lëngon nga frika se edhe kjo mund të tretet fare lehtë…

Emigrimi vazhdon na e thonë faktet në terren. Ndërkohë mërgimtarët që vijnë për pushime në atdhe ndonëse me shpresa të zbehura por të pashuara ëndërrojnë për rikthim dhe sytë e tyre nuk i fshehin dëshirat e mallin, e dëshirat, ëndrrat e mallin i kemi të përbashkëta për një atdhe të zhvilluar, e të mos mbetemi një vend që lëngon rëndë e gjatë e që është në kërkim të një diagnoze që do ta bënte ta merrte veten, të ngrihej e të ecte në këmbë të veta. Eh, sikur kjo të dukej në horizont. Pak kush e di, por siç duket mund të priten stuhi e rrebeshe tjera, por do varet nga ne se edhe sa do e lëmë të na shkojë vera kah dera…

Dhe edhe diçka për fund. Si një shenjë pozitive kohëve të fundit kam parë jo vetëm reagimet e shumta për shkaqet dhe pasojat e gjendjes sërëndë të shqiptarëve qoftë duke shfrytëzuar internetin e facebookun, por dhe dhurimin e librave    formatin Pdf, si për shembull nga autorët Agim Hamiti, Shenasi Rama, Petraq Kolovica dhe në këtë drejtim për të lexuar libra të mirë e me vlerë ka kontribuar dhe faqja “Shfletuesi.com” …



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx