E diele, 25.07.2021, 01:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Terziu: Vranari lë pas “buzëmbrëmjen” e narrativit

E shtune, 08.08.2015, 03:00 PM


Vranari lë pas “buzëmbrëmjen” e narrativit...

(“Loja e Mëkatit” një roman me stilin e Xhejms Xhois)

Vranari  paraqitet me “Loja e Mëkatit” një roman i shkruar me stilin e Xhejms Xhois

Nga Dr. Fatmir Terziu

Para disa ditësh, tek “Fjala e Lirë”,shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj, “Mjeshtri i Madh”, botoi dhe fragmentin e 11-të dhe të fundit të romanit të saj më të ri, “Loja e Mëkatit”. Një roman që nis me një narrativ linear, të tendosur, me një stigmë (demaskim të hapur) që kapërcen det, tokë, dritë, ajër, bunker dhe izolim, madje shterpëzon konceptin njeri në itinerarin jetë-vdekje, liri-bunkerizim, duke e sfumuar në një kornizë që kanalizohet e stigmohet (dënohet turpi para botës) rishtazi. Nis me fjalën “buzëbrëmje” dhe trazon në këtë gjysëmterr fate njerëzish, madje edhe të një foshnje të braktisur që bëhet më pas ulërimë e kontekstit. Në këtë kontekst  forma poetike “I pashpresë” katarakton tërë llavën që rrjedh në narrativ: “Mjerë kush humb shpresën,/ nuk i beson më as vetes...”, që ka një kuptim thelbësor e të shtyn në leximin e tutjeshëm. Ky lexim që në thelb ka një arsye të fortë, na shpie të lexojmë se Vranari ka arsyet e saj të kalojë në spektrin e duhur të mesazhit. Ai mesazh është i ndërlidhur me jetën, por edhe me tërësinë që e ushqen këtë jetë: “Gjithsesi, tokë dhe det, si dy qenie të gjalla, edhe pse pafundësisht të dashuruar, janë në një maratonë të përjetshme. Asnjëri prej tyre nuk lodhet, por provojnë pa pishmanllëk se, cili do ta arrijë Nirvanën i pari?!” E Nirvana të qas me mitin, me atë mit që arsyetohet ndjeshëm dhe bukur. Nirvana është një koncept budist i një statusi ideal ku shpirti është i çliruar nga ciklet e vdekjes dhe rilindjes. Nirvana mund të jetë pas jetës, por përjetimi ëhstë në jetë. Nirvana është quajtur një ndriçim shpirtëror dhe lirim nga vuajtjet njerëzore, epshi dhe zemërimi. Dhe këtë e ka të qartë shkrimtarja Vranari, ndaj narativin ua dedikon edhe “atyre të dyve që ishin në makinë”, ku “u dukej vetja si pjesë e kësaj maratone.” Dhe narrativi në këtë pikë bën arsyetorin, pasi ata, pikërisht të dy që ishin në lidhjen mitike me Nirvanën, “ndjenin troshitjet e makinës” dhe për më ttutje, “pakënaqësia u pikasej në fytyra. Dukeshin si ati me të birin. Ai ishte ulur në vendin e udhëtarit. Një mesoburrë, ku koha kishte lënë vragat e egërsisë së saj mbi fytyrën e tij të lodhur e të vrarë prej mundimeve...”

E lodhja është vegimi. E pas vegimit është liria. Është pikërisht ajo që e mundon këtë udhë, atë njeri me brenga në vetvete. Ai që këshillon mes narrativit: “Mos harro more bir se, njeriu kërkon ta gëzojë me çdo kusht. Jeta i fal lirinë, por...ai përsëri nuk e di se ç’pasuri të madhe duhej të zotëronte, nëse do të gëzonte lirinë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjithsesi, jo çdokush e çmon këtë të drejtë qytetare, e cila lejon të jesh “Njeri”në kuptimin e vërtetë të këtij koncepti. Në të kundërt, po ta ruante me fanatizëm lirinë si gjënë më të çmuar, njeriu nuk do ta lejonte kurrë dhe asnjëherë nuk do t’i hapte rrugë padrejtësisë.” Liria mbetet arsyeja më kuptimplote, arsyetorja e një njeriu të lirë, në kuptimin e pakuptueshëm si të tillë. Por, përpos kësaj është ajo liri dhe mungesa e saj që ka lënë shenjat e saj kudo, edhe në atë prag jete të re, ku fjalët e plakut, mosha e tij, ana poetike e prurë nga një mik, vetë dëgjesa dhe arsyetorja tek rinia na sjellin faktin se jeta ka ikur përtej ligjësisë së jetës, përtej normave dhe traditave, përtej një logjike. Liria nuk ishte tek braktisja e fëmijës në bunker, nuk ishte tek seksi i qëmtuar si i tillë. Jeta ka faktorët e saj, ka rregullat e saj. “-Gjurmët e shkatërrimit duken kudo dhe tek ne të rinjtë, jo te ju që jeni disi i... Shikoni përreth! Natyra i ngjan një trupi të plagosur. -Pse e le fjalën përgjysmë? Fshati që duket s’do kallauz.”

Duket se në këtë pikë narrativi merr formën e një lidhjeje tjetër, edhe pse në rastin e shkrimtarit që do citojmë fjala është e drejtëpërdrejtë me seksin, këtu Vranari ka treguar përkujdesjen femërore të na japë vetëm mesazhin. Në romanin e Xhejms Xhois (James Joyce) “Portreti i artistit si një i ri” (1916) miku i Stefan Dedalusit (Stephen Dedalus), provokohet seksualisht nga një grua fshatare. Ai e refuzon ofertën e saj, por hutohet nga të papriturat e ndodhura dhe mënyra e qasjes. Stefan është përshkruar si një nacionalist fanatik dhe fshatar në vetvete. Për të jeta fshatareske është e pashthurur, konkrete, e paimagjinueshme në këtë aspekt. Ai u trembet gjërave të ngritura të një fashatari irlandez dhe ikën larg atyre fjalëve që i quan të këqija. Por kur sheh një fashatare magjepsëse, që kthehet nga shkolla, ai luan mendsh për të.

Ky është romani i parë i shkrimtarit irlandez Xhejms Xhois. Një roman në një stil modernist, ka në gjurmimin e tij zgjimin fetar dhe intelektual të të rinjve si Stephen Dedalus, një alter ego imagjinare e Joyce dhe një aluzion për Daedalus, artizan i përkryer e mitologjisë greke. Thelbi qëndron tek fakti se Stephen ngre krye kundër katolikëve dhe konventave irlandeze sipas të cilave ai është rritur, duke arritur kulmin në vetë-mërgimin e tij nga Irlanda në Evropë. Puna dhe teknika që përdor Joyce kanë zhvilluar më plotësisht tematikën në thelbin e Uliksit (1922) dhe Finnegans Ëake (1939).

Romanin autobiografik të projektuar në një stil realist e filloi në vitin 1903. Pas 25 kapitujve, Joyce e ka braktisur Stephenin si Hero dhe në vitin 1907 e  vendosur për të provokuar temat e cituara duke e bërë protagonist pesë kapituj të ngjeshur të romanit. Ai e ka trajtuara atë duke dhënë me realizëm të rreptë dhe duke e bërë përdorimin e gjerë të fjalës së lirë indirekte që lejon lexuesit të hyjnë e thellohen në ndërgjegjen në zhvillim të Stefanit. Poeti modernist amerikan Ezra Pound në 1914 dhe 1915, ka folur mjaft në hapësirën letrare të Nju Jorkut. Publikimi i një portreti dhe të grumbullimi i historisë së shkurtër i dha Joyce vendin në ballë të modernizmit letrar. Në vitin 1998, Biblioteka Moderne romanin e Xhois e klasifikoi në listën e saj të 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze të shekullit të 20-të.

Siç e thamë, lidhjet janë vetëm në kontekst, se arsyeja që sjell Vranari ka në thelb provokimin e kuptimit të lirisë, jetës në formën e saj më të mirë dhe jo në thelb argumentimin me format standarte të saj. Ajo nuk ka lidhje në kohë dhe hapësirë, as edhe vend me romanin e Xhois, por në tërë narrativin e saj është një prurje që kërkon vëmendje të njëjtë, ndoshta edhe më didakte. Pasi në këtë narrativ janë mjaft skuta nga errësira, fantazmat e natës dhe tërë lëvizja e padukshme e saj. “Mos vallë errësira e natës merret me gjuetinë e shtrigave?!”- pyeti veten. Gjithsesi vazhdonte të shijonte birrën dhe vështronte përreth me kureshtje.” Kjo ndodh në mjaft raste në roman. Në vazhdën e saj ajo qetëson disi arsyen, por alarmon faktorët që e pasojnë si të tillë: “Papritur dritat u fikën. Gjithë bregdetin e zonën përreth i pushtoi errësira e plotë. Deti, i errët si nata, të kallte tmerrin. Një rreze drite, që e kishte burimin diku në Gadishullin e Karaburunit , në Kepin e Gjuhzës a në Ishullin e Sazanit, ndriçoi gjirin e detit që ngjasonte si vetëtima në një natë të errët, pa hënë e pa yje. Kjo u përsërit tri herë. “Jo, jo nuk është rastësi, ky është sinjal. Mos bëhet fjalë për një ikje matanë detit? Ndoshta...” ... Cili do të jetë fundi i tyre? “Fantazmat” vraponin si të marra. Sikur kërkonin të iknin nga sytë këmbët dhe të shkonin sa më larg së keqes. Cilido që do t’i kishte pikasur do të pyeste veten:“Ç’po ndodh vallë?!Ku po shkojnë? Drejt detit të pamatë? O Zot, ki mëshirë për ta!” Dhe në kontrast me këtë format autorja na jep në fragmentin e dytë: “ Ndërkohë ata kishin mbërritur në vendin e duhur. Përballë tyre vezullonte nga ndriçimi i dritave reklama, e cila dukej që nga larg:“Bar Angeli”.”

Është pikërisht ky “Bar Angeli” që na shpie më tej dhe na sjell lidhjen më të arsyeshme me Xhois, ku kuptimi qartësohet mjaft qartë në pasazhin që e sjellim të plotë: “Bar Angeli. Papritur një vajzë nga ato që kërcejnë nudo, u drejtua për tek tavolina e tyre.

-Më duket se po na buzëqesh fati...

-Kjo është besoj...- dyshoi shoku.

-Gabon, nuk është kjo...-mërmëriti Arlindi si i lehtësuar. Nuk e njihte atë grua. Por thellë në shpirt, i ndikuar nga egua dhe mendësitë patriarkale të shqiptarit për sojin dhe gjakun e vet, s’donte ta pranonte.....     -Kujdes, se mos u pikasin, se na piu e zeza si ju edhe ne! -porositi vajza gjysmëlakuriqe, që si duket i mbante mend. -Ejani pas meje. Nuk di, por ajo grua më dhembset. Gjatë gjithë kohës vetëm qan,- pohoi ajo.

-Nuk ka ardhur me dëshirë?!- pyeta.

-Jo...Ç’është ajo fjalë?! Të reklamosh hiret trupore, nuk është kënaqësi për asnjë femër. Madje as për ato që e kanë në gjak këtë zanat të ndyrë.

-Vërtetë?!

-E përse u dashkërka ta adhurojmë veprime të pahijshme. Nuk është kënaqësi të joshësh ata që shfrejnë epshet shtazarake barbarisht mbi trupin tënd të pambrojtur?! Ju nuk e merrni dot me mend se sa të fyera e të përbuzura ndihemi.

-Atëhere përse s’ikni, ti, ajo e sa të tjera që...?  Ndoshta keni frikë të përballeni me vështirësitë e jetës. Kërkoni ta fitoni atë sa më lehtë, me mënyrat më të ulëta dhe më të turpshme. Keni nxjerrë në ankand trup, shpirt, mendje, ndërgjegje, duke shvlerësuar me neveri të qenit femër e dëshiruar dhe e nderuar. E kam fjalën për femrën që adhurohet nga të gjithë. Edhe mashkulli më i rëndomtë, që zotëron gjithë veset e botës, shprehet: “Nuk ke ç’i thua...! Është femër e mirë e me të gjitha virtytet. Të vjen keq ta prekësh në sedër me ndonjë fjalë, ta fyesh, apo t’i hedhësh një shikim lakmues, se të duket sikur ia ndot pastërtinë e kristaltë dhe brishtësinë që e karakterizon. Lum kush e ka, veçse duhet t’ia dijë vlerën...!”- e këto fjalë dalin nga goja e një rrugaçi që ka bërë apo provuar të gjitha të këqijat e kësaj bote.

-A thua se do të na lënë të lira vallë?

-Po ta kërkosh lirinë vetjake, ndoshta me shumë vështirësi, por jam i bindur se e gjen....”

E tërë kjo pasohet ndryshe tek fragmenti i pestë i romanit, ku epshi mashkullor gjen një zgjidhje sa normative, aq edhe tepër të strukturuar për debat. Format e gjellës së kungullit pas së cilës meshkujt e zyrave dhe ato të rrugëve vrapojnë kanë arsyen e vet në narrativ. Ndërsa tek fragmenti i gjashtë është sërrish ajo buzëmbrëmje që pason dhe larmon ndjesinë tek Bar -Kazino “Angeli”. Tek fragmenti i shtatë njeriu merr një formë tjetër. Është pikërisht “Mikpritja dhe bujaria e Enkelit me Vjollcën, si dhe takimi me të birin, e kishin bërë me krahë atë femër të harruar nga njerëzit e një mishi, e një gjaku e një geni me të. Ishte e drejta e saj që të vetëquhej si njeri pa njeri, pasi asnjë nuk e kishte vënë ujin në zjarrë për të, askush nuk e kishte kërkuar në gjithë këto vite mungese. Ishte kohë e shkurtër, vetëm dy ditë që Kaltra kishte dalë nga llomia ku ishte zhytur dhe i dukej se në horizont shihte një dritë jeshile.” Dhe në fragmentin e tetë është Arlindi që ia kthen sytë Kaltrës për të cilën mendon se “E admironte shumë, por nguronte t’ia pohonte vetes se e kishte domosdoshmëri praninë e saj, jetën nën një çati me të. I dukej sikur nuk do të thithte oksigjenin e duhur, nëse nuk do ta gjente atë në shtëpi kur kthehej nga puna. Në të njëjtën kohë, në mendjen e secilit gëlonte mendimi për të nesërmen,por secili sipas mënyrës dhe i gëzuar! Shijo të sotmen që shkoi, se të nesërmen askush nuk e parashikoi!”, këndvështrimit të tij.” Fragmenti i nëntë vjen më filozofik dhe më i zhdërvjellët dhe na jep: “-Mos u gëzo, o duke kaluar tek i dhjeti që shpejton kohën shpejt dhe ndalon pikërisht aty ku shkrimtarja qetë dhe bukur që në hyrje na e jep: “Koha kaloi pa u vënë re. Në Parajsën me emrin Llogara ra mbrëmja.” I njëmbëdhjeti fragment që shënon dhe fundin  e romanit , ka tërë mushtin dhe thelbin e tërë narrativit.

Është ky fragment që lë pas errësirën, natën, buzmuzgun dhe sjell në sipar mëngjesin, pikërisht atë mëngjes ku “Kaltra flinte e qetë.” Dhe ky “Ishte mëngjesi i parë pas kaq vitesh...” Në këtë pikë romani i Vilhelme Vranarit, natyrisht kap atë që i duhet gjithë atij narrativi, gjithë asaj lëvizjeje të strukturuar bukur dhe thjesht, në një formë sa të kapshme dhe po aq të pastër e të pasur në gjuhë e në lexim. Mënjanimi i disa trajtave të vogla gjuhësore, disa përsëritjeve në detaj, ndoshta do ti jepte më shumë frymë këtij romani të denjë në çdo gjuhë, në  çdo nivel lexuesish, pasi plagët që shëron Vranari, kanë qenë, janë dhe do të mbeten në forma dhe mënyra të ndryshme dhe janë e mbeten debat i kudogjendshëm. Me romanin e saj Vranari, vazhdon të provojë me punë dhe me talent se është femra shkrimtare më prodhimtare dhe më e ndjeshme e problematikave shqiptare në dekadat e fundit. Cilësia e saj e vlerësuar, narrativi i saj i lexueshëm dhe mjaft të tjera që vijnë nga çmimet e shumta e bëjnë Vranarin akoma më meritore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora