E marte, 27.07.2021, 01:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Se...

E merkure, 12.08.2015, 06:19 PM


Se...

"Vet i pate fajet

Shkove pas rrospajet..."

Popullore dibrane

Tregim

Nga Përparim Hysi

Se ti e pate fajin. Se më  vërvite "dorashkën" për  dyluftim dhe unë, kur ka dasëm, nuk shkoj për shkarpa. Se dhe mua aq më hante hunda për  sherr, sa kisha nevojë pë fre se sa për shtyrje. Se unë nga mendimet dhe veprimet jam  paksa napoleonian,që, nëse iks predhë është nisur për të më vrarë mua, edhe njëqind pashë nën dhe, po të fshihem, do më vrasë që do më vrasë. Se, siç kam  vënë re dhe në raste analoge, sikur në  gene kam pak gjak arab, se  arabët thonë:- Mos e kërko aventurën, por mos iu shmang asaj, po të doli në rrugë.

*    *   *

Se ky "sherri" ynë filloi në plazh, këtu e dyzet vjet më parë, por blana e atij "sherri" në faqen time është, ende,e freskët. Se ne kabinat i kishim, pothuaj, ngjitur dhe në të gjitha radhët ( e kush nga brezi ynë nuk i kujton këto radhë me brengosje!), hera sikur na vendoste, sado në njësh kolonë, por përbri. Se ti, ngaqë doje burrin shumë, u kishe dalë radhëve për zot. Se dhe unë nuk e haja thatë: ngaqë kisha afeksion për time shoqe, i kisha marr vet përispër të gjitha radhët. Se sa të bezdishsme qenë ato radhë, s'kam pse ndalem  më shumë. Se shkoje në radhë dhe do të qe si me fat, që të ktheheshe me mallin që do bleje. Se qe si rregull i pashkruar, por i pranueshëm nga të gjithë: kish më shumë njerëz në radhë, se sa mall që tregëtohej. Se kështu ndodhte tek radha e qumështit dhe, ca më shumë, tek radha e mishit. Se dhe, për çdo tregoj më poshtë, ka ndodhur tek radha e mishit. Se për radhën e mishit do ngriheshe më heret se për gjithë radhët e tjera dhe, kur ktheheshe në shtëpi, me atë kg mish (kaq ta bëje dhëmbin, nuk kishte më shumë), të dukej vetja sikur kishe bërë një vepër heroike. Se qemë mësuar me  këtë jetë rutinë edhe në plazh dhe, si në ato garat" më i shkathti, më i shpejti", kush e kush më parë vraponim në korsinë e radhëve. Se radhët mbaheshin (me trup,sigurisht) me aq rreptësi,sa askush nuk lëshonte pe. Se ishte plazh dhe ujtë e detit të bënte "lavazh" të stomakut që kish nevojë për mish. Se  qemë të ndërgjegjshëm për disiplinën,pothuaj, ushtarake në mbajtjen e radhës. Se aty, tek radha e mishit, qëlloi që i shtati nga burrat të isha unë dhe se e shtata nga gratë të ishe ti. Se, tek koteshim në pritje të ardhjes së mishit, herë-herë plasnin dhe muhabetet pa kripë dhe, ndonjëherë, edhe shpotitë. Se, siç më kujtohet, kish ndodhur që tek radha e burrave paska hyrë një grua. Epo natë, or tunjatjeta, dhe nuk i ka parë shoqet kjo. Se nuk paska qenë fare kështu. Se kjo që  qenka futur tek radha e burrave paska qenë finoke e madhe. Se e kish parë që nga radhët burrave (po qenë burra me rrrrrrr të fortë ata), radha qe më e shkurtër dhe ajo sulm dhe atje. Se, kur i paskan thënë, shoqe kjo radha është e burrave, ajo qenka lëshuar në sulm:- Pse burra jini ju? Burrë është ai imi që fle si pasha dhe për shtatë qejfe atje në kabinë. Kurse ju jini si ata qetë që vret lopa.  Se kaun që e vret lopa, në fshat e therin. Se,sa dëgjoje, nga këto(epo ku mbaroheshin ato), harroje fare që po shkriheshe qiri në këmbë duke pritur të vinte mishi.

*        *       *

Se,sa erdhi mishi, i premë muhabetet dhe sy e vesh u bëmë andej nga kasapi, Llahu.

Se, sado ju, gratë, përpiqeshit ta futnit në kular,Llahun, këtij i qe regjur lëkura dhe as që tundohej nga pekulet tuaja.  Se filloi shitja e mishit dhe, kur po afrohej radha jonë (të shtatët, de), plasi dhe sherri. Se, sikur doli nga fundi i dheut,një nga ato të bëra me dorë. Veshur si për sfilatë, me  një tualetë që binte në sy dhe me një paturpësi që,sa të grricte nervat aq dhe të vinte poshtë me atë portret aq impozant, çau mes radhëve si një gjeneral madhor shtabi mbi një regjiment ushtarësh dhe, kur u afrua tek Llahu (kasapi që nuk ua varte teneqenë fare grave), foli:- Më bëj një kg mish, por këtu (aty qe gjithë tule) dhe, ndërsa Llahu zbatoi urdhërin si një ushtar i bindur para komandantit, ajo hodhi lekët dhe, si mori pakon e mishit, u largua me të njëjtin pompozitet. Se, sa mori rrugën nga kish ardhur ajo, plasi sherri me Llahun e mirë.

-Po ti,- se qenë gratë ato që vunë ulërimën,de,- mos e ke mallin e babait që jo vetëm i dhe pa radhë asaj edepsëze, por ia zgjodhe tule!!! Se i ndukeshin dhëmbët dhe i binin për tokë. E shaj e mallko. Ne, burrat, ashtu zë e nën zë. Kurse Llahu (epo ky nuk fliste kurrë), ua ktheu:- Pse unë e kam fajin apo Perëndia që ia kish bërë tërë nishanet si me porosi. Se, kur tha kështu Llahu, vullkani  i ankesave sikur u fashit, Se, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, vazhdoi sipas radhës dhe shitja.  Se ne, që të dy, pothuaj e morëm në të njëtën kohë mishin. Tek po u afroheshim  kabinave, ti e zbraze:- More,-  the ti,- unë sikur të njoh për të gojës, po si nuk u ndjeve, kur ajo "edepsëska" bëri atë ynerin e bukur.

Se më kujtohet mirë që të thashë:- Sije, ajo"edepsëska" ishte e bukur.Qe si prodhim jashtë serie dhe unë, para të bukurës, bie në gjunjë dhe dorëzohem, Se, kur flas, hajde dhe më mbaj mua. Se e vazhdova dhe më tej ligjëratën dhe të thashë:- Se dhe unë, po të isha kasap, kështu do kisha bërë: do ia jepja mishin pa radhë dhe do t'ia zgjidhja. Se, moj Sije, këtë do kisha bërë dhe me ty, se je si një lule e çelur. Se, kur pashë që të mbulojë një të kuq sikur kishe bërë faj, vazhdova: se pas lindjes së fë mijës sikur ke fituar një kthjelltësi qieilore dhe, o Zot, lutem si mund që t'i vë buzët e mia mbi ato të tuat që janë si luleshege. Se unë e kisha kaluar me kohë Rubikonin dhe turpin e kisha ngrënë me bukë. Se, tek vazhdoja me ato pekulet e mia në adresën tënde, pashë që ti  gati po dridheshe nga gjithë kjo trysni sulmesh. Se të ndodhi si me atë lulen e brishtë që befas goditet nga një breshër kokërrmadh. Se, sado që po çapiteshim me hapabreshke, pothuaj kishim arritur para kabinave. Se, kur më the, mirë u pafshim,e mbaj mend mirë që  ta ktheva:-Ardhsh më e bukur se sa sot!

*     *      *

Se e mbaj mend mirë:se qe mbasdite dhe unë isha vetëm në kabinë. Se nuk e di se si e kishe mar vesh që imeshoqe me gjithë fëmijë kish shkuar për vizitë. Se, kur trokiti dera dhe e hapa, u rrëfeve ti, moj lule e çelur. Se, kur mbylla derën, fole:- Kam ardhur të marr mish pa  radhë... Se...po a ka kuptim për ta vazhduar më tej?!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora